Data : 25 05 2018
KryeTitujt :

Pushtimi fashist i vendit

 

Abaz Hoxha

 

/1939-1944/

 

Tragjas! 7 prill 1939.Në fshat u shpall alarmi.Shqipëria po pushtohej nga fashizmi italian. Midis ishullit të Sazanit dhe Karaburunit u duk një anije lufte. Gjithë fshati u grumbullua te lëmenjtë e shkollës.

 

Njerëz të revoltuar me pushkët e ruajtura nga Lufta e Vlorës ose me sëpata prisnin urdhëra për të shkuar në Vlorë. Ishte një turmë e paorganizuar por e gatëshme për të sakrifikuar edhe jetën e tyre në mbrojtje të Atdheut.U nisën me ngut drejt Vlorës, por ishte tepër vonë. Mbreti që kish premtuar se në një rast të tillë do vishte opingat dhe do dilte malit për të mbrojtur atdheun, një ditë më parë me familjen, suitën dhe oborrin mbretëror, duke marrë me vehte edhe një pjesë të thesarit të shtetit, nëpërmjet Elbasanit dhe Korçës, ia kish mbathur duke e lënë ushtrinë të çorganizuar dhe pa komandë.Vendi ishte tradhëtuar. Edhe me pushtimin fashist të vendit Tahir Hoxha ishte një nga të parët që kundërshtoi pushtimin dhe filloi një veprimtari të gjithanëshme kundër pushtuesit. Të nesërmen e pushtimit gjithë nxënësit e shkollës nën drejtimin e arsimtarëve T.Hoxha, Q.Thanasi, Elmaz Tahiri (Bitri), me shirita kuq e zi në qafë të organizuar u nisëm drejt fushës së Dukatit ku ishte qëndra e Komunes. Atje filloi një protestë spontane, u hodhën parulla patriotike. Nxënësit filluan të këndonin këngën e njohur patriotike të Luftës së 1920-es “Vlora, Vlora”. E kaluam gjithë ditën aty tek Hani i “Abaz Gegës”duke kënduar këngë patriotike dhe duke protestuar për pushtimin e Shqipërisë. Njerzit të revoltuar për tradhëtinë e mbretit. Burra e gra, të rinj e të reja nga e gjithë krahina e Dukatit u grumbulluan dhe bënin thirrje për t’u ngritur në luftë kundër pushtimit fashist. Xhemal Imeri, autor i disa librave për Tragjasin dhe ish nxënës në shkollën e Tragjasit, për veprimtarinë patriotike të Tahir Hoxhës , midis të tjerash kujton se me pushtimin e vendit nga trupat fashiste u organizuan nga mësuesit Tahir Hoxha, Elmaz Tahiri dhe Qazim Thanasi demostratat në ditën e 28 nentorit/1939/ në mes të fshatit dhe para postës italiane në qëndër të fshatit me parrullat “Duam liri” “ Poshtë fashizmi” , “rroftë 28-Nentori” që ishin shprehje e faktit që populli nuk e pranonte ushtimin dhe do të ngrihej në luftë për liri. Ndër të tjera ai shkruan: “…Një ditë para festës së 28 nëntorit 1939, mësuesit e shkollës (pjesa më e madhe e të cilëve do shpalleshin armiq e tradhëtarë gjatë luftës e në vazhdim dhe pas çlirimit do dënoheshin e burgoseshin) na lajmëruan që të nesërmen të merrnim bukë me vete dhe heret të rrjeshtoheshim në oborrin e shkollës…..që heret në mëngjez ishte mbushur sheshi I lëmënjve ndërsa brënda oborrit të shkollës nxënësit po rrjeshtoheshin. Si më i riu nga mësuesit, Qazim Thanasi po na komandonte…kurse Tahir Hoxha dhe Elmaz Tahiri po shëtisnin para dyerve, apo midis shkollës dhe nxënësve të rrjeshtuar. Nisja u bë në një shkollonë, në krye ecte një nxënës I rritur me një flamur të ngritur lart ndërkohë që populli i fshatit kishte arritur teg Shtegu i Thanaset ku dallohej një tjetër flamur….Kur dollëm në Qafë të Varreve filluam të këndonim këngë atdhetare si “Për mëmëdhenë”, “Vlora,Vlora” etj…po shkonim në drejtim të postkomandës të komunës që ndodhesh në anën tjetër të lumit të Dukatit.Atje ishin grumbulluar një mori njerzish nga Dukati e Radhima. U mbush sheshi, deri para godinave të Abaz Gegës ku ndodhej Komuna….Kur u bashkuam të gjithë, bucitën thirrjet Duam liri, Poshtë fashizmi, Rroftë 28 Nëntori etj….” E më poshtë: “….Mësuesit tanë të nderuar që dinin e shihnin më larg, na sqaronin se popujt e midis tyre edhe ai shqiptar, do të dinte jo vetëm të rezistonte, por edhe do fitonte lirinë e grabitur prej pushtusve…” Kur u organizua në mënyrë propagandistike dërgimi i disa fëmijve shqiptarë për gjoja pushime në Itali unë isha ulur pranë babait tim Seferit dhe Tahir Hoxhës.Kur vaporri mbriti në grykën e Sazanit e po na zhdukej nga pamja, hodha shikimin nga mësuesTahiri. Ishte nxirë në fytyrë dhe ma bëri me shënjë ti afrohesha. Ai më mori kokën nënë sqetull dhe me dorën tjetër më fërkoi flokët. Ndërkohë iu drejtua babait dhe me lot në sy i tha: “…Sefer, sa mirë bëre që nuk e nise djalin, se ata nuk kanë ardhur për të mirë tek ne dhe kam frikë, do na i mbajnë andej me gënjeshtra fëmijët….”. Për herë të parë e pashë atë burrë me një gjëndje aq të plagosur. Aqë më tepër që edhe ai zemërshkëmb, të derdhte lot. Ai kishte në atë vapor Kujtimin e, në mos gaboj edhe nipin e tij, Nikon….Ato fjalë të arta të tij shumë vonë do ti analizoja se sa peshonin. Ishin fjalët e një burri atdhetar, me veprimtari të shquar për vendin, me karakter e, mbi të gjitha të një njeriu me kulturë, që e kishte të qartë perspektivën e të ardhmes së vendit…Ai aktivitetin e tij e kishte filluar që më 1920 e më pas. Dinte se kush ishte fashizmi e pushtimi. Por kurrë nuk mund të përfytyronte që pas 5 vjetësh do të përfundonte në qelitë e burgjeve, të asaj diktature të cilën vumë në krye ne bijtë e nxënësit e tij, si shpërblim të gjithë asaj që I kishte dhënë fshatit dhe vendit në përgjithësi. Nuk i dhanë pak por plot 101 vjet burg, madje edhe për “mëshirë” nuk u realizua dënimi kapital që u dha…..” Në revoltat e studentëve të shkollës Normale të Elbasanit/ ku ishin edhe disa studentë nga Tragjasi si Lufter e Niko Hoxha, etj/, që i kishin zënë rrugën mbretit duke thirruar “Duam armë” ishin mashtruar. Armët ishin sabotuar. Por organizatorët e protestës ishin regjistruar. Kollona e pestë fashiste kish punuar që më parë dhe nuk kaloi shumë kohë dhe filluan arrestimet e studentave protestues. Midis tyre edhe im vëlla, Lufteri. Pas disa kohësh ai u dërgua në burgun e Tiranës. Arrestimi i tij mund të kishte pasoja të rënda. Babai u nis për Tiranë. Atje ai kishte shumë miq e shokë me influencë të cilët bënë punën e tyre dhe ndikuan që pas disa muajve ta lironin për mungesë provash. Ai erdhi në fshat menjëherë. Më parë kishte ardhur edhe Nikua e Kujtimi të cilët respektivisht ishin përjashtuar nga shkolla Normale e Elbasanit dhe Tregëtare e Vlorës për veprimtari antifashiste. Në vjeshtën e vitit 1942 edhe unë u përjashtova nga shkolla tregëtare ku vazhdoja studimet prej një vit e gjysëm. Shkak ishtebërë një protestë e jona për të sabotuar mësimin e italishtes në shkollë nga një mësues fashist italian. Kur mësuesi u fut në klasë ne filluam të delnim dikush nga dera, dikush nga dritaret e ulëta të klasës sonë që ishte në katin e parë. Kjo u bë shkas që të përjashtoheshim nga shkolla 6 nxanës. Përjashtimi ynë në të nesërmen shkaktoi një revoltë të gjithë nxanësve të shkollës të cilët nuk hynë fare në mësim por filluan të thërrisnin “O të gjithë, o asnjë” që donte të thoshte ose i lejoni edhe shokët tanë ose asnjëri nuk do të futet në mësim. Filluan të hidhnin parulla antifashiste dhe kjo u bë shkas që të lajmërohesh karabineria që mori masa represive duke arrestuar dhe nxanës të tjerë. Shkolla u mbyll përfundimisht. Shkolla tregëtare /ku studjonin edhe shumë tragjasas/ u bë vatër e lëvizjes patriotike që tashmë kishte filluar të organizohesh. Në Vlorë filluan atentatet e para kundër spiunëve dhe bashkëpuntorëve të fashizmit. Filluan arrestimet në masë të nisiatorëve.Veprimtarët antifashistë po binin në sy të agjentëve të SIMIT. Kjo bëri që shumë patriotë, kryesisht studentë dhe patriotë të njohur të hidheshin në ilegalitet, të dilnin nga qyteti dhe të shkonin në fshat.Lëvizja antifashiste po ziente në Vlorë. Në radhët e policisë dhe kuesturës vepronin oficerë shqiptarë patriotë që i shërbenin kësaj lëvizjeje duke njoftuar më parë për planet e fashistëve për arrestimet, internimet, bastisjet etj. Bëheshin demostrata dhe protesta antifashiste.Kjo lëvizje gradualisht doli nga qyteti dhe iu drejtua fshatit ku filluan të organizoheshin formacionet e para ushtarake. Shkolla Tregëtare ishte një nga çerdhet e para të lëvizjes antifashiste.Nga radhët e saj po dilnin vullnetarët e parë të njësiteve guerile dhe çetave partizane, po përgatiteshin kuadrot që do udhëhiqnin luftën antifashiste në qarkun e Vlorës e më gjerë. Studentat e kësaj shkolle dhe të gjitha shkollave të tjera të Shqipërisë u bënë bërthama, pararoja dhe njësitet e sulmit të lëvizjes së rezistencës. Në Tragjas tashmë kish filluar të organizohesh rezistenca nën drejtimin e patriotëve dhe veteranëve të Luftës së 1920 ku kishin marrë pjesë 76 tragjasas ndër të cilët 4 dëshmorë, 9 të plagosur..Një nga drejuesit e kësaj lëvizje nuk kish si të mos ishte edhe Tahir Hoxha-patriot, veteran pjesëmarrës e komandant çete ne Luftën e 1920-s. Shtëpia jonë u kthye në qëndër ku mblidheshin patriotët, ku ziente debati. Për veprimtarinë e tij të gjithanëshme në shërbim të Atdheut prej mbi 25 vjet ai u zgjodh edhe Kryetari i parë i Këshillit Antifashist nacionalclirimtar të fshatit që në vjeshtë 1942..? Xhemal Ymeri shkruan: “…Më kujtohet se edhe tek ne në fshat, u krijua Këshilli dhe kryetar i tij u zgjodh, atdhetari e luftëtari I luftës të 1920_ës, mësuesi i shquar, Tahir Hoxha….” Në sheshin e shkollës u dukën çetat e armatosura. Ishte krijuar “Çeta Plakë” e Vlorës/4 dhjetor, 1942/ ku bënin pjesë kryesisht studentë të ardhur nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Në Tragjas u krijuan qysh në muajin tetor 1942 njësiti i parë I armatosur ku bënin pjesë Sali dhe Razi Ormëni, Shyqyri Alimerko, Sefer Ymeri,etj që bëri goditjen e parë kundër fashistëvet te Ura e Izvorit dhe në Ujin e Ftohtë në bashkëpunim me “Çetën Plakë” në drejtimin e së cilës ishin disa tragjasiotë me në krye Qazim Çakërrin (me pseudonimin “Divi”) që ishte komisari i saj, të cilët e kishin pagëzuar rrugën e tyre luftarake me aksionin në “Qafën e Dushkut” ku zunë robër edhe dy oficerë Italianë dhe i prunë në Tragjas.Një ditë më vonë kjo çetë dhe me përkrahjen e vullnetarëve nga Tragjasi bëri aksionin tjetër në Ramec të Radhimës. Kjo çetë më 26 dhjetor, goditi baterinë e artilerisë bregdetare të Batalionit 313 në Ramec të Radhimës. Gjithmonë Tragjasasit ishin në radhët e para të luftëtarëve përkrah çetës. kishte kryer aksionin e suksesëshëm te Ura e Gjormit kundër një autokollone armike e cila u shpartallua dhe përveç të vrarëve u zunë edhe 48 robër midis të cilëve 2 oficerë, goditi forcat fashiste e mercenare të kryesuara nga Halil Alia e Selim Kaloshi të drejtuara në operacionin e tyre kundër Radhimës e Tragjasit dhe i shpartalloi ato përfundimisht në Luftën e Gjormit së bashku me forca të tjera partizane, territorial dhe nacionaliste më 30.12.1942-1.1-1943,etj. Vjeshta e vitit 1942 dhe pranvera e vitit 1943 ishin ditë të bujëshme të mbushura me ngjarje të rëndësishme.Tek i gjithë populli i Tragjasit ishte krijuar një gjëndje optimizmi, një atmosphere e nxehtë shpërthyese. I gjithë fshati ishte përfshirë në një angazhim të përgjithëshëm për t’i dalë zot vendit të gatshëm për të bërë çdo sakrificë për mbrojtjen e interesave të kombit. Kjo frymë militante dhe patriotike bëri që të kishte një harmoni dhe bashkim të të gjithë popullit duke i harruar edhe ndonjë hasmëri e zënkat e vogla të dikurshme në emër të interesave të larta të kombit. Në fshat vinin pa ndërprerje luftëtarë të lirisë dhe “çeta plakë” e Vlorës që priteshin si heronj, organizoheshin biseda, takime dhe mbledhje me popullin për t’u bërë thirrje për t’u bashkuar me ta në luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpuntorëve të tyre. Partizanët ishin bërë figurat më të dashura dhe priteshin me përzëmërsi në çdo familje, si miqtë më të mirë dhe më të nderuar në çdo familje. Në çetën “Plakë” të Vlorës ishin rrjeshtuar edhe shumë bij të nderuar të Tragjasit si Qazim Cakërri, Kastriot Muço, Xhemil Çakërri etj që ishin dhe nga kuadrot drejtuese të tyre. Populli e përqafoi pa hezitim thirrjen e Partisë Komuniste për t’u ngritur në Luftë se kjo thirrje ishte në thelbin e idealeve të tyre patriotike të shfaqura brez pas brezi, se ajo forcë politike në atë kohë ishte e vetmja forcë që u ngrit e para dhe dha shëmbëllin në mbrojtje të atdheut të pushtuar. Ai e besoi këtë udhëheqje sepse bijtë më të mirë dhe më të devotshëm të saj dhanë të parët shëmbëllin e heroizmit dhe të sakrificës, u përballën dhëmb për dhëmb me pushtuesin, u arrestuan, torturuan, u pushkatuan nga armiku por u ngritën edhe në luftë të armatosur dhe luftuan me trimëri duke sakrifikuar edhe jetën e tyre të re në emër të idealit për mbrojtjen e atdheut. Ishte ky shëmbëll i lartë i sakrificës që e lidhi popullin e Tragjasit me thirrjen e Partisë Komuniste prandaj e besuan, e ndoqën dhe u bashkuan me të në luftën e armatosur. Sekretari i Përgjithëshëm i Ballit Kombëtar kolonel Faik Quku më von do të shkruante: “…| Qysh më vitin e parë, me forcën e organizimit, të disciplines e të veprimeve, si në radhët e saj, ashtu edhe në popull, Partia Komuniste fitoi një prestigj të madh, që erdhi vazhdimisht tue u rrit. Ajo paraqitet si një lëvizje djaloshare e luftarake kundër pushtuesit, si një shkollë dinamike e guximtare, e sakrificës dhe e disiplinës. Me parimin e saj-luftë për shpëtimin e Shqipërisë, me drejtimin e saj me zotësi, të qartë e të vendosur, me fitoret e saj të përditëshme, krijoi një atmosferë entusiazmi brenda në parti, gjë që do të përbaje forcën e saj kryesore për me ba sakrifica e punë të mëdha, për me ece kështu në drejtimin të triumfit. /Qendresa shqiptare gjate Luftes së Dytë Boterore F.27/ Dhe më poshtë: Taktika e P.Komuniste ishte sulmuese ndërsa jona mbrojtëse, në pritje të një kohe oportune për me ba sulmin e përgjithëshëm e përfundimtar/prit gomar të mbijë bar/. Hasan Dosti ishte rreptësisht kundër formimit të çetave, si dhe kundër çdo organizimi dhe veprimi të organizatës, ai pretendonte që komiteti të mbetesh si një grup akademik, me shpresue në formimin e dy-tre divizioneve shqiptare, që M.Kruja përpiqej me realizue nëpërmjet italianëve…/ f. f.121- Por më vonë edhe parullat për një Shqipëri nën shëmbëllin e rusisë krijuan iluzione për shtresat e ulëta të popullsisë, që përbënin shumicën, e përkrahën pa rezerva udhëheqjen e Partisë Komuniste. Ky nuk ishte një fenomen thjeshtësisht shqiptar, por një fenomen ndërkombëtar që zuri rrënjë edhe në shtetet më të zhvilluara të Evropës e deri në Kontinentin Amerikan ku, pas Revolucionit Socialist të Tetorit 1917, u krijuan njëra pas tjetrës shumë Parti Komuniste vecanërisht që patën një influencë të madhe në Evropë dhe kryesisht në Gjermani, Francë, Hungari, Itali etj. Në përkrahje të Revolucionit rus u vunë edhe një numur shumë i madh intelektualësh nga më të njohurit në Evropë dhe harrijti deri aty sa nën shëmbëllin e Revolucionit të Tetorit të shpërthenin Revolucione edhe në Gjermani /Revolucioni Bavarez 1918-1919/ në Hungari/ 1919/ etj dhe të merrnin pushtetin ,qoftë edhe përkohësisht, Partitë Komuniste. Idetë e Tetorit u fuqizuan sidomos me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në Luftë duke u quajtur si çlirimtari vërtetë i të gjithë popujve.Këto iluzione për parajsën Sovjetike u thelluan pas luftës kur në disa shtete evropiane, si në Itali dhe në Francë, ishin gadi duke marrë pushtetin Partitë Komuniste.Iderat e majta dhe iluzionet për parajsën sovjetike erdhën në Shqipëri nga vendet perëndimore dhe jo lindore, dhe erdhën kryesisht nëpërmjet intelektualëve shqiptarë që kishin studjuar në Austri, Gjermani, Francë, Itali etj.Jugosllavët shfrytëzuan situatën dhe nëpërmjet të këtyre parullave të solidaritetit ndërkombëtar dhe internacionalizmit proletar, dhe të parullave për një Konfederatë Ballkanike, u futën në Shqipëri dhe gradualisht morën drejtimin e Partisë Komuniste dhe i shfrytëzuan ato për qëllimet e tyre shoviniste dhe nacionaliste. Rrepet e Tragjasit, sheshi para shkollës dhe rrepet e Izvorit në Rrëzën e Çirakut u bënë vendet e përherëshme të mbledhjeve të popullit, ku flitej për luftën, për rezistencën dilnin vullnetarët për t’u bashkuar me partizanët.Me këtë lëvizje të madhe patriotike u bashkuan të gjithë patriotët pa dallim origjine klasore, moshe, gjinije ose pikpamjesh politike, u kthye në një lëvizje të madhe të bashkimit të gjithë popullit që nga njerzit më të thjeshtë deri tek intelektualët, arsimtarët, veteranët e luftës së Vlorës, të pasur e të varfër u bashkuan në një. I gjithë populli i Tragjasit tashmë e kishte përcaktuar definitivisht rrugën e tij. Ishte kjo rruga e luftës së armatosur kundër pushtuesve pa marrë parasysh asnjë sakrificë. Kjo lëvizje u shndrrua edhe në një lëvizje të gjerë emancipuese ku gratë dhe vajzat tragjasase dhanë një shëmbëll të lartë emancipimi, dhe patriotizmi, u ngritën edhe ato duke u bashkuar tërësisht me bijtë, vëllezërit prindrit e tyre duke dhënë një ndihmesë të gjithanëshme në shërbim të luftës për shpëtimin e Atdheut nga zgjedha fashiste. Dikur ishte e njohur dhe ishte kthyer në legjendë gruaja trime nga Dukati, Sado Koshena, tashmë nuk flitesh më për një Sado por për dhjetra e qindra gra, nëna e vajza që dhanë shëmbëllin e lartë të patriotizmit dhe të vetmohimit. Ato jo vetëm që bënin veshje për luftëtarët e lirisë, jo vetëm që përgatisnin ushqimin, strehonin dhe u mjekonin plagët luftëtarëve të lirisë, i lanin dhe pastronin teshat por morën edhe armët dhe u bashkuan me ta në mbrojtje të atdheut dhe dhanë shëmbëllin e lartë të emancipimit dhe të heroizmit përkrah vëllezërve dhe prindërve të tyre. Nuk mund të harrohen gratë trime të Tragjasit si Hanko Muço, Afërdita Thanasi, Aishe Hodo, Sado Gjomemaj, Nabile Sulo, Bukuri e Inxhi Meto e shumë të tjera që u bënë prapagandiste të afta për mobilizimin e gjithë grave në luftë por që vunë në shërbim të saj edhe gjënë e tyre më të shtrënjtë, fëmijtë e tyre, djemtë dhe vajzat, të cilët jo vetëm që i përkrahën por edhe i inkurajuan për t’u vënë në shërbim të Atdheut dhe disa prej tyre dhanë edhe jetën në shërbim të Atdheut. Ato krijuan edhe organizatën e tyre të Bashkimit të Grave antifashiste duke dalë edhe si një forcë politike. Rinia Tragjasase ishte e para që u vu në pararojë të luftëtarëve të lirisë ajo dha shëmbëllin e lartë të sakrificës dhe vetmohimit rrëmbeu armët dhe u bashkua me luftëtarët e lirisë duke u vënë edhe në drejtim të shumë çetave dhe batalioneve partizane ose çetave territoriale. Në këtë lëvizje të rinisë u përfshinë edhe adoloshentët të cilët dhanë një ndihmesë të rëndësishme në shërbim të luftës dhe shumë prej tyre edhe, në kundërshtim me dëshirat e prindërve të tyre, morën armët dhe shkuan në male duke u përballur me sakrifica të panumurta në rrugët e vështira të luftës dhe duke i rënë kryq e tërthor Shqipërisë. Disa prej tyre dhanë edhe jetën e tyre që sapo kishte filluar në shërbim të Atdheut. Edhe rinia e Tragjasit krijoi organizatën e saj politike Bashkimin e Rinisë Antifashiste që ushtroi një veprimtari të gjerë propagandistike për të ngritur në luftë jo vetëm të rinjtë por edhe të gjithë popullin. Cdo gjë në shërbim të luftës u bë motoja e kohës u kthye në një epidemi që përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë që nga adoloshentët deri më të moshuarit, gratë e vajzat tragjasase.Tragjasi u bë një qëndër e madhe ku po grumbulloheshin për herë e më tepër luftëtarë e militantë nga të gjitha krahinat, ai po shndrohesh në një qëndër kushtrimi dhe mobilizimi në luftë të gjithë popullit të krahinës së Dukatit e më gjerë. Pikërisht për këto arsye Tragjasi u vu edhe në shënjestrën e pushtusve fashistë dhe u përpoqën me çdo kusht të shuanin këtë vatër lirije që po shndrohesh në një zjarr të fuqishëm kundër pushtusve. 

Abaz Hoxha

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit