Data : 25 04 2019
KryeTitujt :

Poezi nga Ismet Aliu

Poezi nga Ismet Aliu

TOPLICA

Kur i përzunë shqiptarët prej Toplice
Ikën edhe Zogjtë e Fluturat
Xixëllonjat nuk u bën të gjalla
Tash e dyqind vjet
Zogjtë nuk u kthyen kurrë më
As shqiptarët
Mbetën sall varret
Vajet, Mitet e këngët në Buzëqeshjen e Vrarë

Sytë e Djegur mallit i mbetën në tejkohë
Dhe britmat zallahia e masakrave mbet aty

Varret mbetën pa një Burrë Që gjëmën e bën shqip

Atje tash
veç Vjeshta vjeshton përmallshëm
Me Shi e Mërzi E lëpihet me Gjuhën e Verdhë arave tona
Dhe murmurima e dhembjes
Që s’pushon kurrë

Mbi shtëpitë e pushtuesit
Ndërtuar mbi Dhembjet e muhaxhirëve
Mbi Mite Këngë e mbi Vaje
Rri Qyqja e qyqon fikall vetëm

Si këndes llamarine rri Mbi Oxhakun e lashtë të muhaxhirëve

 

LETËR POEZISË

Ruaju e dashur
Harqeve të zjarrit
Ujit
Dhëmbëve të Diellit ruaju

Urithi në rrënjë mund të zbresë
Ta zhveshë fushën e pagjumësisë

Dëgjoje Orën e Dashur
Ujku me Qengjin miqësi bën
Ia tregon dhëmbët prej letre

Ruaju e dashur
Harqeve të zjarrit
Ujit
Dhëmbëve të Diellit ruaju

Nga Rrathë në hapësirë 1987

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


5 − 3 =