Data : 21 02 2019
KryeTitujt :

Poezi nga Kujtim Hajdari

MOS MË THUAJ LAMTUMIRË

 

Ti je e ëmbël dhe në ikje,

Dhe kur pëshpërit lamtumirë,

Dhe kur dy zemrat n’përpëlitje,

Zgjatin duartë për mëshirë.

 

Ëndrrat po m’i shuan ngadalë,

Pemët si ëndrrat ndrrojnë ngjyrë,

Më rri heshtur ëngjëll pa fjalë,

Më mbledh n’krahë e sytë i mbyll.

 

Mos më thuaj Lamtumirë,

Mos më sill prapë vetminë
Në shpirtin tim sa ka mbirë

Sa kam ndjerë dashurinë.

 

Unë nga vdekja nuk kam frikë,

Po më trembin sytë e tu,

Kur ti dritën  në ta e fik,

Për mua vdekja fillon këtu.

 

 

KUR VJEN TI

 

Herë në fresk e herë në zheg,

Ti më shfaqesh si zanë mali

Pranvere lulesh nëpër degë,

Ujë i pastër burim mali,

 

Fushës vrapin s’e kam më,

Blegërimat dot s’t’i zë,

Dikur ndiqja edhe retë,

Sot dëshira veç më tret.

 

Ndrin agimi si perherë,

Jeta rreh si fllad i lehtë,

Zemra s’rreh më si atëherë,

Dita natës i përngjet.

 

Por ti prapë ma ndez zjarrin,
Kur hyn shpirtit plot liri,

E më kthen ëmbël mallin

Jetën e bukur plot rini.

 

Kur ti vjen plot me rreze,

E më mbush me këngë përrreth,

Flakë e zjarr zemrën ndeze,

Më kthen vitet prapë të bredh.

 

Vjen e ëmbël, lulesh humbur,

M’i fal syrit të përlotur,

Pak dritë, një çast të lumtur,

Më heq  natën e pasosur.

 

Ti më sjell prapë ndërmend,

Lule të bukura plot aromë,

Ti më sjell një diell, një hënë,

Qe në zemër më mungon.

 

 

AJO

Ishte e bukur,

Si  rreze agimi,

Dukej sikur një copë re,

Ngjyrë blu që të joshte

I rrinte kapele mbi sy.

Me një dritë të ëmbël,

Sikur po më thoshte:

Pse rri larg?

Këtu jam për ty.

 

Më shikoi gjatë,

Dhe buzëqeshte.

Dukej e ciltër,

Vështrimin s’e reshtëte.

Dhe unë e shikoja,

Por një shenjë s’i dhashë,

I ftohtë si akull,

Rrija heshtur, mendoja,

Një fjalë s’i thashë.

 

E pashë,

Që u vrenjt dhe u çua,

Si reja e zezë,

Që më rrinte në kokë.

M’u dhimbs,

Kish shpirtin e pastër si krua.

U pezmatova,

Dhe ula sytë përtokë.

 

Me siguri,

Diçka ka thënë me vete,

Ndoshta më ka quajtur dhe idiot,

Po hallet,

E brengat e mia t’i dinte,

Prapë do ikte,

Po do çonte dy pika lotë.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :