Data : 16 10 2018
KryeTitujt :

Poezi nga Sabina Elmazaj

Poezi nga Sabina Elmazaj

sabb

 

 

 

 

 

 

Jetimët

Ashtu si padashur na e morën gëzimin,

Në vegjëli na e rrëmbyen dashurinë,

Atëherë kur isha në moshën e juaj,

Ndjeja dhembje bashkë me brishtësinë.

 

Në fytyrat tuaja shihet mallëngjimi,

Doni një shpirt të ri plot ëmbëlsi,

Në mungesë të dashurisë kërkoni punë,

Ah, kjo jetë ju solli ligështi!

 

Ju jeni lulet e reja të shoqërisë,

Jeni pranvera që ndrit në çdo stinë,

Nënë dhe baba keni mësuesit,

Ëndrrat në sirtar si jargavanë rrinë!

 

Ti, pranvera dhe unë

 

E prita pranverën plot me dëshirë,

Ëndrrat vajzërore ti bëja realitet,

Mbetet stina parajsë e bukurisë femër,

Vegimet qiellore, ndrisin përmbi det!

 

Por, ti zgjodhe të ikësh në pranverë,

Atëherë, kur qielli ishte më i bukur se kurrë,

Kur bari lulëzonte bleruar tej e tej,

Dhe kur toka avullonte pak më shumë.

 

Ja, n’prag të kësaj pranvere të sapo ardhur,

Se besova, ti u largove, befas, pa shkak,

Por dhe Pranvera e trishtuar, ndali lulëzimin,

Madje dhe zogjtë këngën e ndalën jo pak.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :