Data : 14 12 2018
KryeTitujt :

PËRBALLJE : Ku e ka bazën mosbindja civile dhe a është në interes të popullit?

PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”: Ku e ka bazën mosbindja civile dhe a është në interes të popullit?

PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”: Ku e ka bazën mosbindja civile dhe a është në interes të popullit?
FORUM/ Mosbindja civile, një nismë e re e koalicionit opozitar PD-LSI. Flasin rreth saj deputeti socialist Fate Velaj, ai demokrat Tritan Shehu dhe Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa. Ku e ka bazën mosbindja civile dhe a është në interes të popullit kjo nismë? Dhe pse shërbeu si shkëndijë e kësaj nisme protesta e “Rrugës së Kombit”… Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

Mosbindja civile ishte vendimi unanim, me të cilin opozita e bashkuar ka dalë para dy ditësh, duke e zgjedhur si një formë proteste kundër qeverisë, pas asaj të zhvilluar së fundmi për Rrugën e Kombit. Konkretisht, krerët e saj, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë pohuar se mosbindja civile, sipas tyre është zgjidhja e vetme, pasi nuk shohin alternativë tjetër në rrugë institucionale. Por si e shohin një nismë të tillë, përfaqësues të kaheve të ndryshme politike? A është ajo e nevojshme, tashmë kur presim hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian? Ku e ka bazën mosbindja civile si e tillë dhe a është ajo në interes të popullit? Dhe pse shërbeu si shkëndijë e kësaj nisme, pikërisht protesta e Rrugës së Kombit?

 

 

 

FATE VELAJ, deputet i PS-së:

 

Mosbindja civile, përpjekje dëshpëruese e opozitës

 

“Mosbindja civile si vendim unanim, me të cilin ka dalë opozita e bashkuar, si formë proteste kundër qeverisë, është një përpjekje dëshpëruese e saj për të mbuluar të gjitha zullumet, për të penguar reformën në drejtësi dhe për të penguar hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Jo vetëm unë, por madje të gjitha mediet prestigjioze ndërkombëtare e dënuan atë protestë të dhunshme në Rrugën e Kombit. Gjatë këtyre ditëve, kam komunikuar me Parlamentin Europian në Bruksel, si dhe atë austriak në Vjenë, të cilët të shqetësuar për ngjarjet e Kukësit, njëzëri dënuan aktet e dhunës dhe shkatërrimin e së mirës publike. Në të gjithë botën kryhen protesta, por në botën e civilizuar nuk e pranojnë dhunën si akt final të strategjisë së protestës. Çdo shtetas i Shqipërisë pa me sytë e së vërtetës se dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, ishin veprime të koordinuara, të cilat nuk i takojnë një populli që pretendon të hyjë në BE. Konkretisht, dua të perifrazoj ambasadorin britanik në vendin tonë, Duncan Norman në një reagim në Tuitter, lidhur me protestën në Rrugën e Kombit, i cili tha: “Dhuna nuk është zgjidhje. Thellësisht i trishtuar nga plagët e shkaktuara në incidentin e djeshëm në autostradën e Kukësit. Dhuna nuk është përgjigjja”. Faktet e asaj dite flasin me shifra të rënda ku rreth 23 persona mbetën të plagosur, si nga radhët e policisë dhe të protestuesve, ndërsa të arrestuar raportohet se janë 41 persona. Në demokraci, protestat janë paqësore, janë dialoguese, janë të negociueshme për çdo kërkesë. Në asnjë vend demokratik nuk ka vend barbaria dhe dëmtimi i pronës së përbashkët. Në demokraci veprohet me ligje, me rregulla me norma dhe jo me anarki. Vetë kryeministri Rama ua bëri të qartë se do negociojmë për tarifat për banuesit e asaj zone. Kurrë nuk ta mendoja që kjo ngjarje të ndodhte në Shqipërinë e vitit 2018, kur jemi në prag të negociatave. Ky është kthim pas dhe jo progres. Ligji në demokraci fiton mbi çdo dëshirë personale apo të një grupi të caktuar anarkistësh. Jam plotësisht dakord me përgjigjen e kryeministrit Rama: “Do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se ia dalin mbi ligjin!”, Mosbindja civile është një akt i papranueshëm dhe jo i pranishëm në qytetërimin botëror”.

 

 

 

MUHARREM XHAFA, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë:

 

Kjo opozitë nuk ka të drejtën morale për një nismë të tillë

 

“Opozita e bashkuar, apo e përçarë qoftë, mund të marrë vendime, përfshirë edhe mosbindjen civile, po nuk e ka të drejtën morale të thotë se po u del në krah qytetarëve, përsa kohë ajo ka hallin e saj dhe përpiqet të qëndrojë më këmbë, duke manipuluar me protestën e protestuesit. Popullit duhet t’i bëhet mirë e qartë se “Rruga e Kombit” është ndërtuar, përfshirë edhe vjedhjet, me paratë e te gjithë shqiptarëve. E përçarë apo e bashkuar, opozita e sotme vite me radhë ka qenë vetë në krye të qeverisjes së vendit, të cilin e ka zhytur në një humnerë të thellë prej nga s’është e aftë ta nxjerrë, edhe sikur të jetë në krye. Ndaj protesta është më shumë çështje e të pasurve se çështje e njerëzve në nevojë. Nëse deklarohet se ajo ka mision mosbindjen civile të qytetareve, ajo as djeg e as dhunon pronën publike ose private. Për më tepër, protesta nuk ka nevoje të udhëhiqet nga një opozitë e njohur si shkatërrimtare e vendit. Duket hapur që opozita po e përdor protestën e “Rrugës së Kombit” për të sabotuar reformën në drejtësi, vetingun, dënimin e kriminelëve, për të përmbysur rregullat e lojës së demokracisë borgjeze, për të zgjatur kohën e çeljes se negociatave me BE-në. Absurde është të shpallësh se hapësira e vetme e popullit për të protestuar është mosbindja qytetare e refuzimi i çdo takse te rritur, me synimin për të rrëzuar një qeveri borgjeze e për të vënë një tjetër qeveri ultra-borgjeze. Dua te shtoj se mosbindja civile nuk e ka bazën te protestuesit, po te kokat e drejtuesve të opozitës, në filozofinë e tyre. Nga ana tjetër, qeveria nuk duhet që të nxitohet në marrjen e vendimeve për ngjarjen. Përkundrazi, duhet që të nxjerrë mësime të pjekura. Qeveria duhet të jetë vetë e pastër. Por a është? Ndryshe ajo nuk vepron dot dhe fundi i saj është i përcaktuar”.

 

 

 

TRITAN SHEHU: Deputet i PD-së

 

Nisma e PD-së s’ishte e rastit dhe as pa sens

 

“Nisma që mori Partia Demokratike nuk ishte e rastit dhe as pa sens. Ishte një nismë e re, e cila buron nga problemet e shumta që ka sot vendi ynë si rritja e ndjeshme e taksave, rritja e korrupsionit, rritja e kriminalitetit, trafiku i drogës,  etj. Tashmë e dimë se këto ditë u rrit taksa për ujin, taksa për shtëpinë, taksa për biznesin e vogël, taksa për pronën, taksa për rrugët, ndërprerja e ndihmave ekonomike familjeve në nevojë. Dhe protesta e zhvilluar në Kukës kishte si shtysë këto probleme, që PD-ja i ka bërë të qarta vazhdimisht në shtyp, por edhe në takime me elektoratin e vet. Ndaj takimi me partitë opozitare kishte në fokus këto probleme dhe shqetësime që ne arritëm të marrim këtë vendim. Mosbindja civile ka si qëllim të vendosë para përgjegjësisë qeverinë Rama për problemet që ka sjellë në tërë shoqërinë shqiptare. Ne me nismën tonë hodhëm hapin e parë dhe më tej do t’i përshkallëzojmë lëvizjet tona në përputhje me situatën dhe veprimet e qeverisë, për të arritur synimet tona. Përshkallëzimi i lëvizjes së mosbindjes civile do të ketë si taktikë takimin e strukturave të partisë me pjesën më të madhe të shoqërisë, duke i bërë prezente ato çka thashë, që shoqëria të bindet në përkrahjen që do na japë pasi shqetësimet që ne përcjellim janë shqetësimet e tyre. Ne do të ulemi të flasim gjerë me të gjitha shtresat e shoqërisë duke qartësuar programin tonë dhe evidentuar më me saktësi problemet e tyre”.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :