Data : 25 04 2019
KryeTitujt :

Poezi nga Afrim Hyseni

Po të dhuroj këtë poezi…

Meqenëse s’kam ç’të të jap më shumë,

Mbaje si një pallto të ngrohtë,

që të mbështillesh kur t’ia behë dimri,

a si një palë çorape të trasha,

që të ftohtët s’mund t’i depërtojë.

Të dua,s’kam ç’të të jap më shumë,

veç këtij misërniku,

që barkun në dimër të ta ngrohë,

një shallë për kryet,

që flokët të, mbulosh,

fytyrën të mbështjellësh.

Të dua,mbaje fort,

vlerësoje, siç shtegun do kërkoje,

në ke humbur, në këtë xhungëll që bëhet jeta kur rritemi,

dhe në skutën e sirtarit,

fshihe, si një kolibe a një kasollë,

në një pyll të dendur, eja trokit,

e unë do t’përgjigjem, rrugën do të t’prij,

pranë zjarrit do të t’ngroh,

ndanë tij të pushosh, e sigurt të ndihesh.

Të dua.Është gjithë ç’mund të të jap,

dhe gjithë ç’lypset për të jetuar,

për të vazhduar jetën brenda,

kur botës jashtë,

s’i bëhet vonë në gjallë je apo ke vdekur,

mos harro pra kurrë. Po të dhuroj këtë poezi…

Meqenëse s’kam ç’të të jap më shumë…

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :