Data : 25 04 2019
KryeTitujt :

KRYQI DHE HENA – C E K T E S I R A T (Këshillë për më të rinjtë se unë)

Nga: Andrea Prifti

 

 

KRYQI DHE HENA

Dy njërëz dolën nga kishëza e vogël. Hëna i ndricoi menjëhërë, si për të treguar pa humbur kohë dhuntinë e saj të patjetërsueshme…
-Zot e Shënmëri,- bëri kryqin me dorën e lirë, gruaja, -sa hënë e bukur!
- Allah,- uli kokën, burri,- pse s’më le ta shihja edhe unë!
Burri psherëtiu, dhe u ndal duke vështruar gjatë në qiell. Ajo sec i pëshpëriti dhe ai heshti duke ia tërhequr dorën nga vetja, sikur t’ia puthtte. Ika për t’i lënë në intimitetin e tyre të fshehtë, të patrazuar nën dritën e hënës së plotë. I rashë përqark mureve të vjetra të asaj kishe, duke i hedhur hapat ngadalë, pa u nxituar e pa i mëshuar dheut që, i veshur me barishte të buta, i ruante nën vete zhurmat e asaj nate…Një natë e vonë që, edhe sot e kësaj dite nuk jam në gjendje t’i them vetes arësyen e vajtjes atje. E kam harruar apo nuk dua ta kujtoj?!
Brenda, në kishë, u shtanga: Hieja e kryqit mbi ikonën e Shënmërisë, herë shfaqej në të majtë e herë në të djathtë; pastaj, njëherësh në të dyja anët. Vetëm kur shova qirinjtë dhe nuk dëgjova më xinxërimat e flakës së tyre, kuptova, ose u kujtova se ishin dy burime të dritës… Qesha, si të isha cliruar nga një mister sic ndodh të ndjehemi në mjedise të tilla.
U ktheva nga dritarja, tanimë i qetë por, gjithsesi me kureshtjen e njeriut që dikush po e sheh a po mendon për të, sic edhe akoma mendoja edhe vetë unë ata dy njerëz që gati mbanin njeri-tjetrin për krahu. Hodha një hap pas, u rrotullova në anën tjetër, sikur të kërkoja dicka që duhet të më kishte humbur, dhe…U shtanga. C’ne, hieja e kryqit, ku e ku më i madh, në murin përballë dritares?!…
Ky qe vetëm një cast. Më tej, përtej dritares, jashtë nën qiell, hëna ndrinte si kurrë ndonjëherë, si të tallej me mua…
Mendimin se përse më shkoi nëpër mend se hëna e gjithcka aty rrotull, po tallej me miopinë e mendimeve të mia, do ta qartësoja sapo dola jashtë: Atje, duke parë lëvizjet e ngadalëta, të qeta të gruas dhe burrit të verbër që ajo mbante për dore. Ata iu shmangën udhëzës me guralecë të shumëngjyrshëm për të mos shkelur mbi hijen e stërmadhe të kryqit, vendosur në catinë e kishëzës, ndricuar nga hëna e plotë në kup të qiellit!
-Edhe pak…Ja, gati dolëm.
Ata dolën në zabel, teksa gruaja bëri kryqin duke u ndarë nga hieja e tij e madhe që niste zanafillën nga catia e kishës, burri pëshpëriste “Allah”, me sytë e pajetë në qiell.
Zoti tregonte njëherësh edhe dashurinë edhe mërinë, duke vënë në provë mëncurinë e njeriut!
Teksa ndjeja të rrahurat e shpeshtuara të zëmrës, kuptova paktin e mirëkuptimit mes tokës dhe qiellit, Kryqit dhe hënës…

II

andre

C E K T E S I R A T
(Këshillë për më të rinjtë se unë)
Kur isha i vogël nuk duroja, ose përtoja të gjeja vahet, ato vende të cekta të lumit për t’u hedhur në anën tjetër të tij.
-Mos!-Më frenonte babai.
-Pse, o ba, këtu lumi nuk ka fare dallgë!
-Vere vath në vesh: Atje ku është qetësia, aty është edhe thellësia!
E vërteta është se unë e shkelja ndonjëherë, madje shumë herë në bredhjet e mia ndër fushat e sheshta të vendlindjes që, sado e hapur, pa xhunga e brigje të rrëpirta, nuk ishte pa rreziqe: Gropa të thella, hauze, apo thelloma në fundin e shtratit të lumit, sidomos në stinën e shirave, nuk mungonin.
Sidoqoftë, nuk u rrezikova sidoqë isha nga ata të vegjël që “nuk lija dy gurë bashkë” e nuk i trëmbesha lehtë të keqes, tjetër gjë se fizikisht isha fare i dobët.
Vitet ikën, im atë nuk rronte më, por ato gropa të fshehta e rrjedha të rrëmbyera janë atje, dhe këtej, dhe unë jam përballur e përballem shpesh me to, këtu e kudo, andej dhe këtej, si njerëzit gjithandej…
Dhe ne ecim ndër vite me ndjesi të pengesave e të rrezikut nga gropat që tani i përjetojmë simbolikisht udhëve nga kalojmë…
Sa e sa herë, kur mërzitem nga telashet e kësaj jete, të cilën e kisha ëndërruar ku e ku më të qetë, e më të bukur, “shkumbëzoj” i tëri nga inati në përballje me “hauze e gropa” të udhës së gjatë drejt fundit tonë të pashmangshëm.
Në raste të tilla pena më dridhet në dorë, gati rrëshqetë ndër fjalë e fraza që lëshojnë xixa inati, si stërkalat e ujrave të rrëmbyera, pa drejtim, duke dal deri edhe nga shtrati i mendimit për të lënë aty goxhgorre e mbeturina të shëmtuara e të pista, dëshmi të padisiplinimit te tij…
Po, a mund të ketë njerëz që i pëlqejnë harbime të tilla? Po, por duhet të jenë të pakët. Krahasojini pamje të tilla me rrjedhën e shtruar të një lumi dhe ve bast se do sodisni me simpati pamjet e kësaj të fundit…
Mos, i them vetes, mendimet e rrëmbyera janë të cekëta, ndjesitë në ngjyrime të turbullta, pa kënaqësinë e finesës e të krahasimit me mbresa të së bukurës së përjetuar diku, dhe dikur…
Dhe pena jote nuk ka për ta fituar kurrë simpatinë e frazës tënde të shkruar, dhe lexuesi për të cilin shkruan as që ka për t’iu futur mundimit për të të kuptuar, pale pastaj për të të aprovuar…

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


8 − = 7