Data : 22 03 2019
KryeTitujt :

Gani Elezi: “Ushtria shqiptare u vetëshkatërrua vetëm brenda pak ditësh.

Intervista/Gani Elezi: Operacioni vetëshkatërrues i ushtrisë  sonë, implikimi në revoltën antifajde
INTERVISTA/ Flet ish-oficeri madhor, Gani Elezi: “Ushtria shqiptare u vetëshkatërrua vetëm brenda pak ditësh. U shkatërrua plotësisht si inventar i kapaciteteve teknike e materiale, si strukturë organizative, por edhe si institucion konstitucional dhe zinxhir komandues. Një ngjarje unike,gati e paprecedent në vende dhe me ushtri të tjera!” 

Përfshirja e ushtrisë shqiptare në revoltën popullore të ‘97-tës ishte shkaku kryesor që çoi në dështimin dhe shkatërrimin e saj të plotë. Kështu pohon në rrëfimin e tij të radhës për “Albanian Free Press”, ish-oficeri madhor dhe ish-komandant i Shkollës së Radio-zbulimit të ministrisë së Mbrojtjes, Gani Elezi. Në të njëjtën kohë edhe ish-komisar politik i ushtrisë në disa rrethe të vendit gjatë sistemit të kaluar.

 

“Implikimi i ushtrisë në shtypjen e revoltës antifajde ishte momenti i tretë që përshpejtoi, deri në kolaps të menjeherëshem shkatërrimin e ushtrisë. Vënia e saj kundër popullit, me qëllim për të marrë nën kontroll situatën, pas fillimit të revoltave antifajde në disa qytete në jug të vendit, rezultoi të ishte fatale për fatin e ushtrisë sonë”, pohon ai.

 

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

 Si do t’i komentonit ju ngjarjet e vitit ’97 dhe implikimin e ushtrisë shqiptare gjatë tyre?

 

Implikimi i ushtrisë në shtypjen e revoltës antifajde ishte

 

momenti i tretë që përshpejtoi, deri në kolaps të menjeherëshem shkatërrimin e ushtrisë. Vënia e saj kundër popullit, me qëllim për të marrë nën kontroll situatën, pas fillimit të revoltave antifajde në disa qytete në jug të vendit, rezultoi të ishte fatale për fatin e ushtrisë sonë. Tashmë dihet nga të gjithë historia e këtyre revoltave. Ato filluan në Tiranë dhe Lushnjë, por morën një karakter më të organizuar në Vlorë, meqenëse në këtë qytet ishin grumbulluar pothuajse të gjitha firmat piramidale dhe sasia e kreditimit dhe e njerëzve që kishin depozituar pará në to ishte shumë e madhe. Dhe në kuadër të masave për të nënshtruar protestuesit dhe për të rimarrë në kontroll qytetet në jug të Shqipërisë, që gradualisht po dilnin jashtë kontrollit qeveritar, qeveria e atëhershme vendosi të përdorë edhe ushtrinë, Forcat e Armatosura. Ishte ky një vendim që parathoshte dështimin, madje shkatërrimin e ushtrisë, ashtu siç ndodhi në fakt, në 10-ditëshin e parë të muajit mars 1997. Ajo, brenda disa ditësh, u vetshkatërrua. U shkatërrua plotësisht si inventar i kapaciteteve teknike e materiale, si strukturë organizative, por edhe si institucion konstitucional dhe zinxhir komandues. Një ngjarje unike,gati e paprecedent në vende dhe me ushtri të tjera. Kështu, ngjarjet precipituan në një drejtim shumë të rrezikshëm. Shkëndija e të gjithë procesit të shpërbërjes së FA-ve ishte përplasja e popullit të Vlorës, në datën 28 shkurt 1997, me forcat policore, veçanërisht me ato të SHIK-ut. Një ngjarje kjo tragjike nga pasojat në jetë njerëzish, që paralajmëronte se tragjedia do të merrte përmasa kombëtare, duke rrezikuar deri edhe ekzistencën e shtetit tonë. Një moment i tillë, sipas çdo lloj “kanuni”, edhe i Lekë Dukagjinit, duhet të ishte çasti kur forcat politike, ato në pushtet dhe në opozitë, politikanët tanë, “burrat” e shtetit, të reflektonin për të parandaluar përhapjen e këtij fenomeni, që do të përbënte me të vërtetë një tragjedi për popullin tonë. Por në vend të rrugës paqësore, me vullnet të plotë, ata zgjodhën rrugën e ballafaqimit me forcë, zgjodhën rrugën e përdorimit edhe të Forcave të Armatosura, çka përbën  shkelje të rëndë të Kushtetutes e të rendit kushtetues.

 

Për këtë qëllim, u krijua një komandë e veçantë, Komanda e Operacionit,e komanduar nga ish-shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Gjë e rrallë që kryetari i Shërbimit Informativ të merrte komandën e forcave të ushtrisë, mesa duket nuk kishin besim te kuadrot e ushtrisë. Kjo komandë e tërhoqi për hunde dhe e angazhoi ushtrinë tonë në planet e luftës civile veri-jug. Pa humbur kohë komanda e operacionit filloi aktivitetin e saj antiligjor. Për ta justifikuar ligjërisht përdorimin e ushtrisë në operacionet ushtarake për nënshtrimin e protestuesve ne Vlorë, Sarandë, Gjirokastër,Tepelenë, Përmet, etj, më 3 mars 1997, u shpall gjendja e jashtëzakonëshme.

 

 

Cila ishte ideja e këtij operacioni?

 

Nëpërmjet mobilizimit të trupave rezerviste nga Shqipëria e Mesme dhe e Veriut, në bashkëpunim me trupat Komando-Presidenciale, si dhe përdorimin e gjerë të aviacionit, artilerisë, lëndëve helmuese luftarake dhe grupeve të zbulimit në zonat e rebelëve, duhej të realizohej përqendrimi i trupave në brigjet veriore të lumit Vjosa, si bazë nisje për të ndërmarrë mësymje të përgjithëshme duke dhënë goditjen kryesore në drejtimin Fier-Vlorë dhe atë ndihmues në drejtimin Gjirokastër-Sarandë për të asgjësuar fizikisht të gjithë personat që kundërshtojnë. Në pamundësi të realizimit të objektivave, të përdoreshin për terror bombardime me aviacion, mjetete e blinduara deri në vendosjen e plotë të pushtetit ushtarak. Kalendari i zhvillimit të operacionit”

 

Mobilizimi i trupave, nga data 4 deri në datën 7 mars 1997.

 

Përqendrimi i trupave në bazën e nisjes Fier-Ballsh-Këlcyrë-Përmet. Kapja e urave të kalimit të trupave, Ura e Mifolit, Ura e Pacinit (Mallakastër), Ura e Dragotit,e Leklit (Tepelenë), Qafa e Muzinës (Delvinë), etj. Desantimi/ulja me helikopter i trupave speciale në fushën e Çajupit Gjirokastër, në Sarandë e në lartësitë e Kurveleshit. Zbarkimi nga deti në drejtim të Vlorës, nga data 4 deri në 6 mars 1997. Përdorimi i forcave të Akademisë së Rendit e të forcave speciale në rajonet e Arshilengos, në Gjirokastër. Vendosja e lidhjeve mes forcave qeveritare dhe reparteve të policisë e të SHIKU-t në rrethet e jugut. Organizimi i terrorit në popullsinë e qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Delvinë, Sarandë, me djegie dhe shkatërrime. Kufizimi me çdo kusht i përhapjes së kryengritësve në veri të lumit Vjosa. Mbrojtja me çdo kusht e Tiranës nga forcat rebele të jugut. Bllokimi i urës se Rrogozhinës, Qafës së Krrabës me forca policore e ushtarake

 

Kontrolli i gjendjes morale dhe origjinës gjeografike të trupave për mbrojtjen e Tiranës dhe neutralizimin e ushtarëve nga jugu. Përdorimi i aviacionit luftarak, gjuajtës e bombardues, nga regjimenti i Gjadrit kundër përqendrimeve të forcave rebele në Sarandë, Tepelenë, Vlorë, etj. Të dyja fazat, ajo e grumbullimit, e organizmit, përgatitjes së forcave pjesëmarrëse në operacion dhe kryerja e operacionit deri në vendosjen e pushtetit ushtarak në zonat e rebeluara, parashikoheshin nga data 1 deri në 30 mars 1997. Ka një mori urdhërash që vërtetojnë se njësitë e ushtrisë, llojet e armëve dhe të shërbimeve të saj dhe komandat e tyre janë angazhuar në veprime luftarake kundër popullsisë së zonave të jugut. Të gjithë jepnin urdhra. Ushtria i zbatonte. Dhe këto urdhëra e vendime nuk mund të justifikohen sot se janë dhënë në kushte shtërngimi, apo detyrimi.

 

 

Si rodhën më tej ngjarjet?

 

Përballë qetësisë, vendosmërisë së qytetarëve por edhe të “rebelëve” të armatosur, ushtria u detyrua të tërhiqet. Kjo situatë mund të kishte precipituar në masakër mbi popullsinë civile nëse nuk do të ishte qëndrimi i matur i qytetarëve të Përmetit, pjesës së armatosur të popullsisë së jugut, qetësi që Përmeti e pagoi  me jetën e gjashtë qytetarëve të tij. Në këtë moment duhet thënë se edhe efektivat e reparteve ushtarake, pjesa më e madhe e kuadrove të tyre, nuk pranuan të luftojnë kundër popullsisë civile, qofshin edhe persona të armatosur. Komandat dhe shtabet e këtyre reparteve u detyruan të largohen nga detyrat dhe të linin që ushtarët ta zgjidhnin vetë situatën. Dhe ata e zgjodhën, u larguan nga fronti, bënë paqe me popullin e tyre, bënë paqen mes shqiptarëve…

 

Pse ndodhi sipas jush shkatërrimi i i ushtrisë shqiptare në krizën e ’97-tës? Cilat ishin arsyet reale?

 

Së pari, ushtria u ngarkua me detyra që nuk përputhesin me  misionin e saj. Misioni i ushtrisë, i FA-ve në çdo vend, edhe në Shqipëri, është “të sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe të mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues”. Kurse misioni kryesor ishte mbrojtja e tërësise tokësore nga sulmi i fuqive të huaja ushtarake. Ndërsa, në këtë rast ajo u ngarkua me një mision plotësisht të kundërt. U ngarkua që me forcë, me mjete ushtarake, të nënshtronte e të neutralizonte qytetarët protestues. Një detyrë që kryesisht e kanë forcat e rendit, policia dhe reparte speciale të përgatitura posaçërisht për këtë qëllim. Ky ndryshim në karakterin dhe misionin e ushtrisë sonë qe hapi i parë drejt vetëshkatërrimit të saj. Një ushtri që kthehet dhe përdoret kundër popullit të saj, është e destinuar të dështojë me turp. Kjo i ndodhi ushtrisë shqiptare në pranverën e vitit 1997… Së dyti, ushtria shqiptare,komanda  dhe shtabi i përgjithëshëm i saj, gjithë zinxhiri komandues, u vu në kontroll të shërbimit sekret, të SHIK-ut. Një veprim i paprecedentë, me pasoja fatale. Së treti, ushtrisë sonë në këtë operacion i mungonin motivet që e mobilizojnë, ia rrisin moralin dhe vendosmërinë çdo ushtrie. Në këtë operacion ushtria shqiptare nuk luftonte për të mbrojtur integritetin territorial, lirinë e vendit të saj, nuk luftonte për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë nga ndonjë agresion ushtarak i huaj, apo fatkeqësi natyrore, por për interesat e një grupi të caktuar politik dhe mafioz. Përvoja botërore ka treguar se të gjitha ushtritë,sado të fuqishme e të paisura të jenë, kur u mungojnë këto motive, janë të destinuara që herët e vonë, të dështojnë.Ta humbin  luftën. Kjo i ngjau edhe ushtrisë shqiptare…”.

 

 

DILEMA

 

 “Kur bënim luftë nga brenda,

 

a mbroheshim dot nga jashtë?”

 

“Ç’është më shqetësuese është fakti se atëherë shqiptari dhe Shqipëria ishin të ekspozuar dhe fare të pambrojtur nga çdo rrezik i jashtëm. Pikërisht ato ditë të marsit të vitit 1997 çdo shqiptar i ndershëm shtronte pyetjen: a do të ishte  në gjendje të mbijetonte Shqipëria, a do të ishte në gjendje populli shqiptar ta tejkalonte këtë situate të rëndë, apo do të  bëhej pre e armiqve të tij të përjetshëm, të cilëve u kishte ardhur në shteg momenti të realizonin qëllimet e tyre antishqiptare? Vetëm me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, u arrit marrëveshja politike midis forcave kryesore, e quajtur si “Marrëveshja e 9 marsit”, i fundit shans, për të shpëtuar atë çfarë kishte mbetur nga institucionet e shtetit, çfarë kishte mbetur nga ushtria në veri të vendit, që nuk u shfrytëzua nga partitë politike…”.

 

MASAKRA

 

 “Vetëm për 3-4 ditë, u vodhën

 

gjithë institucionet e ushtrisë”

 

“Për 3-4 ditë, nga  9 marsi deri në 11 dhe 12 mars, u sulmuan dhe u vodhën të gjithë repartet e ushtrisë, të policisë, të gjithë institucionet e pushtetit lokal dhe të ekonomisë në të gjithë Shqipërinë, duke e futur kështu të gjithë vendin në një kaos të vertetë. Kështu pra, pas 9 marsit 1997, në të gjithë vendin, nuk kishte më ushtri. Kazermat ushtarake, repartet, depot dhe të gjithë dispozitivat e ushtrisë ishin braktisur dhe ishin marrë nga turmat e pakontrolluara nga askush, turma që në momente të veçanta emocionale mund të bënin veprime të paparashi-kueshme për nga pasojat. Ishte situatë me të vërtetë tragjike, por edhe komike. Me dhjetëra e qindra mjete të rënda dhe speciale, deri tanke, mjete transporti, ndërlidhje, mjete të shërbimit kundërkimik, të xhenios, të shërbimit shëndetësor, etj, gjendeshin kudo, anës rrugëve dhe pranë shtëpive. Madje disa prej tyre ishin shndërruar në dyqane e klube në fshatra dhe qendra të banuara. Teknika që nuk mund të merrej dhe të vihej në përdorim, shkatërrohej dhe bëhej e  papërdoreshme. Kështu ndodhi me armët e rënda të artilerisë tokësore, të artilerisë kundërajrore, me  raketat, me avionët, nëndetëset, etj. Shkatërrimi dhe braktisja e ushtrisë qe aq e plotë, saqë  komandat e reparteve dhe të njësive ushtarake, edhe ato të divizioveve ishin braktisur. Madje, në ato ditë sa tragjike aq edhe komike flitej për komandantë, gjeneralë që kishin braktisur detyrën dhe ishin larguar në shtëpitë e tyre apo në vende të tjera. Edhe në aparatin e MM, të Shtabit të Përgjithëshëm nuk mbeti më asnjeri.Të gjithë ishin “arratisur” nga ushtria, të gjithë e kishin braktisur atë…”.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :