Data : 22 03 2019
KryeTitujt :

Nga Xhovani SHYTI/ Paratë e taksapaguesve “rrush e kumbulla”për burokratët politikë

Nga Xhovani SHYTI/ Paratë e taksapaguesve “rrush e kumbulla”për burokratët  politikë

Sindikata e Pavarur shqiptare e arsimtarëve ka artikuluar një ultimatum kundër qeverisë Rama lidhur me pagat e mësuesve. Duke i kujtuar Kryeministrit mosmbajtjen e premtimit për rritjen deri në 40 % të pagave, Sindikata i ka lenë afat qeverisë muajin Maj për të realizuar rritjenderi në 20 %.

Ultimatumi i Sindikatës është lëshuar në ditën e Mësuesit, një ditë pas mbledhjes së djeshme të qeverisë, ku zvendëskryeministri, Erion Braçe, firmosi një vendim për “disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave”, që bën fjalë për nivelet e pagave të administratës.

Qëllimi i këtij ndryshimi ishte rritja e mëtejshmë e pagës së prefektëve, e cila ishte 130 300 lekë në muaj.

Vendimi i djeshëm ligjëron ngritjen e këtyre pagave me 23 mijë lekë ( sa është pensioni i jo pak kategorive intelektuale, apo kufiri minimal i pagës mujore), duke i shpënë në nivelin 153 300 lekë, aq sa marrin dhe zvendësministrat. Po ashtu rritet paga e nënprefektëve, që kap shifrën e 123 000 lekë…

Rritja e pagave të prefektëve dhe nënprefektëve është më e fundit e këtij soji, por jo e vetmja që stimulon burokracinë zyrtare të pashqueshme për përmbushje të detyrimit ligjor me korrektësi. Pasi më parë një tjetër ndryshim ka ligjëruar ngritjen e pagave të deputetëve, kryeministrave, presidentëve, ministrave, zv. ministrave etj., në funksion, duke vendosur kufi stratosferik edhe për pensionet. Një iniciativë kjo që ka thelluar edhe më shumë hendekun midis pensioneve të rreth 90 % të takspaguesve dhe burokratëve që ja kanë nxirrë fytyrën vendit me etjen për trafiqe, afera e korrupsion të pandalshëm.

Referuar një ndryshimi të bërë dy vite më parë, pagat e administratës elitë të shtetit u rritën në të tilla nivele sa garantuan përfitime pensionesh stratosferike të poseduesve të tyre. Themi stratosferike pasi të tilla janë, krahasuar me shumën 25000-35000 lekë që janë pensionet masive, brenda të cilëve përfshihen dhe ish intelektualë të mirëfilltë.

Sipas këtij ndryshimi ligjore dhe rritje të pagës mujore në kufirin 257 mijë lekë në muaj, pensioni i pleqërisë së presidentëve varion nga 142 mijë e 200 lekë në 167 mijë e 750 lekë në muaj.

Pak a shumë në të tilla nivele, apo ca më poshtë, variojnë edhe pensionet e pleqërisë së deputetëve, ministrave, zvendësministrave etj. milituesve politik të emëruar në administratën e lartë me vendime partish dhe jo aftësish profesionale e intelektuale.

I ushtrojnë funksionet zyrtare duke thyer ligjin, duke u përfshirë në korrupsion, përfitime të paligjëshme e zullume, dhe përfitojnë shuma maramendëse e tejet rrënuese për financat e një populli që e shkon përditshmërinë në mjerim kronik.

Të përfitosh paga e pensione milionëshe për të hedhur në erë demokratizimin e për të shpënë vendin e popullin nga mjerimi në mjerim..?!

Ironi më të spikatur nuk gjen. Sikurse s’ka tallje më të madhe me ligjin që zyrtarizon pagë të plotë e pension milionësh edhe për deputetët që i përfitojnë ato mjaft të kenë patur mandat qoftë edhe mujor.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :