Data : 22 03 2019
KryeTitujt :

Poezi nga Mumin Z. Shutaj

Poezi nga Mumin Z. Shutaj

E mykura vjeshtë

 

Pemës së moteve i është venitur gjelbërimi,

mbuluar brymë sfilitëse lojra stinësh lodhur,

hija e natës rrugëton dhe vallëzon zhveshur,

bashkëjeton me ëndrrat kohërash vërdallisur.

 

Nga lartë lëshohen muzgjet hiresh pa ndërrim,

ndaj të tretet pas mjegullash nën petk stuhish,

ngrehinë subkoshience doredestinim ndërtuar,

pi e dehet histeri gjeth i kalbur nën rrebesh shiu.

 

Sonte dhe hëna ka humbur ngjyrim si e lodhur,

rrezet e saj letargjisur lëshohen në pllaja stine,

nën errësirë bredhin magjistarët e këngëtimit,

e mykura vjeshtë si përherë ripërsërit mugëtirën.

 

 

Kur kamabanat heshtin

 

Kur kambanat heshtin,

ngrin valsi timbrik qielli,

ndoshta mos janë lodhur,

në qetësi vajtojnë të gjallët.

 

Flen kozmosi ynë i plakur,

flen njeriu ynë në udhëtim,

ca flasin me perënditë mitike,

pinë kohën dehur ëndrra dite.

 

Kur kambanat heshtin, heshtin,

muza mbufatet i nget dhimbjet,

mërdhinë këngë bilbili, mëngjeset,

në dritë hëne treten të bjerrurit shpirtra.

 

Ata që shohin me symendje pulsojnë,

i vret hija e natës injoranca dyzuese,

tashi dhe toka vajin e çalë ka nisur,

kërkon njeriun e saj, të ia lëmoj lotin.

 

E ai tretet diku larg, larg në pakthim,

i heshtur pa këngë malli e këngë vaji,

një gur që lëvizë nuk zen rreth tij bari,

tretë qetë dhe me veten në ankth përfol.

 

Kur kambanat heshtin, hesht dhe ciceroni,

zërat e dhimbjes mistifikohen, ditë s’kanë,

në kozmos humbëtire trajta e sëkeqes bie,

vdes melodi këmbane, vdes tharmi tokës nënë.

Kam dashur dikur

 

Kam dashur dikur,

pranverën qiell hapur,

vegjetimin, ngrohur syri im,

shuaja etjen kohërash zymtësie.

 

Kam bredhur dikur,

mbi trajta trishtësish,

motesh të sëmurë, zbathur,

qiell ngysur fshehtësi yjesh nate.

 

I ndjekur si hamall ngarkuar,

sa dhe melodi këngëtim korbash,

ëndrra as në imagjinatë s’kam parë,

nuk kam njohur hije skamnore verbuar.

 

Desha ta dua dashurinë, u treta me erën,

nën qiellin tim të çiltërisë dhe në ditë acari,

larg zhurmimi rrëfenjash kotësie shtrirë dite,

tash dehem hir e vallëzime të gjallash kufoma.

 

 

Fjalë dheu

 

Të falem vullnet që më ndjek si falltar,

paskaj dorëfyes, të përulem aty pranë,

kot tunduar, pa zë, fjalë, jo nga pavetëdija,

trajtë njeriu ngarkuar i përhershmi hamall.

 

Një fjalë e lind prej dheu peisazh i vjetër,

var m’rrinë në bebëza e tamthin lartë godet,

nata e rrëfimit e dalë pjellë një det mllefesh,

si në ëndërr ndjenjën e lodhur panda e rivret.

 

Korbi deklamon melodi shtrirë mbi dhembje,

errësira pi e dehet me psherëtima e ofshama,

regëtinë pentagram shpirti shpërfaqet si eklips,

hije nate numron çastet ikur, qarkon në vija balli.

 

 

Erë nate

 

Erë nate po frynë kohësh të plakura,

gajasen pa kod sa stuhi, stuhi rrebele,

barten si laviret lozonjare rrugë trillësie,

nën rreze hëne pushon një dritë e mekur.

 

Me shpresën përflet hiret e saj përfytyron,

shfleton ditar historish ngjyrime copëzuar,

horizontesh jete çdo çast i mbeturi shtegtar,

në kërkim bredh pa ndalë të zërë pak dritë dite.

 

Në pritje përqas shpresën mbufatur trishtim,

nën duar të përflakura pengu e thyen heshtjen,

një sqepar helmues korbi dhe ajrin ia gërryen,

era e natës ngrit shpatat n’dyluftim me shpresën.

 

2019.

I ftohtë

 

I ftohtë ra muzgu hija e natës bredh,

si dallgë deti shqetësuar ftohti të acartë,

vërsulet mbi ngrehinë romance të dlirë,

e derdh vrerin e mëkateve të fryra tërbuar.

 

Bartet e noton në llum motesh të vdekura,

dehur bote histerie, pa frej kodi, bote të egër,

të tretura në pakthim kohërat, kohë nuk pjellin,

njeriu e han njeriun po jo dhurimet e nënë natyrës.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :