Data : 20 09 2018
KryeTitujt :

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Kënga polifonike e Bënçës, monument i rrallë i kulturës shqiptare

benca dyProf. Dr. Bardhosh Gaçe: bardhosh

Kënga polifonike e Bënçës, monument i rrallë i kulturës shqiptare

 

 

 

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Ashtu siç është e nevojshme për kulturën tonë kombëtare në përgjithësi,studimet nuk duhet të ndalojnë asnjëherë, për arsyen se vetëm për etnokulturën popullore studimet nuk mund të përfundojnë kurrë. Këtë fakt, e ve re kushdo,me gjurmët e thella qe ka lenë dhe vazhdon te kultivoje polifonia shqiptare edhe ne dekadat e fundit, sidomos polifonia e Bençës në Tepelenë.

benca dy

-Si do ta cilësonit këngë polifonike

Polifonia labe, e cila tashmë është certifikuar si një krijimtari unike në llojin e vet të veçantë, duke u bërë pjesë e trashëgimisë së kulturës botërore, e marrë nën kujdesin dhe mbrojtjen e UNESKO-s, është një nga nyjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, parë nga trashëgimia e saj e hershme, që në kohët kur vepronin dhe konkurronin qytetërimet antike. Në praktikën dhe ekzekutimin  e polifonisë labe, njëkohësisht dhe të asaj të Bënçës, ka elementë të fortë të kohës, kur lindi ajo, rrugëtimin e saj dhe prurjet historike të vazhdueshme, të cilat janë dhe do të jenë objekt i studiuesve të kësaj fushe. Unë dua t’u kujtoj se ne jemi të lumtur që e kemi këtë trashëgimi të hershme,e cila përveçse mbijetoi nëpër tufanet dhe stuhitë e kulturave të huaja dhe të pushtuesve, por dhe sot e kësaj dite ajo është aktive, i mbush me shpirt dhe me kënaqësi dëgjuesit e saj, labët kudo ata janë dhe shqiptarët në përgjithësi.

     Pse ndodh kjo?

Ashtu si polifonia në përgjithësi, kënga e Bënçës, është e bukur, është burrërore , ne të ka vend dhe për ndjesinë dhe timbrin femëror, është lozonjare dhe i këndon dashurisë, evenimentit të ripërtëritjes së jetës, i këndon vesës së mëngjesit dhe natës me yje, por në thelbin dhe ashtin e saj ka një raport fondamental, atë të ruajtjes dhe mbajtjes së jetës, në kushtet e jetës normale, jetës në vështirësi, jetës nën trysninë  e pushtuesve dhe jetës për ta bërë atë më të mirë. Pikërisht kënga polifonike e Bënçës u këndon njerëzve të saj, atyre që i kanë zbardhur faqen, u këndon burrave, atyre që i kanë dhënë fuqi dhe besim njeriut të thjeshtë, atyre që kanë bërë të trashëgueshme cilësitë më të mira, historitë dhe vlerat e një popullsie të lashtë me një kulturë autoktone.

-Çfarë të bën përshtypje në këngën polifonike të Bënçës?

Përmes këngës polifonike të Bënçës, nëse i hedh një sy gjithë arkivit të tekstit të kësaj kënge, pavarësisht melodisë, që krijohet në mënyrën më origjinale, sipas traditës së polifonisë, të bën përshtypje një lloj përditshmërie që ka pasur kjo këngë, me ç’rast kuptohet, se ajo ka qenë një mjet i rëndësishëm, i jetës së tyre. Në këtë thesar këngësh, të cilat më së shumti jetojnë dhe në të kënduarit e përditshëm ka një marrëdhënie dhe një sendërtim artistik të mrekullueshëm të riteve të jetës, miteve të trevës dhe të vendit, momente të rëndësishme historike, trimërisë dhe fisnikërisë labe të shndërruara në krijime epike. Ne boten e tyre poetike, ka një arsenal të rëndësishëm të lirikës së dashurisë, lirikës familjare, e cila është shumë interesante, pasi në një farë mënyre shpalos marrëdhëniet në familje, jane baladat, një tipar karakteristik i shpirtit të ndjeshëm të bënçiotit, labit dhe shqiptarit në përgjithësi, vaje, ninulla, përmes të cilave ka një plazmë të mrekullueshëm të një lloj tradicionalizmi me jetën e këtyre njerëzve.

Ashtu siç ka ndodhur në pjesën më të rëndësishme të kulturës popullore, veçmas të këngës popullore, kënga bënçiote ka reflektuar zhvillimet historike shqiptare në një mënyrë shumë origjinale, përmes një sendërtimi artistik dhe refleksi të thellë shpirtëror. Nëse këngëtarit bënçiot i është dashur t’i këndojë si nevojë shpirtërore vendit, luftëtarit të vendit të vet dhe atij kombëtar në luftë me pushtuesit, atij i është dashur të këndojë për punën në bujqësi dhe për tufën e bagëtive, përmes bariut dhe bareshës, çobanit e çobaneshës, të cilët në këtë realitete përbëjnë një nga motivet më të bukura të polifonisë bënçiote.

Evenimentet e jetës, kryesisht të gëzimit që krijon dasma, realitetet familjare, të cilat gjejnë një pasqyrim të gjerë në këngën polifonike labe dhe atë të Bënçës, gjejnë rastin që përjetimet e thella të pasqyrojne vetë realitetin shoqëror dhe familjar. Ritualet dhe evenimenti i bënçiot risjell në kujtesë dhimbjet, trimëritë, bëmat, humbjet e njerëzve dhe të dashurve, nëpërmjet të cilëve janë krijuar perla poetike dhe këngëzimi, me një figuracion të ndjerë dhe të zhdërvjellët, nëpër të cilat rrjedh jeta  zakonore e Labërisë dhe e Bënçës.

-Si përcillet sot polifonia Bëncciote në raport me gjithështrirjen e këngës labe?

 

Pavarësisht se polifonia e Bënçës është pjesë e rëndësishme e gjithë polifonisë labe, e cila është e gjerë në shtrirjen e saj, ajo ka një origjinalitet të sajën, të cilën sapo e  dëgjon të këndohet, e kupton se është bënçiote, qoftë nga natyra  tekstit, harmonia e të kënduarit, timbri i zërave dhe temperamenti me të cilin ato këndohen.

Kënga bënçiote ka mbushur një pjesë të rëndësishme të jetës së banorëve nëpër kohë. Ajo është kënduar në kohë pushimi në punë, dasma e vdekje, në kullotat e bagëtive, pasi bënçiotët kanë një prakticitet të jashtëzakonshëm në ekzekutimin e tyre, në gostia dhe në ditë festash në përkujtimore dhe evenimente të tjera.

 

Nëse shpirti bënçiot shquhet për lirizmin dhe nevojën që ai të mbushet përmes bashkësisë emocionale të njerëzve që mbështeten tek njëri- tjetri dhe këndojnë, një nga epërsitë dhe fati i madh i tyre ka qenë trashëgimia e vazhdueshme e artistëve dhe këngëtarëve të kësaj kënge. Tashmë, pavarësisht se brezi ynë e ka prekur nga afër këtë realitet shpirtëror të këngëtarëve të Bënçës, emra dhe zëra të tillë si: Golik Jaupi, Dervish Guma, Përparime Ziflaj, Agron Selimi dhe tjerë janë mite në krenarinë e brezit të ri bënçiot, të cilët kanë ç’të prekin me sy dhe shpirt për ta mbajtur kështu të respektuar dhe për ta çuar akoma më tej këngën polifonike bënçiote labe.

Kësaj “skuadre luftarake”  të shpirtit të ndjeshëm dhe trazuar bënçiot i kanë paraprirë poetët dhe këngëthurësit e mrekullueshëm të Bënçës, të cilët më mirë se kushdo tjetër kanë ditur të pleksin shpirtin, ndjeshmërinë dhe tregues të tjerë të rëndësishëm në këto tekste këngësh, të cilët i kanë mbetur të freskëta historisë së vendit. Janë tekste që kanë mbushur me jehonë dhe krenari skenat e mëdha të festivale brenda dhe jashtë vendit, duke bërë të dukshëm tiparet më të mira kombëtare. Emrat e Maliq Lilës, Diamano Bollanos, Golik Jaupit dhe poetëve të tjerë, të cilët kanë kontribuuar në pasurimin e repertorit të polifonisë së Bënçës, janë krenari dhe dashuri jo vetëm për Bënçën, por gjithë Labërinë, të cilës ia kanë ngritur lart vlerat etnokulturore.

Kënga e Bënçës i ka përfshirë brenda vetes të gjithë ata gjëra të mrekullueshme që ajo ka në vetvete, malet, luginat, ujërat, gurrat, bjeshkët, fushat, kullotat, shpirtin, karakterin dhe cilësitë e bënçiotit, fytyrat e shquara popullore që ia kanë ndritur fytyrën asaj, pra ajo, kënga, është kthyer në një regjistër i pagabueshëm për këtë vend dhe këto njerëz.

 

-Si do ti cilësoje personalitetet e këtij grupi polifonik?

Në udhë-vazhdimin dhe promovimin e saj, pavarësisht zhvillimeve kohore të polifonisë së Bënçës, ka pasur personalite të rëndësishme jo vetëm të vetë Bënçës, por të gjithë kulturës sonë kombëtare, prandaj promovimi i këtyre vlerave përmes botimeve të kësaj natyre është i dobishëm dhe vlerësues. Kushdo që ka derdhur mundin dhe djersën në këtë fushë të rëndësishme të kulturës sonë, duhet të respektohet, të vlerësohet, dhe të falënderohet. Personalitetet të dijes, të cilët kanë sjellë opinionet e tyre per polifonine e Bences që nga prof. Spiro Shituni,prof. Beniamin Kruta,Fitim Çaushi,Lefter Çipa, prof. dr. Shyqyri Hysi, prof. ass. dr. Jaho Cana, Feti Brahimi e ndonjë  tjetër, përveçse kanë nderuar polifoninë  e Bënçës, kanë nderuar dhe vetveten.

Më së shumti në këtë botim,nen titullin “Gurra e kenges Bencore”, për të cilin duhet te falënderojmë me gjithë sinqeritetin dhe dashamirësinë tonë autorin Golik Jaupin, kënga polifonike e Bënçës është një regjistër i rëndësishëm jo vetëm i raporteve dhe jetës shpirtërore të saj nëpër kohë, por dhe  një marrëdhënie funksionale, motivuese dhe përkujtuese e ngjarjeve, të rëndësishme të saj, e shpirtit dhe e njerëzve të saj, e konstitucionit shpirtëror të saj, e kujtesës për brezat që vijnë me fondamentin e njohur të bënçiotit, si familjarë, si luftëtarë, si njeri me pasionin për jetën dhe gjithë etnopsikologjinë e tij.

Grupi polifonik brilant i këngëve të Bënçës është ai që lidhet me Bënçën. Në këto këngë ka elementë racional dhe të rëndësishëm të historisë, të evenimenteve shpirtrëore dhe historike të saj, të njerëzve të saj. Treva e Labërisë është e njohur për luftërat e shumta, me të gjitha llojet e pushtuesve që kanë synuar këto troje dhe vende. Këngë të tilla si “Bilbilat e Bënçës”, “Bënça përmbi Tepelenë”, “Bënçë e dashur” dhe krijime të tjera, ku bënçiotët shpalosen dhe përmes këngëve të natyrës lirike dhe përshkruese të natyrës, si “Rreth e rrotull këto male”, apo “Bilbilo moj këngë labe” përbëjnë një lloj detaji të veçantë dhe specifik për ruajtjen me dashuri dhe dinjitet të kësaj treve në shpirtin  e bënçiotëve, kudo ata janë dhe shkojnë.

Një grup këngësh të rëndësishme janë dhe këngët që bënçiotët i kanë kënduar Labërisë, Vlorës. Tepelenës, siç janë “Vlorës”, “Kurveleshi”, “Ali Pasha”, “Heronjtë e Labërisë” fshatrave dhe krahinave të tjera të trevës labe, në kontekstin e të cilës bënçiotët janë pjesë e rëndësishme e zhvillimeve historike. Ashtu siç ka ndodhur dhe me krahinat e tjera të njohura të Shqipërisë, të cilat kanë qenë aktive dhe të përfshira në lëvizjet dhe zhvillimet historiko- politike të kohës dhe bënçiotët i kanë përjetuar këto zhvillime, pavarësisht se kanë qenë larg tyre. Ka këngë të mrekullueshme polifonike që u kushtohen figurave heroike të luftërave në Kosovë, siç është “Djep i tundur në Kosovë”, “Këngë për Mehmet Pashë Dërallën’  dhe ndonjë këngë tjetër. Në këto këngë motivi i njohur “Besë e labit, besë burri” spikat si një cilësi e transmetueshme nëpër kohë.

 

-Të flasim pak për lirikën e këngëve të këtij grupi?

Polifonia dhe pasuria shpirtërore bënçiote shfaqet me një bukuri tipke dhe në lirikën e saj. Në to i këndohet jetës me një ndjesi, brenda të cilës ndjenja plazmohet me dëshirën për jetën dhe lumturinë familjare. Këngë të tillë si “Miro, Miro moj bënçiote”, “Lozje me qerpikët, lozje me qëpallët”, “Moj thëllëza grykëzënë”, “Tek kumbulla dëndësore”, shpalosin një lloj romantizmi dhe lirizmi brilant të kësaj kënge.

Siç u shënua dhe më lart, polifonia bënçiote i ka kënduar me një dashuri dhe shpirt të madh figurës së bënçiotit, si luftëtarë dhe si martir. Në Bënçë nderohesh përjetësisht për trimërinë dhe veprat burrërore. Ashtu siç i këndohet Ali Pashës apo Selam Musait, këtu i këndohet djalit të kësaj treve me zë. Këngë të tilla si :”Këngë për heronjtë e popullit’, ‘Këngë për Heroin e Popullit Abaz Shehu”, “Këngë për Heroin e Popullit Mitro Xhani”, këngët për luftërat dhe betejat e shumta që kanë ndodhur në këto anë, janë një përjetim i rëndësishëm për njerëzit me virtyte të kësaj ane dhe një kujdes për t’i frymëzuar brezat e rinj me këto cilësi dhe motive të larta të këtyre njerëzve, të cilët e ruajtën krenarinë  e tyre në ditë dhe kohë të vështira.

Libri “Gurra e këngës bënçore” e mjeshtërit të njohur Golik Jaupi, në shpirtin dhe gjakun e të cilit gurgullon gjaku dhe dashuria për Bënçën, historinë dhe njerëzit e saj,është një kontribut i çmuar në traditën e Bënçës, të cilën nuk duhet ta lënë në rrugë as brezat e ardhshëm.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :