Data : 22 09 2018
KryeTitujt :

NGJARJE E RRALLË NE QYTETIN BREGDETAR

 

vlora

KREMTOHET  50  VJETORI I MATURAVE TË VITIT 1967 – TE SHKOLLES SË MESME “HALIM XHELO” – VLORË.

Në rrugën kryesore që hyn në Qytetin Bregdetar, vihet  re një gjallëri e veçantë, pavarësisht se është ditë pushimi. Në krahun e djathtë të kësaj rruge ndodhet shkolla e mesme e përgjithshme -“Halim Xhelo”, një nga shkollat kryesore të qytetit të Vlorës e ndërtuar në fillim të viteve 1960. Rruga para shkollës zjen nga një grumbull makinash që qëndrojnë para hyrjes së shkollës. Prej tyre zbresin qytetarë të ndryshëm që drejtohen nga oborri I madh para shkollës. Janë njerëz të moshuar rreth 67- 70 vjeçare, te mbajtur mirë, të veshur mirë, me flokët e zbardhur, por me vështrim rinor dhe buzeqeshje gjithë gëzim. Takojnë e përqafojnë njeri-tjetrin, çmallen sinqerisht, shkëmbejnë thirrje e përshendetje, flasin me zë të lartë, të qeshurat, thirrjet e habisë dhe gëzimit ushtojnë gjithandej.

Janë ish – nxënësit e kësaj shkolle, që para 50 – vjetëve mbaruan maturën në vitin 1967, në fund të muajit maj, si tani. Kanë 50 vjet që kanë lënë këtë oborr e këtë shkollë, janë larguar në drejtime të ndryshme , atje ku I hodhi fati, si zogjtë që largohen nga foleja kur e ndjejnë vehten se janë gati për të fluturuar vetë.  Janë larguar fare të rinj, që sapo kishin  shkelur në të 18-at dhe ja po rikthehen edhe njëherë, por tani flokëbardhë e me ballin me rrudha, por me shpirtin e ri si atëherë në vitin 1967.

Disa kanë pasur rastin të takohen herë pas here dhe shkëmbejnë kujtimet me njëri tjetrin, disa janë takuar shumë rrallë, por janë disa që po takohen plotë pas 50 – vjetëve. Nuk kanë patur kushtet dhe mundësitë për takime të mëparshme, qoftë dhe të rastit. Kanë ndryshuar kaq shumë sa nuk mund ti njohësh. Shkëmbejnë me gjallëri debate me njëri tjetrin, kujtimet rrjedhur si lumë, secili mundohet të tregojë sa më shumë nga kjo periudhë e gjatë gjysëm shekullore. Dikush përlotet, dikush ngazëllehet, shumica mundohen të tregojnë historitë kur ishin nxënës dhe të qeshurat buçasin në të gjithë oborrin. Flasin për jetën e secilit,punët ku kanë qenë angazhuar,peripecitë dhe hallet që kanë përballuar. Janë të gjithë intelektualë, dikush ka punuar në administratën shtetërore, dikush në arsim apo shëndetësi, dikush në Forcat e Armatosura, një pjesë janë profesorë në shkencë apo arsim, ndonjë perfshirë edhe në politikë, por sot e ndjejnë vehten nxënës të kësaj shkollë që për ato është e shtrenjtë dhe e paharruar. Kanë ardhur nga çdo qytet i Shqipërisë, një pjesë kanë ardhur nga jashtë vendit vetëm e vetëm për të festuar këtë takim, kanë ardhur nga Greqia dhe Italia, por edhe nga Amerika e Kanadaja. I mblodhi dashuria për vendin, për Vlorën e paharrueshme, I mblodhi nostalgjia për rininë e tyre. Koha kalon pa u vënë re, ish-nxënësit çmallen të përmallur.

Po shkon ora  11-00, Presin të hapen dyert e shkollës. Grupi I punës që organizoi takimin ka programuar futjen ceremoniale në shkollë dhe nëpër klasat përkatësë të vitit 1967.

Falenderohen pjestarët e grupit të punës që kanë muaj të tërë që po merren me organizimin e takimit të 50-Vjetorit. Ata janë munduar të lajmërojnë çdo bashkënxënës kudo që të ndodhej, kanë shfrytëzuar çdo mundësi e lidhje, deri tek lajmërimet në mediat lokale.  Falenderojmë Bardhyl Osmanin, drejtuesin e grupit të punës dhe shokët, Spiro Naqo. Josif Gjiknuri,  Engjëll Liçaj, e të tjerë që për disa muaj janë marrë me këtë punë.

Bije zilja e shkollës: Hapen dyert për të hyrë ish nxënësit, bëhet qetësi, të gjithëve u duket se do të hyjnë në mesim si para 50 –vjetëve, drejtohen ngadalë, hyjnë nëpër korridoret dhe ndahen nëpër klasat. Çaste prekëse, disa përfshihen nga mallëngjimet, ulen secili nëpër bankat ku uleshin para 50 –vjetëve. Ka disa që kanë harruar se ku kanë ndenjur dhe kjo shkakton shaka dhe të qeshura. Ulen,  ish –kujdestari i klasës bën apelin si njëherë e njëkohë. Improvizohen disa çaste mesimi, dikush del në dërrasën e zezë dhe zgjidh një ushtrim, kujtojnë mësuesit dhe një moment I veçantë u kushtohet shokëve e shoqeve të  ndarë nga jeta.

Nga 116 maturantë të vitit 1967, 19 prej tyre nuk jetojnë më.  Mbahet një minute heshtje për ta. Emrat e tyre lexohen para klasave.

  1. Burbuqe Saliu
  2. Dallandyshe Babe
  3. Dritore Murati
  4. Edmond Licka
  5. Ernest Kuçi
  6. Fatos Vaqarri
  7. Gani Mano
  8. Kastriot Çuçi
  9. Kiço Papanikolla
  10. Llambi Karanxha
  11. Leonora Çipi
  12. Marjo Petro
  13. Panajot Zilo
  14. Panajot Xhaxho
  15. Pavllo Mito
  16. Petrit Qejvani
  17. Sami Canaj
  18. Tomorr Koçia
  19. Viktor Matathia

Çastet kalojnë me shpejtësi sikur fluturojnë, nuk dëshiron njeri të largohet nga klasa, por s’kemi ç’të bëjmë, do të vazhdojmë sipas programit dhe me pahir dalin nga klasat. Gjithshçka filmohet, bëhen fotografi të panumërta dhe do të përgatiten polifoto me të gjithë pjesmarrësit.

Ora 12 00:  Pjesmarrësit e takimit drejtohen nga makinat dhe vargu i automjeteve merr rrugën drejt Ujit të Ftohtë.. Aty në një lokal buzë detit është përgatitur dreka. Deti pranë ka një kaltërsi dhe bukuri të pashoqe që u kujton edhe njëherë ish-maturantëve ato vite të largëta të rinisë së kaluar. Një fjalë e shkurtër përshendetje modeste nga ish maturanti Memush Habili, dhe të gjithë ulen në drekën e rastit. Dollitë, shakatë, historitë e kujtimeve dhe hareja shoqërojnë drekën.  Mbas drekës, një shëtitje e shkurtër buzë detit dhe vjen çasti i ndarjes. Secili do të largohet për në vendin ku jeton, por kthejnë kokën pas, si për të thënë se këtu po lëmë një pjesë të shpirtit, që do të na thërrasi përsëri në takime të tjera në të ardhmen.

Të rrojmë dhe të shpresojmë.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit