Data : 18 08 2018
KryeTitujt :

Pse Enver Hoxha shumë drejtues të shtetit i mori drejtpërdrejt nga prodhimi

Pse Enver Hoxha shumë drejtues të shtetit i mori drejtpërdrejt nga prodhimi
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko “Enver Hoxha ushqente respekt tepër të sinqertë për punëtorët dhe kooperativistët e ishte kjo arsyeja që ai tek ata shikonte kuadrot e deri edhe udhëheqësit e partisë”. Këtë argument jep në dorëshkrimet e tij të radhës, Rita Marko, ish-anëtari i Byrosë Politike, që “Albanian Free Press” i sjell sot ekskluzivisht lexuesit për të 12-tin numër radhazi. Sipas tij, Enveri shumë drejtues i mori direkt nga puna dhe prodhimi, “sepse këta njerëz kishin jo vetëm ngritjen e verifikuar personale, por edhe moralin e konsoliduar të klasës nga vinin”. “Udhëheqësi i PPSH-së, Enver Hoxha, bënte kujdes të  madh për ruajtjen e thjeshtësisë tek kuadrot, duke i parë kuadrot jo si të privilegjuar, por si të ngarkuar vetëm me punë  të rëndësishme”, shkruan më tej ai…

Përgatiti: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Kritikat e Enverit ishin kurdoherë parimore

Rita Marko rrëfen një episod mes tij dhe ish-udhëheqësit socialist, teksa ai i e kritikoi për diçka të gabuar ndaj tij dhe si reagoi ai

Ndodhte që ishin edhe tepër të rrepta, por kurrsesi nuk të ligështonin. Ato të shtinin në mendime, të bënin të analizoje në vetvete veprimin për të cilin kritikoheshe dhe t’i viheshe punës më i mobilizuar. Më ka bërë mjaft përshtypje një rast në vitin 1978, kur shoku Enver më kritikoi, se përse unë nuk kisha marrë pjesë në një studim të ndërmarrë nga Komiteti Qendror i Partisë lidhur me organizatat e masave, në radhë të parë me Bashkimet Profesionale, por kisha ndjekur disa çështje të tjera! Ashtu e kishin informuar. Kjo për mua ishte një kritikë e rëndë. Veprimi im, po të ishte e vërtetë, tregonte se nuk vlerësoja detyrat e rëndësishme, gjë që nuk mund t’ia lejoja vetes kurrë. Gjeta rastin dhe e sqarova shokun Enver. I shpjegova se e vërteta qëndronte ndryshe dhe për këtë ishte në dijeni edhe shoku Ramiz Alia. Ai më dëgjoi. U dëshpërua që isha kritikuar padrejtësisht dhe u mundua të më qetësojë. Ndaj atyre që e kishin shtrembëruar të vërtetën, u revoltua. E kisha parë kaq herë, por e vura re edhe në rastin tim, sesi ai nuk ndihej i qetë sa ta vinte në vend padrejtësinë. Pra, kur ishte fjala për të kritikuar shokët kur bënin ndonjë gabim, nuk ta përtonte, por gjithnjë me takt dhe në kohën e duhur. Më ka qëlluar të jem i pranishëm në mjaft raste kur shoku Enver thërriste në zyrë dhe i kritikonte rreptë disa, që në atë kohë ishin në funksione të larta në parti dhe në shtet, por megjithë ndihmën e madhe që u qe dhënë, ata u zhytën thellë e më thellë në rrugë të gabuar. Parimësinë dhe drejtësinë e kritikave e të këshillave të shokut Enver ndaj tyre, nuk kam ndër mend  ta shtjelloj, se ato i ka provuar koha.

Enveri ishte novator, sistematik e këmbëngulës i madh në çdo punë

Të tjera karakteristika të ish-udhëheqësit komunist, në lidhje me punën dhe mënyrën sesi operonte ai

Shoku Enver ishte novator, sistematik e këmbëngulës i madh në çdo punë. I niste punët pas konsultimesh dhe këshillimesh me shokë të udhëheqjes, me specialistë e punonjës të thjeshtë. I rrihte mendimet me shumë  njerëz, i mblidhte ato me kujdes si pikën e mjaltit dhe, kur bindej, kërkonte të merreshin vendime, fatin e të cilave e ndiqte  deri në fund. Unë nuk do të flas për këtë tipar të veçantë të metodës së tij të punës në përgjithësi, por do të sjell ndonjë shembull, që tregon sesi ndikonte te të tjerët t’u hynin punëve të vështira, të  merrnin përsipër e të zgjidhnin probleme kyçe. Ai nxiste shokët dhe bashkëpunëtorët të diskutonin , të jepnin mendime e kudo që shkonte, idetë e veta për çështje të caktuara në biseda të ndryshme, herë njërën dhe herë tjetrën, i hidhte për diskutim. Në raste të volitshme mbante shënime aty për aty, por ndodhte që mendimet që  dëgjonte i hidhte në bllok më pas. I respektonte mendimet e të tjerëve. Atyre që u drejtohej për gjithçka, sidomos kur fliste për  probleme të specialitetit dhe të fushës së tyre të veprimtarisë, u vinte veshin me vëmendje, u kërkonte të shpreheshin lirshëm për gjithçka dinin. Në të gjitha rastet ai vetë kishte një mendim të tij, sepse për ato që u drejtohej të tjerëve, gjithnjë mendohej gjatë, por nuk shprehej qysh në  fillim. “Të dëgjojmë më parë shokët se ç’do të na thonë. Po të flasim ne, i influencojmë me mendimet tona, kurse ne  kemi nevojë për mendimet e tyre”, arsyetonte dhe shprehej vetëm pasi bindej se kishte dëgjuar gjithë ç’mund të dëgjonte. Njerëzit e punës, nismëtarët e së resë, i përkrahte, i inkurajonte, i përmendte në fjalime, në raportet dhe bisedat e tij sa herë që i binte rasti. Këtë e kërkonte edhe nga ne.

Enveri ushqente respekt tepër të sinqertë për punëtorët dhe kooperativistët

Këto dy kategori punonjësish kanë qenë gjithmonë të vlerësuara dhe të përkrahura prej tij. Tek ata, ai shihte kuadrot dhe udhëheqësit e partisë dhe prandaj këta të fundit shpesh i zgjidhte prej tyre

Enver Hoxha ushqente respekt tepër të sinqertë për punëtorët dhe kooperativistët e ishte kjo arsyeja që ai tek ata shikonte kuadrot e deri edhe udhëheqësit e partisë. Kur themi që Enver Hoxha e vlerësonte shumë klasën punëtore dhe fshatarësinë kooperativiste, këtë e bazojmë në fakte konkrete. Shumë nga udhëheqësit e partisë dhe drejtuesit e shtetit u morën drejtpërdrejt nga puna dhe prodhimi. Përse? Sepse këta njerëz kishin jo vetëm ngritjen e verifikuar personale, por edhe moralin e konsoliduar të klasës nga vinin. Enver Hoxha nuk mund të tregohej hipokrit në ato që deklaronte, se PPSH-ja është parti e klasës punëtore dhe e fshatarësisë punonjëse. Përkundrazi, ai i qëndronte rob këtij parimi të lartë marksist-leninist. Nëpër dikastere, siç flasin vetë faktet, punonin e drejtonin  nga specialistët më të mirë të vendit. Kishte porosi të specifikuara të vetë Enver Hoxhës, sipas të cilave, punonjësit  më të ngritur nga ana profesionale, natyrisht edhe nga më të aftët nga ana organizative, të ngriheshin në përgjegjësi deri në forumet më të larta shtetërore. Le të kujtojmë këtu, se cilët qenë dhe nga erdhën ata që u vunë në krye të ministrive të Bujqësisë, Ndërtimit, Industrisë, Tregtisë, etj. Udhëheqësi i PPSH-së, Enver Hoxha, bënte kujdes të madh për ruajtjen e thjeshtësisë tek kuadrot, duke i parë kuadrot jo si të privilegjuar, por si të ngarkuar vetëm me punë  të rëndësishme. Duan të thonë se Enver Hoxha ishte diktator dhe si i tillë, për hiçgjë, të niste në gjyq dhe të merrte jetën! Nuk është aspak e vërtetë. E kundërta  është. Ai të këshillonte me takt e durim, të qortonte përsëri me takt e durim, por kur  shikonte që dikush vazhdonte në një rrugë ndryshe nga  ajo që mësonte partia, atëherë ai e shtronte shqetësimin  në parti. Kjo ka qenë një praktikë, së cilës ai i qëndronte me besnikëri të patundur.

Kush e ngre sot zërin kundër Enver Hoxhës?

Rita Marko rendit kategoritë që sipas tij dolën kundër figurës së udhëheqësit komunist, pas viteve ‘90

Kush e ngre sot zërin kundër Enver Hoxhës? Ish-punëtorët? Jo. Ish- fshatarët kooperativistë? Edhe këta jo. Nuk e ngrejnë, sepse tek ish- udhëheqësi i partisë ata shikonin njeriun e dashur dhe të dhembshur. Ka sot që e ngrejnë zërin? Posi, ka. Në radhë të parë janë ata, që gjatë LANÇ-it qenë qafë për qafë me fashistët  italianë dhe nazistët  gjermanë. Janë ata që kur i thirri  PKSH-ja për çlirimin e atdheut, shkuan e u radhitën me Ballin Kombëtar, duke bashkëpunuar me pushtuesit. Ka edhe nga ata, që qysh në kohën e shoqërisë socialiste  orvateshin të vinin gurë në rrota, ndaj të cilëve u morën masa nga ligjet e rrepta të kohës. Kush tjetër ngre zërin kundër tij? Ngrejnë zërin ata, ndaj të cilëve, shteti i organizuar me ligje, në kuptimin më të drejtë të tij mori masat që meritonin. Kush e ngre zërin më tej? E ngrenë pinjollët e atyre, që dje gjatë luftës për liri, ishin bashkëpunëtorë me pushtuesit. E ngrejnë zërin edhe shumë servilë, të cilët aktualisht kanë rrëmbyer nga një llokmë nga ish-prona e popullit dhe tani, për ta mbajtur, iu duhet të hedhin ndonjë mallkim  apo sharje ndaj atij, që dje i shërbenin si servilë.

Enver Hoxha ishte parashikues i madh i së nesërmes

Rita Marko rrëfen sesi ish-udhëheqësi komunist u dha përparësi atyre degëve ekonomike e sektorëve që kanë qenë përcaktues për fuqizimin e vendit

Enver Hoxha ishte parashikues i madh i së nesërmes. Ai preokupohej shumë për ato çështje dhe probleme të rëndësishme që ishin vendimtare për ndërtimin socialist e mbrojtjen e vendit. U bënte analizë të thellë shkencore fenomeneve dhe faktorëve të ndryshëm dhe në çdo rast, peshonte mirë jo vetëm përparësitë, por edhe vështirësitë  e pengesat që mund të haseshin gjatë zbatimit të një direktive. Ishte mëndja dhe puna këmbëngulëse e Enverit ajo që ndërtoi shtetin në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, që ideoi transformimet e thella në industri, bujqësi e në fusha  të tjera, që guxoi t’i futeshim aksionit të madh për elektrifikimin e gjithë vendit, kur mjaft shtete, edhe pse më të zhvilluara, nuk e kishin zgjidhur këtë problem. Ka qenë gjithashtu, këmbëngulja e tij e bazuar në llogari të bëra mirë, që ekonomia jonë u zhvillua në rrugë të drejtë. Nën udhëheqjen e partisë e të shokut Enver, iu dha përparësi atyre degëve ekonomike e sektorëve që kanë qenë përcaktues për fuqizimin e gjithanshëm të atdheut. Kështu, kërkimet për zbulimin dhe shfrytëzimin e naftës e të gazit erdhën duke u rritur, industria nxjerrëse dhe përpunuese e mineraleve, sidomos e kromit, bakrit  dhe hekur-nikelit mori përpjesëtime të gjera;energjia e lumenjve  me anë të hidrocentraleve u kthye në dritë, u krye përparim i  madh në arsim, etj. Mund të vazhdohet gjatë me ndryshimet e thella e arritjet e mëdha që pati pësuar Shqipëria, të cilat, si njëra-tjetra, i kanë  fillimet në idetë e Enver Hoxhës, në mbështetjen që u ka bërë partia dhe ai klasës punëtore, fshatarësisë kooperativiste, inteligjencies popullore, kuadrove e specialistëve për të projektuar e zbatuar plane  ambicioze, madje tepër të guximshme. Gjithashtu, vëmendjes së mprehtë të shokut Enver asnjëherë nuk i shpëtuan veprimet jodashamirëse të disa qeverive me të cilat kishim marrëdhënie. Sepse kishte disa qeveri që hiqeshin sikur na qanin hallin. Na mësonin që të mos hapeshim në ndërtimin e minierave e të metalurgjisë, se për të siguruar fuqinë punëtore do të duhej të zbraznim fshatin, të mos e zhvillonim më tej industrinë tekstile, se të mjaftueshëm i kishim kombinatet  e ngritura deri atëherë, të hiqnim dorë nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës, se “formacioni gjeologjik i terrenit ishte i paqëndrueshëm”, se nuk kishim kuadro e specialistë për projektimin dhe zbatimin e tij dhe se mund të ndodhte që të shkiste mali i Poravit, të çahej diga e të mbytej gjithë fusha e Shkodrës (!), etj. Po këto “këshilla” mbanin erë të keqe, prandaj në të gjitha rastet, u hodhën  poshtë me veprime të zgjuara e të matura.

…Nuk do ta harroj atë ditë të vitit 1967

Si e ngarkoi Enver Hoxha, Rita Markon, që të shkonte të takonte punonjësit e Fierzës dhe t’i përgëzonte për punën e bërë prej tyre

Përgatitesha  për të raportuar  në Komitetin Qendror  të PPSH-së dhe për të mos u penguar, punoja gjetkë, jashtë zyrës. Haxhiu (Kroi), që kishte marrë vesh ku ndodhesha, më thotë në telefon që të zbrisja urgjent në Tiranë, se më kërkonte shoku Enver. I shkova në zyrë.  Më përshëndeti dhe nisi të më porosiste: “Do të shkosh në Fierzë me disa shokë, do të vizitosh kantieret, do të marrësh kontakt me punëtorët e specialistët në frontet e punës, do t’i përgëzosh për punën  e madhe e heroike që po bëjnë, do të mbash  fjalime, ku të theksohet se klasa punëtore, specialistët dhe kuadrot tona janë të afta të projektojnë e ndërtojnë hidrocentrale si ai i Fierzës, se kanë përgatitjet teknike e përvojën e nevojshme për ngritjen e veprave të tilla dhe se hidrocentralin ata do ta ndërtojnë para afatit”. Në atë takim, u dhanë gjithashtu porosi për të marrë masa mbi propagandimin e kësaj veprimtarie, që nisi me një telegram  të shokut Enver drejtuar ndërtuesve të hidrocentralit. “Partia, – u  shkruante atyre, – ka besim se ju do ta ndërtoni atë vepër në afat.” Ishte kjo përgjigjia që u kthente ndërtuesve për telegramin që i patën dërguar pak ditë më parë dhe përgëzimi që u bënte për zotimet që kishin marrë. Njëkohësisht, me anën e këtij telegrami, u thoshte punonjësve se “ne Fierzën do ta ndërtojmë, ashtu siç do të ndërtojmë  edhe hidrocentrale të tjera në të ardhmen”. Edhe në Kongresin e 8-të të BPSH në Korçë, duke orientuar delegatët punëtorë që të kritikonin  haptazi cilindo që pengonte punën  për ndërtimin e veprave të mëdha, shoku Enver dëshironte t’u dërgonte mesazhe miqve dhe armiqve, se Shqipëria nuk pranon të tërhiqej prej hundësh.

 

EPISODI

Novatori me çadër në dorë, i shpjegoi Enverit sesi ato mund të prodhoheshin në vend

Kishim shkuar së bashku në një mbledhje. Mesa më kujtohet, flitej për novacionet dhe punët e novatorëve të Tiranës. Enveri erdhi të dëgjonte vetë sesi do të shtroheshin problemet, ç’do të thuhej, ç’perspektivë do hapej. Mjaft novatorë të shquar i njihte drejtpërdrejt. Në atë mbledhje gjendej edhe Gani Luzi. Tek vendi ku do të fliste, ulur poshtë, mbante në dorë një çadër. Të tjerët po habiteshin, ndonjë edhe qeshi me çadrën e Ganiut, por shoku Enver më tha: “Ky kot nuk e ka marrë atë çadër. Diçka ka për të thënë për të, prandaj edhe nuk po e heq nga dora”. Dhe në fakt, Ganiu, sapo filloi diskutimin, e ngriti çadrën mbi kokë dhe e hapi. Pastaj nisi të argumentojë se çadrat, të cilat deri atëherë importoheshin, mund të prodhoheshin  në vend. Ai i tregoi mbledhjes se ajo çadër ishte e prodhuar nga njerëzit tanë. Salla nuk qeshi, por e ndoqi me vëmendje deri në fund. Ganiu vazhdoi të fliste. Që t’i bindte njerëzit për ato që thoshte, nxirrte nga xhepat herë një makinë rroje, herë një brisk të vogël a send tjetër. Të gjitha të prodhuara nga mbetjet e metalit të përdorur si lëndë e parë. Fliste me pasion  e i bindur, që artikuj të tillë të imët të mund të prodhoheshin edhe nga ndërmarrjet e tjera. Shoku Enver e mbështeti dhe e inkurajoi. Kështu bënte ai, sa herë  me njerëzit e pararojës e me novatorët. Entuziazmohej  nga nismat dhe arritjet e tyre.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :