Data : 16 10 2018
KryeTitujt :

Si e humbën jetën katër marinarë të nëndetëseve të Pashalimanit në ’67-ën

Si e humbën jetën katër marinarë të nëndetëseve të Pashalimanit në ’67-ën

 

Si e humbën jetën katër marinarë të nëndetëseve të Pashalimanit në ’67-ën
HISTORI/ Flet Remzi Gjika, njeriu që shërbeu në bazën e Pashalimanit: Dalja nga Traktati i Varshavës në ’68-ën, nëndetëseve qeveria iu dha urdhri të kalonin në situatë luftarake. Apeli i Mehmet Shehut: De facto kemi dalë, tani dalim de juro prej tij! 

“Në vitin 1967, për shkak të një avarie në karikim ndodhi një ngjarje tragjike, e cila u pagua me jetën e katër marinarëve që ishin në shërbim dhe nëndetësja u bë shkrumb…”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, Remzi Gjika, njëri prej njerëzve që një pjesë të jetës së tij ua kushtoi pikërisht këtyre mjeteve detare dhe që ndër vite mësoi shuam sekrete të tyre. Disa prej tyre ai i sjell edhe për lexuesin tonë, mbarsur me frymën e asaj kohe, kur ai shërbeu në bazën e Pashalimanit dhe urdhrave për nëndetëset që jepte qeveria ish-komuniste. E tillë është për shembull atmosfera që ai rikujton pas largimit të rusëve nga baza. Por edhe urdhri i posaçëm për të qenë në gjendje gadishmërie, sapo vendi ynë doli nga Traktati i Varshavës…

 

 

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

Si nisi eksperienca juaj me nëndetëset? Cili ka qenë kontakti juaj i parë me to?

 

Mbas mbarimit të shkollës së instruksionit, u bënë ndarjet nëpër anije dhe unë u caktova në nëndetëse. Fillimisht, kurioziteti për t’i parë ato ishte i madh, por në të njëjtën kohë edhe ankthi, disi edhe frika…

 

 

 

A ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme në nëndetëse në atë periudhë?

 

Në vitin 1967, për shkak të një avarie në karikim ndodhi një ngjarje tragjike, e cila u pagua me jetën e katër marinarëve që ishin në shërbim dhe nëndetësja u bë shkrumb. Ishte fati ynë dhe i qytetit të Orikumit e ndoshta edhe më tej, që anija në atë moment nuk ishte e armatosur me silura, se do të behej hataja nga shpërthimi i gjithë bazës…

 

 

 

Po si ndodhi ajo? A mund të na tregoni detajet e kësaj ngjarje të rëndë?

 

Ishte mëngjes herët, i majit të vitit 1967. Rreth orës 5 të mëngjesit u dëgjua një shpërthim i jashtëzakonshëm dhe më pas, një tym i zi mbuloi rajonin e bazës. Disa minuta më pas, u dëgjuan edhe sirenat e alarmit dhe ne u çuam të tronditur, pa ditur çfarë kishte ndodhur, por me frikën se patjetër që kishte një ngjarje me pasoja. Për një kohë shumë të shkurtër, e gjithë baza u vu në gatishmëri dhe mjetet detare dolën në det për të parandaluar ndonjë ngjarje tjetër. Po me atë urgjencë, filloi dhe lëvizja e auto-ambulancës drejt qytetit të Vlorës. Në mol mbeti nëndetësja 4, e cila nxirrte akoma tym si një qenie që rënkonte. Në atë kohë u bë e qartë, se kishim një ngjarje me pasoja të mëdha. Një ngjarje e jashtëzakonshme në fakt, që shkaktoi alarm edhe në organet e larta të partisë e qeverisë së asaj kohe. Baza u zhyt në një situatë zie të paimagjinueshme. Për efekt të ruajtjes se sekretit shtetëror ato ngjarje nuk publikoheshin, por fjala dilte, sepse në uzinë punonin dhjetëra civilë që shkonin në Vlorë. Në ato ditë dhjetëra prindër, që e dinin ku u shërbenin djemtë , vinin në postbllok për të mësuar për fatin e tyre. E kam shumë të freskët në kujtesë atë situatë, kur helikopteri me ministra dhe kuadro të larta, vinin e largoheshin në Pashaliman, për të sqaruar shkaqet dhe për të vendosur gatishmërinë luftarake.

 

Në atë atmosferë të tensionuar e filluam shërbimin në nëndetëse. Njohja e përgjithshme e anijes dhe e të dhënave tekniko-taktike ishte tema e parë e ditës së parë. Për atë, që futet për herë të parë në nëndetëse, i duket e çuditshme sesi një uzinë e tërë manovrohet në det mbi ujë e nënujë. Habia, krenaria, frika ishin bashkë qenies sonë deri në tkurrjen e tyre në një të vetme: Krenari e besim!

 

Ajo atmosferë tronditëse mbizotëroi për shumë ditë. Ishte një dëm i pallogaritshëm, në radhë të parë për humbjen e jetës së katër marinarëve, bij të nënave që kishin ardhur të kryenin detyrën për sigurimin e paprekshmërisë së atdheut. Por e madhe ishte edhe humbja e një nëndetëseje, e cila doli jashtë gatishmërisë luftarake.

 

Më tej, pas asaj që ndodhi, mbledhjet dhe analizat ishin në traditën e punës, për të nxjerrë shkaqet, përgjegjësitë dhe detyrat, sepse ishte një ngjarje që mund të përsëritej, nëse nuk u bëhej autopsia të gjithë elementëve. Duhet ditur mirë se në atë shërbim shumë special, ka rregulla të rrepta. “Çdo pikë e rregullores dhe e instruksioneve, – na thoshte Koço Lubonja, një oficer i vjetër i përgatitur në ish-Bashkimin Sovjetik, – është e shkruar me jetën e kush e disa njerëzve. Ka ndodhur një avari e rëndë dhe janë gjetur pasojat dhe është vendosur një pikë në instruksion për ta parandaluar. Kjo nuk është për frikë, por të hapni sytë, se nuk është kalë që të rrëzon dhe do t’i hipësh prapë”. Pastaj, për të zhdukur efektin alarmues tek ne ia kthente me humor: “E,e! Flotë, mos e merrni me frikë, ja tek jam unë, që kam 10 vjet, sa ton çaj do pijmë akoma!”.

 

Ndërkaq, ditët kalonin dhe ne po bëheshim si të shtëpisë, sa ditë kalonin dhe më pak trokisnim kokën për rubintash, aparatesh të ndryshme, që ishin me qindra dhe duhej të kishe vëmendjen. Organizimi i brendshëm bëhej me poste luftarake, që ishin të shumtë, tamam si organet e një organizmi, prandaj në mënyrë figurative thuhej: motoristët “zemra e anijes”, ndërlidhja “truri”, aparatet akustike e r/llokative “syri dhe veshi”, silurat “grushti” etj.

 

Kabina e radiolokacionit ishte në lokalin e tretë, ku ishte lokali i komandimit të anijes. Brenda mund të ulej me shtrëngim vetëm një marinar, që bënte operacionet e vrojtimit, kurse tjetri, rrinte në një korridor të ngushtë, ose në gjumë, në rast të shërbimeve të gjata. Lokalet, që ishin njësia bazë e konstruksionit të anijes ishin me ndarje hermetike nga njeri- tjetri, që në rast avarie, mbytje, lokali tjetër shkëputej nga funksionimi, nëndetësja vijonte të kryente detyrën e të mbijetonte. Kuptohet, këto janë situata tepër ekstreme të rrezikshme, të kohës së luftës, të parashikuara në ato instruksionet që përmenda, por praktika është një realitet tjetër. Mjafton të kujtojmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore janë mbytur me dhjetëra, për të mos thënë me qindra nëndetëse.

 

 

 

Si ishte shërbimi në Pashaliman në verë, a u përshtatët me lundrimet nën ujë?

 

Shërbimi ishte i vështirë, në temperatura mbi 40 gradë, me shumë tensione, sepse gjatë lundrimit jepeshin situata të ndryshme duke imituar situata, që mund të ndodhnin në kohë lufte. Lundrimet sa me kënaqësi i prisnim, po me aq lodhje mbylleshin. Kur kishte valëzime mbi 6 ballë, koka na përplasej nëpër aparatura dhe mezi prisnim të ngulnim këmbët në tokë, bile edhe toka na dukej sikur lëvizte nën këmbët tona. Për fat të mirë, nuk më zinte deti dhe nuk villja, ushqimin e haja, bile edhe racione plus nga të shokëve që i zinte deti. Irakliu, një marinar, nga Vlora, ishte kuzhinier, në lokalin fqinj me tonin dhe shkoja nga shkoja e më jepte të pija komposto, teksa shkrihesha në djersë nga temperaturat e larta, që krijoheshin nga puna e aparaturave, të cilat ishin me qindra ngjitur në trupin e anijes, si kërmijtë në pranverë, pas drurëve ose gurëve.

 

Kurse pasditja zakonisht ishte e lirë, dilnim e shëtisnim ose shkonim në dhomën e kulturës, ku disa lexonim libra, ose loznin shah. Nuk mungonin as veprimtaritë si konkurse , shfaqje artistike midis anijeve. Këto e mbushnin jetën e gjatë të këtij shërbimi. Liroheshin disa, vinin të rinj dhe vitet ecnin ngadalë. Re mërzie na mbulonin, kur kujtonim vitet që do të kryenim. Shokët mbaronin fakultete, krijonin familje dhe bëheshin me fëmijë, kurse ne u binim rubintave të anijes me kokë. Ngado na mbushnin kokën me parullat, të tilla si “shërbimi ndaj atdheut, detyrë patriotike” etj., por edhe idealizmi ka kufi. Megjithatë, vetë gjenim forca dhe e kapërcenim mërzinë. Veç shumë shokëve të njohur dhe të rinj që njohëm aty, një shok i mirë që nuk m’u nda, ishte libri. Aty kishte bibliotekë të thjeshtë, ku pjesën dërmuese e zinin librat politike, por ne merrnim libra artistikë edhe nga shtëpia dhe i kalonim dorë më dorë në atë rreth shokësh që ishin të interesuar. Me Xhevit Dashin, një mësues nga Durrësi, Vasil Llapa po nga Durrësi, kishim filluar që në shkollën e instruksionit, mësimin e anglishtes, me një metodë të thjeshtë. Ndërkaq, në atë periudhe, Komiteti i Rinisë mori një iniciative, që noti të shtrihej në një periudhë më të gjatë.

 

Gjiri i Pashalimanit është i bukur, prandaj ka qenë pre’ e lakmive që në kohën e ilirëve,romakëve, bizantinëve, turqve dhe se fundi të sovjetikëve. Aty janë zhvilluar disa drama midis aktorëve më të mëdhenj të historisë, që janë perandorë, konsuj, pashallarë dhe gjeneralë. Pas tyre, ishim ne aktorët dhe zotët e vendit dhe kjo na bënte krenarë…

 

 

 

Si kujtoheshin ditët e largimit të ushtarëve rusë nga Pashalimani?

 

Kujtimet e dramës së fundit ishin shumë të freskëta, sepse nuk kishin kaluar veç 4-5 vjet nga largimi i anijeve të fundit nga baza në drejtim të Sevastopulit. Aty ishte kulmi i lavdisë së asaj baze, që ishte shumë e njohur vetëm në manualet e hartat ushtarake. Lavdinë ia shtuan oficerët e marinarët trima, që u ndeshën rëndë me egoizmin e “pashallarëve” të shtetit të madh rus, që kishin synim politik dhe ushtarak të grabisnin gjithë nëndetëset, mbasi provuan se nuk mund të na bënin mercenarë të bindur të synimeve të tyre.

 

Unë pata mundësinë të njihem me shumë dokumente, që atëherë ishin sekrete e që dëshmojnë për këtë ndeshje të ashpër, ku ne kishim aleat vetëm të drejtën. Ato ngjarje janë bërë objekt i disa dramave artistike, romanëve e librave me kujtime nga njerëz që i kanë jetuar vetë. Deri vonë ka patur gjurmë të plumbave në skafin e anijes, teksa marinarët rusë bënin provokime për tensionimin e marrëdhënieve, veç akteve banale që ishin të përditshme. Kjo jetë e tensionuar la shumë gjurmë të pashlyera në atë brez, që i përjetoi duke nxitur sedrën për t’u dalë zot atyre anijeve. Deklaratat e tyre oshëtinin në veshët e marinarëve dhe oficerëve shqiptarë, si një thirrje ogurzezë: “Ju do t’i mbysni nëndetëset me duart tuaja”! “Shqiptarët s’kanë patur as varka me rrema, jo nëndetëse! Do të bëheni pishman, por do të jetë vonë” !…”.

 

Ato tensione erdhën duke u rritur në vitet ‘60, sipas barometrit politik, duke arritur kulmin në përpjekjet e rusëve për të grabitur në nëndetëset, duke braktisur bazën dhe për ta lënë atë të shkretë.

 

Por kjo nuk ndodhi, ishin vite të tjera dhe historia u përsërit por në favorin tonë. Ndeshjet politike u fituan me Hrushovin, shanset ishin që të fitoheshin edhe ushtarakisht, sepse dhjetëra kuadro ishin përgatitur për t’i dalë zot vendit. Stërvitjet bëheshin me shumë përgjegjësi dhe për një kohë të shkurtër u sigurua gatishmëria e plotë, pa asnjë mungesë në elementët e sigurisë se lundrimeve në plotësimin e detyrave të cilat ndaheshin në katër shkallë, ku detyra nr. 4 ishte qitja me silurë në objekte detare (anije) imituese. Edhe kjo detyrë u plotësua nga të gjitha nëndetëset. Ne shkuam në vitin 1967, kur shumë gjëra kishin mbetur në memorie si kujtime të largëta. Shkëputja nga Lindja ishte një guxim i madh i Enver Hoxhës, për të siguruar pavarësinë e vendit nga diktati i superfuqisë ruso-madhe. Ky guxim u përshëndet nga shumë vende, duke menduar se orientimi do të ishte nga Perëndimi, gjë që në kuadrin e gjeopolitikës se kohës nuk ndodhi ashtu. Nga Lindja kaluam në aleancën tjetër politike, në Lindjen e Largët, me kinezët, e cila për kohën, ndoshta, ishte e nevojshme. Ato analiza në atë kohë, as mund t’i bënim, sepse ishte me shumë zarar. Ne kishim detyrë të duartrokisnim, sepse politika ishte monopol i partisë.

 

 

 

KUJTIME

 

“Ngjarja më e rëndësishme e detarisë,ishte dalja nga Traktati i Varshavës”

 

“Ngjarja që na ka lënë mbresa në ato vite të detarisë, ishte shkëputja dhe denoncimi i Traktatit të Varshavës, në shtator të vitit 1968. Në të gjitha forcat e ushtrisë efektive dhe ato rezervë, u dha gatishmëria luftarake numër një, që për të gjithë repartet dhe Flotën Luftarake Detare, ishte kalimi në rajonet e mbrojtjes. Në ato ditë, u mblodh edhe Kuvendi Popullor, i cili denoncoi Traktatin e Varshavës, si traktat, i cili kishte humbur rolin mbrojtës të kampit socialist dhe ishte kthyer në një instrument në duart e BRSS, prandaj u mor edhe vendimi i daljes “de jure” nga ky organizëm. Në bazë, u dha alarmi luftarak me sirenat e anijeve, i cili krijonte një gjendje tensioni të madh psikologjik, sa herë që jepej edhe kur ishte mësimor. Të gjithë për disa minuta, zinim postet luftarake dhe po prisnim urdhër për veprime të mëtejshme. Në qendrën e zërit u dëgjua komanda: “të përgatitet në nëndetësja për lundrim, për detyrë luftarake”, filloi raportimi i gjithë organeve për gatishmërinë e mjeteve për lundrim e veprime të tjera, sipas rolit që kishin. Nga posti kryesor, na u dha komanda të hapet aparati r/lokator,“Fllagu” (flamur) për vrojtim. Menjëherë filluam operacionet e punës sipas instruksionit dhe aparati r/lokator filloi nga puna, në vrojtim rrethor për objekte detare. Pas disa minutash, mbasi bëheshin raportimet me radhë, u dha komanda për çakustimin e anijes. Motorët filluan të lëviznin shtëllunga uji duke e larguar mjetin nga bankina. Tani kuptohej që nuk ishte stërvitje e zakonshme e planifikuar, por detyrë luftarake. Nga qendra e zërit u dëgjua komanda: “Vini re! Vini re! Komisari i nëndetëses filloi të komunikojë: – Shokë detarë, oficerë e n/oficerë!Tani do të dëgjoni fjalën e kryeministrit , shokut Mehmet Shehu në Kuvendin Popullor të Shqipërisë, me vëmendje dhe vlerësoni situatat!”.

 

Në të gjithë lokalet gjëmoi zëri patetik i Kryeministrit, i cili deklaroi fuqishëm : “Qeveria shqiptare nuk ka asnjë detyrim ndaj Traktatit të Varshavës dhe e denoncojmë, si traktat që ka për qëllim të përdoret si instrument në duart e social-revizionizmit sovjetik, i cili e ka treguar veten në brutalitetin ushtarak në Çekosllovaki e Hungari”. Pastaj vijoi me argumentet dhe rreziqet që na prisnin nga qëndrimi “de jure” në atë traktat, mbasi “de-facto” jemi larguar prej kohësh, etj.

 

Situata ishte e kuptueshme, tani kishim të bënim me kryerjen e një detyre luftarake reale. Ne filluam të bënim raportimet mbi objektet dhe i regjistronim në ditarët që mbaheshin gjatë gjithë lundrimit. Mbas një gjysme ore kaluam Sazanin dhe dolëm në ujërat e hapura. Krenaria që na dha ai vendim i rëndësishëm i qeverise dhe përgjegjësia, që kishim, mposhti gjumin e lodhjen e madhe. Lundrimi për kryerjen e asaj detyre zgjati gati një javë, kuptohet që ishte një lodhje e jashtëzakonshme. Pushimi më i gjatë për mua ishte vetëm 1 orë gjumë, aq sa duhej që aparatura të ftohej pakëz, sepse temperatura në lokale kalonte 400”

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :