Data : 14 11 2018
KryeTitujt :

Prof.Hasan Banja dhe libri “Ekonomia e Shqipërisë në rrjedhat e historisë të shekullit XX”

Prof.Hasan Banja dhe libri “Ekonomia e Shqipërisë në rrjedhat e historisë të shekullit XX”

 

Nga: Luan Shahollari

luan

Monografia e shkruar në vitet 1991-1998, është fryt i një veprimtarie të gjatë studimore, i një vullneti e përkushtimi të rrallë të prof.Hasanit.

Prof. H. Banja është autor i 12 monografive,  i 34 referateve me tematika ekonomike, të botuar në revista dhe buletine shkencore, apo të referuara në konferenca brenda dhe jashtë vendit. Ai është autor dhe bashkautor tekstesh ekonomike universitare, drejtues i një varg studimesh, 9 disertacioneve shkencore etj.

Pas shkollës Normale në Elbasan, në vitet 1947-1952 kreu me rezultate të larta studimet në Fakultetin e Ekonomisë të Industrisë në Institutin e Planit në Shën Petersburg ( Leningrad), dhe emërohet në detyra të ndryshme të fushës ekonomike.

Në vitet 1971-1991, prof. H. Banja, drejtoi Institutin e Studimeve Ekonomike, fillimisht në varësi të Këshillit të Ministrave, më pas të Akademisë së Shkencave dhe në fund të Komisionit të Planit të Shtetit.

Një nga karakteristikat dalluese të metodës së punës të prof.Hasani ka qenë gërshetimi i detyrave  administrative me ato kërkimore-studimore.

Prof.Hasani i përket atij brezi studjuesish për të cilët dalja në pension shënon  një datë shkëputjeje nga punët zyrtare por njëkohësisht edhe një fillim të ri për t’iu kushtuar punimeve studimore si dhe veprimtarive shoqërore.

Risia e parë e monografisë është se ajo analizon ecurinë e ekonomisë shqiptare në një shtritje të gjatë kohore nga shpallja e Pavarësisë e vijon deri në fund të shekullit XX duke përshkuar etapa të caktuara historike, sisteme të ndryshme politike, ngjarje ndërkombëtare, me ndikime në jetën politike,ekonomike e sociale të vendit tonë.

Risia e dytë është përdorimi,krahas burimeve dokumentare arkivore e të tjera, i literaturës të autorëve të konsideruar të papërshtatshëm për sistemin e kaluar.I tille konsiderohej psh libri “Financat e Shqipërisë” (1839-1934) përgatitur nga Haxhi Shkoza, funksionar i lartë në administratën e mbretërisë së Zogut, botuar më 1935.

Kurse për gjendjen dhe mundësitë e zhvillimit të ekonomisë e veçanërisht të pasurive minerare, pyjore, bujqësore, blegtorale etj, në vitet 1920-1930, autori iu është referuar edhe studimeve të akademikut italian Antonio Baldaçi (Antonio Baldacci), botuar në tre volume në titullin: “Studi Speciali Albanesi” Roma 1932, 1933, 1937.

Në libër citohen studiues të sistemit politik socialist në BS, Kinë, si dhe në vende të tjera, si: Barbara Jelavich, Michel Heller, Marie Lavigne, François Fejtö, etj.

Literatura përmban edhe botime të organeve drejtuese të PPSh, por tani në një këndvështrim të ri. Përmendim raportet e mbajtura në emër të KQ të Partisë nga E. Hoxha nga Kongresi I më 1948 dhe deri në Kongresin VIII më 1981, përmbledhjen e diskutimeve të E. Hoxhës për Planin e Shtatë Pesëvjeçar (1982), librat me kujtime, si: Me Stalinin, 1979; Shënime për Kinën, 1979; Hrushovianët, 1980; Titistët, 1982; etj.

Në cilësinë e redaktorit shkencor kam bërë sqarime plotësuese për çështje apo terma të karakterit ekonomik, apo për ngjarje e personalitete historike dhe politike.

 

Monografia është e përbërë nga 12 krerë, e ndarë në 3 pjesë.

Në pjesën e parë hyjnë katër krerët e parë që përfshijnë periudhën nga krijimi i shtetit të ri shqiptar (28 Nëntor 1912) e deri në çlirimin e vendit (29 Nëntor 1944).

Pjesa e dytë përbëhet nga shtatë krerë (V-XI) të cilët trajtojnë vitet e pas çlirimit deri në fund të vitit 1980.Kjo, dhe dekada deri në fund të vitit 1990, njihet si periudha e sistemit politik socialist, me ekonomi të planifikuar dhe të centralizuar.Për shkak të problematikës që përmban, kjo përbën edhe pjesën kryesore të monografisë.

Në pjesën e tretë autori ka përfshirë dy krerët e fundit.Kreu XI trajton rënien e  ekonomisë në vitet 1981-1990, ndërsa kreu XII problemet e vështira të tranzicionit drejt një sistemi politik demokratik dhe ekonomie tregu në vitet 1990.

 

Kreu I përfshin vitet (1912 – 1920) dhe trajton krijimin e shtetit të ri shqiptar: fillimet e sfidat e tij për mbijetesë e rritje.

Kjo periudhë është e mbushur me ngjarje me rëndësi kombëtare të karakterit politik, madje ekzistencial. Për rrjedhojë pak vend zenë zhvillimet ekonomike.

Pikën kulmore e shënon data 28 nëntor 1912, kur atdhetarët shqiptarë me Ismail Qemalin në krye u mblodhën në Kuvendin Kombëtar në Vlorë i cili e shpalli Shqipërinë të pavaruar pas gati pesë shekuj sundimi të Perandorisë osmane. Kuvendi zgjodhi Qeverinë e Përkohshme të kryesuar nga I. Qemali, si dhe pleqësinë.

Shpallja e pavarësisë shmangu rrezikun e copëtimit të vendit nga lufta e vendeve të Ballkanit dhe Perandorisë Osmane nga ana tjetër.

Por tre javë më vonë, më 17 dhjetor 1912, ndryshe nga sa priste qeveria e Vlorës, Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha e mbledhur në Londër vendosi krijimin e një “Shqipërie autonome” “nën sovranitetin sulltanit”, “nën garancinë dhe kontrollin e të Gjashtë Fuqive”, dhe asnjanëse.

Kufijtë politikë, që u caktuan nga Konferenca, përfshinë brenda Shqipërisë afërsisht gjysmën e trojeve shqiptare, 28.784 km², me 740 mijë banorë.Sipërfaqe të mëdha toke, nga më pjelloret iu dhanë fqinjëve,duke tkurrur burimet për zhvillim ekonomik të vendit tonë.

Konferenca e Londrës më 29 korrik 1913 vendosi që Shqipëria të ishte: principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme duke përjashtuar çfarëdo lidhjeje me Turqinë. Shqipëria u njoh neutrale dhe e garantuar nga Fuqitë e Mëdha të cilat vendosën krijimin e një Komisioni Ndërkombëtar Kontrolli me delegatët e tyre dhe një nga Shqipëria i cili do të ushtronte kontroll mbi administratën civile dhe mbi financat për një periudhë 10-vjeçare.

Në krye të vendit, brenda 6 muajve, do të caktohej një princ i huaj.

Ky vendim do të thoshte që Qeveria e Vlorës kishte edhe vetëm 6 muaj jetë.

Prof.Hasani ve në dukje, edhe në këto kushte, qeveria e Vlorës bëri disa përpjekje për organizimin e administratës shtetërore me bazë kombëtare dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë. Qeveria konfiskoi 56 mijë ha tokë, pronë e Portës së Lartë; riparoi rrugë, ura, shkolla; hodhi bazat e sistemit monetar e të kreditit etj.

Më 4 tetor 1913 u nënshkrua në Vlorë marrëveshja midis qeverisë dhe përfaqësuesve të një grupimi bankash austriake dhe italiane për krijimin me konçesion të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. “E themi me lavdurim – shprehej I. Qemali – se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike”.Por përfaqësuesit e Fuqive të tjera e kundërshtuan atë duke deklaruar se do të njihnin vetëm koncesionet që do të miratoheshin nga KNK

Më 22 nëntor 1913 Qeveria e Vlorës miratoi një ligj organik të quajtur “Kanuni i përtashëm (i përkohshëm) i administratës civile të Shqipërisë”.Përmbajtja e ligjit kishte frymë demokratike por mbeti në letër për shkak se 3 muaj më vonë, në janar 1914, I.Qemali dhe qeveria që kryesonte u detyrua të jepte dorëheqjen.

 

Në nëntor 1913 Fuqitë e Mëdha, pas shqyrtimit të disa kandidaturave, kishin vendosur të miratonin propozimin e Austro-Hungarisë dhe Italisë për të caktuar në fronin e Shqipërisë princin gjerman Vilhelm Vid. Princ Vidi zbriti në Durrës, të cilin e caktoi kryeqytet, 7 mars 1914 pasi iu plotësuan disa kushte për qeverisjen e tij.

Dhjetë ditë më vonë princ Vidi miratoi përbërjen e qeverisë me kryeministër Turhan Pashë Përmetin, ish-ambasador i Perandorisë Osmane në  kryeqytetin e Rusisë, Petërburg. E. Toptani, edhe pse nuk u vu në krye, ishte personi më i fuqishëm, pasi zuri dy postet kyçe: ministër i brendshëm dhe i luftës. Kjo qeveri, ndonëse e 6 Fuqive të Mëdha, ishte më tepër nën ndikimin e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

Regjimi i Vidit u sanksionua nga “Statuti Organik i Shqipërisë”, që njihet edhe si akti i parë themeltar i shtetit shqiptar, ndonëse me autorësi të huaj. Statuti u përfundua nga KNK në Vlorë më 10 prill 1914 dhe iu dorëzua princ Vidit.

Statuti i hartuar mbi bazën e modeleve të monarkive perëndimore përbëhej nga 214 nene. Statuti e shpallte Shqipërinë principatë kushtetore sovrane dhe trashëgimore nën garancinë e Fuqive të Mëdha (neni 1), të cilat garantonin tërësinë e territorit dhe asnjanësinë e saj (neni 2 dhe 3). Në fronin e Shqipërisë caktohej një princ, Vilhelm Vidi (neni 7), i cili ishte kryetar i administratës civile dhe ushtarake dhe kishte të drejtë të emëronte Këshillin e Ministrave. Pra, ky ishte kryetari i shtetit.

Austro-Hungaria kërkoi që Banka e Shqipërisë të krijohej me kapital austriak dhe italian dhe huaja prej 75 milionë frangash ari, vendosur prej Konferencës së Londrës, t’i jepej Shqipërisë prej këtyre dy shteteve. Por Franca e kundërshtoi këtë plan dhe kërkoi që Banka dhe huaja të siguroheshin me kapitale prej të gjashtë fuqive.

Sikur të mos mjaftonin vështirësitë që lidheshin me faktorë të jashtëm, dy muaj më vonë plasi edhe ajo që njihet si kryengritja apo rebelimi i Shqipërisë së Mesme.

Prof.Hasani shkruan se në vështrimin e sotëm kjo kryengritje del se nuk ka pasur orientim të drejtë. Ajo filloi kur vendi kishte nevojë për bashkim, prandaj duhej mbështetur dhe jo luftuar princi i huaj në krye të shtetit të ri shqiptar. Fillimi i Luftës I Botërore rrezikonte copëtimin e vendit, prandaj në plan të parë dilte mbrojtja e pavarësisë, jo veprimet që përçanin kombin. Masat antifeudale dhe pjesëmarrja e shtresave të gjera fshatare nuk mund të mbulojnë karakterin kontradiktor të saj.

Më 28 qershor 1914, në Sarajevë, kryeqytet i Bosnjës, një nacionalist serb i bëri atentat Franc Ferdinandit, nip i Perandorit Franc Jozef, trashëgimtar i fronit të Austro-Hungarisë. Kjo u bë shkas që më 28 korrik, Austro-Hungaria t’i shpalli luftë Serbisë. Në ditët e para të gushtit ky konflikt u shndërrua në luftë midis Bllokut Qendror (Gjermania, Austro-Hungaria) dhe Antantës (Britania, Franca, Rusia). Kështu filloi Lufta I Botërore. Në këto kushte, filloi të paralizohet edhe veprimtaria e KNK.

Më 3 shtator 1914, pas vetëm gjashtë muajsh në pushtet, për shkak të intrigave nga brenda, të mungesës së mbështetjes nga jashtë, si dhe të fillimit të Luftës I Botërore, pa abdikuar nga froni, Princ Vidi u largua nga Shqipëria.

 

Lufta I Botërore (1914-1918) e rëndoi më tej gjendjen në vend. Pushtimi prej ushtrive austriake, italiane e franceze dhe atyre të shteteve fqinje i shkaktoi vendit dëme të mëdha njerëzore, materiale dhe financiare. Dëmet më të mëdha i pësoi bujqësia dhe sidomos blegtoria që përbënin edhe veprimtarinë ekonomike kryesore..

Po kështu, gjatë kësaj periudhe, edhe në qoftë se u kryen disa vepra botore, këto kishin më tepër karakter ushtarak për dobinë e pushtuesve.

Si pasojë e mobilizimit forcërisht në punimet fortifikuese të njerëzve të aftë e të kafshëve të punës, që përbënin forcën e vetme të punimit të tokës, një pjesë e madhe e tyre mbeti djerrë. Ushtritë ndërluftuese rekuizonin (i paguanin me vonesë) produktet bujqësore dhe sidomos kafshët e prodhimit ose i blinin ato me çmime fare të ulëta.

Gjatë viteve 1914-1918, për qëllimet e tyre fuqitë ndërluftuese ngritën në Shqipëri filiale të bankave, që financuan ushtritë me monedhat e tyre. Kështu, në qytetin e Shkodrës hapën degët Wiener Bank Verein, Pester Bank dhe Ungarische Bank. Por veprimtaria e tyre në fushën e kreditimit qe e kufizuar dhe minimale.

 

Kreu II përfshin vitet 1920-1924 që fillojnë me Kongresin e Lushnjës, me ngritjen e institucioneve shtetërore dhe përpjekjet për  gjallërimin ekonomik.

Lufta I Botërore përfundoi më 11 nëntor 1918. Për të vendosur kushtet e pasluftës, nga 18 janari 1919 deri më 19 janar 1920 u mbajt në Paris Konferenca e Paqës. Konferenca e mori në shqyrtim edhe çështjen shqiptare por nuk e zgjidhi atë.

Për të parandaluar një copëtim të dytë që Fuqitë e Mëdha kishin vendosur në Traktatin e fshehtë të Londrës më 1915, atdhetarët shqiptarë më 21 janar 1920 mblodhën një kongres në qytetin e Lushnjës, Kongresi rivendosi Pavarësinë: zgjodhi organet drejtuese si dhe miratoi një statut prej 6 pikash të një ligji kushtetues, duke skicuar bazat e parlamentarizmit shqiptar.

Kongresi miratoi një qeveri me 6 anëtarë, me kryeministër S. Delvinën. Më 11 shkurt 1920 anëtarët e Qeverisë, Këshillit të Lartë dhe të Senatit u vendosën në Tiranë, që u bë de facto kryeqytet i vendit.

Qeveria shqiptare i kërkoi qeverisë italiane të njihte tërësinë tokësore dhe të largohej nga Vlora, por hasi në kundërshtimin e saj. Ky qëndrim nxiti një kryengritje popullore gjatë muajve qershor-korrik 1920, që solli nënshkrimin më 2 gusht l920 të një protokolli, me anën e të cilit Italia njihte pavarësinë e Shqipërisë, por mbante ishullin e Sazanit. Më 2 shtator 1920 edhe ushtria italiane u largua nga Vlora.

Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve e krijuar në janar të atij viti. Prof.Hasani shkruan se “Pranimi në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920, i cili konsiderohej i pamundur në kushtet politike që kalonte vendi, – u lehtësua në sajë të ndihmës së qeverisë angleze, e interesuar për rezervat vajgurore të vendit”.

Gjatë muajve shkurt-mars 1921 u zhvilluan zgjedhjet për Këshillin Kombëtar (parlament), ku u shfaqën dy grupime politike kundërshtare: Partia Popullore dhe Partia Përparimtare. Në Këshillin Kombëtar u zgjodhën 78 deputetë të dy krahëve dhe disa të pavarur që përbën  parlamentin e parë (e të vetëm) pluralist deri në vitin 1991.

Në raportin paraqitur Lidhjes së Kombeve në shtator 1922, profesori i ekonomisë Albert Kalmes, ardhur në Shqipëri në korrik 1922 për të analizuar gjendjen ekonomike dhe financiare, vinte në dukje se vendi zotëronte pasuritë e nevojshme të tokës dhe nëntokës për t’u bërë një vend i përparuar. Por këto pasuri “të fjetura” duhet të shfrytëzohen. Për një kohë të gjatë dhe në të ardhmen shteti shqiptar duhet të luajë rolin e nxitësit dhe nismëtarit.

Në qershor 1923, Lidhja e Kombeve caktoi Jan Hunger si këshilltar financiar pranë qeverisë shqiptare me një kontratë 5-vjeçare, i cili e filloi analizën nga buxheti dhe, për shkak se “i nxori” mjaft probleme qeverisë së Zogut, qëndroi vetëm një vit.

Roli i shtetit në ekonomi ishte i dobët, ndërkohë që në rrafshin politik lufta për pushtet ishte në plan të parë. Gjendja në vitet 1921-1924 karakterizohej nga mungesa e stabilitetit politik, nga grindjet e ashpra midis dy grupimeve kundërshtare. Në vitet 1921-1924 u ndërruan 12 qeveri.

Acarimet arritën kulmin me Revolucionin e Qershorit 1924.

 

Më gjerësisht trajtohen çështjet ekonomike në kreun III, që përfshin periudhën e qeverisjes të Zogut, si president (1925- 1928) dhe si Mbret (1929-1939).

Pas largimit të qeverisë së F. Nolit, A. Zogu rivendosi institucionet e para qershorit 1924, dhe më 6 janar 1925 formoi qeverinë e re të kryesuar prej tij. Më 21 janar 1925 filloi punimet Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e vitit 1923, e cila votoi për Shqipërië republikë dhe për A. Zogun kryetar (president) të saj.

Me një parlament pa opozitë dhe me kompetenca të forta në duart e tij, Zogu në vitet 1925-1928 e ndryshoi strukturën dhe përbërjen e qeverisë 6 herë. Kjo tregon se vendi vuante nga paqëndrueshmëria politike dhe grindjet brenda kabinetit qeveritar.

Nga fillimi i vitit 1928, A. Zogu kishte shpallur synimin për ta kthyer vendin në Monarki dhe veten në Mbret, prandaj më 17 gusht 1928 u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, e cila 10 ditë më vonë filloi shqyrtimin e projektstatutit të ri. Më 1 shtator, vendi u shpall Mbretëri dhe Zogu I Mbret i shqiptarëve.

Në këtë periudhë u miratuan disa akte ligjore me orientim perëndimor në fushën e procedurës civile, të tregtisë, të politikën fiskale etj.

Kjo periudhë karakterizohet nga politika ekonomike liberale e “dyerve të hapura”, dhe e “kombit të favorizuar”, në marrëdhëniet tregtare me vendet e tjera. Qeveria e drejtuar nga Zogu në vitet 1925-1928, dhe të tjerat më pas, kanë përdorur koncesionin si mjet kryesor për tërheqjen e kapitalit të huaj në ekonominë e vendit.

Shoqëri angleze, italiane, franceze, amerikane, nga shtete fituese të Luftës I Botërore, prej vitit 1921 i kishin paraqitur kërkesa qeverisë për të marrë me koncesion zona të caktuara për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës. Qeveria e Zogut i kishte miratuar disa prej tyre në vitin 1923, por ratifikimi kishte mbetur pezull. Pas riardhjes në pushtet, iu hap rruga parlamentit të ratifikonte kontratat e koncesioneve për kërkim dhe shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse në gjysmën e dytë të vitit 1925.

Një nga aktet e para ishte edhe dhënia e koncesionit të Bankës Kombëtare. Më 15 mars 1925, A. Zogu, dekretoi marrëveshjen e nënshkruar 4 ditë më parë nga M. Libohova, ministër i Financave dhe zyrtari i lartë M. Alberti, përfaqësues i grupit financiar, i rekomanduar nga qeveria italiane. Kapitali i bankës përbëhej prej 51 për qind të aksioneve nga grupi italian dhe 49 për qind nga shteti shqiptar. .

Më 23 prill 1925 u krijua shoqëria SVEA (Societa per lo Sviluppo Economico d’Albania – Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë) me qendër në Romë, pjesë e të njëjtit grup aksioner që themeloi BKSh.

Qeverisja e Zogut përfitoi ndihma e kredi në vlera të mëdha nga qeveria italiane. Nga mesi i viteve 1930 interesi dhe borxhi i qeverisë shqiptare ndaj qeverisë italiane arriti në 75 milionë franga ari, gati 3 herë më shumë se buxheti vjetor i shtetit. Qeveria italiane dha edhe hua të tjera, por këto shkuan për mbajtjen e aparatit shtetëror si dhe për të fuqizuar firmat italiane në Shqipëri. Nga ana tjetër, ato thelluan varësinë ekonomike, politike dhe ushtarake të vendit tonë ndaj Italisë fashiste.

Me gjithë këto hua, Shqipëria gjatë regjimit të  Zogut, mbeti një vend i prapambetur, me përzierje të mbeturinave feudale dhe fillesave të kapitalizmit. Bujqësia zinte rreth 90 për qind të prodhimit industrial dhe bujqësor të marrë së bashku. Me përjashtime të rralla, industria përfaqësohej nga teknologji të vjetra.

Niveli i jetesës mbeti i ulët dhe rreth 80 për qind e popullsisë analfabete.

Prof. Banja e shpjegon këtë prapambetje në radhë të parë me politikat ekonomike që u ndoqën gjatë kësaj periudhe.

Kështu, kreditë përmes programit të SVEA-s, ndonëse në shuma të mëdha, ndikuan pak në zhvillimin ekonomik të vendit, pasi nuk u përdorën në veprimtari prodhuese por kryesisht në infrastrukturë, si: 79 për qind për rrugët, urat dhe për ndërtesa publike, 15 për qind për Portin e Durrësit dhe 6 për qind për studime etj.

Roli i shtetit në ekonomi mbeti i dobët dhe nuk ndoqi një politikë mbrojtëse të përkohshme për kapitalin vendës. Regjimi i Zogut  ka qenë kryesisht në mbrojtje të interesave të pronarëve të mëdhenj të tokave.

Monopolizimi i koncesioneve nga ana e kapitalit financiar dhe industrial italian ishte gjithashtu një pengesë e madhe për ndryshime efektive në ekonomi.

Në këtë prapambetje ka ndikuar edhe kriza ekonomike botërore e viteve 1929-1933, e cila preku më thellë dhe më gjatë ekonominë shqiptare.

“Latifondizmi –theksonte Baldaci-përbën plagën më të rëndë për Shqipërinë. Ai ishte shkaku i përsëritur i krizave politike dhe do të mbetej i tillë deri në miratimin e një ligji adekuat që do të rregullonte e do të shëndoshte gjendjen e fshatit shqiptar”.

Përpjekja e dështuar e qeverisë së F. Nolit për zbatimin e një reforme agrare nuk i kishte zbehur kërkesat e fshatarëve pa, apo me pak tokë, për të pasur tokën e tyre. Këto kërkesa e nxitën A. Zogun që në mesazhin drejtuar deputetëve në dhjetor 1928, të angazhohej edhe për një reformë agrare.

Në prill 1929 A. Zogu ngarkoi një komision për të hartuar një projektligj për reformën agrare. Për të ndihmuar në në këtë proces, u thirr profesori i ekonomisë agrare në Universitetin e Firences Xhovani Lorenzoni.Pas një pune përgatitore njëvjeçare, projektligji u paraqit në parlament dhe u miratua më 13 prill 1930. Zogu e dekretoi ligjin më 3 maj, kurse më 30 gusht u miratua rregullorja për zbatimin e reformës agrare. Por rezultatet e kësaj reforme ishin minimale: ajo preku vetëm 8.110 ha tokë, nga e cila 3.412 ha nga çifligjet shtetërore dhe 4.698 ha nga ato private. Këto toka iu dhanë 1.888 familjeve të muhaxhirëve kosovarë. Pas vitit 1935 “reforma agrare” u la fare në harresë.

 

Kreu IV trajton shkurtimisht zhvillimet politike dhe ekonomike në vitet e Luftës II Botërore, 7 prill 1939-29 nëntor 1944. Për këtë periudhë të pushtimit të vendit nuk mund të bëhej fjalë për shtet të pavarur, për rrjedhojë financat e vendit u vunë në funksion të ushtrive pushtuese.

Dallimi është se gjatë pushtimit fashist italian pati një zhvillim sidomos në infrastrukturën civile dhe ushtarake, pasi prej 12 prillit 1939 ligjërisht Shqipëria ishte bërë pjesë e Mbretërisë së Italisë, kurse gjatë pushtimit nazist financa dhe bankat u vunë krejtësisht në shërbim të ushtrisë gjermane. Vijuan punën vetëm disa miniera kromi për eksport minerali në Gjermani dhe punishte materialesh ndërtimi dhe fabrika e çimentos në Shkodër për nevojat e luftës. Për më tepër, ushtria gjermane, në ikje e sipër, hodhi në erë ura, depo, magazina, portin e Durrësit, tubacionet e naftës etj.

Vendi ynë pësoi dëme të mëdha njerëzore, materiale e financiare në raport me popullsinë. Për më tepër, autoritetet gjermane grabitën arin që ndodhej ne selinë e Bankës Kombëtare në Romë për llogari të shtetit shqiptare dhe e depozituan atë bankën gjermane Reichsbank në Berlin.Ky ar iu kthye shtetit shqiptar më 1996.

 

Pjesën më të madhe të monografisë e zë analiza e zhvillimit ekonomik të vendit në gjysmën e dytë të shekullit XX, që përkon me periudhën e krijimit të bazës ekonomike të socializmit në vitet 1945-1960 si dhe të fillimit të ndërtimit të bazës materialo-teknike në vitet 1960, e cila mbeti e pa përfunduar. Fokusimi në këtë periudhë përbën një veçori për faktin se është e shtrirë në kohë, por edhe sepse nuk është trajtuar deri më sot nga autorë të tjerë. Monografia përmban një material të pasur statistikor, analizuar në kushtet e lirisë së shprehjes dhe distancuar mjaftueshëm në kohë. Prof. Banja paraqet një këndvështrim realist të zhvillimeve ekonomike që kanë ndodhur në vend gjatë periudhës së sistemit socialist duke përdorur metodën e pohimit dhe të mohimit, jo thjesht bardh e zi. Për këtë arsye, monografia paraqet interes për studiues, studentë të shkencave social-ekonomike e politike, etj.

 

Për të kuptuar thelbin e ngjarjeve politike dhe ekonomike, autori e ka gjykuar të nevojshme të përshkruajë edhe modelin sovjetik të ekonomisë socialiste, pasi ky ka shërbyer si udhërrëfyes edhe për vendet e tjera. Udhëheqjet komuniste, në disa prej këtyre vendeve e përshtatën këtë model në mënyrë krijuese, në përputhje me kushtet e tyre konkrete, kurse në disa të tjera (në mënyrë tipike në vendin tonë) në mënyrë më të ngurtë. Siç dihet, udhëheqja e PPSh zbatoi modelin sovjetik të periudhës staliniane.

 

Në kreun V trajtohen çështje të veprimtarisë së pushtetit të ri politik, ngritjes të institucioneve të reja shtetërore dhe masave për rimëkëmbjen e ekonomisë. Politika kryesore ekonomike në vitet e para 1945-1946 ka qenë ajo e shtetëzimit të ndërmarrjeve private të vendit e të huaja. Një ngjarje kyçe përbën mbledhja e Plenumit V të KQ të PKSh në shkurt 1946, konkluzionet dhe vendimet e të cilit përcaktuan kalimin në rrugën socialiste të zhvillimit, në një linjë me vendet e tjera të kampit socialist, të kryesuar nga BS. Vendimet e Plenumit gjetën mishërim në Statutin e RPSh që u miratua në mars 1946.

 

Shndërrimi i pronës private në pronë socialiste në sektorin shtetëror dhe më vonë në atë kooperativist, krijuan kushtet bazë edhe për organizimin dhe drejtimin me plan të ekonomisë. Autori thekson se, për të hartuar dhe zbatuar planifikimin në të gjitha degët e ekonomisë dhe të kulturës dhe në të gjitha rrethet e vendit, lindi nevoja e hartimit të një metodologjie me disa parime bazë. Teksti i parë i metodologjisë është miratuar në prill 1956 dhe i priu hartimit të projektplanit II pesëvjeçar 1956-1960, kurse i fundit është i majit 1990, dhe do t’i shërbente hartimit të projektplanit IX pesëvjeçar 1991-1995. Parimet me karakter ideologjik dhe politik kanë përshkuar si një fill i kuq të gjitha tekstet e metodologjive në vite. Parime të tjera ishin: caktimi i hallkës kryesore në zhvillimin e ekonomisë, parimi i vazhdimësisë, drejtimi i centralizuar dhe me plan i saj nga shteti socialist përmes ushtrimit të funksionit ekonomiko-organizativ të tij, parimi i mbështetjes në forcat e veta, për një kohë të gjatë kryesisht, dhe pas vitit 1978, krejtësisht etj.

 

Në fokusin e kësaj monografie autori ka vënë analizën e zhvillimit të industrisë, si dega udhëheqëse e ekonomisë socialiste. Politika e industrializimit socialist shënoi disa arritje, pasi futi në qarkullim ekonomik pasuritë natyrore të vendit, sidomos rezervat ujore dhe minerare; krijoi degë e sektorë prodhimi me cikël të mbyllur, si industrinë elektrike, metalurgjinë e zezë, me ngjyra, industrinë e lehtë dhe ushqimore etj., që punonin me lëndën e parë të vendit; mbështeti rritjen e prodhimit bujqësor me plehra kimike e bazë tjetër materiale,; hapi vende të reja pune duke zbutur trysninë e rritjes së shpejtë demografike; rriti volumin dhe përmirësoi  strukturën e eksport-importit; zuri peshën më të madhe në krijimin e prodhimit shoqëror dhe të së ardhurës kombëtare; etj.

Por efektiviteti i kësaj politike nuk ishte i plotë për shkak të zhvillimit  të industrisë së rëndë bazuar në kritere politike dhe tej mundësive financiare; të mbështetjes së pamjaftueshme me investime të industrisë së lehtë dhe ushqimore; të ngritjes së komplekseve të mëdha industriale, me një nivel përqendrimi të lartë në vijë vertikale; të nënvleftësimit të kategorive vlerore për llogaritjen dhe matjen e efektivitetit ekonomik me kritere shkencore; të mangësive në shpërndarjen territoriale të industrisë, duke e përqëndruar atë në qytete dhe në zona të veçanta; të politikave akumuluese në shpërndarjen përfundimtare të së ardhurës kombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës së njerëzve etj.

 

Transformime të thella u bënë në zhvillimin e bujqësisë, e konsideruar si dega bazë e ekonomisë socialiste. Reforma Agrare e kryer nga gushti 1945 deri në nëntor 1946 përmbysi raportet feudale të pronësisë së tokës dhe hapi rrugën e kolektivizimit dhe zhvillimit të bujqësisë socialiste në fshat. Kolektivizimi socialist, me përjashtim të zonave malore, përfundoi në vitin 1959, me ngritjen e kooperativave bujqësore në 85 për qind të tokës arë të familjeve fshatare. Pas kësaj u shpall ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit në fshat, dhe në shkallë vendi në tërësi.

Krahas kolektivizimit, vijoi edhe procesi i bashkimit të kooperativave, si dhe i organizimit të disa kooperativave të tipit të lartë, të cilat krijuan kushte më të mira për rritjen e prodhimeve bujqësore mbi baza intensive, për zgjerimin e mekanizimit, të aftësisë ujitëse, përdorimin më efektiv të plehrave kimike etj.

Arritjet në zhvillimin e bujqësisë kanë qenë të dukëshme. Në vitin 1976 bujqësia plotësoi për herë të parë nevojat e popullit dhe të ekonomisë me drithra. Bujqësia u bë mbështetëse e industrisë së lehtë dhe ushqimore dhe e sigurimit të valutës përmes rritjes së eksporteve të produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Krahas vlerësimit të arritjeve, autori ndalet edhe në disa mangësi të cilat kanë ndikuar negativisht në efektivitetin e prodhimit bujqësor. Shtrirja e kolektivizimit edhe në zonat malore doli jo efektive. Hapja e tokave të reja në këto zona solli zvogëlimin e sipërfaqeve me kullota e livadhe, të cilat ishin më të përshtatshme për blegtorinë. Tufëzat dhe arëzat që u ngritën pranë brigadave të kooperativave, të NB-ve, të ndërmarrjeve të grumbullimit e të tregtisë në mesin e viteve 1980 nuk e zgjidhën problemin e furnizimit të popullsisë me produkte bujqësore dhe blegtorale. Industria kimike në vitet 1980 nuk mund të përballonte detyrat e larta të intensifikimit të bujqësisë. Baza mekanike, mjaft e amortizuar, nuk mund t’i kryente proceset e punës në kohën e duhur. Politika zyrtare e trajtoi oborrin kooperativist si një dukuri kalimtare, që do të vinte duke u kufizuar deri në zhdukjen e tij. Kjo politikë ndikoi në rënien e prodhimit për treg dhe për furnizimin e familjeve në qytet dhe në fshat.

 

Analiza e zhvillimeve demografike nxjerr në pah rritjen e popullsisë shqiptare me ritme shumë të larta. Këto zhvillime karakterizohen edhe nga mosha mesatare e re, nga përqëndrimi në shkallë të lartë i popullsisë në fshat, krijimi i  qendrave të reja urbane industriale, zënia me punë e popullsisë së aftë. Politika demografike e sistemit socialist ka qenë pronataliste (pro lindjeve).Mbajtja e ritmeve të larta mbështetej me disa masa financiare , si: ndihmë fpër çdo fëmijë të lindur gjallë, shpërblime për nënat me shumë fëmijë, zgjatja e lejes së pagueshme të lindjes për gratë shtatzëna, përballimi nga shteti i barnave për fëmijët e moshës deri një 1 vjeç etj. Prof.Hasani ve në dukje se shtimi me ritme të larta i popullsisë, i shoqëruar me ritme më të larta rritjeje ekonomike, deri nga mesi i viteve 1970 ishte efektiv, kurse mbajtja e ritmeve të larta të lindshmërisë, kur ritmet e rritjes ekonomike erdhën në rënie, ndikoi në nivelin e jetesës për shtresa të caktuara në vitet 1981-1990.

 

Një vend të rëndësishëm në monografi zë analiza e ndihmave dhe kredive që vendi pati marrë pas çlirimit, si: nga Jugosllavia, 1945-1947; nga BS dhe vendet e tjera socialiste të ELQ, 1949-1960; dhe nga RP e Kinës në vitet 1961-1978. Për shkak të periudhës së shkurtër dhe të situatave të ndërlikuara politike që kalonte vendi, Shqipëria nuk e ndjeu fare pak efektin e kredive nga Jugosllavia fqinjë, pasi ato u dërguan vonë (pas mesit të vitit 1947), dhe përbëheshin vetëm nga disa fabrika të vjetra. Në të kundërtën, përmes ndërmarrjeve të përbashkëta, komisionit të koordinimit të planit, barazimit të monedhave etj., vendi pësoi humbje. Jugosllavia kishte nevoja për vete dhe merrte kredi nga BS. Pas prishjes me BS, qeveria jugosllave mori hua të mëdha nga vendet kapitaliste dhe nga bankat ndërkombëtare.

Ndihmat dhe kreditë nga BS dhe vendet e kampit socialist të ELQ kanë qenë mjaft efektive, pasi ndihmuan për kthimin nga një vend agrar i prapambetur në agrar-industrial dhe në ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit në vitin 1960. Këto ndihma dhe kredi u përdorën për ngritjen e degëve të industrisë me cikël të mbyllur. Kështu, që me kredinë e parë të korrikut 1947, me ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Tiranë, të fabrikës së sheqerit në Maliq, të hidrocentralit të Lanabregasit dhe të mbështetjes së bujqësisë me traktorë e pjesë mekanike në fillim të viteve 1950, u hodhën baza për ngritjen e industrisë së lehtë e ushqimore me lëndën e parë në vend, duke shtuar sipërfaqet me pambuk dhe panxharsheqeri. Po kështu, nisi ngritja e sistemit hidroenergjetik, i cili do të merrte një zhvillim progresiv në të ardhmen e afërt si dhe u mbështet zhvillimi i bujqësisë si dega bazë e furnizimit të popullsisë dhe industrisë me artikujt e nevojshëm. Ndihma dhe kreditë nga BS dhe vende të tjera të ELQ, për dy pesëvjeçarët 1951-1960, llogaritej në 1/3 e investimeve gjithsej.

 

Ndihmat dhe kreditë nga RP e Kinës patën rëndësi të veçantë pasi mbështetën përfundimin e objekteve të lëna përgjysmë nga BS, si dhe ndërtimin e bazës materialo-teknike të socializmit, që gjithsesi mbeti një objektiv i parealizuar. Volumi i kredive kineze të përdorura për Shqipërinë ka qenë 3.3 herë më i madh se ai i BS dhe vendeve të ELQ, ishin pa ose me interes shumë të ulët, u shtrinë në një periudhë më të gjatë kohe dhe mbështetën ritmet e larta të rritjes ekonomike në tërësi, të prodhimit industrial dhe të eksport-importit, në veçanti.

Rreth 50 për qind e investimeve u përqendrua në vepra të mëdha industriale në degë e sektorë prodhues të vendit si: energjetika, industria e rëndë dhe minerare,e metalurgjisë së zezë e me ngjyra, industria mekanike, e materialeve të ndërtimit, kimike, e superfosfatit dhe nitratit të amonit, në transportin hekurudhor, detar etj.

Investimet për shfrytëzimin e burimeve hidrike, pjesa më e madhe e të cilave  përfunduan me ndihmën e kredive kineze, konsiderohen me efektivitetin më të lartë mes gjithë atyre që u realizuan gjatë sistemit socialist 1945-1990. Nga viti 1964 deri më 1975, më shumë se gjysma e tregtisë së jashtme zhvillohej me RP të Kinës.

Ndihma ekonomike, teknike dhe materiale dhënë Shqipërisë nga RP e Kinës, nisur jo thjesht nga ana financiare, ka qenë thelbësore sepse në pjesën dërrmuese të saj përbënte një akumulim prodhues të drejtpërdrejtë. Profesor H. Banja në mënyrë autokritike reflekton se ndihma kineze nuk duhej vënë thjesht në raport me peshën specifike që ajo zinte në buxhetin e shtetit shqiptar të asaj kohe (që ishte relativisht e vogël) apo duke iu referuar “fitimit të munguar” për të dalë në dëmet e shkaktuara ekonomisë shqiptare nga ndërprerja e kredive, por duhej vlerësuar në një këndvështrim më të gjerë, në ndihmesën e rëndësishme në procesin e ndërtimit të bazës materialo-teknike të socializmit.

 

Marrëveshjet tregtare dhe të ndihmave e kredive midis shteteve socialiste kanë qenë të bazuara mbi kritere ideologjike dhe politike, për rrjedhojë, ecuria e tyre ka qenë në varësi të zhvillimit të marrëdhënieve politike. Në librin me kujtime 2010, R. Alia shkruan se udhëheqja shqiptare gaboi kur ndërhyri në zgjedhjen politike që bënë kinezët në rastin e vendosjes së marrëdhënieve të tyre me ShBA, por edhe pala kineze, nga ana e saj, u tregua tepër intolerante kur vendosi të përdorë presionet ekonomike me Shqipërinë, duke i shtrirë mosmarrëveshjet ideologjike edhe në fushën e marrëdhënieve shtetërore.

 

Zbatimi i politikës së mbështetjes “tërësisht në forcat e veta”, çoi në rënien e ritmeve të rritjes ekonomike në vitet 1980-1990 .Deri në vitin 1978 Shqipëria kishte përfituar ndihma dhe kredi në kushte të favorëshme nga RP e Kinës si një vend socialist. Kushtetuta e vitit 1976 ndalonte marrjen e çdolloj ndihme dhe kredie nga vendet “kapitaliste dhe revizioniste”.Në këtë grup hyri RP e Kinës pas prishjes së marrëdhënive me Shqipërinë.Kështu,,për rjedhojë udhëheqja e PPSh-së vendosi zbatimin e parimit të mbështetjes vetëm në forcat e veta.

Prof. Banja thekson se asnjë komb nuk mund ta mbështesë zhvillimin e tij në ndihmat e huaja. Në të kundërtën, shkollat ekonomike, pasurimin e kombeve e mbështesin në radhë të parë në punën e njeriut, në pasuritë e vendit. Por kjo nuk do të thotë të mos shfrytëzosh përparësitë e marrëdhënieve me interes të ndërsjellë me vende apo kompani të huaja.“Parimi i mbështetjes vetëm në forcat e veta”, jo vetëm që u absolutizua teorikisht, por edhe u konkretizua në procesin e hartimit të planeve.  Për rrjedhojë, prodhimi shoqëror më 1990 ndaj vitit 1985 u rrit vetëm 2.7 për qind, kurse të ardhurat kombëtare ranë 0.6 për qind.Këta dy tregues për frymë në këtë vit rezultuan në nivelin më të ulët të gjithë dekadës 1980-1990.

 

Në kreun XII autori trajton çështje të kalimit të vendit tonë në fillim të viteve 1990 nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut.

Ai është ndalur sidomos në analizën e modelit të reformave me hapa të shpejtë apo “shock-therapy” pa mbajtur parasysh pasojat sociale.Autori kritikon mungesën e transparencës në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve pronë publike dhe përfitimet e padrejta nga grupe në dëm të shtresave të prekura, sidomos të pensionistëve.

Si rrjedhojë e mangësive të fillimit, efekti i reformave ekonomike të tranzicionit ishte i pjesshëm dhe nuk solli ngritjen e institucioneve të qëndrueshme publike.Nga ana tjetër, u krijuan pasoja negative zinxhir, si: rritje masive e papunësisë, rënie e nivelit të pagave e pensioneve, rritje e inflacionit dhe e deficitit buxhetor, zgjerim i skemave piramidale mashtruese dhe, më në fund, kriza komplekse e vitit 1997. Në këtë vit u zbatua një program masash për rigjallërimin e ekonomisë dhe nga viti 1998 u shënuan ritme të larta rritjeje në treguesit kryesorë makro-ekonomikë, prirje që vijoi për gati një dekadë.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :