Data : 20 07 2018
KryeTitujt :

Traditat dhe zakonet e rralla të Tropojës

Besa e dhënë! Kjo bindje shpirtërore e shqiptarit, deri në masën e flijimit
HISTORI/ Traditat dhe zakonet e rralla të Tropojës, lidhur me dhënien e besës. Virtyti më hyjnor i kësaj zone, i kthyer në mit, deri edhe në simbol të lidhjes direkte me emrin e Zotit…“Ta jap shpirtin, ta fali djalin, por mbi besë nuk shkeli…” Një shprehje që e shpreh më së miri traditën e besës së dhënë në veri të vendit. Por sidomos në zonën e Tropojës, ku ajo ka patur një domethënie të veçantë. Po të futej brenda pragut të kullës edhe gjakësi dhe të kërkonte besë, tropojani nuk e vriste, pasi do deklarohej i lig dhe i pabesë. Ndërsa sjelljet e fisme gjatë ditëve të besëdhënies i kanë sensibilizuar shpirtërisht burrat e mençur që të mendonin dhe të pleqëronin deri në faljen e gjakut…

 

 

 

Nga Skënder Haklaj

 

Besa e dhënë! Është, ose më mirë ka qenë, virtyti më hyjnor i kthyer në mit, në simbol të lidhjes direkte me emrin e Zotit. Besa ishte e shenjtë dhe besohej në shenjtërinë e saj. Ishte adhurim dhe adhurohej nga të gjithë, burrë, grua, plak, i ri dhe fëmijë fare të njomë. Ishte bindje shpirtërore deri në masën e flijimit: “Ta jap shpirtin, ta fali djalin, por mbi besë nuk shkeli”. Gjëja më e shenjtë për një familje ishte kur të fitonte besimin e të gjithëve dhe të thuhej se filan kullë ka besë, në ato troje gjenden burra. Ndërsa “shiblo” do të thotë provokim, sidomos në rastet morale, kur dikush udhëton me gruan, motrën a çdo femër tjetër dhe ti duhet të tregosh shumë kujdes e maturi në fjalë, në gjeste, në shikime e veprime, pra të paraqitesh shumë fisnik, i kulturuar, me besë. Po të futej brenda pragut të kullës edhe gjakësi dhe të kërkonte besë, tropojani nuk e vriste, pasi do deklarohej i lig dhe i pabesë. Bani ligësi, “e vrau në votër e në sofer t’vet”. Ai i jepte besë me afat të caktuar, derisa të largohej nga territoret e fisit. Malësori i besëdhënies e shoqëronte personin në besë deri përtej huduteve të fisit dhe para se të ndahej me të, i vendoste një degë gjethi në jakën e xhamadanit dhe një tjetër në grykën e pushkës. Shenja të koduara të atyre kohërave për të treguar se ky person është në besën e dikujt. Nëse do guxonte ndokush dhe do qëllonte mbi këtë person, atëherë i pari që merrte hak do ishte besëdhënësi. Vetëm pas largimit nga territoret e fisit, besëdhënësi kishte të drejtën e ndjekjes së gjakësit. Në harkun kohor të besëdhënies, dorëgjaksi mund të lëvizte lirisht, pa ndrojtje, pasi askush nuk guxonte ta vriste se “asht n’besë”. Në rast të kundërt, që nuk mbahet mend të ketë ndodhur në Tropojë, ai që guxonte të thyente këtë besëdhënie kishte punë me të zotin e besëdhënies. Dorëgjaksi që kishte kërkuar besë për një afat të caktuar, do bënte kujdes që të mos dilte haptazi atje ku ta shikonin të gjithë, qëllimisht  që të ruante dinjitetin e gjakmarrësit, sidomos nga gojët e liga, se; ‘’po i kalon hazmi nën hundë e s’asht i zoti me bà kurrgjà, i ka dekë ora asaj kulle, s’kan metë burra n’at kullë’’.

 

Sjelljet e fisme

 

Sjelljet e fisme gjatë ditëve të besëdhënies i kanë sensibilizuar shpirtërisht burrat e mençur që të mendonin dhe të pleqëronin deri në faljen e gjakut. Po të kishte ndonjë rast vdekje apo martese, dërgohej një i besuar për të kërkuar besë te gjakmarrësi, deri në dy-tre ditë, aq sa të kryhen këto ceremoni mortore apo martesore. Për rastet e varrimit është dhënë besë pa hezitim, ndërsa për rastet e martesave edhe nuk jepej besë, duke iu kundërpërgjigjur: “Mashkulli jem po kalbet në dhè të zi, ndërsa i yti po e shtjen nusen në gji. As ni dekik’ s’ke me pas besë me mue”. Besëdhënia më e shenjtë jepej në rastet e kobshme, kur trojet i sulmonte hasmi i pabesë. Gjatë ditëve të betejave qëndrestare, gjakmarrësi luftonte në një istikam (llogore) me dorëgjaksin, me besa-besë derisa të mbaronte lufta. Gjakmarrësi tregonte kujdes të veçantë në mbrojte të dorëgjaksit, qëllimisht që mos të vritej, pasi opinioni do e akuzonte si besëpremë: “E ka vra vet, n’moh, (mohim), tinëz, mas shpine. Ka bà faqen e zezë, ligësi, pabesi”. Kur kishte vrasje brenda fisit (brenda gjakut fisnor), mblidheshin krerët e fisit për të vendosur mbi fatet e familjes vrastare. Për këto raste mjaft delikate, zakonisht vendosnin që familja vrastare ta lëshonte kullën, trojet dhe gjithçka që i përkiste, për një afat të pacaktuar. Për t’u larguar nga fisi, i akordonin deri në tre ditë besë, të mjaftueshme sa për të mbledhur “teshë e koteshë”. Në raste tepër të veçanta, kur pushka quhej e ligë dhe hileqare, krerët e fisit e detyronin familjen vrastare të largohej nga fisi, duke i djegur kullën, i sharronin bahçen rrafsh për tokë dhe ja kthenin trojet në “tokë merè”. Trualli, tokat, livadhet, gështenjat dhe kullotat mbeteshin “merè”, të shkreta. Askush nuk kishte të drejtë t’i dëmtonte apo t’i shfrytëzonte këto prona të mbetura merè. Kullotat, arat dhe livadhet mundë të përdoreshin nga banorët e fisit vetëm si kullota, por jo, kurrsesi jo për kultivime e shfrytëzime private. Në rastet kur mund të kishte ndonjë dëmtim me hir apo pahir, atëherë dëmtuesi do gjobitej me napolona floriri ose me kokë bagëtie. Vlera e kësaj gjobe i dërgohej të zotit duke e vënë në dijeni për dëmin dhe masat e marra nga krerët e fisit. Askush nuk guxonte të ndërtonte torishta (vathe), shtëpi apo stane në territoret e mbetura merè. Rikthimi i kësaj familje vrastare, pushk’ligë, mundë të bëhej vetëm në ato raste kur familja e dëmtuar e kishte marrë hakun. Edhe pas hakmarrjes nuk mund të kthehej pa ndërmjetësimin e pleqësisë dhe të krerëve të fisit. Familjes të sapokthyer në pronat e veta u vinin kushte dhe rregulla disiplinore të veçanta.

 

Plaga më e rëndë dhe më tragjike e shoqërisë ka qenë vëllavrasja, gjakmarrja. Ndoshta një zakon parakanunor, sepse kanuni e “ligjëronte” gjakmarrjen në disa pika të veçanta. Ligjet kanunore favorizonin gratë, pleqtë dhe fëmijët të cilët nuk vriteshin për gjakmarrje. Askush nuk guxonte t’i fyente me fjalë të rënda, t’i shante, t’i ofendonte apo të bënte ndonjë veprim fizik e moral. As dhe një bimë misri, as një degë lisi apo një sapet me gështenja nuk prekeshin në pronat e të ngujuarve. Vrasësit e ngujuar bënin tepër kujdes në mbrojtje, ndërsa gjakmarrësit bënin të pamundurën për t’i zënë në befasi.

 

Kurrë nuk ka ndodhur një hakmarrje me pushkë pas shpine

 

Gjithsesi, edhe pasi ta kishte futur në shënjestrën e pushkës, i vinte ligësi që ta qëllonte pas shpine Që t’i kthehej me fytyrë nga pushka, i thërriste: “O filani, more! Jam filani, prite plumin se ma kie borxh , bre!”. Kur ndodhte një vrasje e rastësishme, vrasësit shpejtonin që të njoftonin tërë meshkujt e fisit për ngujim. Ndërsa gjakmarrësit vraponin të hakmerren para se ata të ngujohen. Ka patur raste nga familje trimash, kur hakmarrja është realizuar brenda një ore. Familja e të vrarit mundë të merrte hakun brenda 24 orëve edhe duke vrarë një mashkull të fisit edhe jashtë oxhakut të dorëgjaksit, por vetëm nëse i vrari nuk ishte varrosur. Pas varrimit, gjakmarrja do realizohej duke vrarë vetëm brenda oxhakut të vrasësit, dorëgjaksit. Në rast të kundërt, ata do binin në gjak duke krijuar probleme me tërë fisin, për shkelje të kodit fisnorë. Ka patur familje me emër për fisnikëri e trimëri, kryefamiljari i së cilës deklaronte: “Nuk kam punë me asni mashkull t’atina trolli, vetëm me dorgjaksin që m’ka vra mashkullin”!

 

Dorëgjaksi ishte vet dora vrastare, gjakatore, që kishte qëlluar për vdekje. Në rastet kur “dorgjaksi” përpiqej të hilonte duke bërë udhëtime me grue e fëmjë, qëllimisht për të shpëtuar, atëherë do shpallej hileqarë se po shkelë mbi rregullat e besës dhe të burrërisë. Në këto raste i dërgohej lajmi: “M’ke dalë prej rrug’s zotit, prej renit t’burrnisë e prej bese çi ja u kam dhanë. Je bà mà i lig se ni grue. Prandaj fjalën dhe besën e dhanë e terhjek mrapsht, s’paskem pasë kujt me ja çue. Ultimatum: Kam me ta vra ma t’dhimshmin mashkull t’atina trolli”20. Për asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë nuk duhej të vritej një i ri, adoleshent, të cilit nuk i kaishte djersitur qimja e mustakut, kur akoma nuk e kishte hedhur pushkën në krah. Në rast të kundërt kjo vrasje deklarohej, “pushkë e ligë” dhe dënohej siç e përshkruam më sipër. Tragjedia famëkeqe e vëllavrasjeve shkaktonte dhimbje të tejskajshme. Në këto raste bëhej shumë kujdes për t’ju gjetur pranë familjes të dëmtuar për ta ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes. Dashamirët, fisi, nipa, dajallarë, dhëndurë e kumbarë shpejtonin për t’u bashkuar në vendimmarrjet e kryefamiljarit të familjes së dëmtuar, deri me pjesëmarrje në rrethimin e kullës vrastare. Krerët e fisit ndërmjetësonin për qartësi dhe paqe. Familjen vrasëse e ndihmonin, por vetëm kur dakordësohej fjala me familjen e dëmtuar, t’i jepej besë sa për të lëshuar kullë e truall dhe të shkëputej nga fisi. Këtë familje e merrnin me ndore miq e dashamirë të saj. Familjet e fiseve miqësore, të cilat e merrnin me ndore gjaksin, kishin të drejtën e ndores vetëm brenda territoreve banuese të tyre, jashtë këtyre territoreve kërciste pushka. Në rastet kur trualli i të vrarit nuk kishte mashkull për pushkë, atëherë gjakmarrjen do ta realizonin meshkujt e afërm dhe nipërit, djemtë e motrave. Nipi kishte të drejtë të gjakmerrej për dajallarët, vëllezërit e nënës. Dajat, dhëndurët dhe çdo mashkull i një fisi tjetër, nuk kishte të drejtën e gjakmarrjes. Në rast veprimi do mbanin përgjegjësi, do binin në gjak dhe do ndiqeshin për gjakmarrje.

 

Ai që e filloi ngatërresën

 

Ai që e filloi ngatërresën, po ai propozon për pajtim dhe e shpëton një gjakderdhje të sigurt. Tipa të tillë i cilësonin si burra të mençur dhe i mbanin si shembuj pozitiv të aftësisë intelektuale, për t’i shmangur ngatërresat dhe vëllavrasjet. Por ka patur nga ata “ahmakë”, të cilët nuk të linin asnjë shtegdalje dhe të detyronin të zbresësh në nivelin e tyre. Për këta tipa ka një shprehje kuptimplotë: “Ma mirë me shtij fjalë me ni budall, se me ni ahmak. Se budalla e njeh veten kush asht. Ndërsa ahmaki kujton se asht ai çi s’mundet me kanë dhe nuk t’lshon rrugën e shkon dam”, (Në qoftë se e vret do te shkatërrohet jeta, pa asnjë nderim, njëlloj sikur të vrasësh një kafshë, por më e keqja është se duhet të ngujohesh si për çdo gjakmarrje). Ka patur raste të ekzagjeruara të ngatërresave më ekstreme. Mjaftonte që njëri nga të ngatërruarit të shikonte tokën për rreth dhe tjetri të revoltohej; “Hej! E kqyre tokën m’e gjetë gurin e me m’ra. Veç grykëholla ka me na nda”!. Ka patur raste mjaft të liga edhe pse të rralla, kur tipat tinzarë bënin ligësi me veprime “n’moh” tinëz. Këta tipa intrigantë, të nxitur e të përkrahur nga ziliqarë tinzarë, ndërmerrnin veprime të liga me djegien e ndonjë mullar bari në largësi të kullave. Të thyenin vijat e ujitjes, të digjnin apo të sharronin ndonjë lisë apo gështenjë. Të fishkëllonin apo të bënin ndonjë piskamë përkarshi livadheve kur gratë mblidhnin barin. Të qëllonin me pushkë në ajër ndërsa gratë shkonin në krua për të mbushur ujë. Të fishkëllenin melodi zanore të kota gjatë rrugës në afërsi të ndonjë kulle, ndërsa gratë e kullës pushonin në bahçe. Këto raste kalonin me një dru të mirë, dhunim fizik me paralajmërim se po ndodhi dhe një herë e dytë, nuk do ketë herë të tretë. Se: “Grykëholla të kthen me krye kah Kibla”. Rasti më tinzar ka qenë thyerja e ndonjë koshere blete duke dëmtuar bletët dhe mjaltin. Gjatë natës i qethnin bisht’e jelë kalit në kullotë. Të vrisnin qenin në afërsi të territoreve të kullës. Këto ishin rastet më vdekjeprurëse, pasi kishin të bënin me gjasa imorale: “Ja preu bisht’e jelë kalit, se nuk i ka dalë kukana n’orok” (e përdala në takim). “Ja ka thye bletën se nuk po ja amelzon kukana”. “Ja ka vra qenin se e hetoj kah avitet te kukana”. Në këto raste përflitej për ndonjë grua të shtëpisë edhe kur nuk ishte fare e vërtetë. I zoti i familjes së dëmtuar detyrohej të thërriste në kuvend burrat pleqnarë dhe krerët e fisit për diskutimin e rastit përdhunues.

 

Burrat betoheshin

 

Burrat betoheshin se nga kjo familje nuk kishte dyshime morale, pra nuk kishte ndonjë femër të dyshuar për këto ligësi, por ndokush ka vepruar i shtyrë nga inati apo i paguar me lekë për këtë vepër të ligë. Nëse hidhej ndonjë fjalë dyshimi për filan person, atëherë burrat e kuvendit do ta njoftonin këtë person që të paraqitej në logun e burrave për të bërë ritin e betimit. Betimi bëhej duke u sjellë rreth kullës tre herë me radhë, me gurin e betimit mbi supe dhe duke thënë: “E paça n’qafë ket gurë e ket kullë, n’ket dynja e n’at tjetrën, kurrë s’kam menue as veprue në kët ligësi çi paska bullnisë”. Në rast se personi i dyshuar nuk e pranonte ritin e betimit, atëherë deklarohej fajtor dhe i dëmtuari do kishte të drejtën e përdo-rimit të pushkës. Pra do barazohej jeta e të ligut me qimet e bishtit dhe të krifës së kalit. Me një koshere blete apo me një qenë të ngordhur, sepse kishte të bënte me përdhunimin moral të një familje, të një kulle, të një oxhaku dhe të mbarë fisit. Vrasjet e këtij lloji quheshin gjakmarrje për nder dhe askush nuk kishte të drejtën e hakmarrjes për të vrarin. Nëse familja e të vrarit do të realizonte hakmarrje, atëherë burrat e fisit do e dënonin për pushkën e ligë në kundërshtim me vendimin e kuvendit pleqnarë. Për shumë breza, kjo familje do mbetej e veçuar nga fisi, me damkën e turpit në derë të kullës: “I flliqun e i koritun për ligësi e pabesi”! Meshkujt e asaj kulle nuk i ftonin; “as n’dekë as n’dasëm, as n’miqësi, as n’argati, as n’bjeshkë dhe as në vrri!” Një ndër zakonet më të mira që vlen të respektohet edhe sot, ka qenë kujdesi i veçantë për të sëmurin, të mbeturin në shtroje. Pranë të sëmurit qëndronin me radhë burra e gra, me të gjitha shërbimet e duhura. Por shërbimi më parësor konsiderohej higjiena e të sëmurit. Do quhej turp i pashoq në se të sëmurit nuk do t’i pastrohej fytyra me ujë të ngrohtë e sapun, mëngjes për mëngjes. Në çdo vakt I ndërroheshin rrobat e shtrojes dhe të trupit. Në se do vërehej që këto shërbime mungonin, do flitej me mungesë respekti për atë kullë, në shumë breza. Të sëmurit i vinin miq e të afërm, dashamir dhe të njohur nga të katër fiset për t’i dhënë gajret (kurajo), duke i sjellë plot dhurata të ndryshme, në mallë nga gratë dhe në monedha nga burrat. Vizita të këtij lloji bëheshin për të sëmurin rëndë, për të cilin flitej: “S’ka m’e çue kryet prej shtroje, për kët jetë. Asht ka e ban dergjen e dekës!”. Me të sëmurin e plagosur tregohej shumë kujdes, që të shërohej sa më parë. Atij i bënin të gjitha mjekimet e njohura, me barna e mjek popullorë. Në situata tepër të renduara kërkohej ndihma mjekësore në Gjakovë, pasi vetëm atje kishte mundësi mjekimi.

 

Dhuratat

 

Kur i sëmuri qëndronte për një kohë të gjatë në shtroje, pa dhënë shenja përmirësimi, do të kuptohej nga të gjithë se nuk e ka jetën e gjatë. Nga të afërmit, miq e dashamirë, shpesh-toheshin vizitat dhe shtoheshin ndihmat. Përveç të tjerave, do sillnin dhe ndonjë kokë bagëti për therje. Këto dhurata kishin për qëllim të ndihmohej ekonomikisht familja e të sëmurit, pasi ishte një rast i veçantë, me shumë shpenzime. Një kohë e tejzgjatur, me shkëputje të paparashikuara të meshkujve nga aktivitetet prodhuese, duke qëndruar pranë të sëmurit. Kur të gjithë bindeshin se i sëmuri s’ka shërim, do bënin shumë kujdes që ai të mos e kuptonte situatën. E mbanin me biseda, me shembuj heroik, duke i dhënë kurajo e shpresë se do të bëhej më mirë. Kur i sëmuri e kuptonte se vërtet s’ka shërim, i mblidhte forcat dhe me trimëri sfidonte vdekjen e sigurt. Ai shprehej: “Ma bani hallall mundimin. Keni hjek keq me mue. I madh e i vogël, të shpisë, të fisit, të jaranisë e miqësisë. S’më ka mangue kurrgja si hahet e pihet. As barnat

 

as hyzmeti s’më kanë mangue. Por shpirti nuk mahet me zor. Ai çi ma ka falë, ai asht dakort me ma marrë. Shtërngonju e banu t’fortë, se mue m’duhet me shkue te t’shumtit”. Pas vdekjes të gjithë do shpreheshin: “Qendroi si burrë! Nuk bani as eh as oh, nuk ju ka ndie as gjama as fshama! Bani gajret e na dha gajret! I shkoft shpirti n’xhenet!”, (e mposhti dhimbjen me qëndresë dhe na ndihmoi të qëndrojmë edhe ne).

 

 

 

DUKURIA

 

Gjakmarrja me pagesë

 

Kur gjakmarrja realizohej me pagesë, menjëherë dërgohej lajmëtari te familja e të vrarit për t’i treguar për hakmarrjen. Gjithsesi, vrasja duhej të merrej përsipër nga familja hakmarrëse: “E kam vra unë. E kam marr gjakun çi ma ke pas borxh”! Në bedenat e kullës zbrazej pushka habertare për të deklaruar gjakmarrjen: “O he he hej, moree! Asht marr gjaku i filanit , more!”. Burrat e fisit i shkonin për vizitë: “Të lumtë pushka! Ja zdrite ballin kësaj kulle!”. Ndonjëri nga më të mEnçurit i këshillonte: “Sa e ka grykën e ka nafakën”! (Sa e ngushtë është gryka e pushkës aq është dhe fati që vjen nga pushka). “Mos ju gzoni èrs t’barutit. Exhelxhi I vrami e taksirat’xhi vras’si”. “Exheli nuk asht ftujak, por jetë e hupune e ni mashkulli”! Momentet më kritike që mund të shkaktonin vëllavrasje kanë qenë ngatërresat e rastit, sidomos për radhën e ujit. Kishte nga ata individë tipik të evidentuar si ngatërrestarë, me të cilët shoqëria bënte kujdes t’i mënjanonte sa të ishte e mundur. Këta tipa ngatërrestarë njiheshin kollaj, pasi me fjalët e para atakonin tjetrin duke përdorur fjalor ofenduese. Dhe “fjala qet fjalën” derisa të përfundonin në veprime fizike. Çdo përdhunim fizik do përfundonte me vrasje. Vetë shprehja “ma mirë me m’vra, se me m’ra”, tregon sa fatale do ishte po të qëllohej një burrë me pëllëmbë apo me çdo mjet tjetër. Burri i dëmtuar në fytyrë apo ndonjë vend tjetër nga ku i rridhte gjak, shprehej: “Gjaku lahet vetëm me gjak”. Nëse nuk do kishte armën me vete apo mund të gjendej në kushte të disfavorshme për të kundërvepruar menjëherë, aty për aty, do mjaftohej me betimin absolut: “Vetëm grykëholla ka m’e là fytyrën teme”!. Ka patur nga ata burra të cilët janë kthyer në shembuj mjaft pozitiv për zgjuarsinë e treguar në kapërcimet e këtyre rasteve fatale. Një ndër rastet e shumta të zgjuarsive është dhe ky: “Në livadhet e “filanit” kishin hyrë bagëtia duke shkaktuar shumë dëme. I zoti i livadhit vrapon për t’i përzënë bagëtinë sa më shpejt duke i rrahur me shkop. I zoti i bagëtive vrapon drejt tyre duke e qortuar të zotin e livadhit me zë të lartë: “Janë shtazë, e si kanë ment’ tua, a t’vjen gjynah”. Fjala fjalës dhe prishet dialogu. I zoti i livadhit ndodhej afër gardhit ku befasisht shkul një hu dhe shpejton për te tjetri, i cili ndodhej në mesin e livadhit pa asgjë në dorë. Kur e pa se ai po afrohej drejt tij me hurin e gjatë në dorë, e kuptoi se do ta qëllonte. E mbuloi gazepi (tmerri i turpërimit) dhe me tërë forcën e zërit i thërret: “O filani, more!”. I zoti i livadhit ndalon duke e shikuar atë burrë të çartun, me sy të çakërdisur, sikur të ishte në fazat e një çmendurie të plotë. Tepër i tensionuar i zoti i bagëtive shton: “L’shoje hunin për tokë. Shko, merre pushkën e hajde vrajm. Qe besa, këtu po t’pres” dhe ulet këmbëkryq në mes të livadhit. I zoti i livadhit shkarkon një frymëmarrje nga thellësitë, e përplas hurin përtokë dhe i përgjigjet: “E hangërt dreqi e i biri, hunin tem, t’ramën teme, livadhin tem e lopt’ tua. Bashkë me ty e me mua. Po hajde e t’pshtjellim ka ni duhan. Ndoshta zoti na i avit këto dy men çi na kanë met n’kto golare”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :