Data : 23 09 2018
KryeTitujt :

Për një Konferencë Ndërkombëtare me Amerikën në Krye

Për një Konferencë Ndërkombëtare me Amerikën në Krye

***


 Historia nuk anulohet, pavarësisht se kush janë fituesit apo humbësit e saj. Për më tepër, ata që nuk kanë mësuar asgjë nga historia, janë të gjykuar, që të përballën me përsëritjen e saj.

BAROMETRI DIPLOMATIK
Mehdi Hyseni.jpg
Akademik Prof.Dr.Mehdi HYSENI
 
 
(Akademik Prof.Dr. Mehdi Hyseni ,Ph.D  është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkëpunëtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Boston të SHBA-së.)

Nëse dikush ushqen iluzione të kota, duke kalëruar nëpër hotele, motele e restorante të Amerikës dhe të Evropës, kinse për ta ndryshuar historinë evropiane ndërkombëtare në mënyrë retroaktive pas 100 vitesh, atëherë, do të ishte mirë, që ata alla-shkencëtarë, politikanë dhe diplomatë shqiptarë ballkanikë, atë “formulë magjike” të tyre t’ia tregonin sa më parë edhe Prishtinës zyrtare sesi ta anulojë Rezolutën 1244 të KS të OKB-së për Kosovën (10 qershor 1999). Kjo, do të kishte prioritet politik, diplomatik dhe kombëtar, jo fantazia për anulimin e Konferencës së Londrës!!!
Vërtet, edhe unë do kisha pasur dëshirë, që të anulohej jo vetëm Konferenca e Ambasadorëve të Londrës (1912-1913), por edhe Konferenca e Paqes e Parisit (1919-1920), si dhe Kongresi i Berlinit (1878). Mirëpo, kjo nuk mund të ndodhë as në ëndërr, lëre të jetë shpresë apo të bëhet realitet, sepse historia nuk mund të anulohet dhe të ndryshohet nga pasardhësit e saj, por vetëm mund të retushohet për interesat e tyre qofshin të drejta apo të padrejta.
Pra, duhet të jemi aq të vetëdijshëm se individët privatë apo zyrtarë të Shqipërisë dhe të Kosovës nuk mund të trembin as “macjen prej përsheshit”, lëre më ta “anulojnë” Konferencën e Ambasadorëve të Londrës (1912-1913). Këtë e provoi edhe rasti i Kosovës më 1999), por as Amerika si superfuqi botërore dhe aleati më i ngushtë i Britanisë së Madhe nuk e ka atë të drejtë dhe kapacitet juridiko-ligjor, që të mund ta anulonte Konferencën e Konferencën e Londrës (1912-1913), jo disa diletantë iluzionistë, të cilët qe 100 vjet e kanë humur “rrugë në oborrin e vet”, dhe tani, kinse iu kanë mësyrë Londrës, duke ushtruar trysni, që kjo t’i revidojë vendimet e padrejta historiko-polike dhe diplomatike të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913.

Mirëpo, kjo formë propagandistike (për ta paditur Britaninë e Madhe) nuk ka asnjë vlerë dhe efekt politik e as diplomatik pozitiv për interesin gjithëkombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Përkundrazi, ky është nonsens politik dhe diplomatik sui generis, që mund ta irritojë keq Londrën zyrtare dhe e aleatët e saj evropianë, si dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, kujdes se çfarë deklaroni në panele, në dreka, në darka e në parti të ndryshme (sidomos kur vini në Amerikë, sepse duke dhënë premtime të kota, dhe duke akuzuar Londrën zyrtare nuk bëhet ribashkimi), si dhe çfarë shkruani për opinion publik vendor dhe ndërkombëtar.

Akuza Londrës për anulimin e Konferencës së Ambasadorëve (1912-1913) mund të çojë në tërheqjen e vendimit të njohjes së Kosovës dhe në keqësimin e marrëdhënive me Shqipërinë

Derisa Shqipëria zyrtare qe 100 vjet (1912-2018) nuk ka kërkuar që të revidohet Konferenca e Londrës, që për shkak të vedimeve të saj të padrejta, Shqipëria u copëtua në disa pjesë (Serbia, Mali i Zi dhe Greqia), atëherë , është e logjikshme se këtë nuk mund ta kërkojnë ndonjë person privat apo parti politike, sepse vetëm shteti është subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
Prandaj, duhet të kemi kujdes se çfarë deklarojmë dhe, çfarë shkruajmë për opinion publik, të mos caktojmë data se, kur do bëhet ribashkimi kombëtar ( herë më 2013, herë më 2015 e herë më 2018 etj.), sepse këtë kërkesë shekullore të drejtë historikisht, politikisht dhe ligjërisht, as Shqipëria e as Kosova ende nuk e kanë shqyrtuar as në planin e politikës së brendshme kombëtare, lëre më ta kenë dërguar për “protokollim” në Londër, në Bruksel, në Uashington dhe në Nju-Jork (OKB).

Derisa dikë e hedh në gjyq, kjo do të thotë nuk je mik e as aleat me të!

Derisa kemi nevojë jetike, që Britaninë e Madhe ta kemi në anën tonë si mike dhe aleate kredibël, ashtu sikurse Amerikën, nuk kemi fytyrë që ta padisim, sepse në të njëjtën kohë, nuk mund të jesh edhe lypës, edhe partner, edhe paditës, kur është fjala për riaktulaizimin, përkatësisht rindërkombëtarzimin e çështjes së pazgjidhur koloniale shqiptare në Ballkan.

Ndërkaq, nëse kemi nevojë për organizimin e një konference evropiane ndërkombëtare (e, që, vërtet kemi nevojë të domosdoshme, ashtu siç kam shkruar dhjetra herë që nga viti 2002, e, edhe sot, më 2018) , atëherë, logjikisht, nuk mund të vijë në shprehje parashtrimi i kurrfarë aktpadie kundër Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (1913).

Të mos e injorojmë faktin se qe më se 100 vjet (1912-2018), gjysmë Shqipëria nuk qe në gjendje, që t’i padisë shtetet fqinje kolonialiste dhe imperialiste ballkanike për copëtimin dhe kolonizimin e territoreve etnike shqiptare, e lëre më tani (të ushtrojë aktpadi për denoncimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës së vitit 1913), kur ajo të gjitha forcat dhe potencialin e vet e ka përqëndruar, që të integrohet në Bashkimin Evropian(jo ta padisë Evropën e as të ribashkojë Shqipërinë e as shqiptarët).
Nëse Shqipëria e sotme është e gatshme që të ushtrojë padi ndërkombëtare për njohjen e së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve në Ballkan, atëherë, atë duhet ta bëjë kundër shteteve kolonialiste fqinje (Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Maqedonisë), jo kundër Evropës së dikurshme e as të sotshme.
Pavarësisht nga fakti se politika dhe diplomacia e Tiranës dhe e Prishtinës, janë fokusuar, që të integrohen në Bashkimin Evropian(ndoshta, në vitin 2020, sipas parashikimeve të agjendës së zgjerimit të BE-së), që tash, është më se e domosdoshme thirrja e një konference evropiane ndërkombëtare, në kuadrin e së cilës do të debatoheshin problemet e pazgjidhura ndërmjet vendeve ballkanike, siç është në radhë të parë çështja koloniale shqiptare, çështje kjo, e cila kërkon zgjidhje imediate nga bashkësia ndërkombëtare ngase nuk mund të lihet më pezull sikur këtu e njëqind vite të shkuara (1912-2018).

As Edward Grey, nuk do të mund ta anulonte “Londra-1”, sepse aty ishte e gjithë Evropa

Me gjithë vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadoirëve të Londrës (1913) ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, sot, nuk ekziston kurrfarë instrumenti ligjor juridik ndërkombëtar, që do të mund t’i detyronte shtetet sukcesore të ish-fuqive të mëdha të Evropës(1913), ta anulonin “Londrën-1” dhe, në rastin më të skajshëm, që ato, t’u paguanin dëmshpërblim shqiptarëve, “në mënyrë retroaktive”, jo më pak se “100 milionë sterlina, për shkak të copëtimit dhe të kolonizimit të tyre”.
Kjo kërkesë nuk është fare realiste, por një nonsens sui generis si në kuptimin historik, juridik, ashtu edhe në atë politik dhe diplomatik mbase historia nuk mund të revizionohet sipas akteve dhe dekreteve poltiike të mëpastajme retroaktive të individëve privatë, të shtetarëve dhe të qeverive të shteteve të dëmtuara ose të padëmtuara në etapa të ndryshme të historisë së derisotme të bashkësisë ndërkombëtare.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :