Data : 20 07 2018
KryeTitujt :

Torviolli – Beteja dhe fitorja e parë e Skënderbeut

Torviolli - Beteja dhe fitorja e parë e Skënderbeut, kulmi i artit ushtarak
INTERVISTA/ Flet prof.dr. Proletar Hasani, studiues i artit ushtarak: 29 Qershor 1444-2018, 664-vjetori i betejës së Torviollit. Aty ku ushtria osmane, pësoi 8.000 të vrarë dhe të plagosur, 2.000 robër dhe shkatërrimin e tërë materialit të kampit 

Një betejë, e cila do t’i sillte Skënderbeut fitoren e parë ndaj ushtrisë osmane. Dhe që do rrëzonte teoritë,  të cilat rëndom rreket të provojë historiani Oliver Shmid, se ai ishte një drejtues kaçakësh, të cilët dinin të luftonin vetëm në prita malore. Kështu e vlerëson gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, betejën e Torviollit, prof.dr. Proletar Hasani, sipas të cilit, kjo ishte një betejë e rregullt fushore, fitorja e së cilës në teoritë e artit ushtarak ka një rëndësi të madhe, sidomos për një ushtri të vogël, si ajo shqiptare e Lidhjes së Lezhës. Sepse tregoi që me një strategji të zgjedhur, edhe një ushtri e vogël ka shanse të fitojë…

 

Albert Zholi

 

Shumë herë, Skënderbeu paraqitet si legjendë, disa herë mit, herë edhe si joshqiptar. Por si do të përkufizohet në të vërtetë Skënderbeu si figurë ushtarake, nga ju si studiues i artit ushtarak shqiptar dhe më gjerë?

 

Tashmë, i zhveshur nga shkëlqimi dhe aureolat e miteve, Skënderbeu dhe vepra e tij e pakrahasueshme, u ka bërë ballë stuhive dhe sulmeve të historianëve tendenciozë, skepticistë dhe nihilistë, sidomos atyre të huaj. Ata, herë-herë janë përpjekur t’ia ndërrojnë kombësinë dhe herë-herë tentuan ta paraqesin atë, doemos, si një komandant guerrilas apo kaçak hakmarrës, që vërtitej i zemëruar poshtë e lart dhe kuturu Shqipërisë e Ballkanit, pa asnjë vizion dhe strategji. Por përtej këtyre, përtej legjendës, tashmë është vërtetuar shkencërisht se përkundrazi, Skënderbeu ishte realisht një prijës, lider dhe strateg vizionar i përmasave të mëdha, që dinte të bënte aleanca, të udhëhiqte me zgjuarsi, të organizonte ushtrinë shqiptare me përmasa dhe standarde e cilësi luftarake nga më të mirat, me frymë luftarake dhe mentalitet fituesi, edhe përballë një fuqie të madhe të kohës. Me këtë ushtri, ai do të fitonte beteja vendimtare në mbrojtje të atdheut të tij, por edhe më gjerë. Por pa dyshim, që Skënderbeu ishte mbi të gjitha, njohës i shkëlqyer i artit ushtarak shqiptar e atij bashkëkohës, osman dhe europian mesjetar. Njëkohësisht, ai ishte njohës deri në detaje i terrenit tipik shqiptar dhe shfrytëzimit me efektivitet të tij gjatë betejave të shumta që ndërmori në periudhën afro 25-vjeçare që e udhëhoqi ushtrinë e vogël, por fitimtare shqiptare. Po ashtu, Skënderbeu ka qenë një strateg i rrallë dhe vizionar, takticien novator dhe një mjeshtër i vërtetë i ndërtimit të formacionit të luftimit të ushtrisë shqiptare, me veçori nga njëra betejë tek tjetra dhe në përqasje me karakteristikat e kundërshtarëve përballë. Të gjitha këto cilësi e çuan atë tek fitorja dhe suksesi, nga njëra betejë tek tjetra. Për këto cilësi, Skënderbeu ka merituar vlerësimet e larta të shumë prijësve dhe ushtarakëve bashkëkohës, por sidomos gjatë shekujve pasardhës deri në ditët tona. Sipas njërit prej tyre, gjeneralit Xhejms Uollf, “njohuritë e mëdha të artit ushtarak mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemisë. Do të ishte një punë e paçmueshme, po të mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen mes gjithë gjeneralëve të kohëve të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtrie të vogël mbrojtëse”.

 

Në historinë e luftërave të Skënderbeut, çfarë rëndësie ka Kuvendi apo Lidhja e Lezhës e 2 marsit 1444?

 

Vendimet historike të Kuvendit apo Lidhjes së Lezhës të 2 marsit 1444, me organizimin e ushtrisë, rishikimin dhe përforcimin e masave të mbrojtjes së vendit, çlirimin e rajoneve të gjera të Shqipërisë qendrore e të sipërme, që formonin një ndër zonat më strategjike të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkimi politik dhe ushtarak i fisnikëve shqiptarë, përbënin ngjarje tejet të rëndësishme, të cilat i kalonin caqet e botës shqiptare. Këto zhvillime politike në Shqipëri tërhoqën kudo vëmendjen e qarqeve drejtuese, të vendeve evropiane dhe shkaktuan shqetësim në oborrin osman. Për këto arsye, Skënderbeu, duke qenë një njohës i mirë i politikës dhe mentalitetit osman, si dhe të vetë Sulltan Muratit II, ishte mëse i bindur që shumë shpejt, sulltani do të urdhëronte sulmet mbi territorin shqiptar. Kjo, që të mos i linte kohë Skënderbeut të forconte dhe zgjeronte pushtetin e tij në Shqipëri.

 

Në këtë situatë kaq të ndërlikuar, çfarë masash mori Skënderbeu?

 

Skënderbeu, që e priste sulmin e ushtrisë osmane sapo ajo të lirohej nga fronti i luftës me Hungarinë, e kishte përfunduar përgatitjen e ushtrisë, që ajo të ishte e gatshme për t’u përballur me osmanët. Dhe sfida e parë e osmanëve për të rivendosur pushtetin e tyre në territoret shqiptare nuk do të vononte. Për këtë qëllim, Murati II ia ngarkoi komandën Ali Pashës, i cili besohet të ketë qenë subashi i Shkupit. Ai u vu në krye të një ushtrie të përbërë nga 25 000 ushtarë, nga të cilët 15 000 kalorës dhe 10 000 këmbësorë që në qershor të vitit 1444, iu drejtua rajonit shqiptar të Dibrës së Poshtme. Skënderbeu, nëpërmjet zbulimit strategjik, të organizuar deri brenda strukturave osmane, ishte informuar që më parë mbi përbërjen, komandantin, për kohën dhe drejtimin e lëvizjes së forcave osmane drejt tokave shqiptare. Kjo i dha kohë Skënderbeut të mblidhte dhe organizonte një ushtri të përbërë nga 8.000 kalorës dhe 7.000 këmbësorë, të cilat pasi i rreshtoi në fushën e Kasharit pranë Tiranës, i udhëhoqi për në drejtim të vendit, ku ishte drejtuar edhe ushtria osmane, drejt Dibrës së Poshtme.

 

Ku është zhvilluar beteja e parë e ushtrisë shqiptare kundër asaj osmane?

 

Sipas shumë autorëve, Skënderbeu me shtabin e tij, kishte zgjedhur që më herët, që beteja e parë e ushtrisë shqiptare kundër asaj osmane, të mund të zhvillohej në fushën e Torviollit. Kjo fushë beteje edhe sot ende nuk është lokalizuar. Autorë të ndryshëm kanë qëndrime të ndryshme lidhur me vendndodhjen e saktë të kësaj fushe, në Dibër të Poshtme apo në fushën e Domosdovës, pranë Përrenjasit të sotëm. Fushëbeteja e Torviollit, sipas F.Nolit, i cili i referohet historianit Xhanmaria Biemi, ka përmasat shtatë milje gjatësi dhe tre milje gjerësi. Ajo është e rrethuar me male e brigje (kodra) dhe pyje, nga të gjitha anët. Pikërisht në këtë fushë, Skënderbeu kishte zgjedhur dhe vendosur të ndeshej me ushtrinë osmane, në një betejë të rregullt fushore, përkundër asaj që rëndom rreket të provojë historiani Oliver Shmid, se Skënderbeu ishte një drejtues kaçakësh, të cilët dinin të luftonin vetëm në prita malore.

 

Si është komentuar beteja e Torviollit nga historianët e ndryshëm ushtarakë?

 

Torviolli ishte beteja e parë dhe fitorja e saj, në teoritë e artit ushtarak ka një rëndësi të madhe, sidomos për një ushtri të vogël, si ajo shqiptare e Lidhjes së Lezhës. Prandaj Skënderbeu me gjeneralët fisnikë të tij me përvojë i kushtuan vëmendje të madhe planit për zhvillimin e saj me sukses. Pjesë e planit për betejën e Torviollit ishte që ai me një grup kalorësish, të drejtuar nga vetë Skënderbeu, të merrte kontakt me forcat e ushtrisë osmane që në hyrje të territorit shqiptar. Më tej, të ndërmerrte goditje të befasishme të pjesshme mbi kolonat e ushtrisë osmane, kryesisht nëpër prita dhe në vijim, të tërhiqte forcat osmane, me idenë se forcat e pakta shqiptare ishin të pafuqishme dhe të mundura, duke i ndjellë forcat osmane aty ku ishte parashikuar beteja vendimtare, pikërisht në fushën e Torviollit. Ndërkohë që ushtria osmane ishte vënë në ndjekje të forcave shqiptare, të cilat tërhiqeshin kinse drejt fushës së Torviollit, ndërsa ruante kontaktin me ta, forcat kryesore të ushtrisë shqiptare kishin nisur afrimin sipas planit të parashikuar më parë në fushëbetejë. Sipas të dhënave të hollësishme që sjell në librin e tij M. Barleti, në fushën e Torviollit u afruan forcat kryesore shqiptare, në pritje për t’u rreshtuan sipas planit të betejës, gjithsej 9.000 ushtarë dhe forcat rezervë me 6.000 ushtarë të tjerë. Në bazë të këtij plani, Skënderbeu urdhëroi vendosjen e ushtrisë shqiptare për një betejë të hapur, sipas rregullave të artit ushtarak mesjetar. Forcat kryesore ai i ndau në tre grupime me nga 3.000 ushtarë secili. Nëse i referohemi Barletit, por edhe disa burimeve të tjera historike, grupimi i krahut të djathtë komandohej nga komandanti me përvojë Tanush Topia, kurse i majti nga një tjetër komandant i sprovuar, Moisi Golemi. Të dy grupimet përbëheshin nga 1.500 kalorës dhe 1.500 këmbësorë secili dhe e ndërtuan formacionin e luftimit në të njëjtën mënyrë, në dy vija, me kalorësit në vijë të parë dhe këmbësorët në vijën e dytë. Ndërkohë, grupimi i qendrës u vendos i tërhequr pak mbrapa, duke i dhënë rreshtimit të ushtrisë shqiptare formën e një harku të lehtë, të harkuar nga brenda,në qendër të tij. Ky grupim komandohej nga vetë Skënderbeu,i ndihmuar nga dy komandantë të njohur, Ajdin Muzhaqi dhe Gjergj Balsha. Por, në dallim nga dy grupimet e tjerë, ky i qendrës irre shtoi forcat në tri vija, në të parën 1.000 kalorës, në të dytën 1.000 shigjetarë këmbësorë dhe në vijën e tretë, gjithashtu 1.000 kalorës të tjerë. Skënderbeu me Gjergj Balshën u vendosën midis vijës së parë dhe të dytë. Binte në sy se në vijën e parë të formacionit luftarak shqiptar ishte vendosur kalorësia. Kjo ishte bërë e kushtëzuar, për shkak se edhe vija e parë e rreshtimit të forcave të ushtrisë osmane përbëhej nga kalorësia, por edhe për t’i dhënë fuqi goditëse, shpejtësi dhe manovrueshmëri vijës së parë të forcave shqiptare, që mbështeteshin fort nga këmbësoria dhe shigjetarët. Ndërkaq, forcat e rezervës me 6.000 ushtarë, që komandoheshin nga një radhë komandantësh të sprovuar, mes të cilëve Hamza Kastrioti, u ndanë në dy grupime, njëri me tremijë kalorës u fsheh një natë më parë në pyjet e krahut të majtë të forcave kryesore. Ky grupim ishte ndarë brenda tij në 5 grupe, me nga 600 veta secili. Përbërja e këtij grupimi, tërësisht kalorësi, u mundësonte atyre shpejtësi në manovër dhe goditje në krahë dhe në shpinë, në befasi të plotë, duke ndihmuar e lehtësuar ndjeshëm forcat kryesore në përballje me kundërshtarin. Grupimi tjetër rezervë, gjithashtu me 3.000 ushtarë, të përbëra nga forcat e kalorësisë të komanduara nga Vrana Konti dhe ato këmbësore të Marin Spanit, u fshehën pas formacionit luftarak të forcave kryesore, në qendër të formacionit luftarak shqiptar.

 

Pra, parashikimet e Skënderbeut u përvijuan qartë gjatë betejës?

 

Beteja nisi pothuajse sipas parashikimit. Skënderbeu, me një pjesë të kalorësisë, mori kontakt me forcat e pararojës së ushtrisë osmane që në hyrje të territorit shqiptar, ndërmori disa goditje të befasishme dhe të shpejta me grupe kalorësish kundër kolonave të ushtrisë osmane që po afrohej. Të ndodhur përballë epërsisë së madhe osmane, kalorësit shqiptarë, duke manovruar me mjeshtëri, mundën të krijojnë tek armiku përshtypjen se ishin mundur dhe filluan tërheqjen. Kjo taktikë synonte ta ndillte armikun në vendin e betejës. Ajo u krye në bazë të një plani të menduar mirë. Në krye vepronin trupat e mbulimit të komanduara nga Vrana Konti, të cilat duke ngadalësuar përparimin e ushtrisë osmane, lehtësonin shkëputjen e kontaktit dhe tërheqjen me grupe të forcave shqiptare. Ndërkohë, Ajdin Muzhaqi ishte dërguar më herët në fushën e Torviollit, me detyrë që të rreshtonte ushtrinë shqiptare, e cila vinte grupe-grupe sipas planit të parapërgatitur të betejës. KurseSkënderbeu, nga njëra anë ndihmonte trupat e mbulimit, nga ana tjetër vinte rregull në trupat që kishin shkëputur kontaktin, duke i dërguar ato me grupe në fushën e betejës. Siç rrodhën ngjarjet, Skënderbeu e realizoi qëllimin kryesor, për ta ndjellë ushtrinë osmane në drejtim të fushës së Torviollit. Kur tërheqja e forcave të ushtrisë shqiptare poi afrohej fundit, ai e urdhëroi Vrana Kontin të shkëpuste kontaktin me trupat e mbulimit dhe sipas planit, të vendosej në fushën e Torviollit, në rezervë, pas formacionit luftarak të forcave kryesore. Për rrjedhojë, në mbrëmjen e datës 28 qershor, ushtria shqiptare ishte rreshtuar në fushën e Torviollit sipas planit të betejës. Përballë saj, po rreshtohej gjithashtu edhe ushtria osmane, por beteja nisi vetëm në agimin e datës 29 qershor, kur forcat e të dyja ushtrive ndodheshin të rreshtuara rishtazi, gati për betejë. Nga pamja e jashtme dukej sikur ushtria osmane e kishte të sigurt fitoren. Të rreshtuar në formacion luftarak ndodheshin 25.000 ushtarë osmanë kundër 9.000 ushtarëve shqiptarë, që sipas studiuesit të njohur të historisë ushtarake, Shahin Leka, ishin në një raport forcash 1.8: 1. Për forcat e rezervës, komanda osmane s’kishte asnjë të dhënë. E ndodhur në kushte më të favorshme dhe, në pikëpamje të terrenit, komanda osmane mendonte se e kishte futur ushtrinë shqiptare në një grackë të vërtetë! Duke vlerësuar drejt forcat e veta, armikun dhe terrenin, Skënderbeu lejoi që, në kushtet e epërsisë që kishin osmanët, si në pikëpamje të forcave ashtu edhe të terrenit, goditjen e parë ta jepnin ata, veprimet e ushtrisë filluan me një sulm demonstrativ me një pjesë të forcave, me synimin që të ndillnin kalorësinë shqiptare, ta shkëpusnin nga formacioni luftarak dhe pastaj ta asgjësonin. Por, Skënderbeu e kuptoi këtë dredhi, prandaj dha urdhër ta ndërpritej ndjekja e kalorësisë armike e cila, pas sulmit demonstrativ, po tërhiqej. Në këtë mënyrë, plani i parë i ushtrisë osmane dështoi.

 

Ku e dha goditjen kryesore ushtria osmane?

 

Ashtu siç ishte parashikuar, ushtria osmane goditjen kryesore e dha në qendër, ku drejtonte vetë komandanti i saj, Ali Pasha. Siç dukej, ideja e tij ishte që duke çarë në qendër, ta ndante në dysh formacionin e ushtrisë shqiptare dhe t’i asgjësonte pastaj të dyja pjesët, veç e veç. Por, sulmet e tyre të përsëritura e të fuqishme në këtë drejtim, u përballuan me sukses nga garda e komanduar nga vetë Skënderbeu. Ndërkohë, luftimet morën karakter të ashpër edhe në të dy krahët. Për pasojë, aty nga mesi i ditës, situata në krahun e majtë, që komandohej nga Tanush Topia, paraqitej më e nderë. Mjaft ushtarë e komandantë trima kishin rënë heroikisht në fushën e betejës. Në këtë çast kritik u futën në luftim, në mënyrë të befasishme e të shpejtë grupet e kalorësisë së rezervës shqiptare, të komanduara nga Hamza Kastrioti dhe kapedanët e tjerë, duke e dhënë goditjen në krahun e djathtë të ushtrisë turke si dhe nga shpina e saj. Së bashku me të hyri në luftim edhe kalorësia rezervë e Vrana Kontit, e cila dha goditje të fuqishme përballë. Në krahun e djathtë të ushtrisë osmane iniciativa kaloi plotësisht në duart e forcave shqiptare. Në pak kohë, ky krah i armikut, mes dy zjarresh, u asgjësua plotësisht. Forcat e krahut të djathtë, duke shfrytëzuar situatën e favorshme që u krijua, u hodhën në sulm të fuqishëm nën komandën e Moisi Golemit dhe e shpartalluan edhe krahun e majtë të armikut.

 

Pas këtij momenti, ku u përqendruan luftimet?

 

Pas kësaj, luftimet tani u përqendruan në qendër. Këtu, komandanti i ushtrisë osmane, duke vepruar me pjesën më të zgjedhur të ushtrisë dhe duke u mbështetur në epërsinë e madhe që kishte krijuar në forca e mjete, epërsi kjo që rritej edhe si rrjedhim i ardhjes në qendër të forcave nga drejtimet e tjera, kishte mundur të krijonte një pykëzim të lehtë. Por, me shpartallimin e krahëve të ushtrisë osmane, qendra tani ndodhej si në një darë, kështu që gjendja në të po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Në këtë moment delikat, Skënderbeu urdhëroi futjen në luftim të rezervës së këmbësorisë, të komanduar nga Marin Spani dhe manovrën e kalorsisë së Vrana Kontit në drejtim të qendrës. Mbërritja e këtyre reparteve e ndryshoi raportin e forcave edhe në sektorin qendror. Nën drejtimin e Skënderbeut, që sulmonte në ballë, forcat e ushtrisë shqiptare u hodhën në sulm të furishëm, duke e shkatërruar përfundimisht edhe qendrën e ushtrisë turke. Ky ishte fundi i betejës!

 

 

 

ARGUMENTET

 

Si arriti që të fitonte ushtria shqiptare e Lidhjes së Lezhës?

 

Humbja e rëndë e ushtrisë osmane në Torvioll, ishte jo vetëm humbje e betejës së parë me ushtrinë shqiptare. Përtej kësaj, ajo ishte edhe një paralajmërim serioz për Sulltan Muratin II, se një periudhë e vështirë dhe një kundërshtar i vogël në numër, por i madh dhe i fuqishëm ushtarakisht në fushën e luftës, e priste tashmë. Kjo ishte ushtria e Shqipërisë së vogël, por me një udhëheqës, strateg dhe komandant të madh, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ushtria jonë e re dhe e panjohur, befasoi me strategjinë e ndjelljes dhe mashtrimit të ushtrisë osmane, duke e vënë atë përpara të papriturës dhe detyrimit që ajo të ndeshej në vendin e parapërgatitur nga Skënderbeu dhe komandantët e tjerë, për zhvillimin e betejës vendimtare. Një tjetër dukuri ishte edhe përzgjedhja dhe studimi paraprak i vendit ku do zhvillohej beteja, nga ana e Skënderbeut dhe komandantëve të tjerë. Këtij fakti i shtohej padyshim edhe detajimi i planit të saj, si dhe ideimi dhe detajimi i një formacioni efikas të, gjë që çoi në një luftim racional, të suksesshëm dhe tek e fundit, fitues të betejës së parë nga ushtria shqiptare, krejt e panjohur dhe e nënvlerësuar nga osmanët. Suksesi i betejës së Torviollit duhet parë edhe nga një pikëpamje tjetër, shfrytëzimi racional i territorit të fushëbetejës. Po ashtu, fushëbeteja e Torviollit mundësonte fushëpamje të plotë e, për rrjedhojë, edhe bashkëpunim po aq të mirë midis forcave të kalorësisë, me ato të këmbësorisë dhe ndërthurjes së gjetur të tyre midis vijave të formacionit të luftimit, të kompozuar dhe ndërtuar mjeshtërisht nga Skënderbeu dhe oficerët e tij. Megjithatë, beteja e Torviollit, në pjesën e parë të saj u gërshetua edhe me elementë të luftës partizane, si ndjellja, mashtrimi dhe manovra për ta lodhur, goditur, për ta dëmtuar e mashtruar, me synimin për ta sjellë kundërshtarin në vendin ku ishte parashikuar zhvillimi i betejës vendimtare.

 

 

 

DËMET

 

Rezultatet katastrofike për turqit, mbi 8.000 të vrarë e të plagosur

 

Beteja e Torviollit përfundoi me shpartallimin e plotë të ushtrisë osmane, në përmbyllje të së cilës, ushtria osmane, sipas F. Nolit, pësoi humbje të rënda, 8.000 të vrarë e të plagosur. Gjithashtu, u zunë 2.000 robër, mijëra kuaj, si dhe tërë materiali i kampit. Ndërsa, nga pala shqiptare ranë në fushën e betejës rreth 1. 600 veta, kurse 2. 000 të tjerë u plagosën. Ndonëse shifrat e mësipërme kanë qenë dhe mbeten të diskutueshme dhe të ndryshme nga njëri autor tek tjetri, ato janë dëshmi e pakundërshtueshme e sprovës së parë luftarake fituese të ushtrisë shqiptare dhe e disfatës së parë të ushtrisë osmane, e cila do të pasohej nga disa dhjetëra të tjera në harkun e 25 vjetëve të udhëheqjes së Skënderbeut, deri në vdekjen e tij.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :