Data : 21 02 2019
KryeTitujt :

-DUKE QËNË VETVETJA NË POEZI.RRETH VËLLIMIT POETIK TË POETES BUQA SOFTA “KRAHËT E SHPIRTIT ”-

 

Enrieta Sina, shkrimtare

 

-DUKE QËNË VETVETJA NË POEZI.RRETH VËLLIMIT POETIK TË POETES BUQA SOFTA “KRAHËT E SHPIRTIT ”-
Duke lexuar poezitë e vëllimit të ri poetik që titullohet “Krahët e shpirtit”, kujtova një thënie të GELERT.”Sado i madh të jetë arti në trurin tënd, mbetet qesharak, kur nuk i shërben shoqërisë”.Shumë tema të poezive të këtij vëllimi janë tërësisht jetike.Poetja ka stilin e saj të veçantë, krejt origjinal gjë që bën të them se në krijimtari ajo është vetvetja.Realiteti për të është një zhurmë të cilën arti duhet të dijë ta kthejë në harmoni.I pëlqen natyra, por nuk është kopjuese e saj, i pëlqen të hulutojë tipa nga jetë, por tipizimin e realizon duke përgjithësuar karaktere sepse është e ndërgjegjshme se në këtë mënyrë si krijuese , poete, do të arrijë të krijojë poezi të mirëfilltë. Poezia, vargu, fjalët kërkojnë në poezi të përcjellin emocion, ide, pozitiven në art.Poetja shpreh idetë dhe mendimet për secilën poezi pështjelluar me figuracione letrare me përpikëri. Poezitë e këtij vëllimi janë të veshura në të shumtën e rasteve nga ndjenja e bukurisë si e vetmja gjë njerëzore që nuk të gënjen, që të jep forcë dhe frymë, ndjenjë dhe përcjell vizion të qartë.Në këtë mënyrë duke e përballur me të keqen, ajo e sfidon atë.
Tema e dashurisë zë një vend të dukshëm në poezitë e Buqa Softa.Në vargjet e shumë prej tyre ndjejmë se e mira e njeriut qëndron bukur tek dashuria, siç qëndron rrezja e diellit tek fruti i pemës, në këtë mënyrë dallojmë të individualizuar forcë karakteresh dhe personazhe që duken të njohur për ne.Dashuria për poeten është thelbi i shpirtit, gjë që duket harmonishëm tek “Krahët e shpirtit”, mbi të cilin ka marrë titullin dhe ky vëllim poetik.E bukur, tërheqëse dhe mjaft e vetvetes duket poezia “ Kokën s’e çaj kur nuk kam faj”.Mjaft me nivel janë poezitë “ Unë dhe deti”, “Ura e lotëve”, Duaje jetën”, “Dashuri platonike”, “Zhgënjimi”, “Vetmia”,“Shtazët”, “Jeta”, etj.Në to duket sikur përshkruan gjatë leximit me kënaqësi idenë se zotërimi i një zemre nuk është aspak i sigurt, sepse ne duhet të dimë shumë për jetën, dhe jo ta mbajmë atë me forcë.Zemra nuk mbahet me forcë. Ajo i përket secilit dhe gjen veten në mënyrën e të jetuarit sa më bukur. Njeriu në jetë duhet të jetë vetvetja dhe jo skllav i mendimeve të të tjerëve që e shikojnë botën bardhë e zi.Dashuria për prindërit, fëmijët e saj është ajo dashuri që troket po kaq bukur tek secili nga ne prandaj dhe origjinaliteti me të cilën ajo i përcjell para lexuesit këto poezi na tërheq këndshëm dhe sjell emocione të forta, deri në përlotje.
Spontaniteti është një formë e re që sjell në stilin e saj poetja.Dhe spontanja është gjithnjë me supriza jetike.Për të dashuria nuk mund të jetë e thellë nëse nuk është e pastër dhe nëse në një çift është e kufizuar kjo dashuri është e mbaruar.Në poezinë “Jeta” duket sikur autorja kërkon të jap atë panoramë që përcjell njeriun në kohën e të jetuarit.E vërteta, liria, virtyti, janë tri gjëra tek të cilat duhet të kërkojmë bukurinë e jetës sonë dhe për të cilat duhet ta duam jetën.Forca metaforike shpërfill dhe rimën në shumë raste tek poezi të ndryshme.Poezi të tjera që qëndrojnë besnike rimës sjellim kulmore. E ndjeshme është tek poezia “Nëna” në vargjet: “ A mund të mbillet lule në shkretëtirë/ Veç nga loti i nënës mundet/ Vetëm ti të kesh dëshirë/ Edhe malin e bën të tundet.
Emocion përcjell lehtë, thjeshtë , këndshëm, poezia “Bota jonë”.Le të veçojmë pak vargje të saj: “Le të thotë ç’të dojë njerëzia/ S’ka ç’më duhet/ Nëse ti nuk je pranë meje/ Bota ime shuhet!.
Stili, figuracionet, forma e ndërtimit të poezive të njohin me poeten e re Buqa Softa duke bërë që mos ta shkëputësh librin nga dora deri në poezinë e fundit të tij.Aty kupton që në stilin e përdorur prej saj është vetë jeta, është filozofia dhe psikologjia e zhvillimit jetësor, është vetë gjaku i mendimit.Një mendim i paraqitur bukur është si një lule maji plot aromë që e nuhat dhe nuk e lëshon nga dora.Në mënyrën e të shkruarit ndjen emocion, sepse është një thjeshtësi që të “gllabëron”.Lexo dhe mund të gjesh mendimin:” Njeriu është krijuar për të qënë i lumtur, ashtu si zogu për të fluturuar në qiell.Shikoje botën siç e dëshiron dhe do të jesh i lumtur!Mendoj se vëllimi i dytë me poezi “Krahët e shpirtit”, është një hap i dukshëm me maturi cilësore pas vëllimit të parë “Bota iluzion”. I uroj poetes, suksese!
Enrieta Sina, shkrimtare

BUQA SOFTA

KRAHËT E SHPIRTIT

-Poezi-

1. BOTA JONË
Lart në qiell i çova gjithë lutjet e mia
U luta me shpirt t’i dëgjonte Perëndia
Të gjitha lutjet ishin vetëm për ty
Të jemi gjithmonë bashkë ne të dy!

Ta braktisim këtë botë të rrejshme
Të shkojmë larg ku nuk ka të djeshme
Një jetë të re të rinisim
Atje ku shikimet e huaja nuk na bezdisin!

Atje ku jeta nuk na privon
Të krijojmë ne të dy botën tonë
Në një cep të planetit që nuk duket
Atje ku toka nga vala zbutet !

Të krijojmë një botë që ka vetëm një rrug’
S’ka rëndësi, lindje , perëndim , veri apo jug
Një botë të bukur të pavdekshme
Dhe kur trupat tanë të jenë të nëndheshme!

Një botë të bukur plot pasion
E t’u themi të gjithëve: “Kjo është bota jonë”
Le të thotë ç’të dojë njerëzia, s’ka ç’më duhet
Nëse ti nuk je pranë meje, bota ime shuhet !

2. VETMIA

Sot dita po më duket shumë e gjatë
Mezi pres të perëndoje e të bëhet natë Nuk kam ku të shkoj
Nuk kam askënd të takoj
Më mirë me vetminë të bëhem mike
Se më shumë se atë,
askënd nuk kam besnike
Është i vetmi person,
që me mua nuk do të jetë armike
Ndonjëherë të dyja kemi nevojë
të rrimë bashkë
Të qetësojmë shpirtin
që na digjet si ashkë
Të rrimë larg vorbullës helmuese,
që zien jashtë
Të pimë nga një gotë vere,
shampanjë apo fërrnet
Dhe armiqtë tanë t’i bëjmë të gjithë lanet
Të pijmë për qejfin tonë
Të mos çajmë kokë,
se kush rron apo nuk rron
Të pijmë e të harrojmë egoizmin
Të heqim në këtë natë të trishtë
pesimizmin
Me ty vetmi dua ta gdhij këtë natë
Këtë natë që qënka kaq e pa fat
Gëzuar edhe ti vetmi bashkë me mua
Të pijmë për shëndetin tënd
që shumë e dua !

3.KRAHËT E SHPIRTIT

Shpirti krahët ka lëshuar
Dhe drejt teje fluturon
Si një dallëndyshe e hutuar
Që folenë e saj kërkon !

Fluturon si një dallëndyshe
E lë pas dimrin me acar
Sepse s’ka si të jetë ndryshe
Dallëndyshja do behar!

Mbërrin atje ku je ti
Sepse atje e ka folenë
Me lë mua këtu në vetmi
Shpirti im i lirë bohemë !

Jam këtu ku më sheh
Por, shpirti tek ti fluturon
Sepse dashuria kufij nuk njeh
Distancën e sfidon !

Vetëm engjëjt mund ta masin
Rrugën e shpirtit deri tek ti
Vetëm ata mund të flasin
Sa më mungon… ti s’e di.

4.LULJA NË SIRTAR

Të kujtohet atëhere
“Të dua!”, unë të thashë
Ishte kohë e bukur pranvere
Perëndinë tek ti e pashë !

Ti u bëre shend e verë
Dhe drejt meje u afrove
Më the ta përsërisja dhe njëherë
Sepse veshëve s’u besove !

Përsëri të thash: “Të dua!”
“Mos jam në ëndërr vallë”, më the
Embëlsisht më puthe mua
Një lule në dorë ma dhe!

E kam ruajtur atë lule
Më kujton atë takim
Kur hënën dhe yjet në tokë m’i ule
I dhe dritë shpirtit tim !

Tani lulja është tharë
Që nga dita që ma dhurove ti
Rri e mbyllur në sirtar
Më kujton atë dashuri !

Atë zjarr që kurrë s’u shua
Por,mbeti prush i ndezur në gji
Ditën kur të thashë: “Të dua!”
Kur u bëmë të dy shkrumb e hi !

5. KURRË MOS THUAJ KURRË

Kurrë mos thuaj kurrë
Sepse zemra s’është gurë
Ndjenjat dot nuk mund t’i ndalësh
As dëshirat s’mund t’i vrasësh!

Ajo që u bë kurrë nuk ç’bëhet
Por, ajo që ndjen mund të bëhet
Ndaj fjalën “kurrë”
s’mund ta varrosësh
Sepse zemrën s’mund
ta burgosësh !

Se asgjë nuk është e pavdekshme
Se kur lind e reja,
e vjetra është e vdekshme
Se asgjë me thikë s’është e prerë
Ndaj kurrë mos thuaj asnjëherë !

Në daç mos të jesh një shpirt i vdekur
Zemrën kurrë mos e bëjë hekur
Nëse zemra dikur është vrarë
S’është e thënë të rrish
gjithë jetën duke qarë!

Nëse zemra ka dëshirë
Fjalës “kurrë”,
kurrë mos i thuaj “Lamtumirë!”

6. NUK SHUHET MALLI PËR SË LARGU

Nuk shuhet malli për së largu
Mall i nxehtë plot pasion
Sepse jemi të dy prej gjaku
Gjak që në çdo qelizë
të zemrës na vlon!

Largësinë e kemi armike
Distancën dot s’mund ta afrojmë
Por,me erën parodike
Frymën tonë te njeri-tjetri përçojmë!

Nuk shuhet malli për së largu
Zemra më dysh është e çarë
Por, një gjë ta dish së paku
Je gjaku që me vlon
në çdo ind e damarë!

Nuk shuhet malli për së largu
Ah,këtë largësinë e kemi armike
Por, një gjë e dimë së paku
Dashuria jonë e mund çdo lloj frike !

7. TI QUHESH DASHURI

Ti je simfonia që shkruhet me nota
Ti për mua je e gjithë bota
Ti je dhuratë nga Perëndia
I lutem Zotit marrsh nga ditët e mia!

Ti je zvogëlimi i qenies sime
Nëse të braktis ty,
kam braktisur veten time
Ti je muza e shpirtit tim
Më i bukuri në botë, fëmija im!

Ti je harmonia e botës sime
Je dashuria , je ëndrra ime
Je gjaku im që më mban gjallë
O Perëndi, ty të qofsha falë !

Ti je dielli që lind çdo mëngjes
Me aromën tënde dua të vdes
Ti je emocion, je lumturia e vërtetë
Pa ty nuk ka kuptim kjo jetë !

8. ZEMRA E NËNËS

A mund ta kthesh një oqean
në një pikë lot ?
Dhe një pikë lot në një oqean ?
Askush tjetër në këtë botë
Veç zemra e nënës
për fëmijën kur qan!

E kush mund ta kthejë
psherëtimën në furtunë?
Dhe furtunën në psherëtimë ?
Veç nëna e gjorë kur rri pa gjumë
Natën vonë me vetminë !

A mund të mbillet lule në shkretëtirë?
Veç nga loti i nënës mundet
Vetëm ti të kesh dëshirë
Edhe malin e bën të tundet !

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


+ 6 = 8