Data : 22 03 2019
KryeTitujt :

Një urim për 7-8 Marsin! -Nga Helena Halilaj

Arsimi:

Si është dhe si duhet të jetë Edukimi i brezave është një detyrë e trashëguar ndër dekada në historinë e vendit tonë, që si hallkë thelbësore ka zhvillimin e një arsimi cilësor dhe premtues për përparimin e shoqërisë. Historia na bën të kthejmë syte nga e shkuara e mundimshme e kombit tonë, që nën ndikime të kulturave e gjuhëve pushtuese, me përpjekje arriti të përçojë në brezat e sotëm vlerat e dijes e arsimit shqiptar. Kur flasim për arsimin fokusohemi te shkolla, e cila është themeli i formimit profesional, personal e moral të individit. Si çdo fushë e jetës në Shqipëri, arsimi ka pësuar ndryshime te mëdha përgjatë dekadave të fundit. Kemi kaluar nga një sistem mësimir me në qendër mësuesin dhe dijen e përgjithshme, në një sistem që e vë nxënësin/studentin në qendër të proçesit mësimor. Vitet e fundit tentohet të përçohet koncepti i dijes funksionale, praktike dhe përfshirëse për nxënësit/studentët. Kurrikulat e shkollave dhe proçesi i mësimdhënies duhet të vazhdojë të fokusohet në aftësimin praktik të studentëve rreth dijes që marrin në shkolla. Në këtë mënyrë përballja me tregun e punës do të jetë me familjare dhe do të shtohet cilësia e profesionistëve në treg. Sidoqoftë, përpos progresit të lehtë të bërë vitet e fundit, arsimi ka akoma ende shumë nevojë për kujdes, investime dhe përpjekje për t’a përmirësuar në shumë elementë që janë domethënës për zhvillimin e tij.

 

8 Marsi

Data 8 mars për dekada me rradhë është “festuar” si ditë e shënuar për gratë në të gjithë botën, veshur me mantelin e vlerësimit e nderimit të grave për kontributin ee tyre në familje dhe shoqëri. Po t’i referohemi fillesës së kësaj dite, 8 marsi përkon me protesta të zhvilluara nga gra në të gjithë botën për të kërkuar të drejta të barabarta me burrat, respekt dhe vlerësim në punë e shoqëri. Pra, thelbi i kësaj dite ka qenë arritja e një standarti më të lartë për gratë në të gjitha drejtimet e jetës, për të dalë nga shoqëria patriarkale që stimulon pabarazi të theksuar gjinore. Vitet e fundit, sidomos në vendet perëndimore, janë ndërmarrë nisma stimuluese për femrat në punë, politikë dhe familje, të cilat synojnë të ofrojnë një mjedis më përfshirës për gratë. Kjo gjë duhet të nxitet edhe në vendin tonë, pasi shoqëria shqiptare vazhdon të jetë patriarkale dhe femrat shikohen ende si një shtëpiake që duhet të kujdeset për fëmijët dhe burrin. Sigurisht që ka shumë gra të zonja në familje e profesion në Shqipëri, por diskriminimi gjinor vijon të jetë prezent. Ka kompani që kërkojnë vetëm punonjës meshkuj me pretendimin se femrat nuk e bëjnë dot atë punë. Një element tjetër diskriminimi është edhe paga, e cila vazhdon të jetë në disnivel gjinor, pasi meshkiujt paguhen më shumë për pozicione të caktuara, përgjithësisht drejtuese. Në Shqipëri ende festohet data 8 mars, ndërkohë që duhet të shërbejë si datë reflektimi dhe reagimi nga gjithë shoqëria për të sjellë një standart tjetër të vlerësimit të vajzave dhe grave në familje, shoqëri dhe punë. Kjo do të sillte një zhvillim pozitiv të vetë shoqërisë, duke edukuar breza të tjerë me frymën e barazisë gjinore dhe vlerave gjithëpërfshirëse të çdo individi.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


9 − = 3