Data : 15 10 2018
KryeTitujt :

Politika e shet popullin si mall, nëse ai hesht në kohën kur duhet të flasë – Nga Albert Z. Zholi

Politika e shet popullin si mall, nëse ai hesht në kohën kur duhet të flasë

Nga Albert Z. Zholi

Sa halle kanë shiptarët ? Ose më mirë, sa kilometra vargon shumatorja e halleve tona? Për më pak, cilat janë hallet tona të përditshme?Nuk ka ndonjë filozofi të veçantë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Një vëzhgues empirik i evidenton shpejt dertet e shqiptarëve me një të parë në rrugë. Ato më së paku e kanë emrin, politikë e egër dhe gënjeshtare, ekonomi shtëpiake me xhepa të grisur, ecje pa drejtim, mungesë drite, uji, banese, shëndetsi dhe arsim, fëmijë semaforesh, pleq duke shitur banane. Pse çalojmë ne të vjetrit e Evropës (këtë e themi me krenari, për të tjerat padashur ulim kokën), kaq shumë në kondicionet minimale të jetesës, kur çdo ditë e më shumë flasim për standarte europiane. Ja disa nga pikëhallet tona:

Uria e huaj e televizioneve

Vitet e fundit, televizionet e shumta shqiptare po ofrojnë për teleshikuesit, filma, emisione, këngë, dokumentarë të prodhimeve dhe programeve të huaja të përkthyera në shqip. Mund të themi se 70 % e programeve televizive përbëhet nga prodhimet e huaja. Kuptohet që uria e teleshikuesit shqiptar, ka nevojat e veta për t’u ushqyer me marka jokombëtare, por vendi ynë ka shumë këngëtarë cilësor, drama, filma, koncerte, spektakle..Bile që na merr malli ti shohim. Pse nuk po i gjejmë, apo i kemi më larg se prodhimet e huaja ?!!! Së afërmi në Shqipëri do flitet çdo gjuhë, por…do të harrohet shqipja (përderisa dhe Kryeministri Berisha flet italisht në zyrën e tij me kryeministrin Berluskoni përpara kamerave). Do na duhen përkthyes në atdheun tonë.

Nga e huaja tek “malli” i vendit…politika

Ajo që spikat në emisionet që flasin për ne banorët e këtij vendi është ngritja në piedestal e liderëve të partive, sherret për karriget në pushtet, për postet e ministrive dhe gjithçka që ka të bëjë me politikën. Pa dyshim që kjo ka aspektin pozitiv sepse sjell në kohë reale atë çka prodhojnë kryesuesit e vendit tonë. Por, po televizioni çfarë raportesh ka me produktin që shet???! Shërbimi mediatik është një mjet për të transmetuar jetën e secilit, bashkësisë dhe një globi të tërë me ngjarjet më pikante, ndaj dhe rëndësia e tij është më shumë se forca e perëndisë. Po çfarë prodhimi mediatik i dhurohet sot admiruesit të ekranit shqiptar? Allishverishe të mëdha, dredhi alarmante, televizione biznesi që e dredhin politikën e lajmit nga fryn era e fitores… Televizionet sot i përcjellin teleshikuesve vetëm ndjenjën e korrupsionit, luftës së ashpër për pushtet dhe makinacioneve që nuk
kanë të bëjnë hiç me moralin dhe qëllimin e ngritjes së partive dhe televizioneve, që t’i shërbejnë popullit. Pa diskutim që politika është pjesë e lajmit mediatik dhe si e tillë do të përbëjë lajmin e ditës. Por nëse bëjmë një bilanc të lajmeve që dëgjojmë në edicionet kryesore të vjen keq që jeton në një vend të qytetëruar. A ka më njerëz të mirë në këtë Shqipëri të mbytur me halle dhe probleme, me kriza dhe post kriza, me internerare luksi kryeministrash apo deputetësh nëpër botë dhe (si kontrast), njerëzish që dalin para super fuoristradave me dorën e shtrirë para “Më fal një grosh zotni”!
Shkurt…Politika e shet popullin si mall, nëse ai hesht në kohën kur duhet të flasë

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :