Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

Rënia e Janinës dhe fillimi i tragjedisë çame

Rënia e Janinës dhe fillimi i tragjedisë çame

 

(Në 105-vjetorin e masakrës së Selanit  dhe pushtimit të Çamërisë)

Prof. Selman Sheme

ssss

Në marsin e këtij viti mbushen 105 vjet nga rënia e Janinës, pushtimi i Çamërisë dhe fillimi i genocidit grek mbi popullsinë çame. Prej po kaq e më shumë vitesh qarqet nacionaliste greke, bazuar në platformën e “Megalo Idesë” vijojnë  mosnjohjen e cështjes came dhe rivendikojnë për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Ndonëse pala greke vijon të shprehet për mosnjohjen e kësaj cështjeje, është detyrim ligjor dhe moral i qeverisë shqiptare që këtë problem të mprehtë historik dhe aktual ta mbrojë dhe ndërkombtarizojë,  si një ndër të drejtat themelore të minoriteit shqiptar në Greqi, pjesë e rëndësishme e të cilëve janë edhe 300.000 shqiptarët e Camërisë që jetojnë në shtetin amë.

Çështja came dhe përgjithësisht cështja e minoriteit shqiptar në Greqi lindi me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në 1913 e cila e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe i’a aneksoi atë Greqisë.

Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, shqetësimi më i madh për patriotët shqiptarë vinte nga vendimi që do të merrnin Fuqitë e Mëdha në lidhje me kufijtë territorial të Shqipërisë. Kjo për pasojë se të tre monarkitë ballkanike fqinje, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi kishin deklaruar hapur lakmitë e tyre ndaj viseve shqiptare.

Të drejtat kombëtare mbi trojet etnike shqiptare në kufirin e ri me Greqinë, qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit i parashtroi në memorandumin që hartoi më 2 janar 1913, të cilat u plotësuan me memorandumin shtesë të nënshkruar më 25 janar 1913 nga anëtaret e delegacionit shqiptar dhe që ju paraqit Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Në këtë memorandum jepen të dhëna demografike për Sanxhakun e Camërisë si vijon;

  • Kazaja e Reshadijes (Gumenicë), me 16.000 banorë shqiptarë.

  • Kazaja e Margëllicit me 26.000 banorë shqiptarë.

  • Kazaja e Filatit me 20.000 banorë shqiptarë.

  • Kazaja e Paramithisë më 13.000 banorë shqiptarë.

  • Kazaja e Lurosit . 7 fshatrat që përbëjnë Lakanë e Lelovës në rrethin e Luros janë krejtësisht shqiptar. Po ashtu edhe 5 fshtrat që formojnë lakan e Sulit.. . . Të gjitha pronat , prej qytetit të Luros dhe deri në Prevezë u përkasin shqiptarëve.   . . .

Në vija të përgjithshme memorandumi shqiptar kërkonte që të merrej si kriter për përcaktimin e kufijve gjuha që flitej në familjet e shumicës së banoreve të krahinës, kultura dhe qytetërimi shqiptar i banorëve të Camërisë.

Në lëvizjen kombëtare dhe kryengritjet antiosmane që u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë shqiptarët e Camërisë kanë dhënë një kotribut të rëndësishëm.

Në vitet 1910-1912 në Çamëri vepronin çetat e Muharrem Rushitit dhe disa grupeve të tjera të komanduara nga Fuat Pronjo, Musa Hamiti, Subhi Dino, Çaperenjtë e Luaratit Beqir Bako, Mete Duçe, Tahir Mete, Alush Taka etj., të cilët u bënë të njohur në gjithë Shqipërinë e Poshtme. Në mbledhjen e organizuar në Manastirin e Cepos më 21 korrik 1911, krerët e kryengritjeve të Çamërisë së bashku me kryengritësit e tyre të Jugut kërkuan që Qeveria Turke të zbatonte memorandumin e Gerçes, i cili kërkonte autonominë e katër vilajeteve shqiptare. Çetat shqiptare të Çamërisë zhvilluan një sërë luftimesh kundër forcave turke si në Kurvelesh, Pleshavicë, Koskë, Smartë, në grykën e Bogazit e tjerë. Kryengritjet antiosmane të viteve 1910-1912 dhe kërkesat shqiptare për autonomi ndeshen në kundërshtimin e hapur të qeverisë greke, e cila po përpiqej të aneksonte territoret e Shqipërisë së Poshtme.

Natyrisht grekët nuk u mjaftuan vetëm me kundërshtimin politik, por në mesin e vitit 1911 ata hodhën në Çamëri dhe në krahinat e tjera të Shqipëri së Jugut çeta të armatosura për të krijuar turbullira dhe pasiguri. Për rrjedhojë kryengritësve Shqiptare iu desh të luftonin në dy fronte: Kundër pushtuesve osmanë dhe kundër lakmisë së shovinistëve grekë.

Popullsia e Çamërisë dhe e trevave të tjera shqiptare të Jugut mori pjesë aktivisht në qëndresën kundër depërtimit të trupave ushtarake greke në këto vise. Që në fillimet e Luftës Ballkanike dhe me formimin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës ajo veproi për mbrojtjen e tokave jugore shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shtetin e pavarur shqiptar. Në tetor të vitit 1912 rreth 10.000 trupa të ushtrive greke të shoqëruara nga forca të tjera të parregullta, rrethuan Janinën dhe nga fundi i nëntorit zunë Follorinën e Kosturin. Në dhjetor ushtria greke ju drejtua Çamërisë. Në këto rrethana kudo në Çamëri e në vise të tjera, u krijuan këshillat e mbrojtjes vullnetare qe u vendosen pergjate vijave te frontit si dhe ne Janinen e rrethuar. U shquan per qendresen e tyre kunder forcave greke, çetat e Muharrem Rushitit, e Hamid bej Filatit, e Muharrem Takës etj.

Pas përpjekjeve të ashpra, njësite ushtarake greke zunë disa qytete të krahinës dhe më 6 mars 1913 hynë në Janinë. Hyrja në Janinë vendosi fatin e Çamërisë.

Rënia e Janinës dhe e Çamërisë ndërpreu lidhjet e popullsisë së Çamërisë me Qeverinë e Vlorës. Popullsia çame dhe e viseve të tjera protestoi kundër shkëputjes nga shteti i ri shqiptar. Por këto protesta të shqiptarëve në kushtet e një terrori të madh ishte e pamundur të ngjizeshin në revolta të gjera e të organizuara. Për të nënshtruar përfundimisht viset shqiptare administrata greke ndërmori aksionin e mbledhjes se armeve, vendosi gjendjen e shtetrrethimit dhe ndalimin e qarkullimit të shqiptarëve jashtë juridiksionit të fshatit apo qytetit të tyre.

Në këto rrethana u shkelën të drejtat civile dhe ato kombëtare, shqiptarëve u ndaloheshin mbledhjet, krijimi i organizatave etj. Autoritetet ushtarake e administrata civile, filluan të shpronësojnë popullsinë myslimane shqiptare dhe të ushtrojnë dhunë mbi to për ta detyruar të shpërngulej. Ndërkohë, popullsinë e krishterë e shtrëngonin të mohonte përkatësinë kombëtare dhe të pranonte të shpallej greke. Për të shtypur qëndresën e shqiptarëve u ndërmorën masa të egra terrori dhe u shkatërruan qindra shtëpi në fshatrat e Çamërisë. Në vitet 1913-1914 në Kazanë e Paramithisë u shkatërruan fshatrat Gardhiq me 300 shtëpi, Dhragomia me 200 shtëpi, Petrovica me 75 shtëpi, Minina me 65 shtëpi, në kazanë e Filatit u shkatërruan ndër të tjera Ninati me 120 shtëpi, Markati me 120 shtëpi, Janjari me 150 shtëpi etj.

Një krim i shëmtuar ishte ai që u organizua te Përroi i Livarit, pranë fshatit Selan të Paramithisë ku bandat greke, 105 vjet më parë, më 27 mars 1913 mblodhën dhe masakruan në pabesi 72 veta nga paria e fshatarëve çamër të Nikolicanjit, të Shininës, të Petrovicës, të Shëmërizës, të Vratilas, të Bedelenit, të Dramësit, të Rreganjit etj. Keqtrajtimet e shqiptarëve u shtrinë kudo e u shoqëruan me poshtërsime të simboleve kombëtare dhe atyre të fesë myslimane, me internime e burgosje. Masakra e Selamit shënon fillimin e genocidit në Çamëri dhe filimin e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare.

Trojet shqiptare të Çamërisë e viseve të tjera në jug të Gramozit, të pushtuara nga Greqia gjatë Luftës Ballkanike, iu aneksuan asaj me vendimet e padrejta të konferencës së Londrës më 11 gusht 1913. Vija përfundimtare e kufirit u vendos me Traktatin e Firences më 17 dhjetor 1913. Me këto akte shteti grek përvetësoi një pjesë të madhe të Shqipërisë së Poshtme dhe në mënyrë të veçantë Çamërinë. Diplomati i shquar shqiptar Rasih Dino i deklaroi konferencës së Londrës, se paqja dhe qetësia e Gadishullit do të arrihej vetëm në qoftë se Shqipërisë së ardhshme, do t’i jepej një strukturë homogjene dhe kufijtë e saj të ndiqnin vijën e kufirit të atëhershëm me Malin e Zi, të përfshinin bashkë me hinterlandin e tyre përkatës, qytetet e Ipekut, Mitrovicën, Prishtinën, Shkupit e Manastirit, deri në Meçove dhe të ruanin kufijtë ekzistues me Greqinë, deri në Prevezë.

Personalitetet shqiptare pavarësisht nga trauma që pësuan me cungimin e trojeve të tyre, e përshëndetën vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për faktin se tashmë u krijua një shtet i pavarur shqiptar dhe se ky shtet do të shërbente si pikëmbështetjeje për të realizuar në të ardhmen programin madhor të Rilindjes Kombëtare.

Që nga viti 1913 kombi shqiptar jeton i copëtuar dhe lëvizja kombëtare shqiptare ende nuk ka përfunduar misionin e saj.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :