Data : 15 12 2018
KryeTitujt :

Poezi nga Alma Begaj

Poezi nga Alma Begaj

alma

 

 

 

 

….. Disa
kanë lindur me këmishë
të tjerë, me shumicë,
kanë lindur lakuriq fare,
ku dhe poret e lëkurës
ja u zhvasin pak nga pak,
gjatë gjithë jetës…

 

 

Meshari im

Unë, isha!
Unë, kam qenë!
Unë, jam!
Periodikisht
Shndërrohem
Në atë ç’ka dua
Të jem!

 

 

DHE HIJET FLASIN

Hej ti, duket se
nuk e ke mendjen,
kam kohë që po flas,
duket s’më ke dëgjuar.
Po filloj prej fillimit,
duhet të më ndjekësh
në çdo tingull, ndryshe
e humbe fillin.

Unë, jam hije, dhe rrallë
dikush më sheh a dëgjon.
Ti e di saktë që hija,
krijohet prej përballjes së dritës
me objektin,
prej varësisë së objektit
me dritën,
dhe unë, kam kohë
që hije e varur në cepin
e objektit trup, përballë dritës
jam,
pa frikën e shkeljes me këmbë
nga të tjerë objekte
vërdallë,
por me dhimbjen
e territ të ngjitur
si veshje e përhershme
e vet’hijes time.

Më dëgjove ç’thashë?
Dhe hijet, nganjëherë
kanë tinguj, zë, fjalë,
dhe flasin!

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :