Data : 21 02 2019
KryeTitujt :

Rreth librit monografik “Jeta ime në tri kohë” të kolonel Myfit Qorduka

Rreth librit monografik “Jeta ime në tri kohë” të  kolonel Myfit Qorduka
Kopertine 5 Myfit
Albert Z. ZHOLI-redaktor i librit
Pa dyshim që një pjesë e fateve të historisë, e ngjarjeve
apo dhe e lumturisë të popullit tonë kanë qenë dhe janë të
lidhura me detin.
Lëvizjet nganjëherë të mëdha, si ikja e arbëreshëve në shekullin
XV drejtë Italisë, apo ikja e parë e refugjatëve tanë drejt Perëndimit
në vitet nëntëdhjetë, si dhe ngjarje të tjera të po këtyre përmasave,
e kanë lidhur detin me memorjen kolektive të shqiptarëve. Nga
ana e detit vinin “bajlozët e zinj”, këta personazhë mitologjikë
armiq, që, herë pas here, u sillnin shqiptarëve fatkeqësi.
Por deti ishte dhe një urë komunikimi e shkëmbimi me
vende e popuj të tjerë, ku shqiptarët dalloheshin si detare të
vërtetë. Parardhësit e shqiptarëve, Ilirët autentikë, kanë lenë
gjurmë emblematike në detarinë botërore. Kështu, shqiptari nuk
ishte vetëm zot i tokës, por edhe i detit. Nga pozicioni gjeografik
që ka trashëguar populli ynë, si popullsi që jeton në bregdet, na
vjen mirë e jemi krenarë (dhe duhet ta themi me plot gojën), se
Shqipëria është një vend i lashtë detar.
Vendosja e hegjemonisë në Adriatik e Jon, synonte kontrollin
mbi komunikacionet detare dhe, në mënyrë të natyrshme,
kërkonte të kishte fuqi dhe flota detare të besueshme, për të
imponuar vullnetin e sundimtarëve. Ështe fakt i pamohueshëm
që iliro-shqiptarët në kohën e sundimit të mbretit Agron dhe
mbretëreshës Teuta, siguruan supermaci të dukshme në hapësirat
detare të Adriatikut. Pas lundërtarëve fenikas të lashtësisë dhe
lundërtarëve grekë, të cilët kolonizuan pothuaj të gjithë bregdetin
e Mesdheut Lindor dhe Qendror për një periudhë 100-vjeçare,
flota ilire zotëronte në mënyrë absolute gjithë Adriatikun e Jonin.
Dokumente historike tregojnë se populli ynë, as më shumë e as
më pak, ka po të njëjtën histori dhe traditë detare si dhe popujt e
tjerë të Adriatikut, Jonit dhe Mesdheut Qendror.
Të dhënat e para për ndërtimin e anijeve dhe përdorimin e
tyre për qëllime tregtare e luftarake, datojnë me Luftën e Trojës
në vitin 1180 p.e.s të përshkruara nga Homeri në veprat e tij
“Iliada” dhe “Odisea”. Në librin e dytë, te “Iliada” Homeri thotë
se “Guneu dhe Kyfi solli 22 anije së bashku me eninet luftarakë që
banonin në Dodonën Dimërkeqe”, dhe më tej vazhdon: “Mbreti i
Thesprotëve, Feidori, kishte përgatitur anije të shpejta, me njerëz,
kish nisur Odiseun për ta çuar në atdheun e tij”. Dy fiset ilire,
Perrebejtë dhe Thesprotët, në lashtësi, përveç të tjerash, ishin të
mirënjohur edhe si popuj detarë, që jetonin në bregdetin e Lezhës
(Perrebejtë) dhe Çamërisë (Thesprotët).
Periudhën më të ndritur të zotërimit të Adriatikut dhe
Jonit e arritën nën sundimin e mbretit Agron, dhe sidomos të
mbretëreshës Teuta. Historiani i madh Polybi, vepra e të cilit
mund të quhet vepra më e mirë e kohës antike, shkruan se në
kohën e ilirëve rëndësi të madhe mori pirateria. Kjo, së bashku
me tregtinë detare, u bënë burim të ardhurash të mëdha. Nën
sundimin e Agronit u zhvillua zbarkimi dhe zhbllokimi i qytetit të
Medionit të rrethuar nga Etolët në vitin 231 p.e.s. Nga kjo betejë
janë nxjerrë të dhënat për anijen tipike ilire, e cila ndryshonte nga
simotrat e kohës, anijet greke dhe romake.
Kjo anije njihet nga autorët antikë me emrin “navis
liburnalis” ose “liburna”, që vendasit ilirë të fisit të Liburnëve
e quanin “lembe”. Ajo ishte një anije e vogël që punonte me dy
radhë remash në çdo bord. Ishte e manovrueshme dhe mjaft e
përshtatshme për pirateri dhe për qellime luftarake. Shpejtësia
e saj nuk i kalonte 8-9 nyjet. Përveç remtarëve, kishte edhe 50
luftëtarë. Duke sulmuar nga dy dhe katër anije së bashku, siguronte
raport superior në mjete detare. Katapultat dhe balistat e instaluara
në kuvertat e anijeve liburne godisnin dhe shkatërronin bordet e
larta të anijeve të mëdha pesëremshe. Filipi V i Maqedonisë, kur
po përgatitej për luftën kundër Romës, vendosi të ndërtonte me
mjeshtrit e Ilirisë 100 anije, ngaqë sipas mendimit të tij mjeshtërit
ilirë kishin zotësi të veçantë për ndërtimin e anijeve.
Në periudhën e mesjetes së hershme dhe me krijimin
e shteteve dhe principatave feudale të shqiptarëve (arbërve),
konkurrenca për zotërimin e detit vazhdoi. Edhe princat e tjerë
shqiptarë, Balshajt e Topiajt, përpiqeshin të ndërtonin fuqi detare,
duke lëshuar në det “galera”, “brigantina” dhe “një e dydirekshe”.
Për të marrë Durrësin, që sundohej nga Venediku, Karl Topia filloi
të përgatiste një flotë dhe të ndërtonte në Melie (veri të Durrësit)
një kështjellë, që ta kishte për flotën e vet.
Pushtimi i Ballkanit nga turqit otomane, ndërpreu jo vetëm
traditat e shqiptarëve, po edhe të popujve të tjerë të rajonit.
Tentativat e mëvonshme për t’u bërë fuqi dertare hegjemone në
rajon, nuk rezultuan të suksesshme. Gjatë luftës 25-vjeçare të
Skënderbeut kundër pushtimit otoman, evidentohen përpjekjet e
tij për t’u hapur në drejtim të detit. Skënderbeu ndërtoi në Kepin
e Rodonit, kalanë me të njëjtin emër, që do t’i siguronte dalje të
plotë në det. Ja si shprehet Kolonel, Qorduka në  libër për situatat e asaj kohe:
“Rënia njëra pas tjetrës e kalave shqiptare në duart e turqve,
pas vdekjes së Skënderbeut, e zbehu detarinë shqiptare. Megjithatë,
traditat u ruajtën dhe u zhvilluan në skajet e ultësirës bregdetare
shqiptare, në zonat e Ulqinit dhe Himarës (Labërisë). Duke
vazhduar luftën kundër pushtimit osman, shqiptarët u rreshtuan
edhe si detarë në flotat e koalicioneve të ndryshme evropiane.
Është interesante një letër që krerët e Himarës i dërgojnë Carinës
së Rusisë, Elisabetës, në datën 16 deri 27-11-1759. Në këtë letër,
pasi përshkruhet krahina dhe potenciali i saj ekonomiko-ushtarak,
i kërkohet Carinës përkrahje për një përgatitje kundër turqve.
Në të tregohen shumë veprime luftarake të himarioteve, midis
të cilave edhe luftime e beteja detare. “Ata kanë marrë pjesë në
luftën e Qipros në 1570, në fitoren e lavdishme detare të Lepantit
më 1571“ dhe, më poshtë vazhdon: “pastaj regjimentet tona kanë
shërbyer në anijet Venetike që kanë zhvilluar luftime me ushtrinë
otomane në Luftën e Kandies në vitin 1668-1669, në Luftën e
Vlorës 1690 dhe sulmin e Korfuzit në vitin 1716”.
Ulqinakasit e Tivarasit e vazhduan traditën e tyre detare. Në
një dokument të arkivit Venedikas, të datës 20.7.1785, shkruhet:
“ka dy ditë që erdhi në këtë lumë të Bunës së Shkodrës një torante
ushtarake”, dhe, më poshtë: “kapidani Sejfulla Karakurti, ulqinak,
është duke i vënë direkë barkës së vetë”.
Në fund të shekullit XVII, në Ulqin kishte gati 250 anije dhe
varka me vela. Pronarët e anijeve, agallarët ulqinakas, lundërtarë
të guximshëm, preknin me anijet e tyre tërë limanet e qytetet e
Adriatikut e Mesdheut. Veç veprimtarisë tregtare lundërtarët
ulqinakë kryenin, ashtu si shumica e lundërtarëve të vendeve të
tjera, edhe aksione piraterie, jo vetëm për të grabitur plaçkë, por
edhe për të kapur skllevër, që i përdornin si remtarë në anijet e
tyre. Pashallëqet e mëdha shqiptare të Bushatllijve në Shkodër
dhe të Ali Pashës në Janinë, krahas përpjekjeve për t’u shkëputur
nga pushteti i Portës së Lartë, duke qenë në bregdet, tentuan të
ndërtonin flota dhe anije të ndryshme.
Në një letër të konsullit të Venedikut në Shkodër (marrë
nga Arkivi Shtetëror i Venedikut), që mban datën 24.11.1784,
lajmërohet se Karamahmut Pasha “po ndërton me mjeshtra
raguzianë dy taranta dhe disa shambekë“.
Ali Pasha, për të siguruar daljen në det, ndërtoi kalanë e
Palermos, me qëllim që të shfrytëzonte portin detar në gjirin
e Palermos. “Forcat detare morën një rëndësi të dukshme në
ushtrinë e pashallëkut të Janinës. Në kohën e regjimit të këtij
pashalleku flotilja përbëhej prej rreth 40 anijesh, prej te cilave: një
fregatë, një galeotë, tre kanoniera dhe disa anije më të vogla, me
gjithsej 60 topa në bord“. Me këtë flotilje Ali Pasha manovronte
dhe lëvizte forcat përgjatë bregdetit të tij. Gjurmët historike
na çojnë te detarët shqiptarë, në ndihmë të popujve të tjerë,
siç është revolucioni grek i 1821-shit, ku mund të përmendim
kapedanen trimëreshë të deteve, arvanitasen, Laskarina Bubulina.
Duke pasur kurdoherë pranë dy djemtë: Janin e Gjergjin, si dy
këshilltarë ushtarakë, përkrah gjeneralit greko-aevanitas, Teodor
Kollokotroni, komandoi flotën në disa beteja detare. Për heroizmin
e saj kanë shkruar shumë historianë, studiues e krijues të huaj e
shqiptarë. Filimoni thotë: “frikacaku para saj turpërohej, ndërsa
trimi tërhiqej”.
Shpallja e Pavarësisë me 1912, do të sillte ndryshime të
mëdha edhe në aspektin e zhvillimit të flotave detare në Shqipëri.
Pavarësinë e shumëpritur e përshëndeti flota jonë detare, e cila
në atë kohë kishte 500 copë mjete lundrimi me madhësi të
ndryshme. Vlen të përmendet një rast interesant: Më 6 shtator
1912, Agjencia Telegrafike Italiane lajmëronte se në fillim arriti
nga shteti shqiptar një anije me flamurin e Shqipërisë. Ishte barka
e Zef Llupit, që, për herë të parë doli jashtë atdheut me flamurin
tonë kombëtar.
Ai nuk kish një flamur të Shqipërisë me shqiponjën
dykrenare. Për ta zëvendësuar këtë përdori një pëlhurë të kuqe
dhe i vuri në mes për së gjati një shirit të zi që simbolizonte
flamurin tonë. Ky rast shërbeu si një traditë për një kohë të gjatë.
Kjo formë flamuri u përdor nga anijet tregtare shqiptare. Gjatë
kësaj periudhe përbërja e flotës jepet në këto shifra:
* në vitin 1912 – 500 copë barka
* 1918 – 7 copë barka
* 1928 – 60 copë barka, 3 vaporë
* 1938 – 46 copë barka
Pajisja me 2 anije 190 tonëshe: “Shqipëria” dhe ”Skënderbeg”, do
të shënonte zyrtarisht krijimin e Flotës Luftarake Detare, më 25
dhjetor 1925. Në vitin 1934, si rrjedhojë e përpjekjeve të qeverisë
së mbretit Zog, u blenë nga Italia dy anije të tjera të lehta, të cilat
u emërtuan “Saranda” dhe “Durrësi”. Këto anije u përdorën për të
luftuar kontrabandën e mallrave në bregdetin tonë.
Në vitin 1928 së bashku me grumbullimin e rekruteve
të parë, që do të shërbenin në marinë, u krijua dhe Komanda e
Marinës dhe, në bazë të një marrëveshjeje të qeverisë së mbretit
Zog dhe qeverisë italiane, u sollën nga Venecia 4 anije amerikane
të tipit ELCO, që ishin përdorur gjatë Luftës së Parë Botërore.
Me dekret të Parlamentit Shqiptar të asaj periudhe, që mban
datën 16.11.1929, struktura e Flotës Detare Ushtarake përmbante:
Komandën e Marinës, një skuadrilje me motoskafë patrullimi
”MAS”, një Kapiteneri Porti me 5 zyra në Vlorë, Sarandë,
Shëngjin, Himarë e Pogradec.
Për traditat detare është folur e do të flitet shumë, prandaj
është vendi të kujtojmë thënien lapidar të një filozofi që i porosit
njerëzit: “Mos harroni traditën, se harroni veten tuaj, se pa traditën
e sotme nuk ka as të ardhme”.
Këto tradita i kanë pasqyruar me kompetencë autorët e
librave për detin e detarët, Petrit Myftiu, Arqile Papadhitri, Kristaq
Çito, Qemal Hysaj, etj, duke rritur dashurinë dhe respektin për
punën dhe sakrificat që kërkon profesioni i bukur por i vështirë i
detarit.
Unë i përkas atij brezi detaresh që u formuan, u kalitën e
përballuan detyrat e vështira në kushtet e ringritjes e modernizimit
të Flotës sonë pas Luftës së Dytë Botërore, në heroizmin e detareve
tanë kur dolën nga Traktati i Varshavës dhe kapërcimin e këtyre
pasojave që vinin nga dalja nga ai traktat.
Më ka mbetur në mendje thënia e diplomatit të shquar,
ministrit të jashtëm të Gjermanisë Perëndimore, Hans Ditrih
Gensher (kur u vendosën marrëdheniet midis Gjermanisë e
Shqipërisë rreth viteve 80): “Kam respekt për shqiptarët për
cilësitë e mira që keni, po për dy nga ato përulem me respekt:
së pari, për atë që ju shqiptarët nën udhëheqjen e Gjergj Kastriot
Skëndërbeut shpëtuat Krishtërimin nga invazioni Otoman dhe, e
dyta, për guximin, trimërinë dhe patriotizmin që treguat në daljen
tuaj nga Traktati i Varshavës.”
Duke qene se ajo kohë heroike në mbrojtje të ujërave tona
ka heronjtë e vetë, njërëzit që e kanë përjetuar atë kanë sakrifikuar,
lundruar e mbrojtur kufijtë detarë ku unë kam patur nderin të
jem pjesëtar i Flotës Detare, vendosa të shkruaj kujtimet e mia
kushtuar heroizmit të papërsëritshëm të këtyre detarëve patriote,
qëndrimin burrëror të studentëve shqiptarë që studionin atëherë
në Akademinë Sovjetike dhe kthimi i tyre pa asnjë hezitim në
atdheun e tyre, duke mos rënë pre e provokacioneve sovjetike”

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


+ 3 = 5