Data : 22 03 2019
KryeTitujt :

DARDANIA PELLAZGE

 

Nga Besnik  Imeri

 besnik_imeri

DARDANIA  PELLAZGE

                   Dardanët, Ilirët dhe epirotët  

Nga të gjitha ato që kemi thënë, nuk diskutohet, që Epirotët, Ilirët, Maqedonasit dhe Dardanët, janë të një race, të prejardhur nga pellazgët; si dhe kanë folur një gjuhë, fillimisht gjuhën Trako-Iliro-Epirote, si trashëgimtare e pellazgjishtes, dhe me emërtimin e ri të përbashkët si popull shqiptar, në gjuhën shqipe.

Historia Dardanët i ka njohur shumë herët.Për të flet e ashtuquajtura mitologji greke, që nuk është gjë tjetër veçse mitologjia pellazge. Ata përmënden si aleatë të trojanëve në Luftën e Trojës, me mbret, legjendarin Ene dardanidi, i cili para se të ndeshej me Akilin i thotë :

“…E n’daç të dish për fisin tim të ndritur çfarë nami ka, këtë e di mirë gjithë bota. Zeusi që vrejt e kthiell, së pari lindi prijsin Dardan, që themeloi dardanien, pse Ilioni i shenjtë, qytet i vdekëtarëve, në fushë të Trojës ngritur ende s’ishte, dhe njerzit rronin ndër lugina t’Idës me tokë të ujitur prej burimesh të shumta. Pastaj Dardani bëri Eriktonin…E shkroi edhe fati t’i shpëtojë vdekjes (Enea), mos t’i shuhet  fara e i zhduket emri fisit të Dardanit, që Zeusi me shpirt e deshi mbi të gjithë djemtë, që me të pollën gratë e vdekëtarëve, dhe urren prej kohësh farën e Priamit. Fuqia e Eneut do të sundojë mbi Teukrët, e djalë pas djali do të mbretërojë në të ardhmen…Por Leka, burri i Elena flokbukurës, kundër Tididit vuri n’hark shigjetën, fshehur pas shtyllës s’varrit që trojanët ia ndreqën atit të lashtë Il Dardanit…”[1]

Pra Dardani, i biri i Zeusit, para se të ndërtohej Troja, ka ngritur kalanë e Iljonit, Akropoli i Trojës, ose të ill-jon-it, të yllit tonë. Është pikërisht ai Il ose Ill, apo Yll, që trojanët, në fushë të Trojës, i kanë ndërtuar varrin, si më të lashtit prej tyre.

Aleksandër Stipçeviç  në veprën e vet “Ilirët” tregon shtrirjen e dardanëve:

“…Në veri të fisit të Peonëve  shtrihej fisi i madh i Dardanëve, të cilët në she.V p.e.s. Për hapësirën në të cilën janë shtrirë, në bazë të asaj që kanë shkruar autorët antikë, kanë banuar gati në tërë Sërbinë e sotme jugore, në perëndim të Moravës, si dhe në një pjesë në në lindje të Moravës  deri tek rrjedha e sipërme e lumit Pek (Pingus) dhe Timok (Timachus), në Maqedoninë veriore dhe ne Kosovë dhe Metohi…”[2]

Por paraprakisht do të merremi me dy çështje të ngjashme, atë të dardanëve dhe maqedonasve. Nëqoftëse maqedonasit e lashtë janë dalluar qartë nga ilirët, dardanët, madje dhe nga epirotët, dhe këtë nuk e diskuton askush; megjithëse ishte i njëjti popull me ta dhe fare mirë mund të quheshin edhe ilirë, ashtu si Straboni që i njëjtëson me epirotët. Kur vjen puna tek dardanët, shpesh herë këta ngatërohen me ilirët dhe quhen ilirë, dallimi është kaq i padukshëm, sa ata pothuajse nga historianët gjithmonë janë quajtur thjesht një popull ilir.

Historiani francez Zaharia Majani tek vepra e vet “Fundi i “misterit” Etrusk”, Maluan-1970, bën një dallim të qartë midis ilirëve, epirotëve, dardanëve dhe maqedonasve, duke mos i përfshirë dardanët tek Ilirët, por përbri tyre.Madje edhe Liburnët i vendos përballë ilirëve, pra nuk i quan ilirë.

Ilirët ishin një popull proto-danubian…Në këtë familje ishin të integruar, në shkallë të ndryshme, përbri ilirëve, në kuptimin më të saktë, epirotët, maqedonët, thrakët, frigjianët, etruskët, venetët, liburnët, japigët, pisenianët, dardanët, trojanët, lidianët, kretasit pjesërisht, teukrët, filistinët, jebuzianët dhe të tjerë.”[3]

Ndërsa tek vepra tjetër “Etruskët fillojnë të flasin”, ai i dallon qartë ‘ilirët e vërtetë’ nga epirotët dhe dardanët.Ja se çfarë na thotë këtu:

“…ne kemi parasysh një embrion të kombit ilir. Ai ishte pjesë e një familje të madhe popujsh, të lidhur më tepër me njeri tjetrin më tepër nga një gjuhë me bazë të përbashkët, se sa prej ndonjë gjëje tjetër. Kësaj familje i bashkangjiteshin veçilirëve të vërtetë, edhe epirotët, maqedonasit, thrakët, frigjët, etruskët…dardanët, lidianët, ndoshta edhe një pjesë e kretasve, teukrëve, filistinëve, jebusianëve dhe shumë të tjerë.

Kjo është arësyeja se përse do të ishte e parapëlqyeshme që kjo familje popujsh, historikisht aq e përzier, të emërtohej përmes një termi të përgjithshëm: Proto-Danubiane…”.[4]

 

E jashtëzakonshme, ky autor që në të gjithë veprën e vet prej rreth 550 faqesh flet vetëm për ilirët, duke i shtrirë ata në gadishullin Apenin, në Egje, në gadishullin e Azisë së Vogël, në bregdetin lindor të Mesdheut etj; këtu detyrohet të pohojë se përveç ilirëve të tij të dashur, paska edhe shumë popuj të tjerë me një gjuhë të përbashkët me ta, duke përmendur edhe Epirotët dhe Dardanët, veç Ilirëve. Pra është futur padashje brenda gardhit të temës tonë. Por ne nuk e lëshojmë më.Ai propozon edhe një emërtim të përgjithshëm për këtë familje të madhe popujsh, të cilët të quhen Proto-Danubianë. Por që të quhen pellazgë, nuk ja “nxe goja”. Në të vërtetë kjo familje e madhe popujsh, nuk është gjë tjetër veçse një familje pellazgjike, ose siç e quan Spiro Konda – Perandori Pellazgjike.

 

Në kontekstin e këtyre që u përmëndën më lart është e nevojshme të bëjmë një sqarim, i cili është shumë i rëndësishëm për çështjen në fjalë. Këtu nuk duhet të ngatërojmë faktin që shkenca jonë zyrtare njeh në mënyrë të prerë dhe kategorike origjinën e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe vetëm nga ilirët dhe ilirishtja; me faktin, që mjaft autorë, kur i trajtojnë ilirët, i shikojnë si një popull me një shpërndarje të madhe në Azi dhe Europë, si një popull parahistorik që ka luzmuar në territore të gjëra, të cilët kanë një emër të përgjithshëm: Ilirë. Këtu emri është formal, pasi ata mund t’i quash ilirë, po aq sa mund t’i quash edhe pellazg.

 

Në këtë “kurth” ka rënë Zaharia Majani, për të cilin folëm më lart.Por edhe autorë të tjerë, të cilët, dashje pa dashje, ilirët i njëjtësojnë me pellazgët.Të tillë janë edhe Fon Hahni, Xhuzepe Katapano, Aleksandër Stipçeviq etj.

 

Po Dardanët, a janë Ilirë, apo nuk janë? Për mendimin tim, Dardanët nuk janë Ilirë të mirëfilltë, ndonëse janë të barazvlefshëm dhe ndoshta vëllezër te ilirëve, nuk janë ata vetë; por dallohen qartë prej tyre si një popull i madh pellazg, po aq sa ilirët. Këtu nxjerr një argument që besoj se nuk mund të kundërshtohet.Nëqoftëse Dardanët e Ballkanit janë ilirë, atëhere Dardanët e Azisë së Vogël çfarë janë? Ose e shtruar ndryshe pyetja: Ilirët shtrihen vetëm ne Ballkan dhe Europë, apo edhe në Azi? Dhe, nëqoftëse ata shtrihen në dy kontintete, a nuk japin ata emërtimit ilirë një kuptim shumë të gjerë dhe të përgjithshëm, baras me pellazgët. Më tej akoma,  a mund t’i quajmë Dardanët legjendare të Luftës së Trojës-Ilirë?! 

Kjo mund të bëhet vetëm në një rast, në rastin kur pellazgët i njëjtësojmë me ilirët, ashtu siç bën akademiku Xhuzepe Katapano në veprën e vet “Thot-i fliste shqip”:

“Kjo e dityra hyjneshë (MAT)

Është po e farës sonë arbëreshë

Çë me Thotin shkoi Misir

Ka Kaukazi, kur Ilir

Ynë llauzi po i nxir gjithë,

ka stera e bardhë e dëlirë

…………………………………..

Kështu llauzit tonë arbëror

I dhanë ëmërin parë hyjnor

Ari: “I Lir”, se për lirinë

sterës bardhë epër shpërblim

“Luftoi shumë e shumë bashkoi

Popuj të bardhë:me këta shpërbloi

Tërë Evropën;….”[5]

Pra, Xhuzepe Katapano i quan pellazgët-Ilirë, si përfaqësues të racës së bardhë dhe si origjinë të tyre nxjerr Kaukazin, pra ilirët i njëjtëson me pellazgët.

Aleksandër Stipçeviq në veprën e vet “Ilirët” na thotë:

“…objekti prej argjili të pjekur ku paraqitet gjarpëri i mështjellë kutullaç i gjetur në Tjerrtoren e Prishtinës që i përket neolitit të vonë…Një figurinë shumë të rëndësishme analoge me këtë (të Prishtinës) e gjejmë në Mikenë…figura gjarpërinjsh prej dheu të pjekur të mbështjellë lëmsh…që i takojnë mbarimit të shekullit të XIII p.e.s, shumë më i vonshëm se ai i gjetur në Tjerrtoren e Prishtinës. Nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi që domethënia e kultit është identike, d.m.th, se paraqet mbrojtësin e vatrës familjare…dhe se është personifikimi i shpirtit të të ndjerit, kryetarit të fisit…”[6].

Mjaft interesant ky kult pellazgjik në Prishtinë është shumë më i hershëm se i njëjti kult në Mikenë. Pra më parë se në shekullin e XIII p.e.s, si rrjedhojë mund të ketë qënë shekulli i XV, ndoshta i XVII, apo edhe i XX p.e.s. Kur mikenasit shkenca e saktë e historisë i njeh për pellazgë; po Dardanët atëhëhere çfarë janë?!!! Nukjanë pellazgë!!

Dardanët i quajnë Ilirë.Dakort.Por, po i qëndruam fort këtij pohimi, duhet me patjetër të pranojmë, që Ilirët kanë banuar edhe në territoret e Azisë së Vogël. Pasi shkrimtarët e lashtë kështu na thonë. Kujtojmë këtu thjesht Ene Dardanidin, heroin e Luftës së Trojës. Por jo vetëm kaq.

 

         Aristidh Kola në hyrjen e librit të vet “Gjuha e perëndive” hedh nje ide interesante në lidhje me Dardanët. Ai thotë: “…Ndërkohë që një degë pellazgjike (iliriane), Dardanët, kanë lënë gjurmë të forta të kalimit të tyre që nga Ballkani veri-perëndimor gjer në Indi e në Tibet…”[7]

Aleksandër Stipçeviç tregon se: “…Dardanët i gjejmë edhe si pjesëmarrës në betejën e famshme në Kadesh në vitin 1286  p.e.s në anën e Hititëve, kundër faraonit egjiptian Ramsesit të II…”[8] Por e dimë farë mirë se Hititët ishin pellazgë, prandaj, automatikisht, edhe aleatët e tyre, Dardanët, i bie që edhe ata me siguri janë pellazgë. Se çfarë emri t’u vemë atëhere?!!!

-Straboni thotë, se Dardania e Azisë së Vogël është krijuar nga Dardanët e Ilirisë.

-Një legjendë tjetër Dardanin e nxjerr si bir i Lykaonit dhe vëlla i Jasonit dhe Harmonisë.

 

       -Diodori i Siçilisë thotë se Dardani është i biri i Zeusit me Elektrën, të bijën e Atlasit dhe vëllai i Harmonisë, nënës së Ilirit. Pasi Kadmi martohet më të motrën e tij, shkon në Samothrakë dhe prej aty në Troadë tek Teukri, ku martohet me të bijën e tij, Batia.[9]

 

-Sipas një legjende: “Arku, Mbreti i Arkadëve, babai i Dardanit, pas një përmbytje që shkatëroi fushat e tyre, emigroi në Samotrakë dhe më pas Dardani kalon në Azi të Vogël dhe ndërtoi atje në Dardanele qytetin e Dardanisë”[10]

Spiro Konda lidhur me Dardanët e Samothrakës na thotë se sipas Herodotit “Në Samothrakë banonin më parë pellazgët” (Lib.III, Kap.51). Pausania shkruan: “Nga të ikurit Samias një palë erdhën dhe banuan në ishull të Thrakës, i cili nga ky shkak u quajt Samothrakë, në vend të emrit të vjetër Dardania…Në Samothrakë Hera kishte një tempull…”[11]

 

Jemi futur në kaq të thella, sa që nuk dalim dot nga kjo vorbull, pasi Dardanët na dalin se banonin në një ishull të Thrakisë, i cili, për më tepër, në kohrat shumë të lashta mbante emrin e tyre dhe quhej Dardani dhe banorët e këtij ishulli ishin pellazgët. Pra Dardanët këtu na dalin pellazgë. Por në të njëjtën kohë legjendat na e nxjerrin Dardanin si birin e mbretit të Arkadisë. Rrjedhimisht edhe Arkadia na del dardane. Në ishullin Samothtrakë, që më parë quhej Dardani, Hera, gruaja e Zeusit kishte një tempull. Pra dardanët adhuronin Herën një perëndi “greke”!!!

 

-Një legjendë tjetër sipas Herodotit dhe Spiro Kondës thotë  se Erikthoni, një hero Dardanas, ishte themelues dhe mbret i Athinës. Erikthoni ishte biri i Dardanit. Rrjedhimisht athinasit e lashtë na dalin se fillimisht paskan qënë dardanë!!! Por një legjendë tjetër Eriktonin e nxjerr të lindur nga një dashuri e dhunshme e Hefestit, perëndisë së zjarrit, vullkaneve dhe përpunimit të metaleve, me Athinanë. Nga kjo dashuri e njëanshme, ku Athinaja e neveritur preu dhe hodhi në tokë një pjesë të flokëve dhe fustanit prej leshi të spërkatur nga Hefesti, dhe nga ato të rëna në tokë, mbiu apo  lindi Erikthoni. Prandaj edhe dardanasit e lashtë në Europë dhe Azi, si pasardhës të Hefestit,  njihen si përpunues të metaleve, ashtu si Ilirët, por edhe si pellazgët kananitë, pelestë etj.

-Një legjendë tregon se Dardani është themelues i qytetit të Trojës, ndërsa djali i tij Ili (illi, ylli) themelues i Iljonit (illit-jon).

 

-Një legjendë tjetër tregon se një djalë i Dardanit, Zakinthi ishte zotërues i ishullit të Zankinthit (edhe sot ky ishull në Greqi mban emrin Zaqinthos).

 

Në lidhje me këtë Prof.Dh.Pilika flet për një mbishkrim në një pllakë bronzi të gjetur në Dodonë në vitet 1875-1877, ku një banor i qytetit  Zakinth, themeluar në ishullin homonim prej të birit të Dardanit pellazg, Zakinthit, i blaton Zotit të Dodonës një pllakëz bronzi të përvijuar me një “penis” në mes (!) dhe anash me një kushtim të gdhendur, i cili vlerësohet nga shkenca epigrafike si i shekullit IV p.e.s:

 

O Zeus i plotfuqishëm i Dodonës, po të dërgoj këtë dhuratë nga ana ime, unë Agathoni Ekefylit dhe familja ime proksene e Mollosëve dhe besëlidhësve të tyre gjatë 30 brezash (900 vjet), qysh nga Kasandra Trojane, ne Zakynthas AT pas BIRI...”.[12](ishulli i Zakinthit sëbashku me Itakën ishin në zotërim të Odhiseut)

Pra ngjarja i bie rreth 900 vjet pas rënies së Trojës, pra rreth shekullit III-të p.e.s (në kohën e Aleksandrit dhe Pirro Burrit) ku ata kishin 30 breza që jetonin në besë të Epirotasve.

 

-Një legjendë tjetër tregon se një djalë i trojano-dardanit, Helen Priamidi(një nga 50 bijtë e Priamit dhe vëllai i Hektorit dhe Paridit) nga martesa me Andromakën lindi Molosin (malokun), prej të cilit rrodhi dinastia mollose.

 

Pra, po t’ju hedhim një sy këtyre të dhënave mitologjike del se Dardani është shumë i lashtë;

 

-Së pari, Dardani ka baba Zeusin dhe gjysh nga nëna, Atlasin mbretin e Atlantidës, të paktën 12.000 vjet p.e.s.

-Së dyti, është i biri i Arkut nga Arkadia, ose Arkadhia e lashtë. Arkadhia është e stërlashtë 10-15.000 p.e.s, nuk dihet.

-Së treti, ka vëlla Jasonin, kapon e ekspeditës së Argonautëve, të cilët shkuan në Kolkidë për të marrë bashkën e artë, dhe pastaj duke lundruar nëpërmjet një lumi të lundrueshëm, u nisën nga deti i Zi dhe shkuan në veriun e Europës së sotme, duke dalë në detin Baltik. Një legjendë e stërmoçme.

-Së katërti, ka motër Harmoninë e cila u martua me Kadmin dhe pati djalë Ilirin. Kadmi u solli germat pellazgëve të kontinentit, pra solli diturinë nga Kananët.Edhe kjo një legjendë e stërmoçme. Madje këtu del se Iliri është nip i Dardanit, djalë motre. Pra, sipas kësaj legjende Dardanët janë të stërlashtë, pra shumë më të lashtë se Ilirët. Për rrjedhojë nuk mund t’i quajmë dardanët ilirë, por e kundërta, ilirët mund të rrjedhin nga dardanët dhe jo e kundërta. Por edhe si vëlla i Harmonisë; së pari, po qe vëlla me babë, i bie të jetë djalë i Aresit, perëndisë së luftës, dhe vetkuptohet se sa luftëtarë kreshnikë kanë qënë dardanasit legjendarë, qysh nga parahistoria e deri më sot; së dyti, po qe vëlla me nënë, kuptohet, si bij të Afërditës, çfarë race e bukur janë, si djemtë dhe vajzat kosovare si zana.

 

-Së pesti, Dardani është themelues i qytetit të Trojës, ndërsa djali i tij Ili (illi, ylli) themelues i Iljonit (illit-jon).

 

Nga të gjitha këto legjenda rezulton se dardanasit janë themeluesit e disa prej qyteteve dhe kryeqyteteve me të mëdha në lashtësi dhe sot në Europë: Athina, Troja, Roma, Parisi, Londra. A mund t’i futësh dardanasit (siç duan akademikët tanë) në një guackë të ngushtë ilire?!!!A i mban dot kjo guackë ata, të cilët menjëherë kanë për ta shpërthyer.

 

Si përfundim Dardanët  legjendarë, zotëruesit e dy kontinenteve, Europës dhe Azisë, e gdhendur kjo në emrin e ngushticës së Dardaneleve që i ndan këto dy kontinente; janë një popull i stërlashtë pellazg, pra absolutisht parailir, dhe si rrjedhojë nuk mund të quhen Ilirë.

 

Po kaq legjendare është edhe origjina e epirotëve.Ku është mjaft interesante po të shikosh edhe kronologjinë e të parëve të  Epirit, legjenda tregon se Aiaku së bashku me Poseidonin dhe Apollonin shkuan dhe ndërtuan muret e Trojës.

 

Sipas legjendës Aiaku ishte i biri i Zeusit (Shqiponjës) dhe i nimfës Aigina (dhia-kujtojmë dhinë Amaltea që ushqeu Zeusin me qumësht).

Nga Ajakidët rridhte Akili dhe Pirrua i Epirit, madje babai i Pirros quhej Aiakid.

Sipas një legjende tjetër fiset e Kaonëve dhe Thesprotëve rrjedhin drejtëpërsëdrejti nga Zeusi, i cili nga bashkimin me Ledën lindi dy binjakë, dioskurët; Polyedukun (Poluksi) dhe Kastorin. Nga Poluksi rrodhën Kaonët, ndërsa nga Kastori rrodhën Thesprotët.

 

Përfundimi; Dardani(i pari i Dardanasve) dhe Aiaku(i pari i Epirotasve) janë që të dy bij të Zeusit. Të dy janë aq të lashtë sa, i pari ka themeluar Trojën, dhe, i dyti, ka ngritur muret e saj. Pas luftës së Trojës, i biri i Akilit (Neoptolemi, Pirrua) merr në mbrojtje gruan e Hektorit, Andromakën, dhe e bie në Epir, dhe me të lind një djalë Molosin (malokun) paraardhësin e mollosëve dhe të Pirros së Epirit. Pasardhësit e dy fiseve të rëndësishme epirote, Thesprotët dhe Kaonët rrjedhin prej dy bijve të Zeusit, Polyedukun dhe Kastori (madje ne Thesproti ekziston edhe toponimi Kestrinë). Pasardhësit e Kasandrës dardane vijnë në Epir, në Zakinth (pronë e Odhiseut) dhe jetojnë në besë të Epirotëve për 30 breza.

 

Shikoni në çfarë lidhje të ngushtë janë për mijëra vjet, DARDANIA me EPIRIN, që të dyja krahina dhe popuj pellazgë legjendarë.Ndërkohë, që për ilirët, mirë është që ta themi, nuk kemi të dhëna të mjaftueshme nga të lashtët, nëpërmjet legjendave dhe gojëdhënave, ku të dalin heronj legjendarë, siç ka për Epirin dhe Dardaninë. Pavarësisht, se edhe Ilirët, për mendimin tim, kanë të njëjtën rrënjë si epirotët dhe dardanët,  pellazgët. Madje edhe Paionët, të cilët mbahen për ilirë, kanë heronj legjendarë, të cilët përmenden edhe në Luftën e Trojës, të  trajtuar nga ana e jonë, në kapitullin ku folëm për pellazgët.

 

Nga të gjitha këto që thamë më lart,Dardanët dhe Epirotët nuk mund t’i quajmë Ilirë.Ata, mund të quhen kështu, vetëm gabimisht, në rastin kur emërtimi Ilir merret si njëemër gjenerik i barazvlershëm me pellazgët.Ashtu siç i quan Xhuzepe Katapano, por edhe Han-i.

Prandaj mendoj, se kam të drejtë kur them se:

Dardanët dhe Epirotët rrjedhin nga pellazgët dhe në të njëjtën kohë janë në origjinë të shqiptarëve.

 

Por jo vetëm, edhe vetë helenët, nga ato që u thanë më lart, dalin si pasardhës te pellazgëve dardanas dhe atyre dodonas (epirotë).Gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duken. Mund të hidhen përpjetë helenët sot, e të thonë: Ne, origjinën nga dardanët (kosovarët)! U përgjigjemi: Nuk e themi ne, e thonë legjendat e të parëve tuaj këtë gjë. A nuk është Eriktoni, themeluesi i Athinës i biri i Dardanit?!!! A nuk është Jasoni, heroi legjendar i argonautëve, vëllai i Dardanit? Këtë nuk e themi ne. E thonë legjendat tuaja dhe ne nuk e kemi ditur, nga ju e kemi mësuar.

 

(Marrë nga libri “Epiri nga lashtësia deri më sot”)

 



[1]Homeri, “Iliada”.Bot.Shq.N.Frashëri-1979,Përkth.Gr.Gjon Shllaku ,K.xx, v, 258-264, 368-374, K.XI, v.465-468

[2]Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 35

[3]Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj. Iliriana Angoni, f,206

[4]Zacharie Mayani, “Etruskët fillojnë të flasin”, Bot.Shqip.Fan-Noli.Tiranë-2018,  f, 515

[5]Xhuzepe Katapano,”THOT-I fliste Shqip”,Bardi Editore,Roma-1984; Bot.ENCIKLOPEDIKE-2007, Përkth.It. Qemal Velija, f, 114-115

[6]Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 309, 314-315, 319

[7]Aristidh Kola,,”Gjuha e perëndive”,Bot.PLEJAD-2003, Përkth.Gr.Spiro Xhai,  f, 13

[8]Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 25

[9]Louis Beonleu, “Greqia përpara grekëve”, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj. Iliriana Angoni, f, 142-143

[10]Aristidh Kola, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, Bot.”55”-2002,Përkth.Gr.Aldior Agora,  f,  73-74

[11]Spiro N.Konda, “shqiptarët dhe problem pellazgjik”, Bot.UEGEN, Tiranë-2011, f, 283-284

[12]Dhimitër Pilika, “Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar”, BOT.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 323

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :