Data : 23 07 2018
KryeTitujt :

Një sy diplomati nga Perëndimi e Lindja

 

 

hasan-luci-264x280Dr. Hasan LUÇI, ish-diplomat në Paris në sistemin monist

Një sy diplomati nga Perëndimi e Lindja

 

Ishte muaji korrik 1961, kur mora emërimin si diplomat në Paris. E prita me kënaqësi, por kuptova qartë edhe përgjegjësinë e kësaj detyre të re dhe tensionuese për mua. Më jepte guxim fakti që do t’i kushtoja punës tërë forcat e mia, megjithëse shëndetlig, por edhe më kishte forcuar jeta që tashmë kisha bërë. Kisha lindur në Rrëzë të Luçe, afër qafë Shkallës së Kuçit, ku janë zhvilluar luftëra të njëpasnjëshme, siç dëshmon historia që prej romakëve të Çezarit deri në LANÇ. Pas një sëmundje të rëndë dy vjet e gjysmë, nga 2 – 4 vjeç, gjyshja ime Veso Tahir Zeneli, m’u bë mjeku i parë, më shpëtoi jetën me mjekime popullore, me bulmet dhe me mish.

Pashë bukurinë e staneve në malin e Gurit të Gjatë dhe të Kumbullës, ku shkonim për verim dhe pyjet e bukur në çdo stinë. Pashë luftën italo-greke në 1940-1941 kur fronti u vendos ku banonim. Pashë edhe fshatin në flakë gjatë operacioneve fashiste italiane, gjermane e balliste. Fillova shkollën fillore pa u çliruar ende Atdheu në një dhomë shtëpie fshati duke u ulur në një trung ose në një arkë druri. Shkollën fillore e shtatë vjeçare i bëra dy orë e ca larg shtëpisë, duke kaluar kodra, pyje e përrenj të rrëmbyer në dimër, duke mbartur një dru për zjarr në shkollë. Ne nxënësit e vegjël mbartëm edhe bankat e reja të shkollës nga 4 kilometra larg nëpër terren malor Kuç qendër-Grashec; shkruanim në dërrasë të zezë me stalaktite, blinim fletore e lapsa kopjativë me vezët që i blinte mësuesi ynë dhe si bojë përdornim blozën e zjarrit.

Mora pjesë në ditën e parë, kur u sollën eshtrat e dëshmorëve në fshat më 1945 nga tërë anët e kombit tonë, ditë që më torturuan edhe ethet e urryera, se lëngova tërë ditën nën një gorricë. Mësoja mirë dhe babai e pa se nuk i bëhesha krah pune i fortë në fshat, prandaj më ndihmoi të ndiqja gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër me bursë si konviktor. Gjatë atyre viteve mora pjesë në aksionet lokale e kombëtare verore të rinisë, sidomos në hekurudhë Peqin-Elbasan, në rrugën e Dritës etj. Në shkollë u miqësova me bashkëmoshatarë dropullit nga pakica greke, vllahë dhe të tjerë nga shumë krahina të vendit. Njoha pakicwn greke të Dropullit në aksionet kulturore dhe në të korrat e misrit etj. Në shkollën e mesme u mora me letërsi, me gazetën e murit të shkollës, me teatër, me studime në bibliotekën e qytetit e të tjerë veprimtari rinore, përfshi volejbollin.

Pasi mbarova shkollën e mesme me rezultate të mira, kërkova të ndiqja studimet e larta për letërsi, mjekësi dhe kinematografi. Më dolën dy bursat e para, por fati u vendos ndryshe. Në vitet e socializmit nuk bëheshin konkurse për përzgjedhjen e kuadrove, por përdoreshin dy kritere bazë: biografia familjare e personale dhe profesioni, nëse kishe kryer studime të larta. Këtë punë e bënin zyrat e kuadrit të shtetit apo të partisë, në këtë kuadër hynin edhe ndërhyrjet përmes miqve për t’i përzgjedhur njerëzit në punë. Mua më zgjodhi Asaf Kondi, shoku i liceut së kushëririt tim Nuri Luçi, “Hero i Popullit”. Kështu studimet e larta i bëra në Moskë, ku u njoha më mirë me Luftën e Madhe Patriotike, me Stalingradin, kanalin Vollga

-Don, Jalltën, Soçin, shtëpinë e pushimit të Stalinit në liqenin Ric në Kaukaz, me Sevastopolin, Leningradin (Pallatin e Dimrit, kasollen e Leninit, Smolnin, Petergofin, Ermitazhin), festivalin e rinisë botërore në 1957 në Moskë e me të tjera bukuri të Moskës e të rrethinave të saj. Atje u njoha me të mirat e dobësitë e sistemit sovjetik, ku pësova për disa çështje zhgënjimin e parë ideologjik në kulmin e destalinizmit nga Hrushovi, të cilin e shanin kudo hapur që nga pastruesit deri te heronjtë e BS. Kisha njohur, nga një qëndrim i shkurtër Budapestin, Pragën e Brukselin në 1959. Veç leximeve të shumta për Francën, pata rastin më 1960 të isha në grupin shoqërues të Moris Torezit me gruan Zhanet Vermezh e djalin Pier, nga të cilët kuptova shumë për jetën e francezëve e për PKF. Në 1961 jetova prishjen tragjike me BS – në  kulmin e Luftës së Ftohtë, por isha krenar se populli ynë përballonte gjithçka dhe ecte përpara edhe në planin ekonomik, kulturor e arsimor,pse jo edhe ushtarak. Kjo jetë e rinisë time më jepte forca e shpresa për një jetë të mirë për popullin tim

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit