Data : 25 09 2018
KryeTitujt :

Shqiptarët përballë lakmisë së fqinjëve ballkanikë

Lush_Susaj

Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

Gjatë këtyre 105 viteve të shtetit të pavarur shqiptarë, në jo pak raste jemi përballur dhe penguar nga trashegimia e sundimit otoman që reflektohet në mendësinë dhe në sjelljet e gabuara ndaj historisë, trashegimisë, identitetit, punës, pronës, shoqërisë, shtetit, fqinjësisë dhe institucioneve.

Në shumësin e këtyre sjelljeve dhe pasojave degraduese, ajo që i ka peshuar dhe do t’i peshojë gjithnjë e më rëndë kombit dhe shtetit shqiptarë, ka qënë dhe është harresa dhe pakujdesia e shqiptarëve ndaj elementëve historikë e shpirtërorë të përkatësisë së tyre europiane.

Në lidhje me këtë realitet, pas shpalljes së pavarësisë, Eqerem Bej Vlora, ka shkruar: “Po të mos kishte qënë dora shpëtimtare e monarkisë Austro-Hungareze, me të cilën u detyrua të bashkohet edhe qeveria italiane, përpjekja e parë për të krijuar një Shqipëri të mëventësishme do të kishte qënë sot një ëndërr e harruar. Vetëm Monarkia Austro-Hungareze u ndihmoi shqiptarëve, vetëm ajo i mbrojti shqiptarët nga ana e budallallëkut të turqve dhe nga lakmia e fqinjëve ballkanikë”.

Kudo dhe kurdoherë, nga njëra anë ka vepruar dhe do të veprojë fenomeni dhe dëshira e përjetshme e fqinjëve për t’u zgjeruar me territore dhe me taksapagues, ndërsa nga ana tjetër, në mënyrë irracionale ka vepruar ngadalësimi dhe pengmarrja e integrimit europian të shqiptarëve nga interesat e ngushta që burojnë nga budallallëku dhe trashegimia e vjetër bizantino-otomane.

Pavarësishtë nga ngjarjet e përditshme, dihet fakti që shqiptarët nuk kanë patur dhe nuk kanë asnjë arsye, përfitim, detyrim dhe as nevojë historike për të zevendësuar sjelljet dhe as teknologjinë dhe as investimet europiane dhe euroatlantike me sjelljet dhe me investimet e botës turko-arabe-aziatike. Në këto 25 vite, si asnjëherë më pare, bota orientale ka kapur investimet e mëdha në rrugët e reja, në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, në portet dhe në aeroportet e vendit, në farmaceutikë, në arsim, në media dhe më shumë se askund tjetër në ndërtimet e ekzagjeruara të veprave të kultit, përballë nevojave reale që shqiptarët kanë për shkolla, për spitale, për teatro, për biblioteka e të tjera vepra social kulturore dhe administrative. Në këtë kontekst, Gani Mehmetaj ka shkruar se: “Neootomanizmi na ktheu në mesjetë….dhe na paralizoi si gjarpëri bretkosën. Në misionin e shkombëtarizimit dhe debilizimit e ndihmuan komisarët nga Arabia Saudite, Irani e Egjipti, e ndihmuan edhe shtetarët tonë të korruptuar e të kriminalizuar. Për dhjetë vjetë, Azia e Afrika veriore u derdhen në territoret shqiptare më shumë se për pesëqind vjetë të sundimit të Perandorisë Otomane. Xhami kemi me tepri, të reja e të vjetra, më shumë se i tërë Gadishulli Ilirik së bashku. Fabrika kemi më së paku në Evropë, ose nuk kemi fare”.

Në analizën historike të pushtimit otoman dhe pasojave të tijë, më rezulton fakti që, politika dhe ushtria osmane nuk i ka mbrojtur dhe as që i ka zgjeruar Shqipërinë as shqiptarët. Përkundrazi, pushtimi i gjatë otoman i ka sulmuar, i ka shkatërruar dhe i ka degraduar në varfëri dhe dhimbje krahinat dhe strukturat tona etnike, kulturore dhe territoriale. Madje në në fund të mizorisë shekullore, administrata otomane e viteve 1820-1912, realizoj edhe goditjen e radhës duke i përdorur territoret dhe popullsinë e Çamërisë, Tetoves, Manastirit, Ulqinit, Plavës, etj, si plaçkë tregu për zhdëmtimet dhe shkëmbimet që bëri për interesat e veta dhe të aleancave të vjetra e të njohura ballkanike.

Megjithë këtë padrejtësi dhe katrahurë territoriale, për shkak të injorancës së kultivuar e të trasheguar nga periudha otomane, akoma vazhdon të ekzistojë ajo deshira dhe mirënjohja idjote ndajë trashegimisë dhe “të mirave” që gjasmë na paskan bërë pushtuesit osmanë. Historia tregon të kundërtën, në të vërtetë ish Perandoria Otomane e ka trajtuar  Shqipërinë si një vend i humbur baritor, thjeshtë si një fidanishte mercenarësh dhe jeniçeresh gjakatarë, apo si një vend që lindi pashallarë, guvernatorë dhe ministra që i sherbyen vetëm interesave të pushtuesve.

Kjo frymë dhe sjellje antishqiptare dhe antieuropiane, e hapur apo e kamufluar, duket që është prezente kudo në shoqëri dhe në të gjithë piramidën e administratës shtetërore dhe politike.

Tek ky realitet duhen kerkuar shkaqet e vërteta të ngecjes dhe të mosfunksionimit të gjatë të reformave. Këtu duhen kerkuar edhe shkaqët e dyftyrësisë dhe të hipokrizisë shtetërore dhe politike ndaj BE dhe ndaj aleatëve tonë strategjik, SHBA, Vatikanit, Gjermanisë dhe Austrisë, që jetësuan dhe mbrojtën kombin dhe shtetin shqiptarë.

Në këtë kontekst, për lexuesin po rikujtoj një fakt historik shumë pak të njohur e që ka të bëjë me takimin e imzot Luigj Bumçit me Papa Benediktin e XV-të, në Vatikan. Në këtë takim, imzot Luigj Bumçi i pati kërkuar Papa benediktit të XV-të, ndërhyrjen dhe mbështetjen Vatikanit për të siguruar kështu mbështetjen Wilsonit dhe të qeverisë së SHBA për njohjen dhe faktorizimin e kufirit dhe të shtetit të pavarur Shqiptarë.

Zoti e ndihmoj Shqipërinë, në këtë mënyrë imzot Bumçi e mori mbështetjen pa rezerva të Vatikanit dhe të vetë Papa Benediktit XV-të. Falë ndërhyrjes së Papa Benediktit të XV-të pranë presidentit dhe qeverisë së SHBA, me datën 6 Mars 1920, ka arritur në Paris nota e Presidentit Wilson në të cilën është shkruar: “Integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!”. Në këtë vazhdimësi historike kujtojmë edhe faktin se si shteti i parë që e ka njohur shtetin shqiptarë ka qënë Vatikani që e njohu përmes dekretit papnor të datës 12 Nandor 1920. Duke qënë i vetëdijshëm për gjeografinë, gjenezën dhe përkatësin europiane të shqiptarëve, menjëherë pas njohjes nga Vatikani, Papa Benedikti XV-të, i ka shkruar mikut të tijë, imzot Luigj Bumçit duke i thënë se: “Tashti që populli i juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”. Madje përmes këtij dekreti (dekretit papnor të datës 12 Nandor 1920) është emëruar edhe Delegati i Parë Apostolik për Shtetin e Pavarur Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi.

Në këtë mënyrë, kombi që sipas Jorgës ia detyron ekzistencën e vet lidhjeve me botën latine, në vitin 1912 u ba shtet i pavaruar falë mbështetjes dhe vendimit politik të botës perendimore (Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Italisë, etj), ndërsa në vitin 1920 u mbrojt, u faktorizue, u njoh dhe u ndërkombëtarizue falë mbështetjes pa rezerva të politikës Euro-Atlantike, Vatikanit dhe SHBA. Këto realitete dhe kontekste historike të njohura tregojnë faktin se si e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja jonë shoqërore, ekonomike dhe politike i përkasin vetëm politikës dhe platformave euroatlantike të progresit, të stabilitetit dhe të zhvillimit demokratik.

Alternativat dhe rrugët e tjera të përkohshme nuk janë asgjë më shumë se sa kohë e humbur dhe burim ligësie, varfërie dhe dekadence shtetërore e politike.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit