Data : 25 04 2019
KryeTitujt :

Mashtrimi kushtetues me arsimin parauniversitar falas

Nga Xhovani SHYTI/ Mashtrimi kushtetues me arsimin parauniversitar falas

Kushtetuta e Republikes se Shqiperise ndalon kryeministrin

 Duhet ta themi qysh në fillim: arsimi parauniversitar falas, si një e drejtë e garantuar nga Shteti dhe Kushtetuta është veç një slogan i dalë boje.

Në rastin më të pakët “slogan”, sepse, në të vërtetë, është një mashtrim, sikurse janë të tillë edhe jo pak detyrime të tjera kushtetuese, përmbushja e të cilave duhet të garantohet nga Shteti, gjë që nuk ndodh.

Por le të mos merremi me to dhe të vijojmë me sloganin kushtetues “arsimi falas”, që funksionon si mashtrim.

Garacinë e qënies si i tillë, pra detyrim ligjor falas i garantuar nga Shteti, e jep pikat 5 e Nenit 57, Kreu IV:  “Liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore” , të Kushtetutës, në të cilin citohet:”  Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.”

Mirëpo përmbajtjen e kësaj pike kushtetuese e hedh poshtë realiteti i përditshëm, ku, prej më shumë se dy dekadash, si arsimi i detyrueshëm 9 vjeçar edhe ai i mesëm merren nga nxënësit parauniversitar jo falas.

Në fillore me më pak para, në 9 vjeçare me më shumë dhe në të mesme me shumë më shumë para të paguara… Kjo është skema sipas të cilës prindërit e fëmijëve detyrohen të paguajnë jo pak për arsimimin e fëmijëve të cilin Kushtetuta dhe Shteti u’a garantojnë falas.

Paguajnë për të kompensuar paaftësine profesionale të mësuesve militantë të emëruar nga partitë politike e tarafi, duke i shpënë fëmijët nëpër ca kurse mësimdhënie  që funksionojnë si biznese ilegale. Që e ushtrojnë veprimtarinë në të zezë, që nuk janë të regjistruara në institucionet e fiskut dhe nuk derdhin asnjë detyrim ndaj shtetit.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë për pak, por për më shumë se 90 % të prindërve, që pohojnë se nga paaftësia e mësuesve detyrohen të paguajnë nga 1000 lekë ora për kurse me mësues privatë. Më së shumti për lendët matematikë, fizikë, biologji, gjuhë e huaj e detyruar, fizikë, kimi, gjuhë-letërsi etj., që lidhen me provimet e maturave respektive dhe vijimësinë e pranimit në degët e arsimit të lartë universitar.

Pa dashur të identifikohen, njëzetë prindër të pyetur drejtëpëdrejtë lidhur me këtë fakt pohuan se janë të detyruar ti shpien fëmijët nëpër kurse private, pasi ata vijnë nga shkollat papërvetësuar mësimin e lendës. Madje njeri prej tyre, S.K. tha se ishte vetë mësues gjuhë letërsie në një shkollë të mesme të kryeqytetit, dhe i shpinte të dy fëmijët në dy kurse, atë të matematikës dhe fizikës.

“Për të dy shpenzoj rreth 16 mijë lekë në muaj, ose 4 mijë lekë për dy orë në javë. E di që nuk është e drejtë, por s’kam çfarë bëj. Paguaj, në rastin më të keq paaftësinë e kolegëve të mi, që i kanë siguruar vëndet e punës nga politika, në rastin më të mirë vuaj kusuret e funksionimit të arsimit si një merkato tregtie ilegale”,- shprehet mësuesi prind, duke mos mohuar ekzistencën skemave bashkëpunuese midis mësuesve private dhe atyre që i furnizojnë me nxënës mall.

Po ashtu ky mësues, si edhe prindërit e tjerë, pohon se e njeh detyrimin kushtetues për arsimin paraunveristar falas, por është i detyruar të paguaj kur në lojë është fati i të ardhmes së fëmijëve.

Pak a shumë, kjo ishte përmbajtja e përgjigjeve standarte të dhenë nga të gjithë prindët e pyetur, disa prej të cilëve kanë nga dy e më shumë fëmijë dhe për të përballuar shpenzimet e kurseve veprojnë duke ndjekur rradhën. Domethenë duke çuar nëpër kurse herë njërin e herë tjetrin, sipas fuqisë financiare e kundrejt pagesës 1000 lekë ora, që mësuesit e palicensuar të kurseve private i fusin të pastra në portofolet e tyre, duke mos derdhur asnjë detyrim ndaj arkës së shtetit, sikurse gjithë sipërmarrësit e fushave të tjera. Ndaj të cilëve institucionet kompetente të fiskut ndërmarrin aksione dhe ndëshkime të ashpra sa herë ndeshin abuzim, domethenë shkelje të ligjeve kushtetuese.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :