Data : 25 04 2019
KryeTitujt :

Cikël poetik nga Rejsi Meçe

Sikur Ti

 

Këtë muaj dhjetori

që mbyll kalendar

Mendoj për ty

Çdo Orë

Çdo  Çast

Këtë muaj dhjetori

Acar

Mes nesh hendek

kilometra distancë

Sikur shikimet të përqafonim

këtë muaj dhjetori

Acar

Dielli  do ngrohte  pa mbarim

Si oxhaku me zjarr

 

Sikur ti të mos ishe

Kilometra larg

Më Dhjetor

s’do kish në kalendar!

  ——————-

     28.01.2007

Paradoksi

 

Si pa kuptim lind paradoksi

E pakuptim rritet ai

Edhe këtu, edhe atje

Paradoksi është me ne.

 

Paradoksi ngriti FOLEZË

NË SHTËPINË e Paradoksit

Gjeli bën vezë!

————————

25.12.2005

 

Kur Sytë ti Mbyll

 

Kur sytë ti mbyll

S’e di kush do vajtojë

S’e di kush me shiringë

Sipërfaqësisht lot do injektojë

           S’e di!

Se sy s’do kem

Më s’do ndjej.

Kur sytë ti mbyll

Ti dorën mos ma shqit me neveri

Jam shëmbëlltyrë e asaj

Që do jesh ti

Ca vargje pa vlerë po lë si pasuri

 

Kur sytë t’i mbyll

Shqipëria kurrsesi s’do mbajë zi

Unë isha një tjetër Demkë

Që thërrimet shijoi

Dhe vepra ime nuk rroi

Si Dritëroi!

———————–

krijuar më 1.12.2006

modifikuar më 31.08.2008

Të Dielave

 

Të dielave

Vetmia rrëzon gjethe pa jetë

Në zemër mbin shpirti eremit

Të dielave

Dhe shiu flet

Më sheh plot mëshirë e thotë:

”Ja ku u pamë dhe ktë verë!”

……………………………..

Ora 19:55

Data 23.09.2006

Ti po Ikën

 

Ti po ikën

Dhe fjalët e pathëna

Pas pak do dremisin

në sirtarin plot ëndrra

 

Ti po ikën

Pa kuptuar

Se Orakulli shpirtin tim

Në duart e tua

ka dorëzuar

Ti po ikën

Dhe s’kupton

Që shpresa zvarritet rrugëve

Por ende shpreson!

……………

30.05.2008

 

          Destinacioni Parajsë

 

      Si zogj krahëthyer u rritëm

          S’na trembi as frika

         As heshtja olimpike

       Sfiduam ne vdekjen si Sizif

       Dhe sot hapim krahët fluturim!

           Me ëndrra përbaltur

               Të trazuar

      Shpirtgjakosur-trupdërrmuar

            Si Hektor pa varr

             Pa strehë pa taban

         Ne nisim rrugën pa kthesë

 

 

          E fundit e vetme shpresë

              Është rruga

            Ndalimi ynë virtual

        Destinacioni Parajsë!

              10.02.2009

 

                                   Ajo…

 

Ajo…

Është e pastër si qielli

Ajo…

Mbledh yjet me dorë

Kur zhduket dielli

Ajo…

Zgjon shpirtin si kristal

Kur e sheh

Ajo…

Vuan dhe me ty qan

Kur të njeh!

Ajo…

Kraharorin hap si nosit

Vetëm që mua të voglën e saj

Të më ushqejë përditë!

               …………………………..

    …………………..

(Krijuar në 22.12.2005  nën frymëzimin e Jorge Luis Borges, modifikuar në 30.05.2012)

Unë jam e Huaj, Ti je Një Tjetër

 

Ne jemi foshnje të pagoja

U deshëm shumë po kurrë s’e shprehëm

Këngë e zogjve tha : “Të Dashuroj!”

Në rrugë gjurmët tona ngelën…

Nga ajo ndjenjë e lënë pa emër

Tani ne sot s’e dimë çka ngelur!

Unë jam e huaj, ti je një tjetër

Shihemi rishtas me sytë e mprehur…!

Dhe s’flasim ne: Jo! Jo! Nuk flasim!

Veç zemra jonë rënkon, buçet

Kohën me dhimbje ne e vrasim!

Kaluan vite, por ti veç hesht…

 

Kameleon je ti i dashur

Përveç lëkure s’ndërron gjë tjetër

Dikur ti ishe princ i kalter

Tani je thjesht relik e vjeter…

 

Ti fajin kot mos ia hidh kohës

Viktimë e jona është ajo!

Në sytë tanë e të gjithë botës

Unë jam e huaj, ti je një tjetër…!

          ………………..

             10.06.2007

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


6 − = 2