Data : 22 05 2018
KryeTitujt :

Ramazan Vladi: Enveri minierat i quante shtylla e ekonomisë shqiptare

Ramazan Vladi: Enveri  minierat, i quante shtylla e ekonomisë shqiptare

Ish-drejtori i Gjeologjisë: Enveri i vlerësonte minierat, i quante si puna më e vështirë
INTERVISTA/ Flet Ramazan Vladi, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Gjeologjisë: Enver Hoxha na thoshte se pa minerale, nuk ka ekonomi 

Intervistoi: Albert Zholi

 

Të takoheshe me Enver Hoxhën, ka qenë një privilegj, por edhe njëfarë impresionimi e frike, sepse kulti i tij si udhëheqës ishte i madh dhe i pazëvendësueshëm. Këtë emocion tregon gjatë një interviste me “Albanian Free Press”, drejtuesi i minierave shqiptare gjatë kohës së socializmit, Ramazan Vladi. Duke përcjellë më tej edhe faktin sesi gjatë dy takimeve me ish-liderin komunist, ai ka gjetur kurajën jo vetëm që t’i jepte llogari, por edhe t’i paraqiste kërkesa nga ana e tij…

 

Si drejtues i lartë i minierave shqiptare, jeni shprehur se keni pasur dy takime me Enver Hoxhën. Si dhe kur i ke realizuar ato?

 

Në vitin 1972, Byroja Politike e Komitetit Qendror merr në analizë problemin e disiplinës proletare në punë, në katër ndërmarrjet ekonomike më të rëndësishme të vendit: të Minierës së Bakrit Kurbnesh, Ndërmarrjes së Ndërtimeve Industriale Laç, Hidrocentralit të Fierzës dhe të Kombinatit Metalurgjik Elbasan. Në fillimin të mbledhjes, që drejtohej nga vetë shoku Enver Hoxha, ndër të tjera ai tha: “Në miniera  është puna më e vështirë, pasi atje punohet me qindra metra nën tokë. Pa minerale, nuk ka ekonomi shqiptare”. Kur e mora fjalën, ngrita edhe disa probleme, që na preokuponin, të cilat deri në atë çast nuk kishim arritur t’i zgjidhnim. Si për shembull: punëtorëve u jepeshin kontrata tremujore nga organet e pushtetit, stërvitja ushtarake bëhej në rrethet nga ata ishin, kishte mungesë spitali dhe pajisjesh, si radioskopi për kontrollin e punëtorëve, deri dhe autobusa për transportin e tyre nga qyteti në minierë dhe për ditët e pushimeve, për t’ i afruar ata, për të  shkuar në shtëpizat e tyre. Pasi më dëgjoi për këto që thashë, Enveri më përgëzoi për rezultatet e arritura dhe të gjitha problemet që i ngrita, ai i quajti të drejta e dha urdhër për t’i zgjidhur të gjitha ato. Kështu, brenda një kohe shumë të shkurtër, deri tek ndërtimi i spitalit, kërkesat tona u plotësuan.

 

Po takimi i dytë me Enver Hoxhën kur përkon?

 

Kur ishim thirrur në një analizë, mbi perspektivën dhe arritjet në sektorin e gjeologjisë në shkallë Republike, Enveri sërish më përgëzoi për rezultatet e arritura, si dhe për problemet shumë të rëndësishme që unë ngrita për zhvillimet në sektorin e gjeologjisë.

 

Ku ishin problemet më të mëdha në këtë kohë në gjeologji në zonën tuaj?

 

Problemet ishin në Gurth Spaç. Gjatë verifikimeve doli se mungonte drejtimi i kualifikuar; edhe në mes të kuadrove mungonte uniteti, njerëzit ishin ndarë në grupe, ku më shumë merreshin me thashetheme, sesa me punë. Objektet gjeologjike që kishin perspektivë, ishin në kushte tepër të vështira, që kërkonin mobilizim të gjithanshëm, hapje rruge dhe vendosje të linjave elektrike aty ku mungonin. I tillë ishte objekti i Gurth Spaçit, ku sondën e parë e dërguam në objekt me aksion, duke kontribuar e gjithë ndërmarrja, e çmontuam dhe e transportuam pjesë-pjesë në krahë. Pasi vendosëm sondën e parë dhe kapëm rezultatin e parë, bëmë projektin, e miratuam në ministri dhe filluam organizimin e punës për hapjen e rrugës dhe vendosjen e linjës elektrike. Ky objekt u bë shumë i rëndësishëm, hapëm rrugën nga Qafë Bari për të dërguar argjil e materiale të tjera. Filluam e ndërtuam barakat për punëtorët dhe shumë shpejt krijuam Ekspeditën e Gurth Spaçit. Nga studimi i kryer, u evidentuan të gjitha të metat, ekspeditat u kompletuan me bazën e nevojshme materiale dhe u përcaktuan masa konkrete për nxjerrjen e ndërmarrjes nga prapambetja. Për disa probleme kërkova takim dhe me shokun Adil Carçani, i cili në atë kohë ishte zëvendës-kryeministër, ku pasi i raportova për punën e bërë, i kërkova një buldozer dhe një makinë transporti me dy diferencialë të tipit “Tater”. Shoku Adil, pasi më dëgjoi, më uroi suksese dhe m’i plotësoi kërkesat që i ngrita. Me të marrë buldozerin dhe tatrën, hapëm rrugën nga Qafë Lisi në Gurth Spa.

 

Kë nga udhëheqësit e tjerë ke takuar në këtë punë?

 

Në gusht të vitit 1975, më thirrën në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH, ku shoku Hysni Kapo ish-sekretar i tij në atë kohë, më komunikoi emërimin: Drejtor i Përgjithshëm i Gjeologjisë së Shqipërisë, në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave Tiranë. Në atë moment e ndjeva veten jo vetëm të emocionuar, por edhe të ngarkuar me një përgjegjësi të jashtëzakonshme, që më jepte vetë detyra e një posti të tillë të lartë, në një dikaster të rëndësishëm. Ndërkohë, isha i kalitur përmes vështirësive në Minierën e Bakrit Kurbnesh. E nisa punën qysh në moshën 15-vjeçare nga hiçi. Kurse detyra e re ishte me përgjegjësi të madhe.

 

Kush mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të punës suaj?

 

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të punës time në sektorin e gjeologjisë, që do mbetet e paharruar në kujtimet e mia, është padyshim edhe pjesëmarrja ime në Kongresin e 100 – vjetorit të Shërbimit Gjeologjik Botëror, që u mbajt në kryeqytetin e Francës, në Paris, 5-26 korrik 1980. Kongresi u hap me një fjalim të presidentit të Francës të asaj kohe, Miterran, i cili përshëndeti në emër të shtetit francez, si vendi organizator. Atje kryem shumë vizita në terren, u mbajtën shumë kumtesa dhe u shkëmbyen shumë përvoja. Mbi të gjitha, për ne ishte një kënaqësi e veçantë, që për Shqipërinë u thanë fjalë të mira në këtë kongres madhështor, ku në disa minerale kryesore, për frymë, vendi ynë zinte vend të rëndësishëm, si dhe vlerësimi me nota pozitive i kumtesave, që u mbajtën nga specialistët tanë.

 

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :