Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Universiteti i Elbasanit, promotor ndryshimesh për Arsimin e Lartë në Shqipëri

kastriot 6Universiteti i Elbasanit kthehet në promotor ndryshimesh për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Nën kujdesin e Rektorit të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, profesor dr. Skender Topi, në bashkëpunim me Universitetin e Barit “Aldo Moro” dhe Universitetin e Foggia-s Itali, në këtë Universitet u organizua simpoziumi me temë “VLERËSIMI DHE MISIONI I UNIVERSITETEVE NË PERSPEKTIVËN EVROPIANE”.
Qëllimi i këtij simpoziumi ishte krahasimi i sistemeve të vlerësimit dhe akreditimit të universiteteve në kontekste të ndryshme kulturore dhe shkencore. Ky simpozium iu referua harmonizimit të sistemeve universitare në perspektivën e një kuadri evropian për arsimin universitar, sipas procesit të Bolonjës.
Në këtë aktivitet morën pjesë rektorët dhe administratorët e universiteteve shqiptare, të cilët e vlerësuan atë si të parin aktivitet i cili solli në fokus problematikat e miradministrimit të institucioneve të Arsimit të Lartë.

 

el 344
Një nëntemë e këtij simpoziumi lidhej me europrojektimin, pra me zhvillimin e aftësive inovative, për krijimin e profesionistëve të aftë për të realizuar projekte të financuar me fondet e BE-së, si mjet themelor financimi për projekte dhe veprimtari inovative të zhvillimit në të gjithë sektorët.
Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Elbasanit prof. dr. Skender Topi u shpreh se, Universiteti i Elbasanit e ndërmori këtë iniciativë duke u mbështetur në perspektivat evropiane. “Ëndërra jonë – tha ai- është integrimi evropian, por që të arrijmë atje, duhet të përgatitemi shpirtërisht dhe moralisht në të gjitha fushat”.
Më tej ai nënvizoi: “Element i rëndësishëm është se, një grup profesorësh të Universitetit të Barit shpalosin në këtë simpozium gjithë eksperiencën e tyre shumëvjeçare në raport me ndryshimet që po pëson Arsimi i Lartë në Shqipëri vitet e fundit. Ky takim le të na shërbejë si një ogur i mirë për të parë veten se ku ndodhemi në raport me Evropën”.
Zv. ministri i Arsimit, Ervin Demo, përshëndeti këtë iniciativë dhe u shpreh se institucionet e Arsimit të Lartë janë duke u organizuar. “Ministria konstaton me kënaqësi se, organizimi i brendshëm, që ndahet në dy shtylla kryesore, në organizimin akademik dhe atë administrativ, është duke u përmbyllur brenda vitit 2018. Ligji ka parashikuar qartësisht, jo vetëm ndarjen, por edhe në harmonizimin e kësaj ndarje”.
Duke u nisur nga rasti i Universitetit të Elbasanit, ai ftoi edhe universitetet e tjera që të nxisin kërkimin shkencor dhe krijimin e modeleve më të mira të institucioneve të Arsimit të Lartë, si nga universitetet publike, ashtu edhe ato private.

 

el 1
Rektori i Universitetit “Aldo Moro”, Prof. Antonio Felice Uricchio, shprehu konsiderata të larta për rektorin e Universitetit të Elbasanit prof. Skender Topi duke evidentuar faktin se, të gjithë karrierën akademike, ai e ka përfunduar në Itali. Prof. Uricchio ka përshëndetur raportet e mira të bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre italiane dhe marrëdhëniet me Ministrinë e Arsimit.
Gjithashtu ai u tregua i gatshëm që të demonstrojë eksperiencën e Universitetit të Barit në kuadrin e reformimit të universiteteve shqiptare.
Në këtë simpozium e morën fjalën profesorë të njohur të universiteteve italiane, profesorë dhe administratorë të universiteteve shqiptare të cilët këmbyen eksperiencat për një përqasje evropiane të Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Në fund materialet e këtij e simpoziumi iu shpërndanë gjithë universiteteve shqiptare.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :