Data : 23 09 2018
KryeTitujt :

PËR ITALIANËT ”Matteottas” QË LUFTUAN NË DELVINË

 

A N A S T A S     G U R M A -ish-komandant Divizioni

ANASTAS GURMA

Në 8 shtator 1943 Marshalli Badolio, Kryeministër shpalli kapitullimin pa kushte të Italisë dhe tërheqjen e trupave italiane nga fronti i luftës së Dytë Botërore kudo ku ndodheshin.                                                                           Në Shqipërinë e jugut, në shtator të vitit 1943 ishin të dislokuara forca të Korparmatës së katërt të ushtrisë Italiane. Në zonën Gjirokastër –Sarandë vepronin Divizioni “PERUZHIA” dhe Regjimenti 49 i Divizionit   ”BRENUERO”. Regjimenti 49 pas kapitullimit,mbrëmjen e 24 shtatorit u imbarkua në portin e Sarandës, në tre anije u nis në drejtim të Italisë për riatdhesim. Fatkeqësisht në mëngjesin e 26 shtatorit konvoi i anijeve në afërsi të brigjeve Italiane u bombardua nga avionë Gjermanë duke pësuar një tragjedi të rëndë. Një pjesë e vogël e Regjimentit 49 mundi të shpëtonte. Ndërsa Divizioni “PERUZHIA” i çarmatosur u përqendrua në qytetin e Sarandës. Komanda partizane e zonës së parë operative i bëri thirrje komandantit të Divizionit Gjerman Ermesto Kiminello, që trupat të rreshtoheshin me forcat partizane,por ai nuk pranoi. Me këtë vendim 120 oficerë të Divizionit “PERUZHIA” u pushkatuan nga forcat Gjermane në qytetin e Sarandës,ndërsa 8000 ushtarë mbetën në mëshirë të fatit. Me ndihmën e komandës partizane të vendit u shpërndanë në fshatrat e Konispolit ,Delvinës dhe Sarandës.                                          Në 15 Maj 1944 me ushtarët italianë që ishin të shpërndarë nëpër fshatrat e zonës së Delvinë-Konispol-Livadhja-Theollogo,u krijua batalioni partizan”Matteotti”.Ky batalion në fillimet e tij u rreshtua në Grupin e katërt Partizan “ÇAMERIA”të zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër. Batalioni mori emrin e një luftëtari të lëvizjes antifashiste Italiane”MATTEOTTI”.Efektivi i batalionit ju përgjigj thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të U.N.ÇL, duke u inkuadruar vullnetarisht në rreshtat partizane. Në ditën e krijimit në batalionin “MATTEOTTI” u rreshtuan 80 partizanë italianë. Me kalimin e kohës efektivi i këtij batalioni arriti deri në 150 partizanë. Në përbërje të tij kishte ushtarë Polak,Çek e Gjermanë,të cilët kishin dezertuar nga ushtria Gjermane. Komandanti i batalionit partizan “MATTEOTTI”u zgjodh togeri i artilerisë Domeniko Giannantonio profesor i gjuhës Spanjolle. Komisar u zgjodh Giusepe Vasta me pseudonimin “Murati”, Giusepe fliste shumë mirë gjuhën shqipe (kemi të drejtë të mendojmë se ka qenë Arbëresh).   Në shtabin e batalionit bënin pjesë Tarquata Donati, Ezio Appiani,  Alessandro Versiglia, kapiten Rosario Russo dhe togerët Pilleri e Zagaglio.                                                                                                        Pietro Vaneti partizan i batalionit “MATTEOTT”, i inkuadruar më parë në batalionin partizan shqiptar me rojet partizane të vendit në fshatin Pandalemon, më 16 Maj 1944 në ditarin e tij shkruante: “Eshtë formuar një batalion partizan me italianë. Rekurtimi në këtë batalion përfshin përveç italianëve që luftuan në radhët e ushtrisë shqiptare edhe ushtarë italianë që kishin gjetur strehim pranë familjeve fshatare shqiptare” .Më tej në kujtimet e tij Vaneti shkruan:”Kushtet e këtyre, parë në një kuadër të përgjithshëm me vendasit atje ,ishin në kompleks të mira ,do të thoshja më të mira se sa në vendet e tjera të Shqipërisë jugore, ku lufta antiguerrile ishte më e rëndë dhe me pasoja për popullatën, e për pasojë më dramatike për italianët pas datës 8 shtator       Ushtarët italianë që pas kapitullimit punonin pranë fshatarëve, pranuan vullnetarisht rekrutimin pa asnjë lloj ankimimi .                             

 

Nga ky kontingjent i ushtrisë Italiane në Ushtrinë Nacional Çlirimtare u rreshtuan 15000 partizanë Italianët, të cilët luftuan me armë në dorë deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë,duke dhënë një kontribut të veçantë. Partizani i Brigadës-19 sulmuese, zëvendës komisar kompanie Kamber Haxhi,në kujtimet e tij shkruan:”Nga thirrja jonë një pjesë e italianëve u bashkuan me forcat partizane të zonës Konispol-Theollogo-Delvinë. Nga këto forca më vonë u krijua batalioni partizan”Matteotti” me rreth 100 partizanë. Komandanti i këtij batalioni ishte një oficer artilerie i quajtur Domeniko”.                                                  

 

Batalioni “Matteotti”armatim bazë kishte armatim të lehtë pushkë “91”.Brigada e 19 sulmuese përveç batalionit “Matteotti”në përbërje të saj kishte partizanë italianë në togat e mortajave dhe skuadrat mitraliere, sepse ato ishin armatimi i tyre dhe ata ishin mjeshtra në përdorimin e tyre. Në çdo batalion të Brigadës së 19 sulmuese zhvilloheshin kurse për njohjen e armatimit, për qitje me mortajë dhe mitraloz të rëndë, që drejtoheshin nga oficerë dhe partizanë italianë.

 

                                                                            Batalioni partizan”Matteotti”në përbërje të Br-19s mori pjesë  në luftimet që u zhvilluan në Dhivër, Pandalemon, Krane, Konispol, Delvinë e Kiçok. Në kujtimet e tij Kamber Haxhi shkruan:”Në luftimet e Delvinës më 21 korrik 1944, dy mitraljerë italianë i kisha në kompaninë time. Të dy partizanët treguan trimëri. Ata ishin Antonio Xernoci komandant skuadre dhe Ndoc Krucani mitraljer. Të dy ranë heroikisht në fushën e betejës, në luftë për çlirimin e qytetit të Delvinës.                     

 

Në rregjistrin themeltar të Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të rrethit të Sarandës, janë të regjistruar si dëshmorë të batalionit “Matteotti”dhe Brigadës-19sulmuse këta emra, Antonio Xermosi, Ndoc Guarciano, Piero Pieri rënë më 21 korrik 1944 në Delvinë dhe Antonio Xhuzepe rënë më 9 tetor 1944 në Lefterhor të Delvinës. Ndërsa Ginson Xhuzepe dhe Mario Gallani, rënë në shtator 1944 në Pandelemon.                                                                               

 

Emrat e dëshmorëve Antonio Xermoni dhe Ndoc Guarciano janë të gdhendur në lapidarin e ngritur në qendër të qytetit të Delvinës,si simbol i luftës për çlirimin e këtij qyteti nga nazistët Gjermanë.   Batalioni partizan”Matteotti”luftoi me trimëri të rrallë, kudo ku ju caktua detyra,krah përkrah partizanëve shqiptarë të Brigadës të 19 sulmuese.                                                                                 

Në luftë për çlirimin e qytetit të Delvinës spikatën aftësitë luftarake,guximi,trimëria dhe kontributi i veçantë i partizanëve italianë, në mënyrë të veçantë i mitraljerëve dhe mortaistëvë të batalionit. Batalioni“Matteotti” luftoi në përbërje të Brigadës të 19 sulmuese, si formacion i kësaj Brigade, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në 6 Shkurt të vitit 1945, Batalioni “Matteotti”u bashkua me Batalionin “Antonio Gramshi”dhe në muajin Maj 1945,të dy batalionet partizane u riatdhesuan në vendin e tyre të bukur e të dashur, ku u pritën me mall e dashuri nga familjarët e tyre,nga të afërmit dhe gjithë populli Italian.                                                                                                 Në 15 Maj të këtij viti, mbushen 75 vjet nga dita e formimit të batalionit “Matteotti”.Luftimet e zhvilluara nga ky batalion, kontributi i tij në L.N.ÇL dhe dëshmorët e rënë për çlirimin e Shqipërisë, do të mbeten përgjithmonë një kurorë lavdie për të gjithë partizanët Italianë,që luftuan në Shqipëri.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :