Data : 25 04 2019
KryeTitujt :

Një takim me Odiseun – Nga: Mihal Gjergji

Një takim me Odiseun
………………………………
E pashë në aeroportin e Brukselit. Një shtysë e brendshme më shpuri drejt tij. Ishte mesoburrë, ndoshta mosha ime. Në dorë mbante një çantë të madhe, në shpinë një tjetër. Edhe vetë s’peshonte më shumë sesa bagazhet. Në Hënë apo në Mars, njeriu peshon 6 herë më pak se në planetin tonë, besoj se kjo vlen edhe në tokë tjetër të huaj, larg Atdheut. I krrusur, më shumë nga pesha e halleve sesa e viteve. Sytë i kishte të venitur e brenda tyre luhatej një dritë e zbehtë, si kandili kur i mbaron vaji, fytyrën të vrarë, duart të buavitura. Kishte harruar të buzëqeshte. E përshëndeta. Sa lehtë njihen shqiptarët; në aeroporte, dogana, porte detare apo zyra emigracioni. Jo vetëm nga veshja dhe sjellja, nga pikëllimi që s’munden t’a fshehin. –Vij nga larg,-më tha, shumë larg. E frenova kurreshtjen për të pyetur më tej, se nga…Nga Australia apo Zelanda, nga Ura e Qabesë apo Troja…Pastaj, më shumë mërmëriti sesa foli.-Kam kohë që jam larguar, rreth dy dekada. A i ke prindërit?, vijova bisedën. – Kur ika i lashë mirë…Më shumë sesa me mua ai fliste me dheun. Shumë njerëz, atë që s’guxojnë t’ua rrëfejnë të tjerëve, ia thonë vetes së tyre…Pastaj u ndamë, më humbi nga sytë, si një re e ngarkuar me breshër që shtyhet nga era në lartësinë e majëmaleve. Pak bisedova me të, aqsa mund të pihet një cigare. Brenda atij mërgimtari halleshumë, njoha Odiseun, plagën e tij, mallin që e ktheu përsëri në Itakë. Dhe ashtu i përhumbur, i përfytyroja gruan duke larë rrobat në lumë. (“Laj këmishën e timzot/herë me ujë e herë me lot“), përfytyroja nënën e tij. Ndoshta ka dhënë shpirt me emrin e të birit në buzët e zhuritura nga malli. Vallë, kush ja ka mbyllur sytë asaj nëne? (“O ju korba, pse s’mi nxorrët/Sytë e zes, mua të gjorit?/Që dot rrugën të mos gjeja, rrugë shkretën/ Se kish vdekur dhe nëneja, ishte tretur“). Vetëm shqiptari provon dhimbje të tilla, në kufijtë e dramave. Në këngën e XIX Homeri, te “Odisea“, kur ky i fundit kthehet në shtëpi, shërbëtorja plakë, Euriklea, e cila kishte qënë dadoja e tij, e njeh nga pamja, por edhe nga një plagë që kishte në kofshë. Mysafirit të raskapitur, në shënjë mikpritjeje e nderimi i lahen këmbët. (Ne i themi mysafirit;- Të lumshin këmbët, apo jo?). Dhe Euriklea, teksa afroi legenin me ujë të ngrohtë te mysafiri që i ngjante aq shumë padronit të saj të dikurshëm, guxoi të prekte plagën, por Odiseu i kapi dorën dhe bëri shenjë të heshtëte. Atë plagë ia kishte shkaktuar një derr i egër me çatallin e tij. Aso kohe kishte shkuar mysafir te gjyshi, Autoliku dhe plaga ishte shëruar por kishte mbetur si dëshmi. Edhe mërgimtari që takova unë kishte plagë, në trup dhe në shpirt, por s’munda ta pyesja se cili derr ia kishte shkaktuar, sepse ai u kthye përsëri në fermën e derrave. Dhe kush do ja prekte butësisht atë, për t’i qetuar sadopak dhimbjen që s’mbaron asnjëherë? Gëtja dhe Shileri kanë patur një letërkëmbim interesant (1797) rreth “elementit vonues“ në poemat e Homerit. Në rrëfenjat e tij, ndryshe nga shkrimet biblike (Dhjata e vjetër) ku gërshetohen; legjenda, informacionet historike dhe interpretimi teologjik, te Homeri është ndryshe, ka epizëm, sublimja dhe tragjikja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe autori end pëlhurën brenda së cilës lexuesi ndjehet si në grackë. Po unë vras mëndjen se cila perëndi e vë vazhdimisht në provë mërgimtarin, cila? Kështu ndodhi edhe me Abrahamin. Zëri që zbriti nga lart i bëri thirrje duke i folë në emër, ndërsa ky i fundit u përgjigj; “Ja ku jam“. Ku është Abrahami, po Zoti? Janë të padukshëm, të paprekshëm, askush se di se ku gjënden. Ndërsa Homeri ka një truall ku i vendos heronjtë e tij, ata kanë emra, madhësi trupore, karaktere, vese dhe virtyte. Abrahami me zjarrin dhe thikën, ndërsa i biri, Isaku i ngarkuar me dru, po shkonin atje ku i kërkonte Zoti, si në një drekë flijimi…Rrëfimi i Homerit nuk është tiranik, si ky që sapo përmënda, përkundrazi është spjegues, ka një qëllim dhe mjetin par ta arritur atë, fjalën. Perëndia që e fton dhe tërheq mërgimtarin drejt vetes është pa dyshim Atdheu. Njerëzimi është ngopur me skena të përgjakura, trillogji argëtuese, histori pa fund. Mërgimtari për të cilin ju fola, meriton më shumë vëmëndje sesa përballja mes Kainit dhe Abelit, Sarës dhe Hagarit, Jakobit dhe Esaut, Noeut dhe djemve të tij…Këtë na thotë edhe Erich Auerbach. Këtë thotë edhe Niçja…Evropa e krishterë që tjetërsoi historinë e njerëzimit në histori fetare, që mohoi vlerat e qytetërimit arab me gjurmë aq të dukshme në Spanjë, vazhdon të argëtohet si dikur. Pas Bonopartëve, nuk e di se cila familje mbretërore e drejton Evropën, cilët pinjollë, nipër dhe mbesa të saj drejtojnë shtetet e këtij kontinenti, pse është zgjedhur pikërisht Beneluksi për të vendosur drejtësi? Në Luksenburg- Gjykata Evropiane e Drejtësisë, në Hagë (qyteti mbretëror buzë detit) -Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Bota s’ka qënë asnjëherë e drejtë, pse pikërisht tani do bëhet e tillë. Dua ta besoj po s’mundem, sikurse s’mund të besoj që Makbethi ka vdekur. Hartat e shteteve të Ballkanit janë shndrruar në letra bixhozi me të cilat luajnë emisarët e BE-së. Emigrantët po qëndisin çdo cep të Europës, pastaj flaken në vendet e tyre, si gurët e varreve pa mbishkrime. Ja, si ai për të cilin ju fola.

Shënime udhëtimi
Bruksel, mars 2019.

Fotografia e Mihal Gjergji

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


+ 9 = 14