Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Një tjetër monument dashurie në shpatet e blerta të letërsisë shqipe

Nga Kujtim Mateli

 

Çdo poet e ka synim që në krijimtarinë e vet të ngjitet në nivelet e sipërme poetike dhe vargu i tij të jehojë kudo nëpër atdheun e vet. Dhimitër Miti i përket grupit të atyre krijuesve që nuk e ndalën asnjëherë rrugëtimin e tyre poetik për të mbritur në nivelet e sipërme poetike dhe për t`i bërë jehonë poezisë së vet në të gjitha trojet shqiptare. Në të 10 vëllimet poetike të botuara deri tani, spikat angazhimi i tij qytetar për të afirmuar poetikisht gjithë proceset demokratike dhe përbashkuese të trojeve shqiptare.

Poezia është ai segment i komunikimit njerëzor, ku njeriu nuk përdor arsyen, nuk e bind dëgjuesin apo lexuesin me argumenta. Poeti përdor vargun për të zbuluar atë që nuk shihet apo preket, përdor vargun për të parë atë që nuk e perceptojnë shqisat. Një botë e afërt apo e largët vjen para shqisës së njeriut nëpërmjet poezisë: shikohet, preket, ndjehet. Pastaj zbret në brendësi të shpirtit njerëzor dhe e pushton atë.
+++

Është e vështirë të depërtosh në botën e mistershme të artit. Lexuesi apo dëgjuesi kënaqet me bukurinë estetike që përfitohet në një krijim poetik. Mjeshtrit e artit, në pak vargje, krijojnë tablo të fuqishme që veprojnë fort tek njerëzit.  Kështu vepron dhe poeti i talentuar Dhimitër Miti. Në tre vargje, siç janë poezitë e këtij vëllimi, janë krijuar tablo poetike që të mbeten përjetësisht në mendje edhe për shkak të strukturës. Shohim se si është ndërtuar trevargëshi nr. 43. Një dukuri natyrore dhe një tjetër njerëzore vihen përballë njëra-tjetrës.
“Seç thotë një zog,
Se si ia pret një zog”.
A nuk jemi magjepsur përballë një dukurie të tillë? A nuk kemi ndërprerë gjithçka: punën, ecjen, vështrimin, bisedën dhe kemi shijuar këngën e zogjve, këtë bukuri që krijohet në sfondin e bukurive tona natyrore? Po paska diçka më të lartë, më superiore, më njerëzore dhe më hyjnore që e kapërceka cakun e kësaj bukurie. Lexuesi sapo njihet me dy vargjet e parë e ka të vështirë të kuptojë se ç`qënka ajo gjë tjetër që e ka bërë atë të pavëmendshëm për atë që ndodh rrotull tij, që nuk ka arritur të kuptojë apo të zbërthejë gjuhën magjepse të zogjve. Përballë kësaj dukurie natyrore, poeti vë një dukuri njerëzore dhe këtë e jep me një varg të vetëm: “Ç`jam i zënë me ty e nuk i kuptoj dot”.

+++
Trevargëshi nr 98, jep gjendjen shpirtërore të individit të dashuruar. Natyra pret rrezen e ngrohtë të prillit që të çelë lule dhe të nxjerrë lastarë. Njeriu pret një vështrim, një vështrim që i ngjan se i vjen nga universi qiellor, por që realisht e ka fare pranë, në distancën e një hapi. Një vështrim i kërkon shpirti i dashuruar dhe: “di unë se ç`lastarë do të nxjerrë”.
Tabloja poetike e tre vargëshit nr 57, është e mahnitshme. Vallja, mikja fustani. Dhe gjejmë në këtë trevargësh: harmoni ritmesh, harmoni ngjyrash, harmoni zemrash. Tablo poetike që rikrijojnë realitete estetike ku mund të gjejë qetësi mendja dhe shpirti. Që të vazhdojë dhe të mos ndërpritet kjo bukuri, poeti e këshillon të dashurën e vet:
“Mos e nduk ashtu fustanin,
Atje, unë, vë në gjumë, xhanin”.

Në poezinë e Dhimitër Mitit, ndjenja e gëzimit dhe harmonisë zë një vend të rëndësishëm. Personazhet e tij janë vetëm dy: unë dhe ti, ose ai dhe ajo. Ata gjithmonë kanë diçka për t`i thënë njëri-tjetrit. Madje i flasin njëri-tjetrit dhe me zëra zogjsh.(nr 72). Rosa është pikturuar me mjeshtri në vargut mitian duke simbolizuar vajzën e dashuruar (nr 74).
Në një tjetër poezi (nr 69) e thëret rosën e vet të jetë e pranishme, se me praninë e saj dhe lumi i fjetur do të ndryshojë e do të mbetet zgjuar.

+++

Pasi lexon poezinë e Dhimitër Mitit, e ndien peshën e madhe që dashuria ushtron mbi qënien njerëzore. Njeriu nuk do të mund të kryente misione të larta në jetë siç është liria e individit dhe e popujve, nëse këto ndjenja fisnike nuk do të ngriheshin mbi atë bazament që emërtohet me emrin dashuri. Njeriu lufton, rrëzohet dhe ngrihet dhe të gjithë këtë e bën në emër të dashurisë për jetën dhe për atë që dashuron.

Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi, dashuria konturohet dhe merr pamje konkrete. Është vajza apo gruaja që ke në krahë. Ajo merr në penën e autorit pamje brilante, është mikja me të cilën ndan udhëtimin dhe siç thotë autori në poezinë nr 47, “udhët vdesin nga ikja jote”. Dashuria është frymë që s`të lë të asfiksohesh në momente të vështira, është kthjelltësi mendimi, është shikim për të parë në thellësi të botës ku jetojmë. Njeriu pa dashuri është qënie e ftohtë dhe siç thotë poeti në poezinë nr. 94, “Bëj sa të duash tendë flokët/ Edhe zogu më i mardhur/ Nuk do të vijë atje”.

+++

Poezia e Dhimitër Mitit është fllad pranveror që zgjon kujtesën, zgjon drithërimat e shpirtit drejt një realiteti të ri, që forcën e qënies njerëzore e gjen tek bashkimi shpirtëror i dy njerëzve, ku zemra ushqen zemrën dhe mendja mendjen. Ajo përcillet në shoqëri, përcillet tek qyteti ku banon dhe këtë poeti e shpreh artistikisht tek poezia nr.95. “U fikën dritat/ Dil pra shëtitje/ Të bëhet qyteti me sy”.

Dhimitër Miti  e ka vendosur dashurinë në qendër të universit të tij poetik. I ka dhënë ngjyrë, emocion, kujdes dhe vëmendje. Dashuria e tij ndriçohet nga shkreptimat e rrufesë së ndjenjave. Vargjet janë portrete vajzash dhe grash që lumturojnë botën shpirtërore, përsosin marrëdhënien në çift  dhe përcjellin optimizëm. Me vëllimin poetik, “Nëse bie borë më eja zbathur” autori u ngjit denjësisht në shpatet e blerta të letërsisë shqipe, për t`u bërë atje një dru i bleruar i letërsisë sonë duke i zgjeruar dimensionin dhe hapësirën, duke përcjellë mesazhe poetike për ta bërë njeriun dhe botën ku jetojmë gjithnjë e më të bukur.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :