Data : 22 03 2019
KryeTitujt :

ALI PASHAI DHE GREKËT

 

Nga  Besnik  Imeri

 besnik_imeri

ALI PASHAI DHE GREKËT

 

(Roli i Ali Pashë Tepelenës ne helenizimin e Epirit, mësimet e përvojat e përftuara prej tij nga Greqia)

Ali Pashë Tepelena, i cili mallkohet sot nga helenët ka qënëndihmësi më i madh i tyre për helenizimin e Epirit.Lejimi i shkollave greke në territore të banuara nga shqiptarët nga Ali pashai, ishte një e keqe e madhe për kombin tonë. Por gjëma më e madhe do të vinte më pas, kur ai, KASAPI i EPIRIT, me një egërsi dhe barbari më të madhe se të Çhengis-Khanit, do të bënte një genocid të paparë dhe spastrim etnik mbi krahinat më të lavdishme shqiptare(gjë që do t’ia kishin zili andartët grekë dhe çetnikët sërbë), asaj të Sulit legjendar, Labërisë dhe Himarës.Ju kujtojmë gjithë shqiptarëve se gratë, nuset e reja dhe vajzat suljote, për të mos rënë në dorë të këtij gjaksori dhe përdhunuesi (të cilin ka disa shqiptar sot që e quajnë burrë shteti), atje në Zallong, u hodhën nga shkëmbi në një valle vdekje, një nga një, në humnerë. Vetëm ky krim mjafton për ta kuptuar se kush ishte Ali Pashai turk.

Po ndërsa Pal Emili, që dogji dhe shkatëroi 70 qytete në Epir dhe shpënguli 150.000 banorë të Epirit, ishte pushtues, Ali gjaksori ishte pashai i kësaj krahine shqiptare, i cili edhe ai e mbante veten për shqiptar. Suli, Himara, Hormova, Lekli, Dhërmiu, Kardhiqi, Preveza, Lukova, etjprovuan vrasjet masive, shkatërrimin e shtëpive të tyre deri në themel, prerjen e pemëve të kopshteve të tyre deri në rrënjë, djegien me zjarr të çdo gjëje, dhe ata që shpëtuan gjallë u degdisën me dhunë nga fshatrat e tyre, nëpër të gjithë Greqinë, ishujt e deri në humbëtirat e Anadollit. Dhërmiasit edhe sot e kësaj dite ruajnë në kujtesën e tyre, shpërnguljen e dhunshme në vitin e zi 1810, të më shumë se 2000 banorëve të këtij fshati në Sallahorë (Pargë) të Greqisë. Ku dhe ata që u kthyen në fshat pas 10 vjetësh, me vdekjen e gjaksorit, ishin të helenizuar plotësisht.

Atë që bëri Ali pashai, e kishin bërë vetëm vandalët, hunët, gotët dhe sllavët në trojet ilire.Në këtë tokë të djegur, me krahina të tëra të shpopulluara nga shqiptarët dhe të populluara me popullsi greqishtfolëse (ku përfshihen edhe vllehët), helenët, sidomos pas krijimit të shtetit grek më 1830, e patën shumë të lehtë helenizimin e tyre pas kësaj kasaphane.Prandaj me të drejtë konsulli francez, Sharl Pukëvill, e quan Ali Pashanë, TIRAN.

Mizoritë e Ali pashë Tepelenës të bëjnë të mendosh; si ka një mundësi që një shqiptar të vrasë më kaq gjakftohtësi shqiptarët, dhe t’i vrasë jo në betejë, jo ballëpërballë në luftë dhe me armë në dorë. Por me pabesi dhe tinzisht, me paburrërinë më të madhe, me pabesinë më të madhe, gjë që nuk e bën kurrë, asnjë shqiptar.Por nuk vrau vetëm burrat, por vrau edhe gratë dhe fëmijët.Këto vrasje nuk mund t’i bëjë një shqiptar kundër gjakut të vet.Ai nuk ka qënë shqiptar.Vrasjet dhe mizoritë e tij janë të njëjta me ato të andartëve grekë në fshatrat e Shqipërisë së Jugut në vitin 1914, pa u hequr asnjë pikë ose presje.Por dihet që andartët nuk ishin shqiptarë, ata ishin grekë ose vllaho-grekë.

Po Kush ishte atëhere origjina e Aliut? Spiro Mela është marrë me origjinën e Aliut dhe nga kërkimet që ka bërë i ka rezultuar: “…Fisi i tij rridhte nga njëfarë Huseini,  një aventurier nga Qutahija e Azisë së Vogël, i cili ndiqte mësimet në një teqe, por ngaqë përdhunoi një vajzë, e ndiqnin këmba këmbës dhe ai gjeti strehë në një teqe afër Tepelenës.Me ato pak dije që kishte fituar u emërua tagrambledhës. I biri i Huseinit, Mustafa Huseini, ose siç e thërisnin me ledhatim, Meço Huçoja apo Muço Huço – nga tagrambledhës, ia doli që të emërohej Muteselim i Tepelenës. Ky ishte stërgjyshi i Aliut…Nëna e tij, Hankoja, e bija e Zenel beut nga Konica, që kur ishte më burrë kishte pasur marrëdhënie me shumë burra të tjerë. Ajo helmoi dy vëllezërit e Aliut, që babai i Aliut i kishte me gruan e parë…Hankoja dinake, e ashpër dhe ambicioze…një nënë e tmershme me shpirt burrëror, që të kujton Lukrecia Borxhian dhe Ledi Makbethin…”[1]

Në një bisedë me Pukëvillin, Aliu shprehet: “Shqiptarët më shohin si një krijesë të jashtëzakonshme.Fuqia ime qëndron mbi floririn, mbi hanxharin dhe mbi kamxhikun[2]. Pra ky ishte Ali pashë Tepelena, të cilin, ka studiues sot, që duan ta nxjerrin si burrë shteti.

Aliu, si dinak, djallëzor dhe i pashpirt që ishte, për të mbajtur në sundim shqiptarët, i masakroi ata me minoritetet. Kështu, në masakrën e Prevezës, në portin e vogël të Sallahorës, Aliu përdori si xhelat Osman Arapin…ai ishte lakuriq nga mezi e lart, me zinxhirë të artë dhe gjerdanë me florinj varur në qafë, me byzylykë në duar si gratë. Dhe një palë shallvare të kuqe flakë që të mos dallohej gjaku që e spërkaste…Arapi e kapte viktimën me dorën e majtë nga flokët, e ulte në gjunjë, ngrinte jataganin dhe me një goditje me gjithë forcën që i jepte në zverk, ndante kokën nga trupi, i cili shtrihej duke u përpëlitur tek këmbët e tij. Ngrinte për një moment kokën që t’ia tregonte Aliut dhe e hidhte diku në një cep pranë tij…”[3]

Dyqind burrat e Prevezës, Aliu i therri në sytë e grave dhe fëmijve të tyre. Aq e madhe ishte masakra, saqë edhe vetë xhelati jevg, Osman Arapi, dha shpirt në gjakun e viktimave të tij.Aliu i pashpirt e zëvendësoi me një xhelat tjetër. Këtë skenë Spiro Mellai e emërton: Orgjia Masakër.

Ndërsa në masakrën e hanit të Valaresë, ku vrau me të pabesë 700 burrat e fshatit Kardhiq, Aliu, sipas Spiro Mellait, urdhëroi batalionin e Mirditorëve që t’i qëllonin dhe masakronin. Por ata si shqiptarë të vërtetë i thanë pashait: “…le t’i nxjerrin jashtë kardhiqotët, le t’u japin armët e tyre, le të shkojmë në fushë të luftojmë si burri me burrin dhe atëhere e sheh, i vrasim apo jo!…I la mirditorët dhe ju drejtua shqiptarëve të tjerë myslymanë (toskëve të tij). Por edhe ata nuk pranuan…Aliu ziente nga tërbimi për rebelimin e ushtrisë…Atëhere Thanas Vaja me sopiqotët (vllaho-grekë) filloi masakrën…Masakra e frikshme vazhdoi plot një orë…një liqen gjaku i shtatëqind të vrarëve…pasi mbaruan krismat, sopiqotët u sulën me shpatë në dorë, duke u çarë kafkat, duke shpërndarë trutë në shesh dhe duke ndarë gjymtyrët nga trupat…”[4]

Pra masakrën e Hanit të Valaresë Ali pashai nuk e bëri dot me shqiptarë. Gjithashtu, edhe parinë e fshatit Kardhiq, gjithësejt shtatëdhjetë e dy veta, bejlerë, agallarë dhe pjesëtarë të parisë. Mes tyre edhe bejlerët e Vlorës që i mbanin të burgosur, sipas Spiro Melës, Aliu i vrau po atë ditë me një grup xhelatësh jevgj në ishullin e Janinës.

Ja se si e përshkruan Spiro Mela përdorjen e xhelatëve jevgj nga Ali pashai: “…të gjithë xhelatët turkociganë – Aliu kishte një esnaf të tërë prej tyre – banonin në një lagje në Janinë që kishte marrë emrin “çengelët”, për shkak të veglave të tmershme që përdornin për torturë…me hanxharin dhe çekiçin e jevgjve, thërmuan kockat e Kaçandonit dhe të vëllait të tij, Hasiotit së bashku me katër shokë të tyre…pas një shënje të Tahir Abazit, një turmë e zezë mbushi oborrin e sarajit, duke bërtitur dhe duke mbajtur në dorë hanxharë, çengelë dhe zinxhirë. Bllahava (vllah) dëgjonte që bërtisnin, që kërcenin si djajtë në skëterë, që tundnin zinxhirët dhe mprehnin hanxharët…E shtrinë në një tavolinë të gjatë dhe e lidhën me zinxhirë…dhe fillojnë menjëherë t’i copëtojnë trupin me hanxharë sikur të ishte dash…hanxharët vazhdojnë të coptojnë pjesët e poshtëme të këmbëve, kërcinjtë, gjunjët, pjesët e kofshëvet…i copëtojnë duart, i  çajnë barkun dhe tani sytë e tij  perëndojnë – kishte mbaruar…Thimjo Bllahava nuk jeton më…Pas pak, një daulle dhe një curle ftonin banorët e Janinës që të shihnin si i varnin në të katër anët e qytetit copat nga trupi i Bllahavës, sipas urdhërit që kishte dhënë vezir efendiu…”[5]

Kush nuk e beson këto kasaphana, le të lexojë “Ali Pashaidën” e çamit Haxhi Sherreti, të përkthyer nga Irakli Koçollari, ku krimet jepen një e nga një, si në një kronikë filmi me horror.

A mund të thuash se Aliu ishte burrë shteti, ky gjaksor mizor dhe i pashpirt, që e ktheu pashallëkun e tij në një rregjim tmerri dhe dhune. Me të drejtë që ky regjim kriminal dhe vetë Ali pashai mund të quhet Drakula shqiptare.

Mizoria e tij shfaqet edhe në faktin, se ai donte ta shijonte mizorinë e vet duke e parë me sytë e tij me një epsh shtazarak dhe gjaksor. Kështu veproi në Prevezë, ku para syve të tij u therën 200 burra; Në Valare ku para syve të tij u vranë dhe u therrën 700 burra; Në Manastirin e Tërbuqit ku u vranë 500 hormovitët. Shteti i Ali pashait, që ndonjë autor sot e quan një vepër madhore,  u ngrit si Kulla e Babillonit mbi kufomat e shqiptarëve.

Por Aliu kishte ngritur edhe një rrjetë merimange spiunësh në gjithë pashallëkun, të cilin disa tani, me terma moderne, e quajnë edhe polici sekrete.Ajo që është interesante këtu, është përbërja e këtij rrjeti.Kë kishte vënë Aliu për të spiunuar shqiptarët?“…nuk mund ta kishte pashallëkun nën kontroll, nëse nuk dinte se çfarë gatuante në shtëpinë e tij edhe më i fundmi prej qytetarëve të tij. Për këtë qëllim, me të vënë këmbën në qytet, filloi të organizojë, duke rekrutuar njerëz të çdo lloji – grekë, hebrenj, turq e të tjerë – një rrjet i dëndur spiunazhi…”[6]

Por Spiro Mela, si një grek i mirë, që e mbron kishën e vet, nuk na thotë këtu, se, tek këta të tjerë, ishin edhe klerikët ortodoksë që ishin vënë në shërbim të Aliut, dhespotë, priftërinj, murgj, si dhe vetë Kosma Etoliani.

Pra, edhe rrjeti i spiunëve të Aliut, në masën dërmuese të tij, nuk përbëhej nga shqiptarë, por nga popullsi minoritare.Fakti e tregon vetë.

E kam thënë dhe e them se Ali pashai nuk mund të krijonte një shtet shqiptar, ku në themelet e tij ishin bërë dhe do të bëheshin kurban shqiptarët. Nuk mund të krijonte një shtet shqiptar një pasha turk, i egër dhe gjaksor. Në dejet e tij rridhte gjak aziatik dhe politika e turkut “përça e sundo”, ishte edhe politika e Aliut: Grekët kundër shqiptarëve, shqiptarët kundër grekëve; të krishterët kundër myslymanëve dhe myslymanët kundër të krishterëve.

Ja se çfarë na tregon Spiro Mela: “…Aliu thirri menjëherë Jusuf Arapin dhe e urdhëroi të bëntë gati dymijë shqiptarë, të zbriste natën në Sallahorë, natën t’i imbarkonte në anije e përsëri natën të zbarkonin në Lukovë dhe të godiste në befasi Himarën dhe ta zhduknin atë. Thirri Jusufin sepse nuk dëshironte prijës të krishterë në këtë operacion, një operacion që drejtohej kundër të krishterëve.Midis oficerëve të tij, Jusufi ishte nga më besnikët…Po gdhinte e diela e pashkëve dhe njerzit pa dyshuar asgjë po festonin nëpër kisha.Jusuf Arap zbarkoi në Lukovë pa e marrë vesh njeri dhe i shpërndau ushtarët nëpër fshatra (Nivicë, Lukovë, Shën Vasil, Sinicë, etj). Ata rrethuan kishat dhe u turrën brenda me thirrje luftarake dhe jataganë të zveshur, therrën të krishterët, burra, gra, fëmijë, ngjyen dyshemetë dhe tavoliant e shenjta me gjakun e besimtarëve dhe të gjitha këto i bënë gjatë meshës, në festën më të madhe të të krishterëve, pashkën. Në vazhdim ju drejtuan shtëpive, i plaçkitën dhe i dogjën.Dhe kur zbardhi dita, përndoqën ata që mund të kishin shpëtuar gjatë natës.Tremijë veta u masakruan, të tjerë i dogjën bashkë me shtëpitë. Por vetëm në Himarë, në kryeqytet, që e pritën me pushkë, theu qafën Jusuf Arapi…

…Por Aliu nuk humbi kohë, të gjithë ata që kishin shpëtuar nga masakra, i shpërnguli dhe i vendosi në rrethinat e Trikallës...”[7]

Këta tremijë vetë që u vranë nga Aliu, nuk u vranë në betejë me të, ata u vranë si popull i pafajshëm, në kishat dhe shtëpitë e tyre.Ata u vranë në një ditë të shenjtë, ditën e pashkës, që është dita e paqes.Po ku pyeste aziatiku Ali për këto.Aliu, edhe ata që shpëtuan maskarës i degdisi në Greqi, në Trikalla.Pra e shoi farën shqiptare. Dhe ky Ali do të na bënte një shtet shqiptar. Dhe ky Ali, na paskërka qënë burrë shteti, një vrasës mizor. Ashtu siç do të bënte vite me pas me suljotët, ku pasi shkretoi Sulin, gjithë popullin që mbeti e degdisi, sa në Çamëri, Pargë, dhe sa në Thesali. Ashtu siç bëri në Zallongë, ku 56 gra me fëmijë në gji dhe vajza suljote u hodhën në humnerë për të mos rënë në dorë të komandantit të Aliut, Beqir Çuadarit.Ashtu siç bëri me Dhërmiasit dhe Himariotët që i degdisi në Sallahorë.

Kështu veproi Aliu edhe kundër Hormovës, që ishte një fshat i krishterë.Kundër tyre ai çoi, luftëtarin e tmershëm dhe të egër, zijoshin Jusuf Arapin. Aliu, i pabesë me djallëzi dhe intrigë, i thirri hormovitët për të biseduar në manastirin e Tërbuqit… Pesëqind hormovitë ranë në Grackë…dhe filloi të përdorëj pushka dhe jatagani…Caush Priftin, kapedanin e Hormovës, e shkon në hell të gjallë dhe e pjek në zjarr…Pastaj me asqerët e vet i drejtohet Hormovës, shkon në thikë gra dhe fëmijë…u vë flakën shtëpive, shkreton fshatin…Të njëjtën gjë bën në Lekël – banorët e shkretë ikën në ishujt e Jonit – në Malëshovë dhe në Labovë…Mynxyra që u ra këtyre fshatrave tmerroi gjithë vendin…”[8]

Në luftën kundër Sulit përdori një ushtri me shqiptarë myslymanë kundër shqiptarëve të krishterë të Sulit. Në vitin 1800 kundër Sulit  ai mori komandantët e tij më të shquar: Jusuf Arapi, Sulejman Çobani, Ziliftar Poda, Hasan Çapari, Meço Bonoja, Mustafa Ziguri dhe Beqir Çuadari; ashtu siç bëri edhe në Himarë, Hormovë, Lukovë etj. Këtë e përshkruan në mënyrë të plotë Spiro Mela:

“…Me ardhjen e vitit të ri – jemi në vitin 1812 – pashai i Janinës filloi të përgatitej për fushatë. Ashtu si veproi në rastin e Sulit, që dërgoi për të luftuar shqiptarë myslymanë kundër suljotëvetë krishterë, edhe në këtë rast që do të luftonte kundër popullsisë myslymane, Aliu përdori ushtarë të krishterë. Të gjithë armatolët grekë që ishin në oborrin e Aliut, të gjithë oficerët e tij nga Thesalia dhe Akarnania, morën urdhër për t’u përfshirë në këtë luftë që kishte si objektiv Gjirokastrën dhe Delvinën. Ndër të parët ishte edhe Thanas Vaja…Ai nuk ishte më i keq se grekët e tjerë që i shërbenin Aliut…”[9]

Ne shqiptarët mburremi për tolerancën fetare midis të krishterëve dhe myslymanëve, dhe ajo ishte e tillë në Toskëri, sa pa ardhur si pasha Ali gjaksori. Kjo tolerancë u prish dhe kjo ishte vepër e Ali Tepelenës. Midis të krishterëve dhe myslymanëve ai vuri një vijë ndarëse, një kufi, dhe ky kufi ishin përrenjtë e gjakut midis tyre. Ai me djallëzinë dhe mizorinë aziatike, luftës së vet politike për pushtet i dha një formë lufteje fetare: Ku njëherë, djallëzisht, bëhej me të krishterët, dhe, herën tjetër bëhej më myslymanët, ku frytet e këtyre luftrave çonin “ujë në mullirin” e Aliut, në forcimin e pushtetit të tij personal.

Kush ishte pasoja e kësaj përçarjeje kombëtare dhe fetare? Duke vrarë shqiptarët e krishterë nëpërmjet ushtarëve të tij shqiptarë myslymanë (që zakonisht ishin toskë, ose lebër) vuri një kufi gjaku midis shqiptarëve të krishterë dhe atyre myslymanë, ngjalli urrejtjen midis tyre dhe i parapriu vëllavrasjes të arvanitasve të krishterë me ata myslymanë gjatë kryengritjes greke të 1821. Krijoi urrejtjen tek shqiptarët e krishterë të Epirit të poshtëm për shqiptarët myslymanë të Epirit të sipërm të Shqipërisë së Jugut.Urrejtje, që sot e kësaj dite e shohim të shfaqet të Kristo Papai i “Agimit të Artë”.

Urrejtje që u shfaq në shpërnguljen e popullsisë myslymane të Çamërisë, Konicës dhe Kosturit në vitet 1923-1926, si dhe në masakrën dhe genocidin ndaj popullsisë çame nga shteti grek dhe bandat zerviste në vitet 1940-1944.

Por, veprimtaria e Aliut si një bashkëpunëtor i Patriarkanës së Stambollit, vuri në jetë helenizimin e Epirit shqiptar nëpërmjet hapjes së  shkollave greke. Aliu që bashkëpunëtori dhe mbështetësi i murgut Kozma nga Etolia për hapjen e shkollave greke në Epir dhe gjithë Toskërinë.Misioni i Kozma Etolianit nga Patrikana greke e Stambollit ishte që ai duhej medoemos t’i helenizonte këto troje nëpërmjet hapjes së shkollave greke; mision i cili vinte në kundërshtim të hapët me misionin e tij fetar.Misioni i Kozma Etolianit ishte një mision politik.

Ja se çfarë na thotë Zhan Klod Faveirial lidhur me këtë mision të Kosma Etolianit: “…le të themi nja dy fjalë për murgun Kosma, roli i të cilit ka qënë tepër rrënimtar për kombin vlleh…Ky ishte një agjent politik, i cili, duke shkuar nga fshati në fshat, nuk predikonte Ungjillin, por kërcënonte me shkishërim nga patriarkati grek të gjithë Vllehët dhe të gjithë Shqiptarët që nuk flisnin vetëm greqisht…Tregohet ende në Samarina, vendi ku ai u predikonte Vllehëve kundër përdorimit të gjuhës amtare. Me thirrjen e tij, Vllehët  e Zagorisë në Epir, dhe shumë të  tjerë, hoqën dorë nga përdorimi i gjuhës së tyre amtare.

Aravantini thotë se ai predikonte edhe kundër çifutëve, dhe se çifutët e denoncuan tek Kurt Pasha…Ai u vra, jo se kishte predikuar doktrinën e apostujve,por pikërisht se ai predikonte helenizimin në emër të patriarkëve grekë. Hapi i parë që kishte bërë ky patriarkat për të mbjellë helenizimin në Maqedoni dhe në Shqipëri, kishte qënë suprimimi i patriarkateve të Ohrit dhe të Pejës. I dyti, do të ishte asgjësimi i gjuhëve popullore: vllehe, shqiptare dhe bullgare, të përdorura në vende të ndryshme…”[10]

Më tej.Aliu me shkatërrimin e qyteteve, fshatrave dhe krahinave shqiptare, shpërnguljen me dhunë të popullsisë së tyre; I hapi rrugën mbushjes së tyre me grekë; pra i hapi rrugë greqizimit të tyre, sidomos pas aneksimit të tyre nga shteti grek më 1878 dhe më 1913.

Më tej. Aliu kishte në plan të krijonte një shtet greko-shqiptar, ku te futeshin Moreja, Atika, Beotia, Thesalia, Epiri dhe e gjithë Toskëria deri  në Shkumbin. Ku në këtë shtet gjuha zyrtare do të ishte greqishtja, pra shqipja duhej të shkonte drejt asimilimit dhe shqiptarët drejt shkombëtarizimit. Ky ishte shteti i Aliut.

Sot po trumbetohet me të madhe ky farë shteti i Aliut. Por këta që ngrenë në qiell atë, harojnë një gjë të vogël, por që ka rëndësi shumë të madhe; shteti i Aliut nuk e kalonte lumin Shkumbin. Po gegërinë kujt do ja lënë këta zotërinj trumbetues. Kuptohet, pra sërbëve, se pastaj do të kishim dy “shtete shqiptarë”, një me toskë dhe një me gegë.

Por ky shtet, asnjëherë nuk kishte për të qënë shtet shqiptar. Ai do të ishte një shtet grek, ku të përfshinte gjithë Epirin, pra Toskërinë. Ashtu si nuk u bë shtet shqiptar, shteti që doli nga kryengritja e 1821, pavarësisht se 80 nga 100 heronjtë e tij ishin shqiptarë; pavarësisht se ai u shtet u ngrit si vepër e shqiptarëve, me gjakun e shqiptarëve dhe mbi gjakun e shqiptarëve. Ku shqiptarët, nuk ishin gjë tjetër, në fund të fundit, veçse vegla qorre për realizimin e projektit të Patriarkanës.

Ky shtet i Aliut, po të shikohej sot, nuk është as më pak dhe as më shumë, se vetë shteti grek sot, të cilit kërkojnë t’i bashkangjisin të ashtuquajturin Vorio-Epir, ose Shqipërinë e Jugut. Prandaj Ali Pashai duhet ngritur në qiell nga grekët, se ai që në atë kohë do t’ju kishte dhuruar Vorio-Epirin, që sot e kësaj dite nuk po e marrin dot. Që të jemi të qartë një herë e përgjithmonë, që vepra e  Aliut, nuk ishte për shqiptarët, por për grekët; le të dëgjojmë se çfarë thonë grekët për të. Ja si e mbyll librin e vet për Ali pashanë, greku Spiro Mella:

“…Në se do të kishte një ideal të lartë, Aliu do të ishte një prej heronjve të shekullit të nëntëmbëdhjetë…Si do që ta marrim, ai i takon më shumë historisë sonë (të Greqisë) se sa historisë së Turqisë (se për historinë e Shqipërisë as që bëhet fjalë); veprimtaria e tij ishte ndër kontributet më vendimtare- edhe në rast se këtë kontribut e dha pa dashje- në luftën e madhe për lirinë tonë (të grekëve)…”[11]

Pra, përfundimisht, Ali pashai jo vetëm që nuk ka pasur ndonjë kontribut për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjë që e thonë grekët me gojën e tyre; Përkundrazi, ai ishte faktori kryesor në ndihmë të Patriarkanës dhe Greqisë për helenizimin e Shqipërisë së Jugut, apo Toskërisë nga Osumi deri në Artë.

 

Kjo pjesë është shkëputur nga libri:

EPIRI NGA LASHTËSIA DERI MË SOT

 



[1] Spiro Mela, Luani I Epirit, Bot.TOENA-2013, Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f,15-17

[2] Spiro Mela, Luani I Epirit, Bot.TOENA-2013, Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f, 343

[3] Spiro Mela, Luani I Epirit,Bot.TOENA-2013,Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f,126-129

[4] Spiro Mela, Luani I Epirit,Bot.TOENA-2013,Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f,401-404

[5] Spiro Mela, Luani I Epirit, Bot.TOENA-2013, Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f, 355-356, 499

[6]  Spiro Mela, Luani i Epirit, Bot.TOENA-2013,Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f,57

[7] Spiro Mela, Luani i Epirit,Bot.TOENA-2013,Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f, 99-100

[8] Spiro Mela, Luani i Epirit,Bot.TOENA-2013,Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f, 36-37

[9] Spiro Mela, Luani i Epirit, Bot.TOENA-2013,Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f, 391-392

[10] Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë”, Bot.Plejad-2004,Përkth.Gent Ulqini, f, 389

[11]  Spiro Mela, Luani i Epirit,Bot.TOENA-2013, Përkth.Greq.Kristo Pulla+Foto Bixhili, f, 571

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


+ 6 = 12