Data : 14 12 2018
KryeTitujt :

PORTRET/ Pandi Raidhi, korçari që “lindi” aktor

PORTRET/ Pandi Raidhi, korçari që “lindi” aktor

PORTRET/ Pandi Raidhi, korçari që “lindi” aktor
19 vite pa Padi Raidhin. Një meditim biografik mbi jetën dhe aktivitetin artistik të “Artistit të Popullit” Pandi Raidhi, në përkujtim të ndarjes së tij nga jeta. 

Nga Juela Meçani

 

Ishte 18 korrik 1999 kur u nda nga jeta, duke lënë pas, qindra personazhe të cilat dhe sot kur i shohim arrijnë të sjellin brenda nesh atmosferën e gjallë të atyre viteve, me halle por edhe me humor. Nëse ndalesh e kujton “Artistin e Popullit”, Pandi Raidhin, nuk di nëse gjenialitetin e tij autorial do ta quaje komik ose dramatik. Sepse i tillë ishte aktori i madh korçar, një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë, i cili nuk e hiqte kurrë atë sensin e hollë të humorit nga buza dhe e vishte me batuta që shpesh ishin edhe të tijat. Rolet e tij në “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga Qyteti”, “Beni ecën vetë” etj mbetën të paharrueshëm. Mbi të gjitha, Pandi shkëlqeu në një film të Dhimitër Anagnostit të quajtur “Monumenti”, jo shumë i njohur nga publiku i gjerë për shkak të metrazhit të shkurtër. I gjithë filmi ishte një interpretim mjeshtëror dhe shumë i ndryshëm nga role të tjera të tij. Por ishte edhe një nga rastet e para të një monologu tragjikomik në film.

 

Pak biografi

 

I lindur në qytetin e Korçës, më 14 prill të vitit 1921, ai do të kalonte një fëmijëri të lumtur dhe do të ishte pjesë e luftës Nacional Çlirimtare pas shkollës së mesme. Jeta e tij prej artisti të lindur do të niste më 1937. Një prej atyre aktorëve të rrallë që e jetoi epokën e mirëkuptimit nga opinion publik. Mbi 200 role interpretuar në gjysmë shekulli karrierë. ‘’Tana’’ në vitin 1958, do të ishte prezantimi i tij i parë në një rol kinematografik, duke nisur kështu vijueshmërinë absolute të një aktori me një lojë autoriale aq ritmike sa emocionale por aq edhe racionale.

 

Karriera e gjatë

 

Ishte nga aktorët themelues të Estrades Profesioniste të Korçës me shfaqjen “Agimi”, gjithashtu aktor themelues i teatrit “A.Z. Cajupi”, më 1951. Si aktor komik “i lindur”, me një lirshmëri e gjendje emocionale të natyrshme, i prirur vetiu nga satira dhe humori, Pandi Raidhi u bë i parapëlqyer në Teatrin e Korçës për interpretimin e shumë figurave në komediografia shqiptare, sidomos ajo botërore, ku veçohen Argani tek “I sëmuri për mend” e Molierit më 1995, Volpone te “Volpone” e Ben Xhonsonit më 1957, Sganareli te “Doktor Padashka” e Molierit më 1958, Arlekini te “Gënjeshtari” e Gogolit më 1959. Në vitet ’60 ai arriti edhe pjekurinë e tij artistike, çka u reflektua në nivelin e aktrimit, në individualitetin psikoplastik të figurave dhe në individualitetin e spikatur artistik që krijoi. Pas një morie realizimesh komike e humoristike në llojet e shkurtra të estradës, ishte regjisori Pirro Mani ai që  e afroi në skenën e teatrit dramatik në fillim të viteve ’60 me disa role të rëndësishme. Veçanërisht u bë i dukshëm talenti i tij me interpretimin e rolit të xha Kasemit në dramatizimin  e romanit Këneta të Fatmir Gjatës më 1963 dhe në filmin “Vitet e para”  më 1965, me te cilin ai ishte një fshatar tipik shqiptar i jugut, babaxhan, plot humor, thumba, ngacmime e ojna, i dashur e i sinqertë, që krijonte atmosferë e hare në skenë. Aktori u mëshoi elementëve popullorë në mënyrën e sjelljes, të folurës, veshjes, portretit, deri edhe hollësive të pirjes së duhanit etj,. që gjetën mishërimin e tyre origjinal falë zgjedhjes së një protipi fshatari me taban nga anët e Devollit, sa të mënçur aq dhe ironik, njeri i cili, sipas vetë aktorit, nuk e hiqte nga goja thumbin, kurse në buzë i lulëzonte e qeshura dhe shakaja. Në vitin 1964 jetësoi një tjetër rol nga më mbresëlënësit në karrierën e tij artistike, atë të Thanasit në dramën “Hijet e natës” e Vedat Kokones. Përmes një loje e humori brilant, me të folurën e veçantë, ritimin e lartë dhe plastikën karakterizuese, Pandi Raidhi skaliti njeriun në panik, finok, pa personalitet të qartë, që shkon nga fryn era, veshngritur, në pritje të ndryshimit politik të kohës, i pasigurtë dhe i tmerruar nga lufta dhe pushteti i dhunshëm që po vinte. Me nurin komik që e dallonte dhe ngulmin për të ravijëzuar karaktere të besueshme, me plastikën e zhdërvjelltë dhe të folurën fshatarake,  Pandi Raidhi realizoi figura artistikisht të bukura e të pëlqyera gjerësisht nga shikuesit e kategorive të ndryshme.  Me

 

 

xha Bakon në komedinë “Zonja nga qyteti” e Ruzhdi Pulahës më 1975, si dhe në filmin me të njëjtin titull më 1976, me të cilin fitoi Medaljonin e Festivalit, ai vijoi gdhendjen mjeshtërore të tipit të fshatarit shqiptar, njeriut të mençur, ironik, shpotitës, që e ka ngacmimin pjesë të qënies së tij kritike por që, nga ana tjetër, dëshmon edhe një dashuri e nderim të thellë për punën, jetën, njeriun, progresin.

 

Luajti mbi 150 role të ndryshme në drame dhe komedi, si dhe në opereta, duke ravijëzuar gjithmonë tipa e karaktere të spikatur. Në këtë hulli u trajtuan edhe rreth 36 figura të tjera, të interpretuara prej tij në kinematografi, kryesisht role karakteresh. Pandi Raidhi shquhet nga nje aktrim i vërtetë, thuajse natyral, si i gjendur ashtu ne jete, i drejtpërdrejtë  dhe  i mëvetësishëm, derisa edhe vete konvencioni teatror duket sikur sfidohet e “harrohet”. Bie ne sy  përshtatshmëria e tij e madhe ndaj gjendjes emocionale te figurës, sikurse humori fin, i atypëratyshëm, i çlirët, reagimet e shpenguara e spontane. E tera e tij ngjason me një arketip shqiptar, si i shkulur nga toka, etnia, historia, shpirti, psikologjia dhe mjedisi shqiptar.

 

Kujtime familjare

 

Donika, vajza e tij kujton se Pandi Raidhi ishte një prind mjaft i dashur që nuk i qortoi asnjëherë fëmijët. Largimet e shpeshta për xhirime, e bënin ti donte edhe më shumë fëmijët; djalin Gjergji dhe vajzën Donika. “Kishte shumë dëshirë të na merte kur xhirohej ndonjë film. Ne nuk mungonim në shesh xhirimet e filmave që xhiroheshin në Korçë” kujton e bija.

 

Vlerësime

 

Pirro Mani, regjisori i madh e kujton kështu aktorin Pandi Raidhi: ‘’Një aktor që më ka pëlqyer ka qenë veçanërisht Pandi Raidhi i Korcës. Një mjeshtër i karaktereve me një intuitë të jashtëzakonshme. I talentuar qysh nga lindja. Një shfaqje që më vjen ndërmend quhet ”Hijet e natës”, drama e njohur e Vedat Kokonës. Ai shkëlqeu!’’

 

Aktorja e madhe vlonjate, Liza Laska e kujton kështu kolegun e saj: ““Kam pasur fat, se kam patur shumë role të mira falë partnerëve brilantë. Pandi Raidhi ishte kryesor. Ka qenë i veçantë. Nuk kam ndier lodhje kurrë. Kemi bërë shumë punë jo vetëm në qytet, por dhe në fshat. Madje mbaj mend që kemi shkuar një herë në një fshat katër orë në këmbë. Shkonim në shkolla që jepnim shfaqje. Ne na çuan për të fjetur në një familje që kishte katër fëmijë, i kishte vdekur burri dhe kishte vetëm një krah pune. Kur po hanim, fëmijët na shikonin në sy. Më thotë ajo shoqja ime, shikoji fëmijët si po e shikojnë vezën. Na bënë përshtypje ata fëmijë, fukarallëk. Por kam të fiksuara edhe episode të tilla, Në një fshat tjetër që Pandi Raidhi ishte hoxhë dhe unë isha familja e krishtere. Ishte problemi i feve në këto role. Mirëpo ishte koha që ishin prishur kishat dhe xhamitë. Influencat bënin punën e tyre, pasi ishin prishur kishat e xhamitë, por jo në zemrat e njerëzve, na kanë qëlluar me gurë në atë fshat”.

 

Kryeministri Edi Rama do ta vlerësonte kështu aktorin e madh: “Temperamenti artistik i të cilit çarmatoste jo vetëm kamerat dhe objektivat, por edhe një publik të tërë që e pat ndjekur pareshtur, që 80 vite më parë, kur 16 vjeçar u shfaq në skenat e Korçës. Respekte, Pandi Raidhi!”

 

Vlerësimet institucionale

 

Për meritat e tij artistike, aktori Pandi Raidhi u nderua, në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Gjithashtu, në nder të tij, Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Tiranës, emrin e tij.

 

Batutat e famshme

 

Qeveria, lepurin e kap, por jo ujkun. Ai kushedi se ku bredh me kalë”,

 

“Nga na ngjave kështu, o i biri Shemes’’,

 

“I qëllon qytetit dhe nga një bajgë’’,

 

‘”Mos qaj, o bir, mos qaj, se nuk i dilet me të qara’’.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :