Data : 18 08 2018
KryeTitujt :

Në 1 Tetor të vitit 2020 “Censi” i ri

Në 1 Tetor të vitit 2020, Shqipëria do të nisë regjistrimin e popullsisë, karakteristikave kryesore të saj dhe banesave.

Këtë herë ky proces do të quhet “Censi” dhe jo “Censusi”, një fjalë që është tërësisht shqiptare, shpjegon Delina Ibrahimaj, drejtore e Institutit të Statistikave në një intervistë për Televizionin Klan. Për t’iu shmangur ndikimeve politike të procesit është zgjedhur që regjistrimi të bëhet pas 9 vjetësh, dhe jo pas 10 siç duhet te ndodhte normalisht.

Delina Ibrahimaj, drejtore e Institutit të Statistikave: Duam të sigurohemi që të dhënat të jenë sa më të sakta dhe besueshme, të mos ketë influencë nga zgjedhjet politike.

Në pyetësor edhe këtë herë përfshihet etnia dhe besimi fetar i individit, por ndryshe nga Censi i herës së shkuar përgjigjja është lënë me dëshirë.

Delina Ibrahimaj: Këto pyetje nuk do të jenë të detyrueshme. Individët do të jenë të lirë të zgjedhin të përgjigjen apo mos t’i përgjigjen këtyre pyetjeve.

Ata të cilët refuzojnë të përgjigjen apo japin përgjigje të gabuara do të penalizohen me 100 mijë lekë të rinj. Po ashtu penalitete do të ketë edhe për institucionet, apo kompanitë që mbledhin të dhëna personale 6 javë përpara se të nisë Censi.

Delina Ibrahimaj: Përgjigjja dhe pjesëmarrja në Censi është detyrim ligjor.

Të përjashtuar nga regjistrimi i popullsisë janë vetëm përfaqësuesit diplomatikë në vendin tonë, çdokush që është në Shqipëri që pas mbrëmjes së 30 Shtatorit, është i detyruar të përgjigjet. Pyetjet lidhen me karakteristikat thelbësore të individëve, ato të banesës së tij dhe të natyrës ekonomike e sociale

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :