Data : 24 03 2019
KryeTitujt :

Poezi nga Kujtim Hajdari

Poezi nga Kujtim Hajdari

kujtim

 

 

 

 

 

LUMI

Dallgët vraponin si kuajt në garë,

Përpara t’u dilnin, kush guxonte vallë?

Shpatet përrreth  shtyje me forcë,

Mblidhje dhe përrenjtë që kërkonin divorcë.

I kapur prej këmbësh dhe mali tundej,

Dhe zëri i pyllit në tëndin humbej,

Dhe dielli dhe hëna, natyra përqark,

Ylbere të ngrinin çdo mëngjes e çdo darkë.

Stuhia, thatësira s’të mposhtën dikur,

Ti përrenjtë shtrëngoje dhe syrin flamur,

Zërin ta dëgjonin –  furtunë, tramundanë,

Siç kishe dhe forcën përbindësh, tiran,

Buçima jote shurdhonte gjëmimet,

Dimrit, atëherë, kur zbrisje nga mali,

Në gulçe inati shpërtheje vërshimet,

Veç sot lakuriq, përvëlon e djeg zalli.

Ti vije i vuajtur nga mote të vështira

Nga mali me plagë, të çara, rrëpira

Uragan i fortë, vrull siç pate marrë,

Ëndrrat më shfaqeshin  grua me barrë.

Por ujin ta vodhën, lubitë ta përpin,

T’i thanë ty burimet, të hoqën lavdinë.

Në vap’e në ngricë dhe shtratin ta dogjen,

Brengat t’i shtuan dhe plagët t’i poqën.

Gjuhën ta prenë e zërin ta ngrinë

Të vodhën rininë, të nxinë historinë,

Gurët e zbardhur nga kripa e dielli,

Duken se luten me sytë nga qielli.

Një rrëkezë e hollë gjarpëron në mes,

Ty buzën e tharë ta njomë me kujdes,

Të kujton se veç uji të të mban në jetë,

Veç atij, të të ngjalli, tjetër s’do ketë.

Unë rri e të shoh me keqardhje në breg,

Në kujtime të hidhura më përhumb,

Një revoltë në shpirt më ndizet, më djeg,

Me vendin tim sa ngjani kaq shumë.

DASHURI

Do pushtojnë zemrat tona,

Agimet e majit gazmor,

Do pres dhe orët e vona,

Të ta ndjej të ngrohtën dorë.

Dorën që përkëdhel aq ëmbël,

Dhe heshtjen me mijëra fjalë,

Sytë e shkruar porsi si ëngjëll,

Shpirtin e bukur që më fal.

Si një ëndërr që përflaket,

Hyn e del ti shpirtit tim,

Si mes resh humbet e shfaqet,

Rrezja diellit plot shkëlqim.

Herë më vjen me lule n’dorë,

Me korrik që më bën shkrumb,

Herë më sjell akull e borë,

Unë i shkrij e ty s’të humb.

Shpesh dhe gjumin ma rrëmben,

Më vjen natën ti plot hënë,

Humbur ëndrrash kur më gjen,

Unë harroj ç’kisha për të thënë.

Të thërrasin me plot emra,

Tinguj t’ëmbël si vet femra,

Herë Moza e herë Mira,

Herë Tasha, herë Edlira.

Shumë emra s’i mbaj mend,

Por një emër me siguri,

Më ndez zemrën në çdo kënd,

Emri i bukur “DASHURI”.

Shënim: Emrat në poezi janë të trilluar.

             Çdo koinçidencë është e rastit.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :