Data : 22 10 2018
KryeTitujt :

Profesor Hamit Beqja – miku dhe edukatori i të gjithëve

 

Dr. Skënder Demaliaj1

 SkenderDemaliaj

E them me bindje, nisur nga puna e tij si mësimdhënës i nivelit të lartë, nga botimet e tij në fushën pedagogjike, psikologjike, sociologjike, nga mendimet e tij të vyera në studiot televizive, në takimet me njerëzit, në debatet shkencore se Profesor Hamit Beqja ishte miku dhe edukatori i të gjithëve. Këshillat e tij për edukimin i qëndrojnë edhe sot kohës. Kur je parashikues, kur mendimi yt i ndriçon rrugën së ardhmes mbetesh i paharruar në psikikën e njerëzve, në kujtesën e kombit, në zemrat e njerëzve që luftojnë e punojnë për prosperitetin dhe emancipimin kulturor e shpirtëror të vendit të tyre.

  1. Profesori në 4 dekada ka shkruar mbi 40 vepra, në çdo vit nga një vepër, bile edhe më shumë. Veprat e tij kryesore janë: Mbi karakterin kombëtar të edukatës, Rreth edukatës qytetare, Për metodat e edukimit, Kë edukojmë, si edukojmë, Si të sillemi, ç’zakone kemi? Edukata në syrin e popullit, Rrjedhave të sociologjisë së edukatës e të kulturës, Procesi i tranzicionit demokratik dhe psikologjia e shqiptarëve të sotëm(vrojtime dhe meditime), Qytetari dhe zyrtari, Edhe engjëlli, edhe djalli janë brenda tek i gjalli, Divorci, vrojtime dhe refleksione, Përgjigje letrave rinore, Gruaja, kjo qenie e shenjtë, Për dashurinë, për seksin, për studentët e mi, Gjurmë jete (shënime autobiografike). Është bashkëautor në tekstet e shkollës së lartë: Pedagogji, Didaktikë, Psikologji, Histori e mendimit pedagogjik.

Botimet e tij të shumta pas viteve `90 (1/4 e veprave i ka botuar pas kësaj periudhe), pas ndryshimeve politike dhe transformimeve të thella në ekonomi, në jetën sociale, psikologjike – janë treguesi më i mirë e më domethënës se Profesor Hamit Beqja ishte parasëgjithash  shkencëtar i vërtetë, i aftë për t’u orientuar e për të kontribuar në të gjitha etapat e rëndësishme që lidhen me zhvillimet pozitive të vendi të tij. Ai ishte një njeri i ditur, poliedrik, me kulturë të gjerë, ishte pedagog, psikolog, sociolog dhe politolog. Kurajo intelektuale, analiza intelektuale, përgjegjësia intelktuale, parashikimi prej intelektuali e karakterizon gjithë jetën, punën dhe veprën e tij. Për Profesorin ngjarjet e së shkuarës komuniste, të cilat qenë përcaktuese edhe në fushën e edukimit, duhen trajtuar e analizuar me qartësi mendjeje dhe shpirti, për të korrigjuar gabimet, modelet e papërshtatshme, të orientuara nga ideologjia marksiste-leniniste. Prej tyre thekson ai, duhen nxerrë mësimet e duhura që të mos përsëriten. Vetëkorrigjimin e sheh si një proces të natyrshëm, por edhe të domosdoshëm në fushën e edukimit, proces që duhet shtrirë edhe në fushën e qeverisjes.

Vetë Profesori rrëfehet me çiltërsi, me sinqeritet, por edhe me përgjegjshmëri dhe guxim: “… jeta ime mendoj se është ajo e një luftëtari modest dhe e një mëkatari. E një luftëtari për dije, për progres, për liri e demokraci, për ndershmëri, për objektivitet, për qëndrime realiste. Por edhe e një mëkatari që shpesh mund të ketë bërë edhe çka s’duhej të bënte. Aq më keq, edhe atë çka mund të mendohej se nuk ishte mirë ta bënte…Nuk jam penduar për jetën që kam kaluar. Ashtu si nuk jam i penduar edhe për ato që kam shkruar”. Profesori i pranon sfidat e kohës, i shpjegoi, por nuk i justifikoi qëndrimet dhe pikëpamjet e veta dhe i vendosi ato në kontekstin shoqëror, politik dhe historik të kohës. Ashtu siç ka shkruar Profesor Kosta Barjaba në parathënien e veprës së parë të Profesor Hamitit “Korpusi i veprës së tij është ai ai që është, madhështor, serioz dhe reflektimnxitës… Hamit Beqja ka hyrë në historinë e mendimit shoqëror modern shqiptar si një gur i rëndë themeli”.

  1. Ndihem krenar që kam qenë student i tij. Në librin tim “Dashuria pret”, në faqen 3 unë kam shkruar : “Kushtuar Akademikëve Hamit Beqja dhe Bedri Dedja (profesoreve te mi të dashur), të cilët më nxitën, më ndihmuan, më mësuan e më frymëzuan për t’u marrë me studime në fushën e psikologjisë”.

 

Marrëdhëniet e mia me Profesor Hamitin nuk kanë qenë thjesht marrëdhëniet e pedagogut me studentin, kanë qenë shumë miqësore dhe të afërta. Me të kam biseduar me qindra herë, kam pirë kafe, kam qenë në shtëpinë e tij (ishte shumë mikpritës  e nuk e harroj rakinë e tij të fortë, me një ngjyrë karakteristike). Profesori ka marrë pjesë në promovimin e librave të mi dhe ka diskutuar. Ishte anëtar i komisionit kur mbrojta Doktoraturën (i qeshte fytyra nga gëzimi kur jepeshin vlerësime pozitive për punimin tim). Kemi qenë së bashku në gazetën “Intervista”, në rubrikën “Bashkëbisedim me psikologun”. Ishte i shtruar, i ëmbël dhe i thjeshtë në bisedë.

Nga bashkëpunimi dhe komunikimi me të më kanë mbetur në kujtesë shumë detaje interesante:

  • Disa ditë pas vdekjes së Enver Hoxhës po haja drekë me të tek një miku im, tek Liqeni i Tiranës (lokali ishte atje ku është kisha). Në këtë vit unë isha në specializim pasuniversitar për psikologji e pedagogji. Sapo ishte zgjedhur Ramiz Alia Sekretar i Parë i KQPPSH. E pyeta se cili ishte opinioni i tij për të. Përgjigja e tij ishte e shkurtër, por shumë domethënëse: Nuk ka kockë, por nuk është diktator. Më tregoi sesi në zyrën e tij në KQ të Partisë mbante një xhaketë edhe në verë. Kur më thërriste Ramizi shkoja edhe me këmishë me mëngë të shkurtra. Kur më thërriste Enveri vishja xhaketën që kisha në zyrë. Profesori ishte shumë praktik dhe i thjeshtë. Ai gjatë gjithë verës mbante sandale. I pëlqente të veshurit sportiv.
    • Kur unë kisha vetëm rubrikën “Bashkëbisedim me psikologun”, Profesori më mori në telefon dhe e lamë të pinim një kafe pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ku unë punoja. Sapo u ulëm dhe shkëmbyem përshëndetjet e para më tha: “Kam një kërkesë… të më lesh edhe mua ndonjëherë t’u jap përgjigje letrave të të rinjve”. E vazhdoi vetë pa pritur përgjigjen time: “Nuk e kam problemin tek lekët (në fakt për këtë rubrikë paguheshim mirë nga Artan Kristo dhe ai ishte shumë korrekt e komunikues), por që ta marrin vesh se Hamit Beqja është gjallë”. Kishte një krenari të ligjshme dhe një ego të shëndoshë, me energji pozitive. I thashë se rubrika ishte e tij dhe mund të shkruante sa herë të donte. Iu bë qejfi. Ia doli mbanë me shumë sukses se Profesori kishte një kulturë të gjerë, ishte vëzhgues i hollë dhe njohës i mirë i psikologjisë së njerëzve. Qytetar në mentalitet, në sjellje e veprime. Libri i tij “Përgjigje e letrave rinore” është nga më të mirët nga korpusi i veprave të tij.
    • Profesori ishte i drejtë, parimor dhe mbronte me guxim idetë e parimet e tij. I zinte vend dhe kishte peshë fjala e tij. Në një mbledhje të Departamentit të psikologjisë e pedagogjisë, ku merrnim pjesë edhe ne studentët pasuniversitarë, në pranverën e vitit 1985, Shefi i atëhershëm i Departamentit e goditi me pa të drejtë dhe me tendencë Profesor Bedri Deden. E akuzoi për pikëpamje borgjezo-revizioniste dhe se i kishte nxitur studentët kundër tij.

Profesor Hamiti, bashkë me studentët i hodhi poshtë këto akuza me neveri dhe duke përdorur argumenta bindëse. Shefi shpifës u tërhoqë me bisht ndër shalë, ishte skuqur, po pëlciste nga inati, por nuk kishte forcë të kundërshtonte. U dorëzua dhe ngjante me një pulë të lagur e të ndukur… Në të vërtetë edhe Profesor Hamiti, edhe Profesor Bedriu mbeten më të mëdhenjtë në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë, pikëreferimi për studiuesit dhe pedagogët e rinj.

  • Një ditë po pinim kafe pranë Fakultetit të Filologjisë. Kisha dy vjet që kisha mbaruar studimet pasuniversitare. M’u drejtua qetë, por prerë: – Përse nuk regjistrohesh për t’u bërë Kandidat i shkencave? Iu përgjigja: – Po unë jam në Tropojë në një shkollë të mesme dhe nuk jap mësim në shkollë të lartë e nuk punoj në ndonjë institucion shkencor. A do të më pranojnë?!…

-          E di, por nuk është kjo kryesorja, unë e di aftësinë tënde, ke patur rezultate të shkëlqyera dhe i ke mundësitë. Do të bisedoj e do të të ndihmoj unë. Ndërhyri në Komitetin e Shkencës e në Ministrinë e Arsimit e unë u regjistrova me ndihmën dhe mbështetjen direkte të tij. Edhe pse nuk e kisha udhëheqës të temës më ndihmoi në formulimin e temës dhe gjatë gjithë kohës deri në mbrojtjen me sukses të Doktoraturës. Talenti i tij në mësimdhënie, njohja e shkëlqyer e jetës dhe e psikologjisë së popullit të tij, kultura e gjerë, përgjegjshmëria e lartë për misionin e edukatorit, mirësia e pafund, komunikimi i ngrohtë me njerëzit e bën atë një figurë të dashur , të respektuar dhe të paharruar.

  1. Këshillat dhe mesazhet e Profesorit në fushën e edukimit rrokin një problematikë të gjerë, përfshijnë të gjitha moshat dhe kanë vlerë edhe për ditët e sotme. Procesi i edukimit është një proces i ndërlikuar, shumëdimensional, i ndërvarur nga grupmoshat, nivelet arsimore dhe kulturore, shtrirja gjeografike, traditat e vetë individit. Po nuk u morën parasysh gjithë këta elementë, na mëson Profesori ai dështon. Edukimi ngjit kur krijohet një klimë e ngrohtë në familje e në shkollë, kur palët e shikojnë njëra-tjetrën si partner, në marrëdhënie bashkëpunimi e mirëkuptimi. Demokratizimi i klimës shkollore kërkon që mësuesi e prindi të marrin parasysh gjendjen shpirtërore të fëmijëve. Ata duhet të tregojnë aftësi për të përforcuar sjelljen e mirë, për të kritikuar në kohë e në masën e duhur sjelljen e keqe, për t’i nxitur ata në veprimtari aktive, për të mbështetur përjetimet e tyre, për të shfaqur ngrohtësi dhe entuziazëm, për të kuptuar nevojat e tyre, për të qenë elastik në qëndrimet e tyre, për të përdorur idetë e fëmijëve, për të argumentuar idetë e tyre, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre, për të debatuar  e për të marrë vendime bashkë me ta, për të pranuar gjykimet kritike e për t’i nxitur ato. Profesori është nismëtar dhe mbështetës i një pedagogjie demokratike humane në drejtim dhe në marrëdhënie ndërpersonale me një natyrë altternative pluraliste. Në studimet e tij i jep rëndësi komunikimeve, veçanërisht të adoleshentëve me prindërit, mësuesit, bashkëmoshatarët, të cilët realizojnë socializimin komunikativ dhe shërbejnë si model për komunikimet e tij të ardhshme, kur të kenë fituar statusin e qytetarit të rritur. T’i pranojmë, ashtu siç janë, të mos i paragjykojmë, të mos i ironizojmë e të mos i tallim. Jep përgjigje në parashtesën “Djali që po rritet” dhe “habitjet e prindërve”. Ai po bëhet zot i vetes, një kthesë tepër e rëndësishme jetësore, jo pa kundërshti e pa vështirësi rritjeje. Kërkon të jetë i pavarur. Një moshë e vështirë dhe problematike. Nuk është as fëmijë, as i rritur. Një moshë tipike kalimtare, në “kapërcyell”, sipas përkufizimit të profesorit. Interesimi i prindërve dhe i mësuesve nuk duhet të marrë trajtën e një “mbikqyrësi”, duke iu caktuar e përzgjedhur shokët e duke ndërhyrë në jetën e tyre vetjake. Pyetjet: Me kë ishe? Ku ishe? Moralizimet “Ruaju nga shokët e këqinj!” i mërzitin dhe i bëjnë më agresivë në sjellje e në veprime. Në komunikim ndodh njohja dhe “këmbimi” i vlerave njerëzore, intelektuale, shkencore, kulturore, etike, estetike, profesionale. Trajtimi pedagogjik i kësaj moshe të bëhet në përshtatje me statusin social nga ligji dhe opinioni shoqëror.

Komunikimet efikase kontribuojnë dukshëm dhe rëndshëm që ata të përdorin stile të tilla komunikimi që u mundësojnë vetëshprehjen dhe i aftësojnë të dialogojnë e të kooperojnë – kërkesa këto tepër të mprehta të atmosferës së sotme sociale. Gjithë vepra e tij përshkruhet nga ideja se të mësuarit aktiv e krijues i nxënësit është i lidhur pazgjidhshmërisht me mendimin e lirë e demokratik të tij.

Në fushën e edukimit ka rëndësi aftësimi i nxënësve për të debatuar, ku si hallka të këtij procesi veçohen:

  • Si të përcaktohen kufijtë e problemit për të cilin do të debatohet?
  • Si të mbahet i ngritur interesi gjatë debatit?
  • Si të shpërndahen rolet: nxitësit e debatit, ekuilibruesit e debatit, orientuesit drejt argumenteve, zbutësit e konflikteve, hartuesit e kompromiseve.
  • Si të formulohen zgjidhjet alternative?
  • Si do të zgjidhet alternativa më e mirë?

Dekada më parë, kur ai fliste për depërtimin e mjeteve të kulturës e të propagandës masive – këshillonte jo duke mbyllur rubineten e tyre, por duke zhvilluar debate e diskutime, të cilat për fatin e keq të fëmijës, të shoqërisë, të shkollës e familjes mungojnë. Kjo është edhe një nga arsyet e ndikimeve negative të tyre në jetën e veprimtarinë e të rinjve sot. Duke e shtjelluar më tej problematikën e saj pyet: Sa e ka pasuruar edukatën familjare depërtimi masiv i mjeteve të sotme të informacionit social? Por edhe sa e ka ndërlikuar? E përgjigjet shkurt, por qartë e saktë: Gjithmonë ecën në një rrugë dialektike: Zhvillimet e reja nxjerrin probleme të reja, arritjet shoqërohen me vështirësi rritjeje e me kundërshti kalimtare.

Këshillat e tij në fushën e edukimit janë të panumërta (një jetë të tërë ia kushtoi edukimit të njerëzve), por unë do të përmend shkarazi (në një shkrim nuk mund të thuhet e të shkruhet më shumë) disa nga mendimet e tij origjinale, të cilat ruajnë koherencën me ditët e sotme:

  • Fuqia tërheqëse e shembullit (fëmija është vrojtues i hollë, regjistrues i “tmershëm”. Shembullin ai e merr jo vetëm nga sjellja e qëndrimi i prindërit apo i mësuesit, por edhe nga librat, letërsia, arti). Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm e të vëmendshëm, por edhe t’i orientojmë të lexojnë sa më shumë e t’i nxitim të lexojnë libra me vlera pozitive.
  • Edukatori duhet të kërkojë, të kërkojë gjithmonë e në mënyrë këmbëngulëse (kërkesa këmbëngulëse lidh demokracinë me disiplinën).
  • Forca e madhe e edukatës së imët (nuk ka një kuptim të qartë midis “së voglës” e “të madhës”).
  • Edukimi është punë ndërtuese (Të edukosh nuk do të thotë të qortosh, të këshillosh, të ndalosh, të ndëshkosh ose edhe të meremetosh a të ndreqësh. Të mbjellësh, të kultivosh mbi të gjitha, është punë e mirëfilltë ndërtuese).
  • Dialektika e edukatës (lidhet e shpjegohet me dialektikën e gjallë të shpirtit njerëzor. Edukata ka karakter të theksuar zigzag e spiraloid).
  • Edukatori nuk duhet të dorëzohet (të mos dorëzohemi para vështirësive të rritjes e kundërshtve të personalitetit. Jeta ecën përpara dhe bashkë me të ecën, zhvillohet, përparon, fuqizohet njeriu). A nuk duhet t’i marrim parasysh këto zhvillime të vrullshme prindëri, mësuesi, komuniteti?
  • Të përpiqemi të ndikojmë për mirë, të konsolidojmë cilësitë pozitive, të ekuilibrojmë cilësitë e personalitetit në zhvillim të fëmijës.
  • Baza e piramidës të jetë sa më e gjerë, por maja e saj sa më e hollë (Është fjala për piramidën tonë shkollore, vatrën kryesore të arsimimit, të zhvillimit të tij kulturor e shkencor).
  • Edukata familjare është e pazëvendësueshme (lidhet me specifikën e papërsëritshme të këtij mjedisi, ku edukata realizohet në mënyrë të natyrshme, spontane).
  • Fëmija duhet të marrë edhe dëftesën e “shkollës së rrugës” (Që edukata të jetë me të vërtetë e shumëfaktorëshme dhe e shumëvlefshme do të marrë prej të gjitha burimeve të mundshme të saj).

 

1 Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

 

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :