Data : 25 05 2018
KryeTitujt :

SI U KRIJUA KËNGA “XHAMADANI VIJA-VIJA” nga kompozitori ZEF ÇOBA

  Isa Alibali   

 isa_alibali-1

“Se kënga do prush,

do zemër,

do shpirt.”

 Din Mehmeti

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                           Një ditë po Një ditë po bisedonim mes shokësh e miqësh për krijimet e kompozitorëve tanë të viteve të fundit dhe secili po jepte mendimet e veta lidhur me momentet e ndryshme të frymëzimit në krijimin e këngëve. Folëm për  disa histori se si janë krijuar këngë të ndryshme, se frymëzimi dhe krijimi i një kënge, si nxitje fillestare, zakonisht ka një ngjarje të caktuar që shpesh herë është mjaft interesante.

Zef Çoba nuk po fliste, por këtë nuk e vumë re në fillim, sepse biseda po rridhte natyrshëm dhe nuk kishte rëndësi se kush e merrte fjalën. E pamë se kishte hedhur vështrimin diku larg dhe nuk e kuptonim në se e kishte mendjen në bisedat tona, të cilat kaluan  natyrshëm tek këngët me temë atdhetare, dhe veçanërisht për ato me temë për Kosovën. Këtu Zefi është mjaft i ndjeshëm, prandaj nuk mundi pa folur:

-Është e vërtetë se momentet e krijimit të një kënge të re janë të ndryshme, por nga ndonjëherë ndikojnë edhe faktorë në dukje të jashtëm, ose “me porosi”, siç thuhet shpesh. Kështu më ka ndodhur në dy raste.  Por edhe pse për të dy rastet mua m’i kërkuan këto këngë, ishin grumbullime të kahershme që më vlonin në gjithë qenien time. Po ju tregoj në fillim se si kam krijuar këngën “Kam nji lot, m’pikon si ar” ose, siç quhet shpesh, “Xhamadani vija-vija”. Po përgatisja një emision në Radio-Shkodra me këngëtaren e njohur Shkurte Fejza, e pëlqyer shumë si një nga solistet e njohura të këngës popullore të Veriut. Në javën e ardhshme e kishin kërkuar në një emision të Vera Grabockës dhe e kishin porositur të paraqitej edhe me një këngë të re. Mbeti  puna që këtë të ma kërkonte mua. Kishte vetëm gjashtë ditë kohë dhe mendoja se ishte e pamundur që të realizohej një gjë e tillë. Ajo ngulte këmbë që t’ia bëja unë këngën. Megjithatë nuk i premtova, sepse me të vërtetë më dukej krejt e pamundur për të krijuar një këngë me vlerë. E pashë se ishte e mërzitur. Kur ajo, me të shoqin, dolën nga Radio-Shkodra, shkova në shtëpi i menduar. Nuk isha i qetë. M’u  shfaq repertori i kësaj këngëtareje dhe vura re se ai kishte kryesisht temën patriotike. Edhe unë duhej t’i bëja një këngë patriotike, mendova. Ajo vinte nga Veriu, në kufi me Kosovën. Prandaj më duhej një tekst me këtë temë. Alfred Çapaliku  është një nga poetët tanë më të mirë dhe unë kisha bashkëpunuar me sukses disa herë me të. Ishte ora dhjetë e mbrëmjes. U nisa për në shtëpinë e tij. Kishte rënë për të fjetur. – Çohu, – i thashë, – do të bëjmë një këngë bashkë. – Më lë të fle! Nesër punojmë. – Jo, jo, duhet sonte, – i thashë. Deri në mëngjes herët bëmë tekstin. Ishte një bashkëpunim i këndshëm, sepse të dy e mblodhëm mendjen dhe iu vumë punës. U shkrinë në një dy vullnetet tona artistike, sepse, siç e dini, bukuria e këngës qëndron në këtë bashkim dhe harmoni të tekstit me melodinë. Kosova në atë kohë ishte në një gjendje të rëndë. Ishte viti 1995 dhe gjendja e saj ishte shumë e papërcaktuar. Nuk dihej se si do të shkonin rrjedhat e ngjarjeve të asaj kohe. Kishte një rënie shpirtërore në popull, megjithëse kazani ziente përbrenda. Ngarkesat historike ishin të tilla që ndërsa Shqipëria kishte fituar një status të ri, Kosova ishte ndryshe dhe kishte probleme. Duhej që çështja patriotike të njësohej, sepse vetëm kjo duhej të ishte perspektiva. Shqipëria e Kosova janë një. Këtë temë trajtuam në tekst, por duke marrë anën më pozitive, më optimiste. Shkova në shtëpi me tekstin e shkruar,  i ngarkuar me mbresa të fuqishme dhe më dukej se këngën tashmë e kisha gati. Në gjashtë të mëngjesit e përfundova atë. Fjeta tri orë dhe në orën nëntë erdhën  Shkurte Fejza me të shoqin, një menaxher i rrallë dhe mjeshtër për të të bindur. E dëgjuan këngën dhe “u ngjiti” menjëherë. Ua dhashë partiturën së bashku me një letër për Shpëtim Saraçin. Ky bëri punë shumë të mirë dhe brënda javës, në kohën e kërkuar nga Vera, kënga ishte gati. Shkurte Fejza u paraqit të shtunën në koncert. Po ta shikosh realisht, dukej se kënga nuk përputhej me tërësinë e koncertit modern. Një këngë me karakter folklorik dhe e kënduar nga një këngëtare e mirëfilltë popullore, sikur nuk pranohej në këtë koncert. Por ndodhi e kundërta.  Në atë kohë njerëzit kishin nevojë për një ngritje shpirtërore dhe optimizëm.  Më vjen mirë se kjo këngë u pëlqye shumë në koncert dhe më pas mori flatra dhe u përhap me shpejtësi që nuk e parashikuam as unë as Alfredi. Ne e kishim quajtur në fillim “Kam nji lot, m’pikon si ar” por më vonë, krejt natyrshëm” u quajt “Xhamadani vija-vija” nga një prej  vargjeve të saj. Kënga fitoi popullaritet absolut. Kudo jashtë më kanë njohur si krijues i kësaj kënge. Asnjë këngë tjetër nuk ka pasë përhapje të tillë.”

 
Është një këngë që vetëm dy artistë patriotë si Zef Çoba e Alfred Çapaliku, mund ta krijojnë. Të dy ia kanë kushtuar gjithë jetën artit jo vetëm me njohjen e studimet e tyre, por edhe me krijimtarinë e tyre të pasur. Kjo është një këngë që të mobilizon e të bën që ta duash më shumë vendin,  tonë, Shqipërinë. Prandaj është kthyer në një hymn për Atdheun.

Ja teksi i plotë i kësaj këngë të bukut:

 
 

 

Kam një lot m’pikon si ar,

se ndër shekuj jam shqiptar,

E kur malet m’i mbloi bora,

për atdhe kangës ia mora.

Ref. Rreh si zemër çiftelia,

O asht’ Kosova, o asht’ Shqipnija.

 

Asht’ një qiell që na bashkon,

E një diell që na burrnon,

Asht’ një gjuh që e flasim të tanë,                                E një tokë që e thrrasim nanë.

Ref. N’xhamadanin vija vija,

O asht’ Kosova, o asht’ Shqipnija.

 

N’rrugen time për n’Shqipni,

M’ka percjell njaj Drini i Zi,

Dhe u nisa për me ardhë,

Porsi vala e Drinit t’Bardhë.

Ref. Bjen lahuta e sharkia,

O sa e madhe asht SHQIPTARIA!

 

(Shenim që nuk do koment: Mendoj se vargu i fundit këndohet gabim  “Sa e madhe asht Shqipnia”)

 
 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :