Data : 22 10 2018
KryeTitujt :

NJË POEZI PAK E NJOHUR KUSHTUAR KOSOVËN, SHKRUAR NGA HAMIT GJYLBEGU (botuar në vitin 1925)

 

Isa Alibali

isa_alibali-1

Dy fjalë për figurën e patriotit Hamit Gjylbegu.

Origjinën e hershme familja shkodrane e njohur Gjylbegu e ka nga fisi i Begollëve të Pejës. Ajo ka nxjerrë nga gjiri i vet figura të njohura, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë, traditat e kulturën e Shkodrës. Një prej tyre është edhe Hamid Gjylbegu, intelektual i njohur dhe, siç njihet në Shkodër, një “rebel”, i dalluar si antizogist, antifashist dhe veçanërisht si  antikomunist.

Lindi në Shkodër më 28 shkurt 1888. U shkollua në Shkodër e Manastir dhe pastaj kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll. Kur vinte për pushime në Shkodër, mbante në kokë një qeleshe ku shkruhej “Jam shqiptar”. Mori pjesë aktive në luftën kundër rebelimit të Haxhi Qamilit, duke e quajtur si lëvizje antikombëtare. Përkrahu qeverinë e Princ Vidit. Mori pjesë në ballë të Luftës së Koplikut kundër  synimeve serbo-malazeze për pushtimin e Shkodrës më 1920. Përkrahu Kongresin e Lushnjes dhe ishte një nga anëtarët më aktivë të Kryesisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër, përkrah juristit e diplomatit Hoxha Kadriut. Pastaj mori pjesë në lëvizjen demokratike të viteve 1921-1924, i rreshtuar në anën e opozitës, ndërsa në qeverinë e Nolit pati post të rëndësishmëm në Ministrinë e Luftës.

Jeta e Hamid Gjylbegut kaloi me shumë shqetësime dhe trazime të panumurta. Zogu e nxorri në pension para kohe, kur kishte mundësi t’i jepte më shumë ushtrisë shqiptare, ishte kundërshtar i shumë veprimeve zyrtare të kohës.

Por vite edhe më të vështira erdhën për Hamid Gjylbegun mbas vendosjes së diktaturës komuniste. E kundërshtoi me të gjitha mënyrat këtë sistem, nuk pranoi të votojë asnjëherë, deri sa u hoq nga listat e votimit. Atë e tronditi shumë edhe vdekja e djalit 23 vjeçar, të cilit iu kurdis një kurth i ultë e poshtrues në kampin famëkeq të Vloçishtit në vitin 1948.

Vdiq në vitin 1979. Këshilli Bashkiak i Shkodrës i ka dhënë titullin “Qytetar nderi i Shkodrës”…

Ka botuar 14 libra (deri në vitin 1943) me poezi dhe essè të ndryshme. Vepra e tij ka karakter patriotik dhe demokratik. Në historiografinë tonë ai imponohet si patriot-demokrat i vendosur e intelektual disident, i guximshëm, personaliteti i të cilit shfaqet me tërë kompleksitetin e vet në fushën e veprimtarisë politiko-shoqërore por edhe në botime e shkrime të shumta e me një larmi të madhe temash. Shumë thënie të Hamid Gjylbegut kanë mbetur në popull si aforizma, si p.sh. “Kjo botë askujt s’i del, kur vdes e shkon, gjithçka tepron”, ose “Burrit po i more armën, i ke marrë vetëm të pamen, por po i more kuletën, i ke marrë tanë jetën”, etj.etj.

Nga gjithë krijimtaria letrare e këtij autori, shkëpusim poezinë e bukur, të frymëzuar dhe me përmbajtje patriotike të titulluar “Kosovës”, marrë nga libri “Pak a shumë”, botuar në vitin 1925:

 

KOSOVËS

Moj Kosovë, fushë e bekueme,

Deri kuer mà, kshtu nen dhunë,

Deri kuer mà, si e shueme,

Deri kuer mà, tash po vuenë?

Deri kuer mà sytë e mij,

T’a dishrojnë at bukurij?

 

Deri kuer mà, ti me të hasun,

Deri kuer do të hekish zì,

Deri kuer me zemër të plasun,

Deri kuer mà, nen Serbi?

 

O Kosovë, o motra e ime,

Deri kuer mà, kshtu me t’pà,

Deri kuer mà, ndër mjerime,

Deri kuer me lot tuj kjà?

 

O Kosovë, o fushë e gjanë,

Deri kuer mà, me durue,

Deri kuer vetëm me t’lanë,

Deri kuer mà, me t’dishrue?

 

O Kosovë, o fushë e gjatë,

Deri kuer mà, kè me psue,

Deri kuer tì, moj e ngratë

Deri kuer mà, kè me pështue?

 

O Kosovë, o fushë e plleshme,

Deri kuer mà, kshtù në robnì,

Deri kuer mà, ti e preshme,

Deri kuer mà, pa lirì?

Deri kuer mà sytë e mij,

T’a dishrojnë at bukurij?

 

O Kosovë, o bìj e dashtun,

Deri kuer mà, kshtu n’at dorë,

Deri kuer, për ty me drashtun,

Deri kuer mà, nder mizorë?

O Kosovë, o lulzë e bukur,

Kuer do të dalë, ajo Prandverë,

Kuer do të vi te ti si flutur,

Kuer do të marr atje nji erë?

 

At-herë kuer, t’afrohet dita,

At-herë kuer, të vijnë bashkimi,

At-herë kuer, të zbardhin drita,

At-herë mue më vjen shpëtimi!…

 

Eni, djem, pra, të bashkohena,

E të punojmë për ditët e gzimit,

Rreth flamurit të betohena, 

T’ pshtojmë Kosovën  prej Robnimit.

 

Sipas të dhënave dhe duke u nisur nga viti i botimit të kësaj poezie të bukur, Hamid Gjylbegu e ka shkruar atë në vitet e zjarrta të fillimit të viteve ’20 të shekullit të kaluar, kur lufta e popullit shqiptar të Kosovës kundër dhunës e terrorit të egër serb kishte  vetëm rritje.

Autori shtron një ide të rëndësishme për të arritur fitoren mbi pushtuesit serbë: bashkimin e të gjithë popullit, të të gjitha forcave të veta në luftën për shpëtimin e Kosovës së bekueme…

Figura e Hamit Gjylbegut meriton një studim më të thelluar, më të plotë e të gjithanshëm dhe një vlerësim më të madh.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :