Data : 20 05 2018
KryeTitujt :

Profil/ FATI I FATE VELAJ

Profil/ FATI I FATE VELAJ

PARANTEZË

Prof. Dr. Ago Nezha

Jeta e Fate Velaj, është një sagë epiko-lirike. Ai, ka ditur të shkelë shtigjeve të vështira dhe të dalë triumfator para plot papriturave që i kanë dalë rrugës. I idealizuar me bindjen, se kush nuk rrezikon nuk fiton, ka vrapuar nëpër lakadredhat e jetës. Kur njihesh me romanin autobiografik të Fates, të titulluar “Kreuztanne”, vendi enigmë në udhëkryqet e kryqëzimit të tre rrugëve që të çonin në tre fshatra të baraslarguara nga 5 Km secila nga distanca ku nisnin, mëson plot peripeci e ngjarje që e kanë shoqëruar gjatë qëndrimit  në Austri. Me mjeshtërinë e penës së tij vezulluese, Ai, ka ditur ta përshkruaj me notat e një nostalgjie vrastare se si ka bërë udhëtimin e gjatë e plot rreziqe nëpër Jugosllavi, në vitin e trishtë 1991. Ishte viti i kthesave të mëdha në gjithë vendet e kampit Lindor, të përmbysjes së një sistemi që kishte pështjellime e zhvillime krejt të papritura. Nisën luftërat e përgjakshme mes republikave,  ku në zjarrin e urrejtjes mes tyre, po shpërbëhej Jugosllavia. E djaloshi i ri nga Vlora, që i ishin vrarë shpresat në vendlindje, kishte marrë një torbë me rroba të hedhur në supe dhe si një cigan i vetmuar pa asnjë përkrahje, me 100 marka gjermane në xhep, që në rrugëtimin e gjatë si dilnin as për ujë, pale më për të përballuar nevojat jetësore. Mbas 28 orësh u gjend në Traiskirchen, një qytet ky, 20 km në periferi të Vjenës. Rrëpirat e atyre rrugëve që kryqëzoheshin si shpatat e një beteje, janë  vizatuar në kujtesën e Fates, si një kujtim i dhimbshëm por dhe si një start ku do niste maratona e tij në Austri, për tu ngjitur në majat e suksesit të paparashikuar e të pabesueshëm për një refugjat në një vend të huaj. Në muzeun e kujtimeve të tij ka një vokabular shumë të pasur me emra vendesh, njerëzish dhe ngjarjesh që ja ka bërë të njohura dhe familjes së tij, bashkëshortes Klara dhe fëmijëve Helenës dhe Romelit, gjatë një vizite dy javore që ka realizuar për të evokuar startnisjen e një jete plot të panjohura, që e nxori në breg të lumturisë me një lavdi të pa krahasueshme.  Këto maja ngjitjeje, do kishin xhelozuar edhe vendasit, pafolur më për një të huaj, pa asnjë kredit e përkrahje shoqërore apo institucionale. Kur e përshkruan Fatja, jetën e mundimshme në tërë hapësirën e realitetit të saj, lexohet qartë se fati i Fate Velaj, e ka hedhur atë në një oqean dallgësh që është përplasur,  rishfaqur dhe ka ditur të rezistoj e të ngrihet mbi to si një zgalem, që nuk di të dorëzohet para çdo tallazi. Rrugëtimi i tij i lodhshëm, i mundimshëm, befasues e sakrifikues, e ka armatosur atë me një besim e kurajo triumfuese, falë inteligjencës, ambicies, vizionit dhe vullnetit të paepur.  Është superioriteti i genit Shqiptar dhe për më tepër lab, që kapërcen shkretëtira gjeografike, sociale, mjedisore e njerëzore dhe di të gjejë veten, e të triumfojë në shtigje të pashkelura. Edhe pse në kushte fillestare tepër të vështira, me zbrazësinë dhe privacionet e një të huaji në një vend të panjohur, ai nuk u tulat   kurrë moralisht, shpirtërisht, psikologjikisht dhe intelektualisht, as nga ftohtësia e maleve, vetmia, apo energjia e ndrydhur, por luftoi me realitetin e hidhur që i solli jeta, për ta kthyer atë në një ring suksesi triumfues.

Kush është  Fate Velaj, nga vjen dhe ku shkon…

S’ka histori, pa trashëgimi. Fate Velaj, u lind në Vlorë në vitin 1963 në një familje intelektuale. Ështe fëmija i tretë i Meleq e Afërdita Velaj. I ati i tij Meleqi, bir i një fshati me histori të shquar nga Kanina e Vlorës, “Nderi i Kombit”, studioi dhe u diplomua shkëlqyeshëm në Universitetin e Moskës në degën e Naftës e të Gazit, degë kjo shumë e rëndësishme për ekonominë kombëtare të kohës. Pasi u kthye në Shqipëri, punoi në funksione të ndryshme fillimisht si Inxhinier nafte, e më pas si themeluesi i Ndërmarrjes së Naftës në Vlorë, që ishte dhe drejtori i parë i saj. Me aftësitë dhe eksperiencën e tij si inxhinier i talentuar, është autori i disa studimeve, hulumtimeve dhe zbulimeve të disa vendburimeve të rëndësishme nafte dhe gazi. E ëma e Fates, Afërdita, është me origjinë nga Këlcyra e Përmetit dhe me profesionin e  ekonomistes ka punuar shefe llogarie në disa ndërmarrje të Vlorës dhe gati për 20 vjet si llogaritare e parë në spitalin e qytetit.

Karriera dhe talenti i Fate Velaj, ka nisur dhe është ngjitur në majat më të larta në shtetin Austriak. Ai,sot është një piktor, fotograf dhe shkrimtar i përmasave europiane. Tashmë është bërë i njohur në arenën ndërkombëtare si krijues i strategjive dhe iniciativave politiko-kulturore, ideator e moderator konferencash, si dhe kurator ekspozitash.

Fate Velaj, nga viti 1991, jeton, punon, kontribuon dhe ndalon në tre stacione kryesore të veprimtarisë së Tij, që janë Vjena, Tirana dhe Vlora. Ai, Mban dy nënshtetësi, atë austriake dhe shqiptare. Këtë të drejtë e ka fituar në vitin 2006, nga qeveria austriake për merita të veçanta që ka manifestuar për artin dhe kulturën austriake dhe europiane. Prirjet dhe dhuntitë e tija natyrore, e orientuan drejt studimit për “ Art dhe menaxhim kulturë”, në Universitetin e arteve të aplikuara në Vjenë, ku dhe u diplomua me rezultate të larta. Pas përfundimit të studimeve universitare, Fate Velaj nisi të shpalos aftësitë e tija si artist me vlera të larta profesionale dhe u pozicionua nga viti 2001 deri në vitin 2013, si President i Fprum Ëeltoffen International, Vjenë. Aktiviteti i tij i pasur dhe i larmishëm, ka bërë që të marrë shumë vlerësime dhe nderime nga autoritete të larta, fillimisht të Austrisë dhe mandej dhe të Shqipërisë.

Maratona e vlerësimeve dhe nderimeve

Aftësitë e tija rrezatuese kanë bërë që vlerësimet e para të nisin qysh në vitin 2003, ku nga Kryeministria e Austrisë, i dorëzohet medalja “ Bundes-Ehrenzeichen” ( Qytetar Nderi), për merita të veçanta për Republikën e Austrisë. Një sinjal ky, që do ta shoqëroi në çdo hap të veprimtarisë së tij krijuese, si një vlerë e talentit të tij shpërthyes në tre fushat e artit: si piktor, fotograf dhe shkrimtar. Në vitin 2003, në Sanremo të Italisë, fiton “ Sanremo Arte”, çmimi i Parë për pikturën bashkëkohore. E kur fillon ujëvara të rrjedhë, nuk ndalet. Në vitin 2009, në Novoli të Italisë, fiton çmimin e Parë “ Focara “, për fotografinë bashkëkohore. Brenda Italisë ndërron portat mes pikturës dhe fotografisë dhe di të fitojë si primat. Puna dhe krijimtaria në Austri dhe më gjerë, e bënë të njohur në mbarë hapësirën europiane. Aktiviteti i tij i spikatur nuk mund të kalojë pa u vënë re dhe nga Presidenti i Parlamentit Europian, i cili e nderon me medaljen e lartë “ Civi Europaeo Preamium” ( Qytetar Europian ), për merita të veçanta për Bashkimin Europian. Kontributi i tij i veçantë, është mbresëlënës dhe inspirues për piramidën e pushtetit austriak. Në vitin 2013, Presidenti i Austrisë i akordon medaljen e lartë “ Kryqi i artë i kalorësit të shkallës I “, për merita të veçanta për Republikën e Austrisë. Një vit më vonë, jo shumë larg në 2014, ai merr dy vlerësime si “ Albanian Excellence Aëard” dhe në Cleveland, Ohio-USA, ku Kryetari i Këshillit Bashkiak, në emër të qytetit, i dorëzon “ Rezolutën e mirënjohjes “, për punën e tij nëpërmjet artit dhe kulturës, si ndërtues urash midis popujve. Korpusi i këtyre vlerësimeve nga personalitete të larta të vendeve të ndryshme të europës dhe më tej, flasin qartë për një artist si Fate Velaj, që është ngjitur në majat më të larta të krijimtarisë së tij multidimensionale dhe tashmë i ka kaluar caqet e interesave të individit dhe është bërë një ambasador i Shqipërisë në botë. Nëpërmjet sintezës së veprave të krijimtarisë së tij të larmishme artistike, ai kap një diapazon me tematikë të gjerë, që prek dukshëm vlerat humane, sociale, psikologjike dhe artistike.

Dimensioni krijues i Fate Velaj në lëmin e botimeve

Fateja, “shëtit” plot elegancë në të gjitha fushat e krijimtarisë. Ai, është një piktor sfidues, një fotograf suprizues dhe një shkrimtar befasues. Këtë dimension të jetës së tij e gjen të shprehur fare mirë në romanin autobiografik “ Fate Velaj Kreuztanne”. Aty,  ka derdhur talentin e tij artistik duke pasqyruar me një kolorit të pashoq dhe një stil akrobatik,që kalon përmes episodeve, ku njëri është më interesant se tjetri, duke transmetuar dhe ndërthurur jetën në emigracion, sa tek ajo private te ajo shoqërore, që i cek me ngjyra reale te prologu i veprës. Kur njihesh me botimet e Fates, të duken një det pafund. Por ne do sjellim ato më përfaqësueset, të krijimtarisë së tij në vite. Nisim me “100 hapa brenda Europës”, autobiografi e punës së kryer nga viti 2001-2017, “Pikturoj në thellësi të dritës”, Vjenë, 2002, “ Nëpër rrugë”, Prishtinë, 2008, “ Kujtime nga e ardhmja”, Tiranë 2008, “ Midis Fates dhe Fates”, pikturë, fotografi, ese- Itali, 2015, “ Fytyra-përtej identitetit”-Itali 2018 dhe “Kartolina “-Ese dhe skica letrare, Tiranë 2018. Radha është e gjatë, duke vazhduar me dy romanet: “  Kreuztanne”, Tiranë 2016 dhe “Nilkon”, Tiranë 2017.

Njëkohësisht ai ka botuar albumet e ekspozitave në të cilat ka qenë iniciator dhe kurator. Ndër më kryesoret janë:  “Arti përmirëson kohën”, Shkup, 2002, “Ndërmjet Danubit dhe Nilit”, Kajro, 2002, si dhe disa katalog të ciklit të ekspozitave “ Good morning, Ballkan” në Athinë, 2003, Bukuresht, 2004, Tiranë 2005, Prishtinë 2006, Ohër, 2007, Alpbach, 2008 dhe “Danubi, ky lumë sa i gjatë dhe i qetë”, Vjenë 2010. U lodhëm duke i numuruar, e pa le më për ti krijuar. E, po ja, ky është krijuesi multidimensional, Fate Velaj.

Vlerësime dhe konsiderata nga personalitete Europiane për krijimtarinë e Fate Velaj

Krijimtaria dhe talenti i Fate Velaj, është një minierë pafund që sa herë gërmon gjen “thesare të çmuara”. Pikturat, fotografitë, ekspozitat dhe botimet letrare, kanë inspiruar shumë personalitete të vendeve perëndimore, që kanë shprehur konsideratat dhe kanë bërë vlerësimet e tyre tunduese. Po shkëpusim disa prej tyre, që janë edhe më përfaqësuese:

Benita Ferrero Waldner, Komisionere e Bashkimit Europian, shkruan:

“Konceptimi i 100 hapa brenda Europës”, para së gjithash u zhvillua në Vjenë, qytet ky që për shumë artistë, muzikantë, shkrimtarë dhe filozofë, është i njohur shumë më larg se 100 hapa përtej Europës. Forca tërheqëse e Vjenës, ka shërbyer si frymëzim për krijimtari të lartë artistike për shumë artistë europianë, siç është artisti dhe kryetari i Forumit Weltoffen, Fate Velaj. Dhe, nuk është rastësi që edhe himni i Europës së Bashkuar “ Freude schoner Gotterfunken” ( Ode to joy ) u kompozua pikërisht në Vjenë nga Ludëig Van Beethoven.

Edi Rama-Kryeministër i Shqipërisë

“ Të flasësh për Fate Velaj, nuk është e lehtë. Por, të lexosh Faten duhet të jesh i qetë e ta kesh kohën vetëm për Faten. Krijimtaria e tij artistike lëviz sa nga piktura aq dhe nga fotografia e letërsia. Por, unë jam i bindur se kryevepra e Fate Velaj, është krijimi i figurës së vetë, Fate Velaj”.

Christian Kern i Austrisë

“100 hapa brenda Europës” është një udhëtim gati 17-vjeçar nismash kulturore europiane, frymëzimi i të cilave erdhi si pasojë e diversitetit dhe identitetit të përbashkët europian, ku kultura u kthye në një aktivitet të thellë politik…Nismat e “ Forum Weltoffen International”, themeluar dhe drejtuar nga Fate Velaj-një artist dhe politikan austriako-shqiptar, e vërtetojnë këtë në mënyrë më të dukshme.

Vaclav Havel- Dramaturg dhe disident. Ish-President i Republikës Çeke

Ju falënderoj për përpjekjet tuaja për të bërë të vetëdijshëm njerëzit e këtij rajoni për lidhjet kulturore e historike në Europë, si dhe për ndikimin që rrjedh nga historia e përbashkët europiane paraqitur tek “ Europa Boulevard” në Pogradec, si dhe në përurimin e veprës së artit “ European Gates” realizuar nga ju, Fate Velaj, sipas ciklit “ Kujtime nga e ardhmja”, në kuadrin e projektit tuaj “100 hapa drejt Europës”.

Ion Ilesku-President i Rumanisë

“ Kjo ekspozitë, organizuar në muzeun kombëtar Cotroceni, në bashkëpunim me Fate Velajn, President i Forumit Ndërkombëtar me emrin “Weltoffen”, nxjerr në pah një panoramë shumë të gjerë shpirtërore e kulturore, nga të cilat Rumania, përveç përfitimit, nuk mund të humbasë”.

Peter Balazs-Ministër i Jashtëm i Hungarisë

“ Albumi “ 100 hapa drejt Europës “, këtij projekti të shkëlqyer,simbolizon historinë e përbashkët, si dhe bashkimin e kontinentit tonë të vjetër. Bashkimi i Europës nëpërmjet kulturës nuk është vetëm slogani më i mirë, por edhe qëllim më i mirë që ndonjëri në Europë mund të përçojë. Një ditë vizioni i zotit Velaj, do të bëhet realitet dhe për këtë unë jam më se i sigurt.

Johannes Hahn-EU komisioner për zgjerimin dhe Fqinjësinë

“Unë e përshëndes librin “ 100 hapa brenda Europës”, të Fate Velaj, i cili prej dhjetëra vitesh, i palodhur, si një ndërtues urash, është angazhuar për thellimin e njohjeve sa më të mira midis popujve të kontinentit. Unë e falënderoj Fate Velajn, që në mënyrë të palodhur bën kaq shumë hapa për thellimin e mirëkuptimit mes popujve të Europës dhe i uroj suksese dhe sa më shumë forcë e guxim për 100 hapat e ardhshëm”

Jose Manuel Barroso-President i Komisionit europian

“Libri 100 hapa drejt Europës”, do të shërbejë dhe do të ndikojë në thellimin e njohurive të asaj që mendimi mbi përkatësinë dhe i perspektivave pozitive për të ardhmen e njerëzve në rajon janë të lidhura ngushtë me rrugën drejt Europës.

Andreas Paëlitschek-Diplomat

“Fate Velaj, ka një credo: atë që arti dhe kultura luajnë një rol të rëndësishëm në paqen dhe tolerancën midis popujve. Ai, është i bindur se me art e kulturë i sjell popujt më afër njëri tjetrit. Në punën e tij, të vetmen gjë që ai nuk njeh janë kufijtë. Ai, injoron kufijtë, atë linjë ndërmjet dy pikave, që shpeshherë tek ai vetë janë larg njëra-tjetrës:atë si artist dhe si njeri”.

Në morinë e shumtë të vlerësimeve që adresojnë personalitete të vendeve të ndryshme të Europës, shkëputëm disa nga më përfaqësueset që erdhën në gjykimin tonë. Ky lumë vlerësimesh nga të gjitha fushat e jetës, tregon për prirjet e veçanta kulturore të Fates, me rrënjë të thella bio-gjenetike, që kanë epërsi nga trashëgimia prindërore.

Fate Velaj, është një ambasador i kulturës Europiane, që shëtit plot dinjitet nëpër botë. Për shumë vjet ai ka lëvizur në ” barkën “ e komunikimit mes Austrisë dhe Shqipërisë. Nga viti 2013, erdhi në Shqipëri si Këshilltar i Kryeministrit Edi Rama, për Diplomacinë Kulturore dhe rilindjen europiane. Kontributi i tij ka qenë gjithmonë i vlerësueshëm dhe i dobishëm për vendin. Ai, është i përkushtuar që të japi maksimumin e aftësive dhe energjive të tija intelektuale për vendin, por jo vetëm edhe për krahinën e Labërisë dhe fshatin e tij të origjinës, Kaninën, ku është edhe kryetar i shoqatës Kanina. Për gjithë këtë angazhim dhe kontribut të çmuar, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” “Nderi i Kombit”, e ka vlerësuar me titullin më të lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Duke u pajisur me kulturë perëndimore, me përvojë europiane e më gjerë, ai falë personalitetit të tij intelektual, bashkoi gjithë vlerat njerëzore, si shkathtësinë, forcën morale, mëndjen e kthjellët dhe idealet atdhetare, për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Mençuria dhe modestia në marrëdhënie me njerëzit, është një armë e fortë në cilësitë e tija morale,që e ka bërë të fitojë popullaritet jo vetëm në rrethet intelektuale por dhe në shtresat e gjëra shoqërore. Ky kapital shoqëror, bëri të mundur që në zgjedhjet elektorale të 25 Qershorit 2017, ai të zgjidhet dhe deputet në Parlamentin Shqiptar, për Qarkun e Vlorës. Ky vlerësim popullor,  është një vlerë tjetër e shtuar në personalitetin e tij intelektual e shoqëror.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit