Data : 27 05 2018
KryeTitujt :

Respekt e nderim kujtimit të intelektualit Guro Zeneli

Prof.dr. Ismet Elezi

 ismet Elewzi autori

U nda nga jeta para kohe, miku im i dashur e i paharruar, intelektuali i dalluar i Fterrës, me vlera të shumta për vendlindjen dhe shoqërinë shqiptare.

Në rradhë të parë ai përfaqësonte vlera të larta etike – morale, njeri i ndershëm, i drejtë, i sinqertë, i sjellshëm, i thjeshtë, komunikues e buza gaz me shokët, miqtë dhe njerëzit e tjerë, me karakter të fortë e dinjitet personal, inteligjent dhe i mençur.

Vlerat pozitive të Guros lidheshin me dëshirën e pasionin për të fituar dije, arsim e kulturë. Këto i pasqyroi me mbarimin e shkollës së lartë, si dhe në punën mendore të pandërprerë, sa që arriti nivelet e një intelektuali të kulturuar. Veprimtarinë krijuese e shprehu në një larmi formash, si gazetar profesionist, shkrimtar, autor librash, regjisor, këshilltar e sekretar në institucione të larta shtetërore e shoqërore.

Vlera të mëdha të Guros shfaqen në dashurinë e pakufishme e të pakrahasueshme për fshatin e lindjes – Fterrën, si shprehje e dashurisë për Atdheun.

Kontributi që ai ka dhënë për njohjen e fshatit e të fterriotëve është i jashtëzakonshëm. Ai mbetet simbol i brezit që i përkiste dhe për rininë e sotme e të ardhme të saj.

Meritat e tij janë të veçanta, duke filluar me iniciativën fisnike që ndërmorën së bashku me prof. Muzafer Korkutin etj. për ndërtimin e muzeut të fshatit. Këtë vepër e realizuan me sukses, duke e pajisur me dokumente arkivore dhe burime të tjera me vlerë për historikun dhe aktualitetin e Fterrës.

Muzeu i Fterrës u inaugurua me një ceremoni solemne, me pjesëmarrje të gjerë jo vetëm të fterriotëve por edhe të ftuarve të tjerë, të cilët shprehën admirim për paraqitjen e muzeut. Ai u bë shembull për qarqet e Vlorës e të Gjirokastrës.

Mirëpo, për fat të keq, dolën edhe elementë që në vitin e trazuar 1997, të verbuar nga propaganda e kohës, me ndjenja antifterriote dhe antidemokratike, e dëmtuan në përmbajtjen e tij, duke arritur në atë shkallë sa të grisnin edhe fotografitë e dëshmorëve të Atdheut. Kundër tyre shprehet urrejtja dhe përbuzja mbarëfterriote e më gjerë. Turpi dhe krimi që kryen qëndron kurdoherë mbi kryet e tyre.

Fterriotët, patriotë, arsimdashës e të kulturuar, me tradita shekullore, do të bëjnë çmos që muzeu të rindërtohet e pasurohet, se kështu do gjejë paqe dhe i ndjeri Guro.

Ne fterriotëve që banojmë në Tiranë, na bie detyrimi moral që të përgatisim një platformë me masa të shumanshme për ta bërë muzeun sa më të plotë.

Krahas kontributit të dhënë për muzeun, Guro Zeneli ka edhe plot merita të tjera ndaj Fterrës. Ai përgatiti dhe shfaqi filmin dokumentar të Fterrës, ku pasqyrohet, veç natyrës së bukur, pjesë të historisë së saj, patriotizmi i fterriotëve në luftën kundër pushtuesve të huaj, deri te epopeja e lavdishme e popullit shqiptar – Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në të cilën fterriotët morën pjesë aktive dhe dhanë jetën gjashtë dëshmorë nga ky fshat i vogël. Vend i veçantë në filmin dokumentar zë roli i rinisë antifashiste të fshatit si dhe aktivitetet në terren.

E ndjej për detyrim moral të shpreh publikisht falënderimet e mirënjohjen time dhe respekt e nderim ndaj kujtimit të Guros, për shkrimet që ka botuar si dhe për përgatitjen e filmit dokumentar së bashku me z. Halil Buçpapaj, për mua, duke aktivizuar për të 15 të intervistuar – akademikë, profesorë, doktorë, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe intelektualë të tjerë, që u shfaq në vitin 2012.

Me mjaft vlera është edhe libri i Guros titulluar: “Ne të lam e ti s’na le” kushtuar fshatit Fterrë, plot dashuri e nostalgji.

Libri u prit me interes të madh jo vetëm nga lexuesit fterriotë, por edhe nga lexues të tjerë, sepse ngjall mall e dashuri për vendlindjen. Libri i Guros është dëshmi e gjallë e progresit që ka arritur fshati ynë në arsim, kulturë, shkencë dhe përparim shoqëror. Aktualisht paraqiten mbi 150 person me arsim të lartë, disa profesorë e doktorë dhe dy akademikë.

Vlerat e veprimtarisë krijuese të Guros janë të shumta. Ai, së bashku me prof. Muzafer Korkutin dhe z.Agron Xhamën, morën iniciativën dhe përgatitën e botuan gazetën “Fterra jonë”, e cila në vitin 2017, përkujtoi 20 vjetorin e saj dhe nxori me këtë rast numrin 100. E vërteta historike është se Gurua për shumë vite me radhë mbajti mbi supe peshën kryesore të botimit të saj, me profesionalizëm të lartë, me shkrimet e vazhdueshme për Fterrën dhe fterriotët, si dhe për ngjarjet më të rëndësishme historike, shoqërore, kulturore, arsimore të fshatit.

Edhe detyrat e ngarkuara në institucionet e larta shtetërore e shoqërore, Gurua i kreu me ndërgjegje, me ndershmëri dhe profesionalizëm, tregoi vlerat e vërteta të tij.

Është kënaqësi dhe krenari për të gjithë fterriotët që gazeta “Fterra Jonë” nën drejtimin e redaksisë së mëparshme dhe të anëtarit të ri, z. Feksor Shkurtit, tepër energjik, i aftë, punëtor i palodhur, i frymëzuar nga ndjenja të forta të dashurisë për Fterrën, përpiqen ta mbajnë gjallë traditën e Guros.

Dëshiroj e shpresoj se do gjejë mirëkuptim dhe mbështetje nga të gjithë bashkëfshatarët propozimi im, që ne fterriotët e Tiranës, në bashkëpunim me ata të fshatit dhe të diasporës, të organizojmë dhe përgatisim ngritjen e një statuje për Guro Zenelin në Fterrë, sepse e meriton plotësisht.

Ai, si askush tjetër, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me dashuri e vullnet të plotë, për të bërë të njohura vlerat e Fterrës e të fterriotëve.

Realizimi i këtij propozimi do të ishte shprehje e solidaritetit tonë, që nuk ka munguar kurrë në fshatin tonë, si dhe nderim ndaj kujtimit të njeriut të mirë e të kulturuar Guro Zeneli.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :