Data : 16 10 2018
KryeTitujt :

Prononcimi i plotë për media i Taulant Ballës pas daljes nga Gjykata: Nuk merren me hallet e njerëzve por merren me njëri-tjetrin

Prononcimi i plotë për media i Taulant Ballës pas daljes nga Gjykata: Nuk merren me hallet e njerëzve por merren me njëri-tjetrin

TB

Unë e di që shumë qytetarë shqiptarë që na ndjekin thonë: Ja këta këtë punë kanë. Nuk merren me hallet e njerëzve por merren me njëri-tjetrin.

E di se sa keq i bën perceptimit të publikut ndaj politikës shqiptare, por megjithatë besoj se sot, edhe në procese të ngjashme si ky, po i bëjmë një shërbim politikës shqiptare në tërësi, për të ndarë përfundimisht shpifësit nga e vërteta.

Ju të gjithë e dini, jeni gazetarë me shumë eksperiencë, që Lulzim Basha ka fobi nga këto godina dhe nuk besoj se do të paraqitet ndonjë ditë pavarësisht se burrërisht i takon që të vijë dhe të përballet me akuzuesin. Në rastin në fjalë akuzuesi jam unë, mund të ketë edhe çështje të tjera në ditët në vijim ndaj tij.

Por ajo që është shumë e rëndësishme, duhet të kuptoni që unë do ti shkoj deri në fund këtij procesi. Sikurse edhe një procesi të ngjashëm me të. Jam shumë i bindur se në fund të këtij procesi, do të fitojë një vendim gjykate, i cili nuk do të më vlejë vetëm mua por do t’i vlejë në fakt edhe Partisë Demokratike. Ne thamë në fillim se Sali Berisha i la Partinë Demokratike Lulzim Bashës në dorë si një lodër dhe ky kalamani, po e thyen lodrën përditë dhe e ka shndërruar Partinë Demokratike në një studio “Babalesh”, e cila nuk është më Partia Demokratike, e cila nisi 28 vite më parë me një mision historik.

Sot është shndërruar në një parti e cila kalon nga një puntatë në puntatën tjetër të “Babales”.

Z. Balla, sa herë ka nga ato njerëz që ju i konsideroni “Babale” dhe me ngjarje të rënda kriminale lidhet emri juaj. A keni ju një qëndrim për Fredi Alizotin, i cili nga njëra anë në Prokurori pranon se ka bërë një shërbim duke imituar zërin e Agron Xhafajt në këmbim të parave dhe nga ana tjetër implikon direkt emrin tuaj dhe atë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. A e rrëzon kjo kauzën e Prokurorisë? Thonë se është takuar edhe me ju.

Nuk e kam takuar kurrë. Unë dua t’ju them që Prokuroria po bën një punë të shkëlqyer në zbardhjen e gjithë kësaj çështjeje. Të vazhdojë hetimin deri në fund edhe për video të tjera të servirura.

Por personat që nxjerrin video nuk duhet t’ia fusin vrapit kur Prokuroria shkon t’i marrë provat që nxjerrin sepse rasti i mbrëmshëm i largimit të Salianjit nga televizioni “Klan”, duke vënë në rrezik edhe rojet e televizionit në largim e sipër me shpejtësi, është një rast i turpshëm sepse ne politikanët duhet të jemi shembulli i parë që në momentin që vihemi në dijeni të një prove të përfshirjes në një vepër kriminale të çdokujt, duhet të jemi ne të parët që ta dorëzojmë provën në Prokurori.

Pra, Partia Demokratike, Salianji apo Luli si master-regjizori i gjithë kësaj historie në vlerësimin tim juridik rrezikon një vepër penale tjetër atë të fshehjes së një krimi.

Ju jeni takuar me z. Alizoti?

Jo, asnjëherë. Salianji e ka shtëpinë këtu e sqarojnë më mirë se kushdo tjetër Salianji dhe Luli.

Ju jeni fqinj i Salianjit?

Nuk jam fqinj për fat të keq me Salianjin.

Në një nga përgjimet në dosjen e Prokurorisë, Fredi Alizoti pranon se ka kaluar në anën tuaj. Pra, në anën e Partisë Socialiste dhe është i gatshëm t’u bindet juve. Cili është qëndrimi i Partisë Socialiste lidhur me këtë?

Këto çështje t’i sqarojë Prokuroria. Këtë çështje e krijoi Partia Demokratike, nuk e krijuam ne. Pati disa ditë me radhë që “dëshmitari x”, “Babalja” u propozua nga Partia Demokratike për t’u shpallur hero kombëtar. Tani, kunati i heroit Kombëtar të Partisë Demokratike, paska tradhtuar Partinë Demokratike dhe paska kaluar në anën tjetër. Këto nuk janë aspak të vërteta.

Unë po ju them se çështja ka ecur mirë deri tani, i bëj thirrje Prokurorisë që këtë çështje ta çojë deri në fund, sepse duhet t’i japim fund kësaj politike të turpshme të fabrikimit të akuzave dhe të shpifjeve kundrejt kundërshtarit.

Nuk na votojnë ne shqiptarët se shpifim ndaj njëri-tjetrit.

Shqiptarët do të dinë si gjithmonë të ndajnë shapin nga sheqeri, se kush bën punë e kush është për shpifje.

Z.Balla, avokatët deklaruan se z. Basha i ka bërë këto deklarata në kuadër të detyrës së tij si kreu i opozitës. Ju e dini jeni politikan që deklaratat nga foltorja e Parlamentit nuk kanë përgjegjësi.

Me përjashtim të shpifjes.

Ai tha se i qëndron deklaratave.

E para, ju e patë dhe ju jeni një gazetar i vëmendshëm si gjithë të tjerët, që Lulzim Basha përdor një taktikë për t’u mbrojtur për shpifjet që ka hedhur me detyrën që ka.

Por kjo është një çështje që është sqaruar tashmë me vendime të Gjykatës që deputeti nuk mban përgjegjësi për deklaratat që bën me përjashtim të shpifjes dhe këtu u kuptua qartë se Basha synon që shpifjet ti fshehë brenda mandatit të deputetit.

Këtë pjesë do t’ia ndaj mirë Bashës. Unë ju them me plot bindje që në fund të këtij procesi penal për shpifje sipas nenit 120, ku Lulzim Basha, jam shumë i sigurt do të dënohet, do të kemi edhe një proces tjetër civil për dëmin e shkaktuar.

Së bashku pastaj do të shkojmë në një prej qendrave të fëmijëve jetimë për t’ia dhuruar, kështu siç jemi sot.

Përse nuk i bëni më parë këto por duhet të përfundoni nëpër gjyqe?

Po, sepse ju e dini fare mirë që duhet të mbarojë ky proces se Luli ka shumë para’ paguan “Babalen” 200 mijë euro.

Faleminderit!

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


9 − 8 =