Data : 18 09 2018
KryeTitujt :

Viti i Skënderbeut, Muzeu i FA pasurohet me pavijonin e heroit tonë kombëtar

Viti i Skënderbeut, Muzeu i FA pasurohet me pavijonin e heroit tonë kombëtar

050

 

Që prej ditës së sotme, Muzeut të Forcave të Armatosura i është shtuar një pavijon i ri.

Në kuadër të vitit mbarëkombëtarë të Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është çelur në Muzeun e FA, pavijoni që i dedikohet tërësisht heroit tonë kombëtar.

Në çeljen e këtij pavijoni të ri ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendësja e tij gjeneral brigade Manushaqe Shehu, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Vullnet Sina, si dhe mjaft ushtarakë të lartë e të ftuar.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e cilësoi si shumë interesant këtë pavijon dhe përmendi angazhimin e institucionit që ajo drejton, në kuadër të veprimtarive për vitin e Skënderbeut.”Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar me të gjithë kapacitetin e tyre në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar. Muzeut të Forcave të Armatosura i shtohet sot edhe një pavijon i ri, shumë interesant për t’u vizituar, i cili i kushtohet heroit kombëtar. Ky pavijon është vetëm një simbolikë e angazhimit tonë për Vitin e Skënderbeut, ndërkohë që, muaj më parë FA kontribuoi në rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve dhe monumenteve të kulturës në të 12 qarqet e vendit. Veç kësaj, të gjithë jemi dëshmitarë të faktit, që FA janë kudo ku kërcënohet siguria e jetës së komunitetit dhe përballimi me sukses i situatave në muajt e vendit, për shkak të motit të keq, e konfirmon këtë.”- u shpreh ministrja Xhaçka, e cila njoftoi edhe ndryshimin e imazhit të dy strukturave ceremoniale në Forcat e Armatosura. “Kam kënaqësinë të bej me dije se, shumë shpejt në kuadër të angazhimeve për Vitin e Skënderbeut, truproja e nderit dhe orkestra frymore e FA do të kenë një imazh tërësisht të ri dhe dinjitoz për të përfaqësuar një vend, ku heroi kombëtar ka qenë një prej strategëve më të mëdhenj të luftës. Historia dhe faktet dëshmojnë se, kur vlerat më të mira të traditës sonë projektohen në të ardhmen, e sotmja është edhe më e sigurt.”

Në pavijonin e Skënderbeut në Muzeun e Forcave të Armatosura janë të ekspozuara sende që kanë lidhje me heroin tonë kombëtar, armë të përdorura në atë kohë, harta dhe stema të principatave të Arbërit dhe mjaft dokumenta të tjera.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :