Data : 22 03 2019
KryeTitujt :

Bektash Çela dhe KINEMA “VJOSA”

Bektash Çela dhe   KINEMA “VJOSA”

Nga: Myrdar Jera

 

BABAI  i Kinema  “Vjosa ” Bektash Çela lindi në Turan të Tepelenës më 10 korrik 1919 në një familje me tradita, me besë përkushtim për atdheun. Në moshën 14 vjeçare punon si kamarier në një restorant në Tepelenë me pronar Gjirokastrit ku përveç zanatit kuzhinier mësoi edhe gjuhën greke. Më 1936 shkon në Kuçov ku fillimisht punoi si punëtor, traktorist me një traktor amerikan 4 pilar, shofer me një makinë Fiat – Autokaret .

Më 1941 nis punën si shofer në parkun e ushtrisë Italiane në zonën Durrës –Tiranë ku  në 1942 e hoqën nga puna mbasi ushtria italiane nuk kishte besim te shofer shqiptar kur në kapanone të tyre gjetën trakte – komuniste. Më 15 shtator 1943 merr pjesë në formacionet luftarake për çlirimin e qytetit të Tepelenës në batalionin “ Baba Abaz”.     Me porosi të Komandantit të Brigadës së pare Sulmuese Mehmet Shehu u formua një skuadër prej 5 shoferësh 4 prej tyre Gjirokastrit ,me të cilët transportonin armatime dhe ushqime për partizanët e Kosovës, duke udhëtuar në linjën  Gjirokastër Tepelenë , Përmet, Leskovik , Korçë – Pogradec, Qaf Thanë, Strugë, Kosovë. Duke udhëtuar 3 ditë rresht, popullsia vendase na priste me shumë përzemërsi. Nga fundi i tetorit 1943 i ngarkuar me ushqime dhe armatime udhëtoi për në drejtim të Hormovës ku kishim një pikë grumbullimi. Në vendin e quajtur “Shkall e Zezë ”qëllohet me armë por para makinës, ndaloi, dhe pa që nga kodra mbi rrugë vjen Damo Labo nga Progonati i cili ishte  me çetën e Kurveleshit, kthehu shpejt se po presim një autokollonë gjermane sa mori kthesën në një vend të vështirë çfaqet jo më largë se 100 metra pararoja e autokolonës Gjermane. Nga kodra filloi breshëria e armëve partizane por pararoja gjermane u përgjigj me armë automatike dhe predha murtaje, forcat teritoriale u tërhoqën në drejtim Picar – Golem -  Progonat . Kjo pritë partizane i dha mundësi të largohej  por 3 autoblinda ju vunë në ndjekje ,kur ai arriti në vendin e quajtur “Buza e Kastrovës” mbi S.M.T autoblinda u pozicionua te rrapi i Hajbikut dhe qëlluan me 5 predha murtaje për fat të mirë kaloi “Buzën e Kastrovës” pa u dëmtuar ,autoblindat u kthyen në drejtim të autokolonës së tyre , Bektashi  u largua në drejtim të Turanit duke fshehur makinën dhe mallin në “Përroin e Thellë” maskoi makinën, mori pushkën dhe u nis  për në batalion ,por spiunët e bënë punën e tyre, gjermanët e morën mallin dhe dogjën makinën ,deri në 1996 shasia e makinës ishte tek “Përroi i Thellë” më vonë përfundoi në Elbasan si hekurishte.Pas kësaj ngjarje deri në nëntor 1944 u ngarkua të shoqëroj misionet angleze që vepronin në zonën operative Vlorë – Gjirokastër sepse fliste  mirë Italisht ,Greqisht.

Nga viti 1945 – 1949 punoi në Tiranë si llogaritar dhe kinooperator ,në vjeshtën e vitit 1949 e  thërrasin e i thonë, ti je nga Tepelena, do të ngarkojmë detyrën e hapjes së kinemasë në Tepelenë ,por si fillim për dy festat e mëdha të kohës 7- 8 Nëntori do japësh film në natyrë për popullin në vendin e quajtur sot sheshi “Bajron”ishte një godinë e bukur dy katëshe me një shatërvan tip Italian me bazë 6 brinjë poshtë dhe lule në pjesën e sipërme .Në faqe të murit vendosi perden e bardhë të ekranit dhe ngre aparatin portativ 16mm tipi “UKRAINA” .Më 7Nëtor  1949 u dha filmi i parë “Beteja  e Stalingradit” dhe u përsërit në 8 nëntor. Filmi u nis me autobuzin “SAT” të linjës Gjirokastër – Tiranë dhe ai qëndroi  për të hapur kinemanë. Në Tepelenë filloi puna në dy drejtime e para për ndërtimin e çentralit me naftë tek Rrapi i Hajbikut që punonte 2-3 orë në darkë megjithëse më vonë kinemaja u pajis me gjenerator e dyta duhej të gjendej vend për kinemanë, u vendos që kazerma e ushtrisë italiane që përdorej si mencë e oficerëve në krahë të ish Komitetit Ekzekutiv ose fushës së bajameve dhe përballë konviktit të nxënësve të adaptohej për kinema me emrin legjendar “KINEMA VJOSA”  dritarja e vetme per mbi 3 dekada e kulturës ,dijes ,qytetarisë për banorët e qytetit tonë.

U siguruan karrike portative të lidhura me ristela të gjata për ti bërë të qëndrueshme duke formuar 15 radhë x 12 karrige = 180 vende. Megjithatë në shumë çfaqje mbushej sheshi para perdes së madhe të ekranit të filmit. Kishte lindur qyteza e minatorëve dhe me aparatin portativ 16 mm shkohej në Memaliaj ku jepej një shfaqje në javë pa lekë për klasën punëtore .

Qyteti i Minatorëve  u rrit me shpejtësi prandaj më 1955 u hap kinemaja ku u kualifikuan dhe punuan me pasion Eqeremi , Sotiri , Gëzimi.

 Kinemaja ishte i vetmi  vend argëtimi masiv prandaj lindi nevoja për operatorë të rinj .”Kinema Vjosa” përgatiti Operatorë edhe për qytetet Këlcyrë, Përmet , Gjirokastër .Në zonën e Progonatit punoi Shefki Koka ,në zonën e Buzit gjirokastriti Ksenofon Fotaqi ,Në qëndër qytet Murat Ramadanaj dhe kulmi kur Tepelena u pais me autokinema (kinema lëvizëse ) ku punoi i talentuari Lavdosh Duraj që nuk la Shkollë ,Konvikt , Repart Ushtarak , Kooperativë Bujqësore pa çfaqur filma .

Dita e dielë në qytet ishte e veçantë çfaqje e parë ishte në orën 10.00 para dite për fëmijët me çmim të reduktuar , nuk kishte festë më të madhe për fëmijët në atë kohë .

Në Kinema “Vjosa”u përdor një aparaturë e mirë : Aparat portativ 35 mm Tipi “UKRAINA”  “ODESA”  “KARPATE” , kurse kur u kalua te Pallati i Kulturës u përdor një aparat i ri Tip “CHINA” Dhurat e Ministrisë së Mbrojtjes . Në pallatin e Kulturës bashkëpunoni me drejtorin Stefan Arseni dhe regjisorin Note Buzo, ishte e shkëlqyer gama e aktiviteteve Kulturore Artistike .

Pak më vonë u ndërtua kinemaja e re me të njëjtin emër ,por me aparaturë stabël me “KARBON”por për rastësi apo me qëllim ato ishin me defekt , nuk u punonte elektromotorri që  lëvizte , shufrat e karbonit për të formuar “Harkun Elektrik” të ndriçimit të ekranit. 3 muaj rresht punuan inxhinierët e Kino – Studios por nuk e rregulluan dot , duhej dora dhe mendja e të zotit të kinemasë, BABAIT të saj që aparatet Kineze të punonin .

Me telegram njoftohet Kino-Studio për suksesin , të cilët urdhëruan fillimin e punës , por njëkohësisht kinooperatori duhet të paraqitej në Tiranë për tu paisur me patent të re për aparate “STABEL ME KARBON” u paraqit në Kinostudio dhe komisioni i inxhinierëve vendosi biletat e provimit ,hapet bileta dhe kishte një pyetje fol për ligjin e parë të Njutonit.Ironi e madhe por BABAI i “Kinema Vjosës ”,pasi ngrihet në këmbë ,vë kapelen në kokë ua kthen po me ironi por më therëse ,u drejtohet inxhinierëve ! Ju po ta dinit ligjin e Njutonit do i kishit rregulluar  aparatet ,kurse unë pa ato ligje i rregullova dhe i vura në punë  ! Sot u tha do rri në Tiranë , nesër dua patentën të plotësuar ! Sa del nga Kinostudio , hipën në autobuzin e Kombinatit dhe qëndron para “Ministrisë së Arsim – Kulturës ” Si partizan i Brigadës së parë hapen dyert e ministrisë dhe takon një titullar dhe i tregon Rastin! Titullari mer në Telefon Komisionin dhe u thotë: Atë patentën e Kinooperatorit të Tepelenës plotësojeni dhe ma sillni tani në zyrë ! Ju more djema mësoni mirë ligjet e Njutonit që ti shërbeni më mirë punës dhe Atdheut i këshilloi Titullari .Me këtë aparat të rregulluar me dorën e vet punoi deri në vitin 1980 “Babai i “Kinema Vjosës ”për 30 vjet sa doli në pension.

Babai i “Kinema Vjosës” ka mbetur në kujtesën e bashkëkohësve i ngulitur thellë ashtu siç ngulitej në mendje një film në atë kohë.

Shkurt – kinooperatori njëkohësisht ka kryer dhe detyra të tjera më 1955-1956-1957 Kryetar i Bashkisë , më 1959 – 1960 Kryetar i Shoqatës së miqësisë Shqipëri – Bashkim Sovjetik për Jugun, ku shefi i arsimit Spiro Gushi (Gjirokastër) ishte sekretar dhe Kryetar për gjith vendin ishte Hysni Kapo .

Cilët ishin filmat e asaj kohe dhe nga vinin ?…

1-    Dominonin filmat Rus me temë nga lufta e madhe patriotike ,por nuk mungonin filmat me KOLKOZË E SOLKOZE – SOVJETIKE .

2-    Filma Kinezë më të njëjtën temë.

3-    Por kishte shumë filma Italian, Francez, Spanjoll .

4-    Filma Indian, të paharruar janë “Vagabondi” dhe “Zotënia 420” për faktin se këta ndaloheshin për fëmijë megjithëse të gjithë fëmijët i shikonin nga dera e emergjencës së kinemasë, ku qëndron vlera e kësaj dritareje e quajtur “Kinema Vjosa ”kur izolimi ndërkombëtar  ishte i plotë.

Kjo kinema ishte dritare e hapur e botës së lirë.

Në radhë të parë vlera linguistike shumë të rinjë mësuan Italisht nga filmat ,vlera shoqërore – si mënyra e jetesës, mënyra e të ushqyerit ,tolerance familjare , morale, estetike, vlera intelektuale nga gjeografia ,historia ,biologjia , astronomia, arkeologjia etj..mësohej aq shumë sa nuk mësohet kurrë sot!

 

      (Sipas ditarit personal të Kinooperatorit Bektash Çela).

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :