Data : 14 12 2018
KryeTitujt :

Poezi nga Pullumb Ahmeti

Poezi nga Pullumb Ahmeti

pullumb

PO TRANDET DHEU

Lëviz një pllakë varri nga fryma e shenjtë
Dëgjon trokth kali ku mbenë nëpër gryka
Betejat po bëhen ndër xhamat e sheshtë
Shikojmë pa nojmë dhe na mbahet fryma.

Gjëmon a hesht s’di,kush po trand dheun?
Mbrëmjes sytë ngulur mbenë mbi ekrane
Kjo botë e pabesë më vrau Skënderbeun
E thirrja e tij mbeti humbur tej nëpër male,

E ngjallën perandorinë me filma në Bosfor
Eterit vringëllijnë shpatat zhurmë e furtunë
Theren mes tradhëtish Vezirët nëpër Oborr
Në gjumë na del përnatë i famshmi Ertugrul.

Trumbetat zunë ranë me tam tame të mëdha
Jemi ne shqiptarët në vitin e Skënderbeut
Nga varri u çua Gjergji sokëlliti dhe më tha;
E përdhosën vendin histori turke,eh mëmëdheu

Kosemi plot intriga më vjen dhe mbi varr
haremet ka mbushur me skllave beronja
s’dëgjova kund të flitet diku për shqiptarë
perandorinë e tronditën dhe shpatat tona.

Pllakë e mermertë ra heshturazi pa zhurmë
Heshti dhe Gjergji e zëri i tij më s’u dëgjua
koha ecën rrjedh qetë qetë jetës si një lumë
në përvjetorin e Skënderbeut turqit sulmuan.

Ne heshtim pafrymë syngulur para ekranit
ku shpatat presin kokat për fron perandori
intringat s’mbarojnë në pallate të Sulltanit
tek ne një pllakë varri lëviz mbi trupin e Heroit.

 

 

PLISI I ERËRAVE HYJNORE

Erërat fryjnë mes flokëve kërleshur
majë malit Zeusi zë mbledh rrufetë
ç’ka Perëndia Hejfes pse rri i heshtur?
Tufa të bardha torri mbledhur nga retë.

Borën e bardhë majë mali e zgjodhi
me të lau ngeshëm qeleshen e tjerrur
Zeusi nga froni gjëmimshëm zuri foli
Këtu bimëni plisin flokët ti mbaj mbledhur.

Rrymat fryjnë e lisat shekullorë ngjethin
acar dimrash shtrihet në degët e moçme
plisin e bardhë flokëve shpupurisur hedhin
mijëvjeçarëve krenar e përcjellin mot-mote.

Hej,ti plis vjen legjendë flokësh perëndie
në krye burrash fjalërëndë flet në kohra
në kuvende luftëtarësh sa të paska hije
dhe në beteja si kryemalesh të njohu bota.

Me trupa armëtarësh shkove përtej vdekjes
me aromën e duarve të buta vinte në beteja
me të gjallët dhe me heronjtë ece përtej jetës
bekimi yllirjanëve zbritur nga galaktika si Reja.

Rrënjët eh rrënjët mbirë,mes flokëve pleksur
erëra betejash janë përplasur plisit hijerëndë
mes jetës e vdekjes bardhor ti plis ke mbetur
ushqyer kohrave zemra burrash bekimi hyjnor.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :