Data : 22 03 2019
KryeTitujt :

Një e çmendur si unë Mëngjes

Skicë

xxhne

Nga Xheni Shehaj

Një e çmendur si unë Mëngjes.

Një e çmendur si unë ngrihet që pa gdhirë dhe me hapa sonambuli i bie shtëpisë qark. Hap dritaren dhe thith ajrin çmendurak. Ndez një cigare, esëll, e thith fort. Nxjerr tymin dhe e sheh tek bën ca rrethore në ajër e zbduket. Një e çmendur si unë ujit ato pak vazo që zënë një hapësirë të vogël në ballkon. Një e çmendur si unë kalon orë të tëra duke medituar mbi jetën, dashurinë, kohën, vdekjen. Përshtypjet, mendimet e saj mbi gjërat i mban nëpër blloqe. Leksionet e spanjishtes qëndrojnë në një cep tavoline dhe para se të flejë një e çmendur si unë përsërit fjalët e reja. Një e çmendur si unë i përsërit vetes dy-tri herë në ditë se do t’ia dalë mbanë. Pastaj si e çmendur zë e qan. Kur njëri nga sytë e lëshon lotin në afërsi të buzëve, një e çmendur si unë nxjerr gjuhën dhe e lëpin atë pikë uji të kripur. Pastaj qesh e shtrëngon sytë që të nxjerrë të tjera pikëza uji të kripura për t’i lëpirë e gëlltitur sërish. Një e çmendur si unë ia ledhaton turirin maçokut të shtëpisë, e nxjerr në ballkon kur ka diell, i flet për sjelljet dhe moralin, e mban në prehër kur shkruan e më pas inatoset me të sepse e ka mbushur me qime. Një e çmendur si unë ka në plan të ngrejë së shpejti një balonë. Që tani e sheh veten duke vrapuar si e çmendur pas saj. Pastaj fuqikëputur do bjerë përmbi balonën shumëngjyrëshe, sa për të rimarrë fuqitë se më pas do vazhdojë me çmenduritë e veta, një e çmendur si unë…

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


1 + = 4