Data : 25 04 2019
KryeTitujt :

FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA

 

 

FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA

                 (MBI FENË E SHQIPTARËVE)

 

Nga Besnik Imeri

Shpesh herë të huajt, sidomos Europianët,  kur flasin për besimet fetare në Shqipëri dhe ndasinë e tyre në dy fe të mëdha, dhe në katër sekte; e trajtojnë këtë si një rast unikal dhe kontravers, i cili nuk ka bërë vaki në popuj të tjerë. Dhe këtë e kanë paraqitur dhe e paraqesin si një minus të madh në aftësinë shtetformuese, në zhvillimin ekonomiko social të vendit dhe pranimin në familjen europiane të shqiptarëve. Por ka edhe nga ne Shqiptarët (bëhet fjalë për intelektualë të veçantë) që u mbajnë “ison” të huajve në këto mendime në mënyrë servile dhe pa “vrarje mëndje”. Kjo histori me europianët ka nisur që më 1878, 1913, 1915,1919, 1939, 1946 dhe vazhdon të ndihet sot e kësaj dite, pavarësisht se në forma më të zbutura dhe më të kamufluara. Por dihet që edhe në shumë kombe të tjerë, ndasitë fetare (në muslimanë dhe të krishterë), nuk i kanë  penguar të arrijnë të bëhen shtete të fuqishme, madje edhe kur janë  shtete të ish kalifatit si Egjipti dhe Turqia.  Europianët të mos kujtojnë se është thjesht meritë e tyre  që sot janë të krishterë, pasi ishte pafuqia e perandorisë osmane në shekujt e XV dhe XVI, që i shpëtoi ata nga muslimanizmi. Por ishte edhe Shën Gjergji Shqiptar (Gjerjgj Kastrioti) dhe shqiptarët, të cilët për gadi 50 vjet u bënë një shkëmb i madh bllokues në udhën e pandalshme të turqve muslimanë drejt Europës, të cilët ja shterën fuqitë kësaj kulçedre në kulmin e fuqisë së saj dhe e ndalën në vend. Ishte vdekja e sulltan Mehmetit  dhe lufta heroike e Himariotëve, që penguan një tragjedi për italianët e pafuqishëm të asaj kohe; se në të kundërt, ata sot nuk do të ishin katolikë, por do të ishin kthyer në muslimanë të devotshëm; ku papati do të kthehej si Patrikana e Stambollit  dhe Roma mund të kishte marë një emër tjetër, si dhe Kostandinopoja, ndërsa Katedralja e Shën Pjetrit mund të ishte kthyer në xhami. Në historinë e popujve, ashtu si edhe tek njerzit, vepron edhe një rast fatlum. Prandaj, Historia nuk duhet parë sipas orekseve dhe ëndrave të gjumit të vapës. Më në fund, në shekullin e XXI Europa duhet të lerë mënjanë mentalitetet e shekujve të kaluar dhe të bëhet europiane, rrugë tjetër nuk ka.

Por për shqiptarët ka me të vërtetë një rast unikal si komb, e cila është një veti fisnike e racës së tyre, dhe kjo është  bashkëjetesa   dhe toleranca fetare, e cila nuk ekziston në kombet e tjera. U kujtojmë Europianëve, se tek shqiptarët nuk ka pasur kurrë  Natë të Shën Bartolemeut, dhe as marshime me ngjyra fetare. Shqipëtarët kanë shkuar si luftëtarë në Europë pranë oborreve perandorake dhe mbretërore, ku edhe kanë shkëlqyer në saj të vetive të tyre. Kujtojmë këtu 3000 luftëtarë e gardës se Napoleon Bonapartit, të cilët ishin që të gjithë shqiptarë. Por në asnjë rast ata nuk u bënë pjesë e hordhive të Kryqëzatave, megjithëse ato kaluan nga tokat e tyre.  

Flitet mjaft  për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare të shqipëtarëve. Flitet për këtë, madje mburremi edhe para të huajve duke u treguar atyre se si ne muslimanë e të krishterë shkojmë shumë mirë me njeri tjetrin. Bëjmë krushqi me njeri tjetrin dhe festojmë festat fetare të njeri tjetrit. Pra flitet për këtë dukuri, për këtë fenomen nga ana e jashtëme, për atë që duket, për shfaqjen; por nuk flitet për atë që është më thelbësorja, për të padukshmen, për shkakun e kësaj dukurie. Kjo ndodh sepse asnjëherë nuk bëhet pyetja e thjeshtë, nga më të thjeshtat pyetje; pse ndodh ky fenomen me ne shqiptarët, kush e shkakton atë, kush e lind atë, pse ne nuk kemi një kohezion fetar si popujt e tjerë  rreth e qark? Mungesa e përkushtimit ndaj fesë monoteiste tek populli i ynë  është pasojë e këtij diversiteti fetar, apo ky i fundit eshte shkaku i tij?! A jemi ne një popull  i pa fe, ose e thënë ndryshe pa një kulturë fetare?! Pse kombet e tjerë kanë mbërthyer një fe të caktuar dhe nuk janë shkëputur më prej saj? Marrja e fesë muslimane nga pjesa dërmuese e popullit tonë, tregon dobësinë dhe  nënshtrimin e tij  ndaj pushtuesit otoman, dobësinë e karakterit; apo diçka tjetër?!  Pse frekuentimi i institucioneve të kultit musliman (Xhamitë) nuk është i njëjtë për krahina të ndryshme të Shqipërisë?  Por, është fakt që edhe institucionet e krishtera (Kishat) nuk frekuentohen  masivisht nga e gjithë popullsia e krishterë. A ekziston fanatizmi  fetar tek populli i ynë, dhe nëqoftëse nuk ekziston, a mund të kultivohet ai ?! Bindjet dhe ideologjia fetare ka hedhur rrënjë të thella tek popylli i ynë, apo rrënjët i ka në siperfaqe dhe të shkulshme në çdo kohë?  Në kuadrin e pyetjeve të mësipërme, sot në kohët moderne kur në ethir ndryshimet dhe dallimet fetare,  (njësoj si në shekujt e kaluar) po kthehen edhe në mbulesa dhe veshje të dallimeve politike; cili do të jete rreshtimi i kombit tonë në këtë ndasi fetare që po konturohet në botë?! Nga do të shikojmë ne nga Lindja, apo nga Perendimi? Si  do të kapërxehet kjo larmi fetare në një rreshtim të mundshëm në të ardhmen ?! Kjo larmi fetare është një mungesë, apo është një virtut?!  Dhe në se është virtut e cilësi kjo bashkëjetesë, a ka ardhur koha t’ua tregojmë edhe të tjerëve.  Dhe ky komb që posedon këtë armë sekrete të bashkëjetesës paqësore fetare; do t’ua rrëfejë edhe kombeve të tjerë  kodin e këtij fenomeni ?! A duhet t’ia tregojë botës së qytetëruar këtë kod?! A e ka  të drejtën morale ky komb t’i tregojë dhe mësojë botës së qyteteruar këtë mënyrë bashkëjetese, dhe a duhet ta respektojë bota e qytetëruar këtë rrëfenjë?!

Po përpiqemi t’u pergjigjemi disave prej këtyre pyetjeve me rradhë.

1.Marrja e fesë muslimane nga pjesa dërmuese e popullit tonë, tregon dobësinë dhe  nënshtrimin e tij  ndaj pushtuesit otoman, dobësinë e karakterit; apo diçka tjetër?!

Pothuajse pas 1000 vjetësh, pjesës më të madhe të popullit tonë ju desh të bëjë një riciklim, ndërim të ri të fesë nga të krishterë në muslimanë; ndërrim ky i diktuar nga pushtimi osman. Por une do të isha i mendimit se ky këmbim, pavarësisht pushtimit, nuk është bërë tërësisht dhe plotësisht me dhunë; duke përjashtuar rastet e veçanta. Dhe një nga  rastet e  veçanta, ku u perdor dhuna për ndërrimin e fesë, ka qënë Labëria; ku antishqiptari Ali Pashë (Hajdut) Tepelena (për të cilin historianët duhet të nxjerrin origjinën e vërtetë të tij,origjina e gjyshit, mbasi mund të mos jetë shqiptar) përdori dhunën në vendosjen e fesë muslimane. Ky ndërrim për gjithë shqiptarët nën pushtimin turk, u bë përsëri, si edhe para 1000 vjetësh, për arësye ekonomike, politike por në disa raste edhe për arësye kombëtare; për t’u dalluar dhe mbrojtur nga kombet e tjerë, për të ruajtur identitetin e vet kombëtar. Ismail Qemali në lidhje me këtë problem shprehet : “ Sulltanët, më në fund, të kënaqur që arritën në përfundimin e një rezistence kaq të madhe, duke i besuar me shumë trimërisë së shqiptarëve se sa pasurive të vëndit të tyre, ishin të kënaqur të bashkohen me Shqiperinë në marrëveshjen që të respektojnë ligjet dhe zakonet, duke ua lënë komandën dhe administrimin vetë krerëve shqiptarë. Më të aftët nga këta krerë, tërhiqeshin në kryeqytet e mbuloheshin me ndere dhe favore, filluan të zënë postet më të larta civile e ushtarake. Dhe shqiptarët nuk munguan të çmojnë dobitë që Perandoria u siguronte atyre, duke i garantuar kundër agresioneve të mundshme nga ana e të tjerëve. Nga ana tjetër, meqë qeveria  e Sulltanëve i çmonte shërbimet e dhëna nga ky popull kaq burrëror për forcimin e autoritetit osman në Ballkan, erdhi e u krijua një besim i sinqertë reciprok…(“Kujtime” botim i vitit 1997, faqe 310).

Një nga arësyet e ndërrimit të fesë nga shqiptarët, siç doli më lart, ishte politike; me qëllim për t’u integruar në administratën e lartë shtetërore osmane. Por këtu duhet pranuar se ky integrim i krerëve dhe mëndjeve më të fuqishme të shqiptarëve në perandorinë Osmane, si dhe konvertimi i pjesës dërmuese të popullit në fenë muslimane; pati edhe anë negative në çështjen kombëtare, pasi krerët e integruar në administratën e lartë osmane nuk ndjenin nevojën e ndryshimit dhe të krijimit të një shteti shqiptar, përjashto këtu patriotët dhe Rilindasit. Por duhet thënë se shqiptarët nëpërmjet ndërrimit të fesë drejtuan Perandorinë, kujtojmë 40 vezirët (kryeministrat) shqiptarë. Sa vezirë Sërbë, apo Grekë ka pasur në Perandorinë Turke ?!  Pra, raca e jonë ka drejtuar Perandori. A është inferiore një racë që ka drejtuar Perandoritë më të mëdha të njerëzimit;

Fillojmë me ALEKSANDRIN e MADH, kushëririn e dytë të PIRROSEPIRIT, dy diej verbues dhe dy nga gjeneralët e burrat e shtetit më të mëdhenj të antikitetit, të krahasuar vetëm me sivllezërit e së njëjtës racë,  JUL QEZARIN dhe GJERGJ KASTRIOTIN ; Aleksandri i biri i Filipit dhe i Olimbisë, i lindur si kryqëzim i dy popujve zulmëmëdhenj shqipfolës, Maqedonësve dhe Epirotëve, krijoi perandorinë më të madhe të antikitetit. Perandoria e Aleksandrit  bashkoi Europën me Azinë, fillonte ku lind dielli dhe mbaronte në perëndim të tij.

Perandorinë Romake, të cilën për  rreth 200 vjet, pa ndërprerje dhe rresht dhe njeri pas tjetrit e drejtuan rreth 20 perandorë ILIRE ( ku 8 të tillë ishin DARDANË); Perandorinë Bizantine, të cilën për  rreth 100 vjet rresht e drejtuan 6 perandorë Ilirë ( duke mos futur këtu perandorët e dinastisë së Komnenëve, Paleologëve dhe Katakuzhinëve, për të cilët thuhej nga historianët, se nuk ishin as sllavë dhe as grekë, pra mbetej që të ishin shqiptarë). “ Perandorët Ilirë të Bizantit qeverisën që nga viti 491 (me Anastasin e Durrësit) deri në vitin 602, pra për 111 vjet. Ata u dalluan për aftësitë e tyre ushtarake dhe politike në drejtimin e shtetit, duke i rikthyer lavdinë Romës dhe Bizantit. Me këta perandorë Bizanti do të arrinte dhe kulmin e zgjerimit të tij, sidomos me Justinianin. Përveç se burra të zotë, ata qenë dhe njerëz që  kontribuan në qytetërimin botëror me veprat e artit që ndërtuan…JUSTINIANI ishte një nga perandorët më të mëdhenj të Bizantit, sepse i dha perandorisë për herë të fundit territoret e perëndimit deri në Spanjë. Ai dha një të drejtë të rinovuar romake, që është edhe sot baza e kodeve civile të gjithë sistemeve ligjorë në Europë dhe kudo në botë…Vepra më e shquar e lidhur me emrin e Justinianit është padyshim Corpus iuris civilis (Korpusi i së drejtës civile). Në të përmblidhen Codex Justinianus (Kodekset e Justinianit)”. ( Elena Kocaqi “Albanët me famë në mijëvjecarë” dhe Neritan Ceka “Ilirët”); dhe së fundmi ata drejtuan Perandorinë Turke, në të gjitha postet më të larta deri tek kryeministri; me përjashtim të postit të perandorit, i cili vinte nga kombësia turke në rrugë dinastike. Ç’është kjo racë, e cila megjithëse e pushtuar, për pak kohë merr në dorë frenat e shtetit të pushtuesit! Kujtojmë me këtë rast fjalët profetike të  historianes dhe gjuhëtares së shquar Elena Kocaqi, se me futjen e Shqiperisë në NATO, shqiptarët për pak kohë do të jenë gjeneralët me të zotë të saj. Une me këte rast do të shtoja, se edhe me futjen në Bashkimin Europian; jo më shumë se 50 vjet pas hyrjes, shqiptarët do të marrin pjesë në drejtimin e kësaj “Perandorie”, duke bërë që në Bruksel të flitet edhe shqip; ashtu siç është folur në pallatin mbretëror të Mehmet Aliut në Egjipt; ashtu siç është folur shqip në fund shekullin e XIX dhe fillim shekullin e XX në marinën detare të Greqisë, që nga admirali deri tek bocmani më i thjeshtë.

Por, Shqiptarët kanë merita të jashtëzakonshme edhe në krijimin e shteteve moderne në shekullin e XIX si atë të Italisë ( ZEF Garibaldi, kalibardhi), Egjiptit (Mehmet Ali Kavalla), Greqisë, Rumanisë (Gjikajt) dhe të Turqisë ( Mustafa Qemali). Pak është kjo për një komb të vogël ?!

A mund të futet kjo racë brenda kornizave fetare të mbyllura për mijëra vjet; e cila besimin fetar e ka pasur si një pelerinë, që e ka veshur dhe çveshur sipas nevojave, pa kurrfarë kompleksi! Por ndërrimi i fesë gjatë pushtimit otoman, ka patur edhe një qëllim tjetër të lartë; atë të ruajtjes së pastërtisë së racës, të identitetit kombëtar, për të mos u asimiluar nga popujt fqinj të krishterë, për t’u dalluar prerazi dhe qartazi nga ata. Kështu popullatat shqiptare që banonin territoret kufitare me fqinjët në zonat veriore, veri-lindore, lindore, jug-lindore dhe jugore të Shqiperisë Natyrale (ashtu siç e ka bërë zoti) përdorën fenë muslimane për t’u ndarë si me thikë nga ortodoksët  Sllavo-Helene, duke krijuar nje koracë mbrojtëse. Në këtë kuptim dhe vetëm në këtë kuptim, feja mund të quhet pjesë e identitetit kombëtar të shqiptarëve; vetëm si një veshje mbrojtëse, një guaskë e fortë që mbron brenda saj SHQIPTARIN e pa asimilueshem. Dhe kur kollosët e letrave shqipe Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja nxorrën shpatat nga milli, e me leshra të kreshpëruara dolën në beleg të burrave e u ndeshën në një betejë gjigande, me humbje të mëdha energjish; këtë duket se kishin parasysh. Në këtë rast, plaku i urtë dhe historiani i nderuar Kristo Frashëri; I pajtoi me drejtësi e urtësi.

Vazhdojmë me pyetjen tjetër.

     2.A jemi ne një popull  i pa fe, ose e thënë ndryshe pa një kulturë fetare?!   Naim Frashëri në veprën e tij na flet për Shqipërine si një ”vend i bekuar”  dhe për shqiptarët si  “vëndëthit e bekuar”.  Kjo është thjesht një figurë letrare, hiperbolë; apo diçka më e thellë, filozofike dhe e vërtetë historike?  Jam i mendimit se është kjo e fundit. Rilindësit tanë ishin eruditë me një shkëlqim të jashtëzakonshëm. Naimi e dinte shumë mirë që Shqipëria ishte një vënd  hyjnor, froni ku rrinin perënditë; një vend që ishte vënë në mbrojtje nga zoti. Dhe banorët e këtij vendi hyjnor, ishin edhe ata vetë të bekuar dhe hyjnorë. Këto shprehje të Naimit nuk mund të shpjegohen edhe thjesht si një rastësi. Ai e njihte shumë mire historinë e popullit të tij të stërlashtë. Po të shtyhemi thellë në histori dhe të takojmë historianët e Greqisë së lashtë; PAUZANIA do të na flasë për “Arkadët thonë se në këtë tokë PELLAZGU lindi i pari në Arkadi dhe meqënëse Pellazgu  u bë mbret dhe vendi e mori emrin Pellazgjija”. Ndërsa PINDARI na rëfen : “ Njeriun toka e lindi e para dhe kështu solli një dhuratë të bukur…ose Arkadia PELLAZGUN HYJNOR, më parë se hana”.

A e kuptojmë thellësinë e këtij mendimi? Hëna është nga pikëpamja astronomike satelit i tokës. Të kesh lindur para saj, do të thotë që ke lindur i pari në tokë dhe nga pikëpamja yjore ke kapërxyer objektet kozmikë. Pra je një popull i stërlashtë dhe hyjnor. I  tillë është populli i ynë. Prof.Dhimiter Pilika në veprën e vet madhore “PELLAZGET origjina jonë e mohuar”, në faqen e parë të saj vendos diçiturën nga teksti i një kënge 300 vjeçare labe “Jemi këtu në  vëndë’tënë, që pa lerë diell e hënë”. Sa e afërt është kjo me thënien e Historianëve të lashtë për pellazgët parahënorë. Kjo flet për një respekt të jashtëzakonshëm nga Ata për këtë racë që popullonte atokohe Ballkanin. Por flet edhe për një të vërtetë të madhe, për një popull pranë zotave. A mund të jetë i pa fe një popull i tillë i privilegjuar nga zotat; I cili nuk është në rolin e të përvuajturit besimtar; por në një rol veprues dhe pranë perëndive. Kur Peleu (ky pinjoll dhe stërgjysh i racës tonë) mbërtheu Tetisin dhe e mori për grua, dhe me të polli Akilin, këtë luftëtar gjysëmhyjnor; ishte i pa fe?! Apo ishte aq afër zotave sa mund të krijonte edhe familje me ta. Nuk po flas më, mendojeni vetë këtë punë. Besimi fetar tek populli i ynë, që nga lashtësia e deri më sot, ka një veçori kundrejt të tjerëve; ne e adhurojmë zotin (ose zotat), ne e respektojmë atë. Ky ka qënë gjithmonë një respekt reciprok. Ai asnjëherë nuk ka qënë përulje, ose nënshtrim pa kushte. Kjo shpjegohet vetëm me një veçori të racës tonë, KRENARINË. Ne jemi shumë krenar. Kjo krenari asnjëherë nuk na ka shpënë në fanatizëm, por vetëm në adhurim dhe respektim. Por me i rëndësishëm në këtë qëndrim ka qënë PAGANIZMI  i  ynë në shekuj. Ne, edhe sot e kësaj dite, në thelbin e tij, kemi mbetur një popull pagan. Me këtë shpjegohet edhe larmia fetare tek ne. Per ne nuk ka rëndësi se çfarë besimi fetar mund të zgjedhësh, kjo lidhet me nevojat, shijet dhe rrethanat. Dukeqënëse se parimi kryesor në besim ka qene ADHURIMI, atëhere mund të adhurosh çfarë të duash, atë që të pëlqen; sepse vetë adhurimi  nënkupton ndryshueshmërinë e zgjedhjes. Ne kemi një besim shumë të madh tek JETA, dhe ky besim na ka shpënë tek adhurimi për ATE  që e ka krijuar jetën mbi tokë. Vetë paganizmi ynë lidhet dhe shpjegohet vetëm me këtë besim dhe dashuri për jetën. Nuk është e rastësishme që ne SOT  si popull festojmë zyrtarisht një festë pagane, 14 marsin. Dhe kjo është meritë edhe e atij kryeministri, që i propozoi kuvëndit para disa viteve për ta bërë 14 marsin festë zyrtare. Prova më e mirë për këtë është qëndrimi publik, si ai i datës 14 mars 2011, kur kleri katolik dhe musliman shprehën pakënaqësinë e tyre se pse shqiptarët e festojnë ditën e verës, duke u përpjekur t’i ulin vlerat asaj. Nuk është e rastësishme, që ne më shumë festojmë ndërrimin e viteve (këtë kult pagan) se sa Bajramin, apo Krishtlindjet dhe Pashkët. Sepse ne si popull, po të përmendim një fjalë të madhe të profesor Dhimitër Pilikës, nuk na lidh asgjë me fetë (krishtërimi dhe myslymanizmi) që kanë lindur në shkretëtirat arabike; ku ka dhe pak jetë. Historikisht raca e jonë ka jetuar në vënde me male dhe fusha me gjelbërim, ujra të bollshme e të pastra. Atje ku jeta ka gjalluar më shumë se në çdo vend tjetër, me dorën e vetë Zotit. Gjej rastin këtu të përmend një fakt domethënës, të gjithë të huajt që kanë kaluar nëpër viset shqiptare, duke filluar nga udhëtarët e shekullit të XVIII e deri më sot, kanë folur për një bukuri magjepëse (gati hyjnore do të thosha unë) dhe që nuk e kanë parë në vënde të tjera. Kujtojmë këtu Eduart Lirin. Dhe kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme. Prandaj ne jemi paganë dhe nuk mund të quhemi të pafe, pasi jetojmë në nje vend te bekuar nga zoti. Sepse ne besojmë pafundësisht dhe me fanatizmin më të madh tek  JETA. Tek jeta me NDER  dhe në LIRI. Po të mos kishim këtë besim fanatik, sot ne nuk do të ekzistonim si komb, por do të ishim zhdukur. Por për nderin dhe lirinë ne bëjmë edhe sakrificën më sublime, falim vetë jetën. Shikoni çfarë lidhje unike më e fortë se çdo nyje gordiane. Me vdek si me le.  Një sintezë e pazbërthyeshme si vetë atomi, ku uniteti dhe papajtueshmëria e të kundërtave, ndërrimi i vëndeve me njëra tjetrën; parimi më i lartë i dialektikës Hegeliane, gjen pasqyrim të shkëlqyer. Më thoni një komb tjetër, ku mund të gjëndet ky parim hyjnor. Ju kujtoj këtu se si vdiqën vajzat dhe gratë e Sulit, duke u hedhur në greminë, për të mos rënë në dorë të gjaksorit, drakulës shqiptare, Ali Pashë (Beshishti) Tepelena. Krishtërimi, mburret me vetësakrifikimin e një njeriu të vetëm, të Jezusit hebre. Por çdo shqiptar, për nder dhe atdhe, është një Jezu Krisht. Ky moment është kapur me një mëndjemprehtësi të jashtëzakonshme nga i madhi  Ismail Kadare tek “Kush e solli Doruntinën”, kur Kostandini për të shpënë në vend fjalën e dhënë, BESEN, NDERIN; RILINDI si JEZU KRISHTI, u ngrit nga varri. Dhe në veprën teatrore, nga klerikët kjo u quajt sakrilegj; pasi këtë privilegj e kishte vetëm Jezu Krishti, dhe asnjë tjetër.

Mungesa e një lidhje të qëndrueshme me fetë monoteiste, alternimi i tyre në shekuj; përqafimi i tyre me shumë me dëshirë se sa me forcë (është me vend këtu të pëmendim mbështetjen vullnetare që i dha raca jonë predikimeve të Palit, me të shkelur këmba e tij në Ballkan dhe përqafimin vullnetar të krishtërimit, shumë shekuj më parë se grekët ortodoksë të sotëm) ; tregon se populli i yne e ka pasur fenë monoteiste një mjet dhe jo një qëllim, një mjet dobiprurës në shtjellat e historisë. Feja monoteiste me shumë ka qënë një gunë që populli i ynë e ka veshur, apo e ka hedhur tej, sipas acareve apo zhegut të historisë në shekuj. Shtyhemi thellë në shekuj dhe shkojmë në mes të mijëvjeçarit të parë të erës tonë, atëhere kur turma të mëdha popujsh paganë barkthatë (SKLLAVET)  vinin që nga stepat dhe shkretëtirat e Azisë Qëndrore, dhe si një kulçedër thithën lëngun e jetës të Ballkanit, që asokohe banohej pothuajse tërësisht nga raca e jonë ILIRO-TRAKO-DARDANO-MAQEDONO-EPIROTE. Ilirët (Po i përmbledhim të gjithë në një emërtim) asokohe nuk e kishin përqafuar krishterimin në mënyre masive, ata vazhdonin të ishin paganë; por për t’u dalluar nga kjo turmë e stërmadhe pagane; në mënyrë të menjëhershme si me një urdhër nga lart, përqafuan masivisht krishtërimin për t’u ndarë nga ata, për mos t’u bërë NJË me ata. Në mënyrë instiktive Kodi i racës filloi të veprojë në vetmbrojtje. Ja pse u bëmë ne të krishterë. Ja si shprehet historiani i nderuar Prof.Dr.Kristo Frasheri : “…me dobësimin e presionit të shtetit perandorak bizantin, që erdhi si pasojë e dyndjeve barbare, banorët shqiptarë të tradicionit autokton Ilir u lidhën ngushtë me fenë e krishterë. Kjo për arësye se në këto kushte, ideollogjia e krishterë e forconte më mirë se feja politeiste, bashkimin e tyre kundër fiseve barbare sllave të gozhduara ende pas paganizmit….Krishtërimi u përqafua vullnetarisht…”. (“Identiteti Kombëtar Shqiptar”,botim i vitit 2006,faqe 59). Në lidhje me këtë problem arkeologu i shquar dhe historiani Neritan Ceka në veprën e vet madhore “Ilirët” shkruan : “…Prania e kishës (bëhet fjalë në Dardani), e cila ishte e lidhur me popullsinë autoktone të krishtere, dëshmon se Dardania nuk u sllavizua nga paganët e stepave. Në vitin 787 peshkopët e Dardanisë morën pjesë në koncilin e Nikesë, ndërsa perandori Bizantin Leoni I III (717-741) vuri nën varësinë e patriarkut të Kostantinopojës edhe peshkopatën e Justiniana Primës. Peshkopata e Shkupit na del përsëri në dritën e dokumenteve në vitin 864, vit në të cilin prijësi bullgar, Borisi, u pagëzua si i krishterë në kishën e Ballshit (katedralja e Bylysit) sëbashku me popullin e vet…”(faqe 162).

Dhe kur dhe ata skllavët u konvertuan në të krishterë, filloi shkërmoqja dhe asimilimi i racës tonë. Dhe ata (skllavenët) si “krishterë të devotshëm” filluan të ndërtojnë kisha dhe manastire në tokat tona, për të cilat SOT po na kërkojnë reston.  Kujtojmë këtu manastiret dhe kishat e Pejës. Por të mos harojmë, se në atë fillim shekulli të katërt të erës tonë, ishte pinjolli i racës  tonë, biri i Dardanisë kreshnike, hyjnori perandor KOSTANTINI I MADH; që me ediktin e Milanit ne motin 313 të erës tonë, legjitimoi krishtërimin në perandorinë romake, krishterim te cilin po e gezon sot gjithe bota e qyteteruar. Ndokush mund të pyesë se përse e bëri këtë Kostantini, mos valle ishte i përdellyer ndaj krishtërimit? Jo. Kishte vetëm një arësye dhe vetëm një, arësyen politike shtetërore për të stabilizuar politikisht perandorinë që po brehej nga grindjet fetare. Dhe për atë se sa besimtar ishte ai ndaj fesë së krishterë, kujtojmë faktin që ai është pagëzuar nga kisha e krishterë në prag të vdekjes, duke dhënë shpirt dhe kundër dëshirës së tij. Megjithatë Kisha e Perëndimit, për veprën që bëri e ka shpallur shënjtor. Ishte një bir tjetër i racës tonë Dardanasi ( lindur ne qytetin Bederiana pranë Naisit (Nishit të sotëm) në Dardani) dhe perandori i shkëlqyer, JUSTINIANI I MADH, që ndërtoi dhe rindërtoi rreth 160 kështjella në Ballkan për të mbrojtur racën e tij nga turmat pagane skllave. ”Për atdheun nga vinte ndërtoi 157 kështjella, që nga Danubi në Epir, që të siguronte këto territore nga dyndjet që kishin filluar prej shekujsh. Eshtë meritë e tij, që një pjesë e madhe e territorit shqiptar shpëtoi nga dyndjet sllave…Ai nuk pranoi t’i vendoste sllavët në Iliri…Justiniani ishte një njeri fetar dhe një katolik i devotshëm, por që i pëlqente të komandonte vet kishën e krishterë…Justiniani e mbrojti kishën e krishterë dhe i dhuroi prona të shumta, ndërtoi kisha dhe manastire të shumta, ku mbi të gjitha dallon kishën e Shën SOFISE”. (Elena Kocaqi “Albanët me famë në mijëvjeçare” faqe 183-186). Ishte ky Justinian që ngriti një kishë autoqefale (Peshkopatën) të pavarur nga Roma në qytetin e tij të lindjes Bederiana (Justiniana Prima); ishte ky bir i Dardanise kreshnike që ngriti një nga shtatë mrekullitë e botës, Katedralen e Shën Sofisë në Kostandinopojë (e cila edhe sot pas rreth 1500 vjetësh qëndron madhështore mbi ujrat e Bosforit, në formën e xhamisë blu). Gjithashtu ai ngriti  katedralen e Bylysit, që turmat skllavene kur erdhën aty e kthyen në një ahur bagëtish. Por ky njeri i madh bëri edhe një gabim; për t’u shkëputur përfundimisht dhe për t’u ndarë qartazi dhe prerazi nga turmat pagane skllavene; ndaloi me ligj paganizmin, luftoi dhe përzuri nga perandoria e vet Bizantine gjithë paganët. Por në mes të këtyre paganëve ishin dhe mëndjet më të ndritura të asaj kohe, filozofët dhe shkencëtarët, të cilët shkuan drejt Lindjes dhe i dhanë shkëlqim të ndritur Persisë. Ja si e përshkruan saktësisht Neritan Ceka këtë ndodhi; “Justiniani ishte perandori i fundit Bizantin, i cili përdori latinishten si gjuhë zyrtare. Ai ishte njëkohësisht perandori që adoptoi përfundimisht krishtërimin si religjion të vetëm të shtetit bizantin, duke përzënë elitën intelektuale pagane dhe duke mbyllur Akademinë Platonike të Athinës, djepin e neoplatonizmit pagan. Qindra filozofë dhe shkrimtarë mërguan për në oborrin e mbretit të Persisë, duke hedhur njërën nga shtyllat mbi të cilat u ngrit më pas kultura humaniste islame” Neritan Ceka “Ilirët”, faqe 160. Ndërsa Elena Kocaqi në veprën e sipërpërmendur shprehet: “Justiniani ishte një armik i ashpër i paganizmit grek dhe në vitin 529 mbylli Akademinë e Athinës, djepin e paganizmit”. Kjo i dha dorë kishës së krishterë ( shprehet Aristidh Kola) që të prishë dhe të shkaterojë deri në themel, të gjithë tempujt dhe vëndet e kultit pagan, të cilat ishin mrekullitë e antikitetit; dhe mbi gërmadhat e tyre të ndërtojë kishat. Dhe këtu është vendi për t’u treguar të krishterëve “safi” që na rrethojnë, se ishte përsëri një bir i popullit tonë GJERGJ KASTRIOTI  (i ashtuquajtur Skenderbeu), që u bë mbrojtës i krishtërimit; se përndryshe ajo Europë e krishterë, që sot ne shqiptarët na quan pothuajse muhamedanë, pa ATË (Skënderbeun) dhe pa luftën gjigande të një populli të vogël, i cili u ndesh me golgothanë osmane;  SOT mund  të ishte vet muhamedane dhe  të falej në xhami.

Europa nuk duhet të harojë që KOSTANDINI, JUSTINIANI  dhe GJERGJ KASTRIOTI  janë shqiptarë.

Vazhdojmë me pyetjen tjetër.

3.Sot në kohët moderne kur në ethir ndryshimet dhe dallimet fetare, po kthehen edhe në mbulesa dhe veshje të dallimeve politike; cili do të jetë rreshtimi i kombit tonë në këtë ndasi fetare që po konturohet në botë?! Nga do të shikojmë ne nga Lindja, apo nga Perëndimi? Si  do të kapërxehet kjo larmi fetare në një rreshtim të mundshëm në të ardhmen ?!

Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, po e fillojmë me një shpjegim shumë të thjeshtë. Nga ndryshon një shqiptar tipik i krishterë nga një shqiptar tipik musliman?  Ndryshimi nuk është thelbësor, ndryshimi nuk prek etnotipin shqiptar. Ndryshimi është sipërfaqësor, çështje ngjyre. Po të bëjmë një krahasim elementar, është njësoj si të thuash ku ndryshon një futbollist i “Dinamos” nga një futbollist i “Partizanit”? Kushdo do të përgjigjej thjesht, nga fanella e skuadrës që përfaqeson. Madje një futbollist mund të ndryshoj skuadrën dhe të mbetet po ai. Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët, ata vetëm kanë ndërruar fanellat këto 2000 vjet. Dhe kanë mbetur po ata që kanë qënë këtu e 6000 vjet më parë. NJË RACË. Kështu duhet t’i shikojë shqiptarët bota e qytetëruar; jo nga besimi që ndjekin, por nga të qënit shqiptar. Mikja e madhe e shqiptarëve Edit Durham, e cila shetiti pothuajse të gjithë Ballkanin e fillim shekullit te XX, e ka kapur në mënyrën më të shkëlqyer thelbin e problemit dhe e ka shprehur në mënyrën më të qartë ( si drita e diellit) këtë çështje. Ajo thotë pak a shumë kështu; Kur pyesja një rumun se çfarë je, më përgjigjej i krishterë; një sërb, më përgjigjej ortodoks; një bullgar, i krishterë; një kroat, katolik; një boshnjak, musliman; një grek, ortodoks. Kur pyesja një shqiptar, i çfarëdo feje që të ishte, i krishterë, apo musliman; më përgjigjej jam SHQIPTAR, duke shpërfillur  faktin se kujt besimi i përkiste. Ky është dallimi i MADH i shqiptarëve nga popujt e tjerë që popullojnë Ballkanin.

     Këtë duhet ta mësojnë mirë  ideusit, projektuesit dhe zbatuesit e rregjistrimit të popullsisë në Shqipëri mbi baza fetare. Ky rregjistrim i projektuar në skutat e errëta nga mëndje djallëzore, synon përçarjen e kombit tonë, synon vdekjen e tij. Atë që nuk kanë mundur ta realizojnë tek shqiptarët në shekuj, po përpiqen ta realizojnë tani, në këtë pragshekulli të XXI, ku aspiratat e shqiptarëve për një bashkim kombëtar janë më të forta se kurrë.

Gjithashtu, Europa dhe gjithë bota e qytetëruar duhet t’a dijë mirë. Shqiptarët  kanë per të qënë indiferentë në çdo rreshtim të mundshëm me ngjyrim fetar.  Ata që nuk përkrahën kryqëzatat në periudhën e errësirës mesjetare, nuk mund të bëhen tifozë në kohët moderne  e të ndriçuara. Ata do të mbeten indiferentë ndaj erërave dhe korenteve që mund të fryjnë, nga Lindja, apo nga Perëndimi qofshin ato. Europa duhet të na pranojë kështu siç jemi, rrugë tjeter nuk ka. Larmia jonë fetare është një tufë lule shumëngjyrëshe që me aromat e saj, dhe me vendndodhjen tonë në mes të Lindjes dhe Perëndimit, do të zbusë shpirtrat e ndezur nga afshet fetare. Larmia jonë fetare, vetë ekzistenca e saj tek ne, është një shembull i gjallë për popujt e tjerë me fe të ndryshme në të gjithë botën; që të jetojnë në harmoni me njeri tjetrin, siç jetojmë ne shqiptarët mes vedi.

Vijojmë me pyetjet

     4. Kjo larmi fetare është një mungesë, apo është një virtut?! Dhe në se është virtut e cilësi kjo bashkëjetesë, a ka ardhur koha t’ua tregojmë edhe të tjerëve. Dhe ky komb që posedon këtë armë sekrete të bashkëjetesës paqësore fetare; do t’ua rrëfejë edhe kombeve të tjerë  kodin e këtij fenomeni ?! A duhet t’ia tregojë botës së qytetëruar këtë kod?! A e ka  të drejtën morale ky komb t’i tregojë dhe mësojë botës së qytetëruar këtë mënyrë bashkëjetese, dhe a duhet ta respektojë bota e qytetëruar këtë rrëfenjë?!

Jam i mendimit se jemi bash në çastin e duhur në këtë fillim shekulli të XXI. Çfarë duhet të shikojë bota e qytetëruar tek kombi i ynë; larminë dhe diversitetin fetar, apo unitetin dhe bashkëjetesën fetare; mungesën e formimit të kulturës  fetare, apo ekzistencën e vetive të shkëlqyera, nga më të rrallat dhe uniket në botë?! Mendoj se bota e qytetëruar duhet të shikojë këto të fundit. Jo se jemi ne më të mirë se të tjerët, por duan apo s’duan kombet e  tjerë, ato ekzistojnë objektivisht vetëm tek ne. Modestia e jonë në këtë rast do te ishte hipokrizi dhe “gjunjëpërthyerje”. Sinqeriteti dhe e vërteta janë virtut. Ndërkohë që të tjerët janë të djallëzuar dhe të pasinqertë. Ndoshta vetë Zoti, për ruajtjen e këtyre cilesive na ka zgjedhur neve, dhe pse ka zgjedhur ne, duhet pyetur vetem AI, sepse ai e DI këtë gjë. Për të gjitha këto cilësi, të cilat fatmirësisht tek kombi i ynë, janë me shumicë; ka kombe që na kanë zili, dhe për të mbuluar zilinë e tyre, mungesën e përjetshme të këtyre cilësive tek vetja e tyre; janë munduar të na përgojojnë, përbuzin dhe përçudnojnë në sytë e të tjerëve. Ata e dinë shumë mirë se vetë ekzistenca e jonë është verbuese, prandaj historikisht janë munduar ta errësojnë sa të jetë e mundur këtë shkëlqim rrezatues që rrjedh biologjikisht nga genet e racës tonë, e cila ka mbetur e pastër, e bukur, inteligjente dhe e fortë si nje smerald prej mijëra vjetësh. Një fosile e gjallë e ardhur deri më sot në kohët moderne,  që nga mugëtirat e kohrave (një trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e racës së bardhë që në agun e parahistorisë së shoqërisë njerëzore); e ruajtur nga një koracatë e shkëlqyer, që nuk kanë arritur t’a shpërbëjnë furtunat dhe shtërngatat e historisë.

Ismail Qemali në vitin 1917, në lidhje me racën e shqiptarëve në kujtimet e tij shprehet: “Ndërmjet Adriatikut, Pindit, vargut të Ballkaneve e Alpeve Dinarike mbi vijën që ndan Lindjen nga Perëndimi, ku historia ka parë takimim e shumë popullsive nomade e shumë qytetërime të lindura, atje është Shqipëria si një fortesë e mbrojtur nga sulmet e huaja. Në tri anë nga rrethi i majave të maleve të larta e nga ana e katërt nga deti. Shqipëria është banuar që në fillim nga një racë, origjina e së cilës shkon në kohë të Pellazgëve.  Megjithëse jo e huaj nga qytetërimi grek, kjo racë ruajti karakterin e vet dhe krenarinë e origjinës së saj parahelenike…Me rënien e perandorisë Romake, ata dolën në arenën e botës, si provë që i perkisnin një race, fortësia e së cilës nuk ndikohej nga koha, dhe inteligjenca kombëtare e së cilës nuk mund të prishej nga zakonet…Me gjithë pushtimet e shumta e të vazhdueshme nga ana e Romës, Bizantit, normanëve, bullgarëve, sërbëve, italianëve dhe turqve; ata edhe sot paraqesin shfaqjen e rrallë e interesante të një kombësie të ruajtur të pastër e të painfektuar gjatë shekujve…” (“Kujtime” botim i vitit 1997, faqe 304-305).

Ja si shikohen shqiptarët në syrin e një diplomati anglo-sakson në vitet e trubullta të Luftës së Parë Botërore “…Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerike t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull me emrin Pellazgë…Shqiptarët janë të vetmit që kanë ardhur deri më sot nga kjo racë e fuqishme parahistorike…Është tragjedi tej çdo përfytyrimi, që kjo racë e MADHE dhe shumë e lashtë të katandiset në këtë gjëndje, e cila meriton të quhet skandal i qytetërimit europian…”. GEORGE FRED WILLIAMS.  1914.

Unë, sot pas një shekulli,  mund të shtoj  (të njëjtin perifrazim) … Është tragjedi tej çdo përfytyrimi, që kjo racë e MADHE dhe shumë e lashtë të katandiset sot në këtë gjëndje, e cila meriton të quhet skandal i qytetërimit europian… për shkak të papërgjegjshmërisë së politikanëve shqiptarë (brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë së 1913-ës), qysh nga vitet 20 të shekullit të kaluar e deri më sot, si dhe qëndrimit përbuzës  dhe mospërfillës të politikanëve europianë të çdo kohe.

Mund të shpërthejnë pyetjet uluritëse dhe paduruese, kush është kodi  juaj; na e thoni? Përgjigja është kjo. Kodin tonë e njeh shumë mirë Zoti i ynë. Dhe zoti i ynë është në majat e maleve tona, ngjituni  tek baba Tomorri ose shkoni në Dodonë. Atje do të merrni përgjigjen e duhur. Përgjigja e jonë është nga më të thjeshtat dhe nga më zhgënjyeset, për ata që çoç presin. Çdo gjë e vyer dhe me vlerë, që ka ky komb, është trasmetuar me skrupulozitetin më të madh nga  ATI  tek  BIRI. Ky kod asnjëherë nuk është shkruajtur, ne nuk kemi pasur biblioteka dhe arkiva për ta ruajtur atë; sepse edhe bibliotekat dhe arkivat më të sigurta, rrebeshet e historisë i  kanë shkatëruar (gjë që historia e ka vërtetuar shumë mirë me biblotekën e Aleksandrisë e ngritur nga pinjolli i racës tonë Ptolemeu, shoku,bashkëluftëtari dhe gjenerali i Aleksandrit të Madh, dhe e djegur me barbarizëm nga Oktavian Augusti). Ky kod është trasmetuar goja  gojës, brez pas brezi, bir pas babe dhe nip pas gjyshi, me GJUHËN TONË, nga më të stërlashtat. Ky kod është shkruar vetëm në një vend, dhe atje është shkruar me dorën e zotit. Ai është shkruar në mishin, gjakun dhe kockat tona; në genin tonë gjenetik si racë ( me këtë duhet nënkuptuar raca jonë shqiptare, trashëgimtare në linjë të drejtëpërdrejtë nga popujt Iliro-Trako-Dardano-Maqedono-Epirotë; të cilët nga ana e tyre kanë për gjyshër pellazgët, dhe jo raca në kuptimin shkencor biologjik); një racë  e pastër, e cila nuk ka pësuar mutacione prej mijëra vjetësh, dhe këtë pastërti  dhe këto cilësi të parët tanë i kanë ruajtur me fanatizëm brez pas brezi. Për këtë gjë, dhe vetëm për këtë  gjë ne mund të akuzohemi për fanatizëm si komb.

Dhe që është një racë me cilësi të jashtëzakonshme, kjo duket me faktin se kjo racë ka nxjerrë personalitete të jashtëzakonshëm, të cilët kanë mbetur meteorë të pashuar në qiellin e  historisë botërore si: Aleksandri i Madh, Pirrua i Epirit, Kostandini i Madh, Justiniani i Madh dhe Gjergj Kastrioti.

Për vetitë dhe cilesitë e kësaj race (nënkupto një popull me një identitet të veçantë), të cilat bota na i njeh si të veçanta; do të flasim një herë tjetër. Sot do të vazhdojmë të flasim për fenë e shqipëtarëve. Vazhdojmë.

Shikoni  klerikët tanë historikisht. Nëqoftëse kanë shkëlqyer, nuk kanë shkëlqyer në fushën e fesë (megjithëse edhe aty kanë qënë të përsosur dhe të paarritshëm), por kanë shkëlqyer me një kulturë erudite verbuese, e vënë me mish dhe me shpirt në shërbim  tek më e shënjta  çështje, tek simbioza  Atdhe-Mëmëdhe. Përmendim, Gjon Buzukun, Frang Bardhin, Budin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjedën, Naim Frashërin, rektorin e të parit universitet të Turqisë Hoxha Tahsinin, At Kristo Negovanin, Dom Nikollë Kaçorrin, Baba Faja Martaneshin etj etj, dhe duke vazhduar më tej me dy kollosët Gjergj Fishta dhe Fan Noli.  Gjej rastin këtu të veçoj klerikët katolik, të cilët me erudicionin verbues dhe patrotizmin e zjarrtë, kanë zënë vend të nderuar në panteonin e Historisë së Shqipërisë.

Çfarë i shtyu ata klerikë t’i përkushtoheshin fuqimisht dhe madhërisht çështjes kombëtare? Çfarë e shtyu Ikonom Zoto Himariotin t’i shkruante Mitropolisë së Drinopulit (Gjirokastrës) në atë vjeshtë të dytë të motit 1891 : “…Epitropia e Kishës Qëndrore të Himarës, në një mbledhje të saj, vendosi  t’ju kujtojë se nuk kini asnjë të drejtë të ndërhyni në çështjet tona…Kurrë s’kemi ndryshuar as bindje, as karakter dhe mbas vitit 1875 kemi vazhduar t’i qendrojmë besnik idealit tonë kombëtar për lirinë e popullit shqiptar. Lidhja (Lidhja e Prizrenit) është e shqiptarëve dhe Himariotët janë shqiptarë. Lidhja është e shqiptarëve dhe jo e turqve dhe vepra e qëllimi i Abdul Frashërit, Myslim Gjolekës, Koto Hoxhit, Mikel Haritos etj janë edhe tonat. Kjo është rruga e popullit të Himarës.” Nënshkruar, Kryetari i Epitropisë Ikonom Anastas Zoto.(Rami Memushaj “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Botim i Toenës 2004, faqe 182). Të tillë burra kishte Himara, Ikonom Anastas Zoto ishte një copë shkëmb nga Akrokeraunet e lavdishme të Himarës. Po sot, a ka mbetur ndonjë?

Cila ishte ajo forcë tërheqëse, më e fortë se tërheqja kozmike, që i perthithi këta klerikë, madje deri në vetsakrifikim?! Mos vallë me këtë forcë shpjegohet edhe toleranca dhe indiferenca jonë fetare si komb?! Kur kjo forcë është kaq e madhe tek klerikët, po tek populli thjeshtë?!  Shqipëria Sot, më tepër se kurrë, ka nevojë për klerikë të këtij  klasi.

Jo rastësisht  Rilindasit shpallën devizën  “Feja e shqiptarit asht Shqiptaria”, e cila ishte një yll ndriçues i çështjes kombëtare; e cila edhe sot në shekullin e XXI  mbetet më aktuale se kurrë për ne shqiptarët; kur mëndje me tru të thartuar që para 150 vjetësh dhe shpirtëra të frymëzuara nga ligësia e errësirës së shpellave të malit  Atos; duan të na trajtojnë si një kope bagëtish, duke na ndarë me trish, e më katërsh sipas besimit dhe sekteve fetare. Mjerë Shqiptarët ku kanë arritur, ku i huaji është bërë Zot dhe komandon në vatrat e tyre. Dhe ata si një popull raja, si skllevër të bindur do të dynden në qëndrat e rregjistrimit, për të plotësuar epshet djallëzore të atyre që kanë patur si mjete komunikimi me popullin tonë zjarrin, thikën dhe helmin.  Dhe nga kjo gjëmë, Rilindasve, atje ku prehen nuk do të ndihen të qetë, dhe  do t’u dhëmbin kockat e patretura nga bëmat e nipërve dhe stërnipërve të tyre sodi. Ngrihuni nga varri o Rilindas dhe dilini zot vatanit, se shqiptarët e sotëm të vdekur e të pakallur, si bagëtia në grazhd po ripërtypin ushqimin që u hedhin të huajt dhe gjakprishurit nga raca e tyre.

     Në mirënjohje të veprës së pavdekshme të RILINDASVE, le t’u ngremë nje PANTEON në një nga kalatë tona legjendare; në mos aty, në majë të malit të Tomorrit, atje ku kanë edhe fronin perënditë.

Shqipëria, SOT më shumë se kurrë ka nevojë për një  Rilindje Kombëtare; pas  më se një shekulli, kjo do të jetë një  RILINDJE E DYTË. Dhe kjo Rilindje Kombëtare e II-të do të vijë me domosdo; duam apo s’duam ne, duan apo s’duan miqtë dhe armiqtë e kombit tonë. Që tani po e ndiejmë  AGUN  e saj.

 

 

                                                                    BESNIK   IMERI

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :