Data : 22 09 2018
KryeTitujt :

Vështrim historik për UÇK

 

                       Prof.Dr Pajtim Ribaj            

 pajtim-ribaj

Në orën10 apo 11, të një  date të caktuar,  në vendet demokratike dhe kudo, njerëzit përulen me respekt ndaj të rënëve në luftë. Nga Presidenit, Kryeparlamentit, tek Kryeministri, Kryebashkiaku, ministra, Shefi i Shtatmadhorisë, ,kryetarët e partive, të gjithë pa përjashtim ndodhen së bashku dhe mbarë kombi vë kurorë kudo në monumentet e të rënëve.. Janë të gjithë tok për vlera që bashkojnë dhe identifikojnë sepse liria, paqja e begatia nuk janë rastësi por fryt i sakrificës dhe flijimit. Tek ne ,5 Maji, i pranuar  në të dy shtetet shqiptare  është fati i ynë sepse liria dhe dinjiteti ynë si komb ushqehet nga të rënët tanë. Përulja me respekt ndaj rinisë së flijuar është më e pakta që mund të bëjmë.

Bota e qytetëruar i respekton të rënët për liri. Politika, institucionet, media, shoqatat etj nuk ia lënë përkujtimin rastësisë. Tek ne,përveç në pak raste si shëmbulli i shkëlqyer i Shoqatave të Luftës së UÇK-së,.shumë pak për të mos thënë asgjë. As programe, as dokumentarë, as konferenca, as vizita, as mesha apo ceremoni fetare, as investime etj. Indiferenca zyrtare ndaj ndaj kësaj dite na njollos dhe zvogëlon si komb. Bota i respekton vlerat sepse respekton vetveten dhe dinjitetin. 5 Maji është vlera dhe pasuria jonë, trashëgimia e “bileta” që i jep dinjitet qytetërimit shqiptar në rrugën  e integrimit në BE.  5 Maji është rikujtesa e “borxhit” të madh që kemi si shoqëri ndaj të rënëve dhe vetvetes. Paqja dhe dinjiteti kombëtar nuk është dhuratë dhe kur harrohet, sakrifica përsëritet Të rënët janë mbi ndarjet e ditës. Ata janë mbi ne, janë “shenjtorët” tanë që ranë që të mos bjerë më kush! Para tyre vihemi të gjithë në rresht.…
Të respektuar pjesëtarë të UÇK-së
Ju kini vënë në jetë ëndrrat e një populli të tërë për liri duke finalizuar një luftë të gjatë e të mundimshme për pavarësi. Prandaj sot  kujtojmë me respekt të madh luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtojmë dhe respektoj sakrificën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për liri. Kudo që ishin, në Kosovë e diasporë, te vëllezrit e Shqipërisë. Kujtojmë punën e presidentit Rugova, kujtojmë heroizmin  e pashoq të komandantit legjendar Adem Jashari dhe shumë e shumë heronjve të tjerë që e vulosën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Nisur nga momenti historik, për nga detyrat që shtroheshin, pjesëmarrja, karakteri dhe së fundi nga rezultati Lufta e UÇK-së mbetet një luftë çlirimtare,e me karakter popullor, e cila, së bashku më ndërhyrjen e NATO-së solli, çlirimin e Kosovës nga zgjedha e huaj, siguroi pavarësinë e saj.  Vetëm në  raste të tilla cilido motivohet të pajtohet me filozofin  Hegel, që besonte se lufta ruante shëndetin etik të kombeve dhe deri me mendimin  e  H. von Treischke, I cili e konsideronte luftën si “ të vetmin shërim të kombeve që vuajnë”, se lufta është  si një nga kushtet për progres, “fshikullim me kamxhik, që pengon një komb të bjerë në gjumë, duke e detyruar mediokritetin e kënaqur t’i largohet apatisë së vetë”. Dihet se,në kushtet kundër shtypjes serbe filloi veprimtarinë “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK), krahu i armatosur i rezistencës shqiptare. Pas veprime sporadike deri në shkurt të vitit 1998, ajo vijoi në një fazë më të re duke formuar zona të lira. Me kohë ajo njohu ligjet e luftës dhe i respektoi ato me një ndershmëri fanatike. Veprimet e saj në asnjë rast nuk u drejtuan kundër popullsisë civile, siç vepronte milicia serbe, por kundër forcave ushtarake, që përfaqësonin krahun e armatosur të regjimit të pushtuesit. UÇK-ja tregoi një epërsi të padiskutueshme morale, edukatë të vërtetë lufte me qëndrimin e saj shembullor ndaj robërve, që ranë në duart e saj. Ajo zhvilloi një luftë që ngriti në këmbë të madh e të vogël e që ka për kryefjalë himnin kombëtar. Zhvilloi një luftë në emër të Kosovës dhe për pavarësinë e Kosovës.. Ajo sensibilizoi jo vetëm faktorin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Kosovë. Ky faktor lindi frymën kombëtare në Kosovë dhe bashkoi moralin dhe shpirtin e gjithë shqiptarëve në botë, u bë  dalë zot i shqiptarëve etj. Në një periudhë rënie dhe zvetnimi,  faktori martir dhe idealist i ringjallur në Kosovë u bë vetiu pasuri shpirtërore e morale e të gjithë shqiptarëve kudo që janë( Kadare) . Dalja e ne skene e UÇK-se ne politiken e Kosovës mposhti  apo theu defetizmin dhe propagandën frikësuese, e cila ishte  mbjellur nga Regjimi Serbe, por edhe te një pjese e faktorit politike,;prishi statuskuon politike e cila ishte vendosur ne Kosove. vërtetoi se vetëm lufta e armatosur është  metodën kryesore e rezistencës dhe çlirimit te Kosovës. UÇK-e pati një rendësi edhe ne proceset politike ne viset e banuara me shqiptaret ne Maqedoni, Kosovën Lindore dhe Mal te Zi . UÇK-ja dhe rezistenca e saj ndryshuan radhën e çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, në hierarkinë e çështjes ndërkombëtare dhe kthimin e çështjeve rajonale në shqetësim ndërkombëtar. Faktikisht bota politike njohu UÇK-në ndikimin e saj, jo vetëm si faktor ushtarak, por edhe si faktor politik. Faktori UÇK, i cili ka realizuar edhe mbështetjen e fuqishme, në radhë të parë të SHBA e pastaj të Anglisë e më gjerë, vuri në pikëpyetje dhe shkoi me siguri drejt heqjes së hipotekimit të Serbisë mbi Kosovën

Të nderuar pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve

..Kur përkujtojmë 20 vjetorin e rënies së Dëshmorit të kombit Luan Haredinaj,luftën e UÇK-së , mendja të shkon tek ajo plejadë e shkëlqyer idealistësh atdhetar, që e krijuan dhe e formësuan UÇK, te heronjtë e martirët e vërtetë, te drejtuesit, mjeshtër të fjalës e të veprimit, emrat e nderuar   ndriçojnë  rininë progresive e rrugën e tyre për emancipim, liri e demokraci. Këto personalitete të shkëlqyera, si rasti  Haredinaj, etj, nuk lakmonin asgjë nga jeta materiale, përveçse një investimi te populli liridashës, me përpjekje të qarta, dimension njerëzor, dinjitet dhe sfidën për liri.). Kuptohet sigurimi i një shteti është shqetësim i të gjithëve që del nga dijenia e të gjithë qytetarëve, që “vlerat mbi të cilat shteti i tyre është ndërtuar nuk janë një dhuratë për rezultatet e përpjekjeve kolektive dhe e bindjes së ndërgjegjes së cilitdo dhe të gjithëve” (Havel).  Sot, me vetëdijen e plotë të historisë së tyre të vështirë, por dinjitoze, me vetëdijen e rolin e tyre në ngjarjet e mëdha të përbotshme, siç ishte dhe Lufta e UÇK-së, shqiptarët kudo ku që jetojnë, në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi, apo në Çamëri e në diasporën e vjetër e të re disa milionëshe, kanë rolin e tyre të rëndësishëm  si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon, duke kultivuar bashkëjetesën e bashkëpunimin me popujt fqinjë në rrugën e përbashkët të integrimeve europiane e euroatlantike. Është e vërtetë se, në trajtimin e kësaj Epopeje, krahas punës lavdëruese, nga pena të shpeshta kemi parë shpesh të dalë një “historiografi” e zbukuruar nga paragjykime dhe ideologji partish, e instrumentalizuar nga qëllimet e pacifizmit dhe e harlisur gjatë kësaj të çare dramatike të tranzicionit të gjatë, që i vënë kundrejt njëri tjetrit luftëtarët e lirisë,mbështetësit e luftës për çlirim.dhe pasardhësut e tyre Vlerësimet për LNÇ duhen parë me realizëm të plotë sipas parimit se nuk mund të ketë lufte pa dëmtime, pa të meta e gabime, pa efekte anësore, pa humbje e pa fitore..Edhe ushtritë më moderne të shtetev të fuqishme demokratike janë të mbushura me histori lavdie, por dhe faqe turpi UÇK , megjithëse vullnetare, me komandadntë e luftëtarë idealist, që nuk i njihnin gjithnjë ligjet e luftës, zbatuan modelin e shkelqyer të së Drejtës Zakonore Shqiptare. ..

 

E për këtë arsye duhet që politika e jashtme e shteteve shqiptare nuk duhet të jetë servile, nënshtruese, por të  ruajë dinjitetin dhe identitetin që mbolli kjo Epope. Politika e jashtme e Kosovës nuk duhet të rreshti  për t’ipërmendur Europës faktin se po gabon duke nxitur Gjykatën e Veçantë, e cila si gjykatë me juristë ndërkombëtarë njëetnike, do të merret me dënimin e çlirimtarëve të Kosovës, ushtarëve të UÇK-së, “që mund të kenë rahur ndonjë tradhëtar bashkëkombas, ose ndonjë kriminel sërb gjatë luftës, por nuk po kërkon zbulimin dhe dënimin e kriminelëve sërbë që kanë bërë masakra ndër shqiptarët civilë të paramatosur në Dubravë, në Krushevën e Madhe e të Vogël, në Abrisë, Nagavs, Bellaqevc, Prekaz, Reçak, Celinë, Poklek, Rezallë, Leçinë, Raushiq e në shumë fshatra të tjerë” (Qosja) Lufta kriminale u zbatua nga formacionet ushtarako-policore dhe paramilitare serbe, të cilët vranë, masakruan, zhdukën, dhunuan, dëbuan dhe deportuan popullsinë civile shqiptare, i plaçkitën, dogjën dhe rrënuan shtëpitë, objektet fetare, shkollore, kulturore, ekonomike, e të tjera, si dhe vendbanime të tëra shqiptare, me synim spastrimin etnik.

…Jemi të ndërgjegjshëm se ky rivlerësim do të jetë i gjatë, por me siguri, , më në fund do të hartohet një histori e kësaj ngjarje epike dhe tragjike, siç qe lufta e Kosovës. Dhe vetëm atëherë e zhveshur nga zbukurimet false të retorikës, nga ekzaltimet hipokrite dhe nga gënjeshtrat e përhapura, që fatkeqësisht ende vijojnë,në versionet partiake, por edhe e pastruar nga balta e hedhur, nga ata që donin ta shihnin atë vetëm si “mit” apo të tjerë që kërkojnë  të deformojnë karakterin e saj apo ta lenë në harresë, si një mallkim më i madh që mund ti bëhet kësaj ngjarje historike, lufta e UÇK-së po shfaqet te ne, dhe, me siguri, më shumë, në sytë e brezave të ardhshëm me madhështinë e saj, me dritëhijet e saj, me heronjtë dhe martirët e saj, por edhe me arrivistët dhe  ngatërrestarët e saj, me momentet e saj të lavdishme por edhe mizore. Vetëm atëherë do ta kuptojmë se sa e madhe ka qenë, “tmerrësisht e madhe, çfarë burrash ka pasur dhe çfarë kontributi të jashtëzakonshëm i ka dhënë atdheut dhe do të përkulen para saj me respekt, gati-gati me frikë sepse do ta kuptojnë misionin ose mësimin mbinjerëzor…”(Luraghi)

Kuptohet parë në retrospektivë, jo gjithçka është zgjidhur gjithmonë drejtë. Por në këndvështrimin njerëzor jemi të ndërgjegjshëm sepse ne nuk jemi veçse gjykatës të dobët të vështirësive dhe përpjekjeve mbinjerëzore që bën luftëtarët e UÇK-së, se gjatë vendimeve të tyre ata u ndodhen përballë problemesh e vështirësish për mbarëvajtjen e Kombit, se këto probleme janë ende përpara nesh dhe që akoma kërkojnë përgjigje. Dhe, nëse njerëzit e atyre kohëve mund të pranojnë se nuk mundën t’i finalizonin objektivat, – brezi ynë dhe më të rinjtë nuk mundet ta ketë këtë luks…

 

Të nderuar miq

Ndërkohë kur mesazhi I UÇK ,i të rënëve , të dëbuarve, etj. urimi më i madh i tyre ishte që “mos të vinte kurrë dita që të kapeshim kosovarë dhe shqiptarë” mes njëri tjetrit!… …  ndodh sot në rrjetet sociale  marrëzia me popull kosovar dhe popull shqiptar (është dikush idiot dhe që e thotë haptas si model këtë gjë) dhe po ashtu religjoni po kapërcen vijat e detyruara që i bëjnë keq kombit?! ‘…Sigurisht jemi të mirë në shumë aspekte dhe njëri prej tyre ishte viti kur vëllezërit e një gjaku u detyruan të vijnë në Shqipëri. E kjo është dhe “rruga që duhet të na prijë”. Amaneti i të rënëve thërret për të bërë përpara dhe në bashkim së bashku me veçori të vogla që na bëjnë më interesantë dhe të ndryshëm për të qënë më të “lezetshëm”. Duhet të mos kishim më kufi në rrugë, të kishin lidhje ekonomike shumë më të mëdha, kontroll krimit dhe korrupsionit shumë më të madh, të kishim shkollën dhe universitetet më të forta, akademi apo universitet të sigurisë kombëtare të përbashkët dhe të bashkuara në akademizëm dhe kulturë, të ishim më kompetitivë në sport dhe të ishin shumë më të përfaqësuar në përballje me të tjerët. Shkurt të ishim bashkë për të qënë më të fortë dhe sidomos më të mëdhenj.

Popujt e mirë kulturuar (të mos harrojmë se zgjerimi I kulturës është zgjerim I hapsirës) dhe kur kanë qënë të detyruar të ndarë – janë bërë bashkë kulturalisht dhe pastaj ekonomikisht, deri sa ja kanë dalë të jenë bashkë dhe politikisht?! Provincializmi në politikë ka shkaktuar lindjen e idesë provinciale të krijimit të kombit kosovar, një ide feudale jashtë kohe, e sajuar nga politikanët sërbë  për të shuar idenë e pavarësisë së Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë….Ideja e kombit kosovar, është ide anakronike, reaksionare, kundërkombëtare, sepse popullin shqiptar të Kosovës e kanë njohur në shekuj dhe e njohin edhe sot si pjesë të popullit shumëshekullor shqiptar, që ka një një gjuhë të tij të veçantë, një kulturë të përbashkët, një histori të veçantë, qytetërimin e tij të njohur që nga Antikiteti, të cilat prej gjithë shqiptarëve dhe të huajve janë njohur e quhen “popull shqiptar, komb shqiptar, gjuhë shqipe, histori shqiptare, kulturë shqiptare, qytetërim shqiptar” (Qosja). Bashkësia e këtyre vlerave madhore gjuhësore, historike, kulturore, shpirtërore e qytetëruese e ka bërë popullin tonë të mbijetojë në shekuj në territoret e veta dhe të ketë njohje europiane dhe botërore.

.Po kështu, është fakt se, brenda 140 viteve territoret shqiptare cënohen tri herë me pazare ndërkombëtare. Rishikimi i vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi, është i treti demarkacion për këtë periudhë, të trija të kërkuara dhe të fituara nga Mali i Zi. ,,,Politikës kosovare i thuhet me forcë, madje dhe në mënyrë ultimative, se Demarkacioni duhet pranuar …nëse nuk miratohet Demarkacioni, nuk ka liberalizim të vizave etj. Politika shqiptare detyrohet të dëgjojë çfarë thonë diplomatët europianë dhe ata amerikanë, por më në fund të bëjë atë që i intereson kombit të vetë, të mbrojnë interesat kombëtare shqiptare!!Konkluzioni është i thjeshtë: Duhet të luftojmë për t’ia ngushtuar hapësirën shprehjes së servilizmit, sepse kështu ia zgjerojmë hapësirën shprehjes së dinjitetit tonë.:“Që Shqipëria e Kosova të mos jenë më shtete partiake… jo shtete me demokraci totalitare,…Që Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete të së drejtës, në të cilat do të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve, ku çdo qytetar do të trajtohet, siç nuk trajtohet sot, i barabartë si çdo qytetar a milioner” (Qosja)

Të nderuar pjesëmarrës

Në këtë datë që ngulmon se, kombi shqiptar, gjithë prizmi i politikës, , kanë një rast të rrallë për të themeluar, qoftë dhe simbolikisht, një frymë të re.. Është përkujtimi i një lufte dhe i martirëve të saj. Lufta ka ndodhur vërtet. Të vrarët kanë ikur nga kjo botë vërtet. Hapi i parë i një fryme mirëkuptuese do të duhej të niste pikërisht me të vrarët në luftë, e pas tyre me krejt luftën. Të vrarët pushuan së jetuari, ata s’panë asgjë nga ç’erdhi më pas. Është detyrimi ynë historik, e sidomos detyrimi ynë njerëzor për t’i lënë në paqen e tyre.(Kadare) Ata do ta humbisnin përgjithmonë atë paqe, po ta dinin se diktatura, oligarkët, sa herë kishte nevojë të përligjte korupsoinin e deri  krimet, do të përdornin formulën e njohur “amaneti i dëshmorëve”,. Asnjë lidhje me këta s’mund të kishin,luftëtarët antifashistë, dëshmorët e lirisë dhe  djemtë idealistë,të UÇK-së

Koha kërkon që populli shqiptar i të dy shteteve të ndërgjegjësohet maksimalisht për të shmangur liderët/sundimtarët e tranzicionit të stërlodhshëm”, oligarkët, e për të sjellë në pushtet me anën e votës njerëz të ndershëm e atdhetarë, të cilët të krijojnë një strategji për të ardhmen e këtyre dy shteteve drejt bashkimit, korrigjim i padrejtësisë që.iu bë popullit tonë ,oblgim historik kombëtar, amanet i të rënëve, betim i UÇK-së, interes kombëtar mbijetese, ligjësi objektive e përputhjes së gjeografisë me historinë kombëtare shqiptare, etj.

 

Motra dhe vëllezër

 

Përvjetorët të tillë janë kujtesë për peshën e lirisë përballë sfidave të njerëzimit, ndoshta është një ditë për atë gjithçka fisnike që bënë heronjtë e martirët e vërtetë. Dhe “… një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekson kujtimin e tyre, jo vetëm në faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradien e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtue mbas shembullit të MËDHANJËVE të vet” (Luigj Gurakuqi)

 

Lavdi Dëshmorëve Të Kombit

 

Rroftë Kombi Shqiptar

 

 



[1] Mbajtur në Akademine Përkujtimore,me radtin e 20 vjetorit të rënies së Dëshmorit të Kombit Luan Hajredinaj,organizuar nga Shoqatat e Luftës së UÇK-së , 6 Maj 2017,Tiranë

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :